Projekti “Lungo Mare” Konkurs ndërkombëtar për shëtitoren, Rama: Pavarësisht gabimeve, ndryshojmë Vlorën

0
130

Gëzim Saliu

Fituesi më 19 janar, Kryeministri: Projektin e bëjmë realitet para verës të 2015-ës

 

rama lungo mareHapet konkursi ndërkombëtar për vijën bregdetare të qytetit të Vlorës. Në teatrin “Petro Marko” u prezantua dje projekti “Lungo Mare” ku merrnin pjesë kreu i qeverisë Edi Rama, anëtarë të kabinetit, prefekti i Vlorës dhe përfaqësuesve vendorë . Projekti për shëtitoren parashikon që afati i fundit i dorëzimit të planeve për këtë konkurs do të bëhet deri në datën 6 janar, ndërkohë që në datën 19 janar do të shpallet edhe fituesi. “Kemi marrë një zotim që ti japim bregdetit dhe Shqipërisë në tërësi një përmasë të re zhvillimi, por njëkohësisht ti japim këtij zhvillimi shumëllojshmëri dhe ta bëjmë këtë zhvillim në një harmoni me natyrën dhe sa më pranë standardeve që sot përcaktojnë edhe cilësinë e industrisë së turizmit në botë, por edhe në Mesdhe dhe ky konkurs dhe ky projekt janë hapi i parë në realizimin e këtij zotimi ndërkohë që ky qytet dhe vija e tij bregdetare janë më siguri një sfidë për tu fituar në funksion të transformimit të gjithë vijës së përcaktuar nga konkursi ,nga pylli i Sodës deri lart tek tuneli në një realitet të ri evropian dhe urban të Shqipërisë së re turistike”, tha Rama dje në prezantimin e projektit.

Takimi

Për kryeministrin, pavarësisht dëmtimit të vijës bregdetare nga ndërtimet pa kriter, është i mundur transformimi i saj në harmoni të plotë me natyrën në funksion të turizmit. Ai theksoi se objektivi i qeverisë mbetet realizmi i këtij projekti brenda harkut kohor të dy viteve.  “Unë jam i bindur se pavarësisht dëmeve të bëra për shkak të mungesës së eksperiencës apo për shkak të ngutjes pas një zhvillimi të paqëndrueshëm potenciali është aty. Dhe jam i bindur që çdokush që kalon në pjesën e bregdetit të Vlorës në këmbë pas pastrimeve të bëra dhe atyre që do të bëhen deri në fund dhe shumë shpejt, e ndihen se aty është e gjithë hapësira për të ndërtuar një nga vijat urbane më të bukura të Mesdheut në funksion të zhvillimit të qytetit, në funksion të zhvillimit të gjithë vendit dhe në funksion të thithjes së një numri jo vetëm më të madh, por edhe më cilësor të turistëve drejt Vlorës”, u shpreh Rama. Në këtë kontekst, ai tha se qeveria e ka të gjithë  vullnetin për ta ndërtuar projektin për të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë duke e filluar me vijën bregdetare të Vlorës. “Unë jam i bindur se në një kohë relativisht të shkurtër besoj se duhen afro 2 vjet ne mund ta prekim me sy dhe ta jetojmë këtë realitet, këtë projekt që fillon sot. Objektivi ynë është që projekti të jetë i realizuar përpara sezonit të verës të vitit 2015 dhe unë jam bindur që i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë realitet këtë objektiv”, bëri të ditur Rama. Në fund, kreu i qeverisë pohoi se projekti “Lungo Mare”do të vihet në dispozicion në kohën e duhur dhe pa vonesë edhe burimin e financimit. “Sfida është që kësaj shëtitoreje ti japim përmasën e njeriut dhe që gjithë lëvizjen që sot është shumë e rënduar për shkak të makinave, ta devijojmë për të krijuar kushte që edhe lëvizja e automjeteve të jetë e garantuar përmes një segmenti tjetër dhe vija urbane të jetë në dispozicion të qytetarëve”, përfundoi Rama.

 

 

Berisha: Rama mori kompetencat e Gjikës në Vlorë, ndaloi ceremoninë e Presidentit

“Të dashur miq, sot (dje) në një akt të paprecedent së paku 70 vitet e fundit, shqiptarët që prisnin para ekraneve të televizorit të ndiqnin live transmetimin e ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, nga Presidenti i Republikës dhe festime të tjera, mbetën të zhgënjyer. Kjo ceremoni, që është shndërruar tashmë në një rit thuaj të shenjtë për mbarë kombin, këtë vit me urdhër të Edi Ramës nuk u lejua të transmetohej direkt nga mediat e vendit. Ky ishte urimi për Vlorën dhe shqiptarët nga Sheshi i tyre i Flamurit i z. Edi Rama. Ndërkohë, u transmetua direkt fjala e z. Rama në një takim, në të cilin ai de fakto u inaugurua si kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në këtë takim, në kundërshtim me nenin 13 të Kushtetutës dhe disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në dhunim të ligjit të pushtetit vendor dhe Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, Rama mori kompetencat e kryetarit të Bashkisë Vlorë, Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe shpalli konkursin për Lungo Maren e qytetit. Ky konkurs, sipas ligjeve të mësipërme, është e drejtë ekskluzive e Bashkisë së Vlorës, por deputeti i Vlorës, duke abuzuar me pushtetin e tij ekzekutiv, shpalli veten de fakto edhe kryetar të Bashkisë së qytetit që e votoi për deputet. Këtij i thonë deputet – kryeministër – kryetar bashkie = gaz i dheut!! sb”,  ka shkruar ish-kryeministri Berisha një ditë më parë në rrjetin social “Facebook”.

 

Uron për festën e Pavarësisë

Ambasadori i BE-së: Angazhim për axhendën e reformave

Ambasadori i Bashkimit Evropian në, Etore Sekui ka uruar dje shqiptarët me rastin e përvjetorit të 101-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet një mesazhi publik, kryediplomati i BE-së theksoi angazhimin e Shqipërisë në axhendën e reformave dhe bashkëpunimin ndërpartiak si të rëndësishëm dhe inkurajues për aspiratat e forta evropiane të Shqipërisë. “Me rastin e përvjetorit te 101-te te pavarësisë se Shqipërisë, i dërgoj urimet e mia te sinqerta popullit shqiptar ne këtë dite te veçantë për historinë e vendit. Ndërkohë që Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, angazhimi i saj ne axhendën e reformave dhe angazhimi i përtërirë politik ndërpartiak në reformat kyçe janë shprehje të rëndësishme dhe inkurajuese të aspiratave të forta evropiane të Shqipërisë”, shkruante Sekui në mesazhin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency