Festa e Flamurit me dy koka Vlora asnjë përshëndetje zyrtare. Pse ndryshoi protokolli?!

0
187

Gëzim Saliu

101-vjetori i Pavarësisë

Rama në Vlorë: Të angazhuar për ta çuar vendin përpara. Gëzuar festën e madhe!

Nishani, Kryeministri dhe Meta, bashkë në festimet në Vlorë. Presidenti: Kemi një traditë dhe histori të shkëlqyer, të bashkohemi për projektet tona më të mira. Meta: Integrimi, sfidë e së ardhmes

Pas ceremonisë, Rama dhe Meta në projektin e Vlorës, Nishani e Gjika tek shtëpia e patriotit Haxhiu

 

nderimet per diten e flamuritFestimet e 101-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit kanë mbledhur dje në qytetin e Vlorës Presidentin e vendit Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama e kabinetin qeveritar si edhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Ceremonia e kësaj feste nisi me vendosjen e kurorave me lule në varrin e Ismail Qemalit dhe më pas me ngritjen simbolik të flamurit kuqezi. Në aktivitetin ku ishin të pranishëm edhe autoritetet nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora, morën pjesë qytetarë të shumtë të cilët ndoqën në shesh ceremoninë e ngritjes së flamurit. Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, pasi uroi shqiptarët për ditën festive, deklaroi se qeveria që ai drejton është e angazhuar për të çuar vendin përpara. “Falënderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot në Vlorë, ne si qeveri jemi të angazhuar ta çojmë shtetin përpara. U uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar këtë festë të madhe!”, – tha kreu i qeverisë.

 

Ceremonia

Ceremonia festive për 101-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ka nisur në orën 11:00, ku Presidenti Nishani, Kryeministri Rama i shoqëruar nga kabineti qeveritar, Kryetari i Kuvendit Meta, kryebashkiaku i Vlorës Gjika si edhe personalitete të shumta nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi ishin të pranishëm në sheshin e flamurit. Pas ngritjes simbolike të flamurit, kurorën e parë tek varri i “babait të kombit” Ismail Qemali e vendosi dje Presidenti Nishani, i ndjekur nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe nga Kryeministri Edi Rama. Ndërsa kurorën e fundit me lule e ka vendosur kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në përfundim të ceremonisë Kryeparlamentari Meta u shpreh se integrimi është sfida e së ardhmes. “Është viti i parë pas 100-vjetorit të Pavarësisë dhe që u festua me madhështi. Ajo që më bën përshtypje janë dy gjëra, e para është përkushtimi i qytetarëve jo vetëm të Vlorës, por edhe nga mbarë trevat shqiptare, të cilët përsëri ndodhen sot këtu, për të festuar me të njëjtën mirënjohje këtë akt të madh të babait të Pavarësisë, Ismail Qemalit dhe njëkohësisht dhe të patriotëve të tjerë. Kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm në këtë njëvjetor të parë të 100 viteve që kanë hyrë tashmë për shtetin tonë, i cili po bëhet edhe çdo ditë e më tepër evropian. Është kënaqësi që jemi bashkë me Kryeministrin e Shqipërisë për të vijuar angazhimet në shërbim të modernizimit të shteti dhe për përmbushjen e aspiratës e të gjithëve ne për një Shqipëri evropiane”, – tha Meta. Pas ceremonisë, programi i festimeve mes Presidentit dhe mazhorancës u nda, pasi kreu i qeverisë mori pjesë në konferencën për konkursin ndërkombëtar të vijës bregdetare e ndërkohë kreu i shtetit i shoqëruar nga kryebashkiaku Gjika ka zhvilluar një vizitë në familjen e patriotit Osman Haxhiu, ku është pritur nga pasardhësit e tij. “Kisha dëshirë të nderoj kujtimin e atyre që kanë dhënë shumë për Shqipërinë. Familja juaj është një familje tradicionale me vlera të larta vlonjate. Që ditën që jam zgjedhur, e kam parë detyrën e Presidentit si një kontribut politik për gjithë vendin. Ne kemi një traditë dhe histori të shkëlqyer. Meritoni respekt të gjithë ju dhe ju garantoj që do kem vetëm një orientim “Të përfaqësoj vendin dhe prezantoj ju sa më mirë!” Le të bashkohemi e të mbështesim përpjekjet tona më të mira”, – u tha Presidenti Nishani familjarëve. 101 vite më parë, Ismail Qemali i shoqëruar dhe nga 83 delegatë shpalli pavarësinë e vendit në qytetin e Vlorës me anë të simbolit të ngritjes së flamurit kombëtar më 28 nëntor të vitit 1912. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912 ishte një akt historik, që ngriti lart krenarinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

 

 

Detaji

Në Vlorë nuk mban fjalim askush, përse ndryshoi protokolli nga vitet e tjera?

Ndryshe nga tradita e viteve të shkuara, në ceremoninë e djeshme në qytetin e Vlorës në nderim të 101-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit, askush nga krerët e lartë të shtetit, duke përfshirë edhe kryebashkiakun Gjika, nuk ka mbajtur fjalim. Edhe pse morën pjesë në ngritjen simbolike të flamurit si edhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemali, asnjë prej krerëve të shtetit nuk ka përshëndetur zyrtarisht ditën festive, por janë mjaftuar vetëm me prononcime për mediat pas përfundimit të ceremonisë. Lidhur me këtë fakt, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deklaroi se këtë vit ceremonia ishte e përcaktuar në këtë formë në protokoll. “Së pari uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, gëzuar festën e 28 Nëntorit, festën e shtetit shqiptar, 101-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Besoj se ishte një aktivitet dhe festë e gëzueshme, siç ka qenë edhe herët e tjera. Ndërsa sa i përket pyetjes suaj se përse nuk kishte një fjalë, ju e patë që protokolli sot nuk kishte asnjë përshëndetje”, – tha Gjika. Një vit më parë, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, si Presidenti Nishani ashtu edhe kryebashkiaku Gjika mbajtën një fjalim, pasi prenë më parë në mënyrë simbolike tortën e 100-vjetorit të pavarësisë.

 

Pritja zyrtare për 28 Nëntorin

Nishani: Të vijojmë reformat, të mos lejojmë që Shqipëria të bëhet atdheu i njerëzve sipërfaqësorë

Në pritjen zyrtare për 28 Nëntorin, ditën e shpalljes së Pavarësisë së vendit, Presidenti i vendit kërkoi dje angazhimin e të gjithëve për të vijuar reformat në zhvillimin e vendit si edhe në kontribuimin për një shtet me dije e kulturë të trashëgueshme. Pritja në Pallatin e Brigadave, ku merrnin pjesë Kryeministri, kreu i Kuvendit, përfaqësues të politikës si nga mazhoranca ashtu edhe opozita, komuniteteve fetare, medias si edhe të ftuar të shoqërisë civile, kreu i shtetit theksoi se është e rëndësishme të punohet edhe më tepër për afrimin me Evropën. “101 vjet më parë burra të shquar dhe të lavdishëm shqiptarë, mbrojtës të penës dhe pushkës, që për Shqipërinë dhanë jetën, bënë të mundur shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar. Nga koha kur më 28 nëntor 1912 me shtizën e bukur dhe lartësinë e merituar Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin kombëtar për të ardhur sot në këtë 101-vjetor u deshën shumë sakrifica, shumë mundime dhe shumë lodhje. Me kokën lart me vështrimin përpara, tash e tutje duhet të kujdesemi për më tepër begati për më tepër lirë e më tepër shpresë. Mosmbetja prapa zhvillimeve globale ndaj një bote që ndryshon kërkon shumë përkushtim, sfida të vështira kemi përpara. Të vijojmë reformat e nevojshme, të vijojmë reformat arsimore që shkollat të na prodhojnë njerëz me dije të aftë për të përballuar sfida të mëdha të punëve të nesërm. Të bëjmë çmos të zbusim klimën politike. Të vazhdojmë të punojmë edhe më tepër për sa na ka mbetur për afrimin me Evropën”, – tha Nishani. Në këtë kontekst, Presidenti theksoi se me rëndësi parësore është edhe kujdesi për brezin e ri që të jetë i pajisur me vlera qytetare. “Dashuri për dijen, patriotizëm, pasion. Duhet të kujdesemi më tepër për trashëgiminë kulturore, sepse nëse nuk prodhojmë kulturë për ta trashëguar këtë kulturë nuk i kemi dhënë asgjë kombit. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësojmë stabilitetin më të madhe në të gjitha nivelet. Ndërkohë të promovojmë dhe ti shtojmë vlerat kombëtare, por pa i tepruar sepse diktatura të merr me vete në glorifikimin e vetë. Demokracitë ecin më fuqishëm së bashku. Në fund të fundit sado të vjetër të lavdish, me gjuhë të pasur, kulturë e histori të lashtë jemi një komb si të gjitha të tjerat. Në këtë këndvështrim ne duhet të shikojmë veten për të ndrequr gabimet dhe të ecim përpara. Të mos lejojmë që Shqipëria të bëhet atdheu i njerëzve sipërfaqësore, ta bëjmë Shqipërinë vendin e njerëzve që Shqipëria meriton, njerëzve zemërmëdhenj që punojnë shumë e mendojnë pak për vete e shumë për tjerët,që e duan atdheun që njohin meritën e tjetrit dhe nuk e teprojnë me të drejtë. Gëzuar dhe gjithmonë qofshim bashkë!”, – pohoi kreu i shtetit, Bujar Nishani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency