Takimi i fundit, Basha: Me Olldashin, plan për opozitë moderne dhe PD të fortë

0
149

Florenc Drizari

Lulzim Basha: Forcimi dhe zgjerimi i PD-së, nderimi më i mirë për Sokolin

 

Mbledhja_e_GrupitMbledhja e djeshme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nisi me një minutë heshtje në kujtim të deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një aksident automobilistik në aksin rrugorë Elbasan – Tiranë. Po me një minutë heshtje nisën punën edhe komisionet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Në karriget ku ka qenë i ulur deputeti Olldashi, u vunë buqeta me lule në kujtim të tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kujtoi edhe një bisedë të fundit që kishte bërë me deputetin Olldashi, para se ai të pësonte aksidentin fatal në afërsi të kryeqytetit.

Basha tha: “Të dyve na pati rënë të dyve shorti dhe nderi të lançoheshim në moshë të re në politikën e lartë nga kryetari historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe të merrnim të dy përgjegjësi të mëdha në qeverisjen tetëvjeçare të Partisë Demokratike”. Për këtë z. Basha tha se gjatë një takimi që kishte pasur me Olldashin pak ditë më parë, kishin ndarë të dy pikëpamjen e një opozite të fortë kundër mazhorancës Rama – Meta dhe një bashkim i mëtejshëm opozitar. Me këtë qëndrim, kryetari i Partisë Demokratike duket se u është përgjigjur edhe disa zërave që dolën ditët e fundit në media se në planet e Olldashit ishte edhe krijimi i një fraksioni brenda radhëve të opozitës.

Biseda e Bashës me Olldashin

“Po evokoj shkurtimisht në këtë mbledhje takimin shumë të përzemërt dhe të hapur që patëm vetëm pak ditë para aksidentit tragjik. Folëm shtruar për zhvillimet politike, ndamë të njëjtat pikëpamje për qeverinë e shumicës së sotme që është shndërruar në faktor rreziku për demokracinë dhe ekonominë shqiptare me paligjshmërinë dhe arbitraritetin e saj të ngritur në sistem brenda një kohë të shkurtër.

Ndamë gjithashtu bindjen se përballë këtyre sfidave grupi ynë parlamentar dhe mbarë Partia Demokratike duhet të vazhdojmë të qëndrojmë fort me fakte, profesionalizëm dhe argumente, me bashkim dhe kohezion të fortë opozitar, duke bërë nul në këtë mënyrë çdo përpjekje apo projekt të kundërshtarëve tanë në qeveri për të futur përçarje, për të krijuar opozitën e opozitës, me qëllim dobësimin dhe eliminimin e Partisë Demokratike që është ëndrra e tyre e vjetër.

Sokoli iku në kulmin e moshës, në aksidentin fatal të së mërkurës, që na veshi në zi të gjithëve. Nuk mund të linte amanete, por unë dhe ju e dimë mirë se opozita e fortë, ballore dhe e pandashme kundër qeverisë “Rama-Meta” ishte gjithashtu kredoja e tij politike, se kohezioni opozitar, në respekt të lirisë demokratike të diskutimeve dhe debateve, ishte gjithashtu formula e tij për Fillimin e Ri dhe Ringritjen që synojmë.

Duke forcuar e modernizuar opozitarizmin, duke forcuar radhët tona, duke i zgjeruar radhët tona me një hapje të re të fuqishme të Partisë Demokratike ndaj brezit të ri dhe njerëzve të lirë të Shqipërisë, ne nderojmë kujtimin dhe veprën demokratike të mikut dhe kolegut tonë të paharruar Sokol Olldashi”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Gjithashtu, në fjalën e mbajtur para deputetëve të grupit parlamentar demokrat, Lulzim Basha foli edhe për mijëra mesazhe të ardhura në drejtim të tij dhe PD-së, si ngushëllime për Sokol Olldashin.

Ai gjeti rastin të falënderonte të gjithë mbështetësit që treguan solidaritetin e tyre.

“Mijëra mesazhe ngushëllimi kanë ardhur këto ditë Partisë Demokratike, mua si kryetar i saj nga njerëz të thjeshtë brenda dhe jashtë vendit, nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile, nga komunitet fetare, nga parti dhe politikanë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, nga parti simotra evropiane, nga miq të huaj, nga përfaqësues diplomatikë të vendeve mike të botës këtu në Tiranë, e shumë të tjerë. Të gjithë janë bashkuar me dhimbjen tonë, me dhimbjen e familjes dhe të afërmeve të Sokolit, me dhimbjen e mbarë vendit për ketë humbje të rëndë. Në emrin tuaj dëshiroj t’i falënderoj nga zemra të gjithë për ngushëllimet e tyre të ndjera”, – deklaroi Basha.

 

 

Berisha: Ja kartolina e Ramës dhe Metës për të varfrit në Shqipëri

Ish-kryeministri Berisha tha se mashtrimi është kartolina e qeverisë “Rama-Meta” për të varfrit e Shqipërisë. Lideri historik i së djathtës e lidhi këtë qëndrim të tijin me premtimet e kryesocialistit Rama gjatë fushatës së fundit elektorale të 23 qershorit. Berisha tha se Rama betohej para shqiptarëve se brenda 100 ditëve të para do të ulte TVSH për ushqimet, ilaçet dhe energjinë në masën 20 për qind, por ende kjo nuk ka ndodhur. Sipas ish-kryeministrit, kjo është një tallje ndaj votuesve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

“Gjatë fushatës elektorale, Edi Rama, njeriu që zotohej në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë se do të ndihmonte të varfrit, duke derdhur lot krokodili për ata që numëronin fetat e bukës, betohej se në 100 ditët e para të qeverisjes së tij ai për të ulur çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe energjisë do të hiqte TVSH-në, pra taksen prej 20% mbi to, dhe kjo do të ulte ndjeshëm çmimin e tyre dhe do lehtësonte dhimbjet e përditshme të të varfërve në Shqipëri.

Por pas marrjes së votës se tyre, pa iu tharë boja premtimit, qeveria Rama – Meta tërhiqet nga premtimi dhe deklaron se nuk mund të heq TVSH-në për ushqimet, ilaçet, energjinë duke bërë kështu një megamashtrim elektoral para me të varfërve të vendit dhe mbarë shqiptarëve. Kjo është kartolina që qeveria Rama – Meta u dërgon të varfërve, pensionistëve e të papunëve për Vitin e Ri. sb”, – ka shkruar ish-kryeministri Berisha një ditë më parë në profilin e tij internet, në “Facebook”.

 

 

PD, Vokshi: Qeveria u mohon festat e fundvitit personave në nevojë!

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po u mohon festat e fundvitit personave në nevojë. Me anë të një deklarate për mediat, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, tha se Kryeministri Edi Rama konfirmoi zyrtarisht se personat me aftësi të kufizuara, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët, personat në nevojë dhe ata që marrin asistencë ekonomike për papunësinë, nuk do të festojnë as Krishtlindje, e as Vitin e Ri.

“Qeveria, si asnjëherë më parë në këtë vend, u mohoi atyre festën, duke mos u dhënë shpërblimin që u takon e me të cilin ata jetojnë.

Lajmin e dha ministri Erion Veliaj sot (dje), me një gjakftohtësi absurde kriminale, kur tha se pagesat e prapambetura do të merren vetëm nga janari 2014. Po bëhen tre muaj që kjo kategori në nevojë e shoqërisë sonë nuk merr asnjë nga pagesat që u takojnë. Administrata e Ramës gjeti më shumë se 4 miliardë lekë në buxhet të destinuara pikërisht për të kryer këto pagesa. Nevojiteshin vetëm 2 ose 3 milionë dollarë për të mbuluar këtë zë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Çfarë bëri qeveria “Rama”?

Me rishikimin që i bëri buxhetit, duke e zhytur vendin në borxhe, thjesht harroi të parashikonte vetëm 2-3 milionë dollarë për të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët nga plot 220 milionë dollarë që mori borxh. Qeveria harroi personat me aftësi të kufizuara dhe të papunët, por nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e Kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash etj.”, – deklaroi Vokshi në një dalje për mediat nga selia e Partisë Demokratike.

 

Dita Ndërkombëtare, PD: Qeveria, dhunuesja më e madhe e grave

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë e Kryeministrit Rama se Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas e gjen gruan shqiptare në një gjendje të vështirë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, deklaroi: “Qeveria ka ndërmarrë një fushatë spastrimi të paligjshme dhe të pamotivuar në administratë, duke larguar nga detyra dhjetëra qindra gra, kjo në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me vlerat, duke nëpërkëmbur dinjitetin human, dhjetëra e qindra gra sot thirren çdo ditë nga shefat e institucioneve dhe përzihen nga puna me urdhra partiakë”.

Sipas zëdhënëses Vorpsi: “Kjo fushatë nuk ka kursyer gratë profesioniste, gratë në karrierë, nëpunëset civile, pavarësisht kontributit të tyre të çmuar në sektorët më të rëndësishëm të administratës dhe të prioriteteve të vendit. Nëse doni një shembull tipik se si i trajton gratë Edi Rama, se si ushtron ai dhunë ndaj tyre, merrni rastin e kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive. Ai po përdor të gjitha metodat e shantazhit, psikologjik dhe fizik, kundër një zonje që ka një mandat të ligjshëm të votuar nga Parlamenti. E njëjta sjellje bëhet edhe nga të tijtë, në ministri e kudo, ku çdo ditë hiqen nga puna në mënyrë arbitrare vajza dhe gra të zonjat e që kanë ndërtuar me mund karrierën e tyre profesionale”, – theksoi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency