A do të pranojë qeveria? Mediat e huaja: Ka mbaruar, është thënë “po”

0
173

Gëzim Saliu

Burime pranë qeverisë flasin për tërheqje. Rama pritet të shpallë vendimin sot

 

mbledhja e qeverise RamaQeveria shqiptare nuk shpall zyrtarisht qëndrimin e saj lidhur me mundësinë e demontimit të armëve kimike në vend. Por pavarësisht mungesës së deklaratës zyrtare, mësohet nga burime pranë qeverisë se kjo e fundit do të tërhiqet nga negociatat, duke mos pranuar demontimin e armëve kimike në Shqipëri. Kjo mundësi u përforcua edhe më shumë kur burime pranë qeverisë i bënë të ditur “Zërit të Amerikës” se qeveria duket se do të tërhiqet nga bisedimet për shkatërrimin e armëve siriane në territorin shqiptar. Nga ana tjetër, pavarësisht nga vendimi i sotëm, një pjesë e deputetëve të mazhorancës kanë bërë të ditur votën e tyre kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri; pas konfirmimit të deputetit Ben Blushi, edhe deputetët Koço Kokëdhima dhe Alfred Peza kanë bërë të ditur votën kundër.

 

Mediat

Ndërkohë, ditën e fundit një numër i madh gazetash dhe agjenci prestigjiozesh lajmesh ndërkombëtare kanë dhënë informacione, sipas së cilave, Shqipëria i ka thënë “po” SHBA-së për demontimin e armëve kimike të Sirisë. Ditën e djeshme agjencia e lajmeve japoneze “The Japan News” citoi burime nga Brukseli që kanë thënë se Shqipëria ka arritur marrëveshjen bazë me SHBA-në për çmontimin e armëve kimike të Sirisë. “Damasku do t’i paketojë armët kimike dhe ato do të transportohen në një anije që ndodhet në portin e Sirisë Perëndimore me ndihmën e Rusisë. Nga aty, një anije tregtare e Belgjikës do të sjellë armët në Shqipëri, ka thënë një burim i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i cili momentalisht ndodhej në Hagë”, – bënte të ditur burimi i agjencisë. Po ky burim ka pohuar se disa vende të BE-së janë zotuar që ta sigurojnë udhëtimin e anijeve në mënyrë të pacenuar. Ndërkohë dy ditë më parë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi se nuk është marrë asnjë vendim lidhur me mundësinë e demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Në përgjigje të valës së protestave që po zhvillohen në të gjithë vendin, kreu i qeverisë deklaroi se “po”-ja e Shqipërisë për armët kimike nuk do të jepej kurrë pa pasur garancitë e nevojshme për të siguruar integritetin e vendit, qoftë në aspektin jetik, mjedisor dhe në aspektin e të ardhmes. “Kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krahë Shteteve të Bashkuara është i lidhur me interesin e çdo shqiptari, të çdo familjeje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe të familjeve të këtij vendi në këtë vend, çka do të thotë se “po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot. Kurrë ne nuk do të thoshim një “po” pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje që do të garantohet jo vetëm që rreziqet e imagjinuar për shkak të një propagande të mbështetur në një tërësi të pavërtetash të kthehemi në një problem”, – tha Kryeministri.

 

Deputeti i PS-së

Doshi: SHBA më konfirmoi se nuk ka vendim

Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, deklaroi dje se ende nuk është marrë një vendim lidhur me demontimin e armëve kimike të Sirisë. Në mbyllje të vizitës së tij në SHBA, Doshi theksoi: “Dëshiroj që të sjell në vëmendje edhe një herë shqetësimin tuaj të madh në lidhje me demontimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar dhe dëshiroj t’ju garantoj se gjatë kësaj vizite m’u konfirmua edhe një herë nga përfaqësuesit e Kongresit Amerikan dhe takimeve të tjera konfidenciale që kisha këtu se akoma nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për këtë proces”.

 

 

Zv.kryeministri në Athinë, takim me Venizelosin

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi do të jetë nesër në Athinë. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë, e cila njofton se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Evangelos Venizelos do të takohet nesër me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. “Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Evangelos Venizelos do të takohet nesër, e premte, 15 nëntor, ora 10:30, në Ministrinë e Jashtme, me zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Niko Peleshi”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke. Ne njoftim nuk bëhen me dije temat qe do të jenë në qendër të diskutimeve. Ndërkaq, për këtë vizitë nuk ka pasur asnjë njoftim nga qeveria shqiptare. Nuk dihet nëse Peleshi do të ketë takime të tjera me zyrtarë të tjerë në Greqi. Vetëm pak kohë më parë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Evangelos Venizelos vizitoi Shqipërinë dhe menjëherë pas tij edhe Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias.

 

Video-mesazhi i artistes

Elsa Lila, Ramës: Thuaju “jo” armëve, dëgjo zërin e qytetarëve dhe lëri mënjanë interesat ekonomike

Artistja Elsa Lila, e cila njihet si një mbështetëse e Kryeministrit Edi Rama, i është drejtuar këtij të fundit me një video-mesazh, ku i kërkon t’u thotë “jo” armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Elsa Lila, e cila u përfshi në grevën e urisë së opozitës që drejtohej nga Rama disa vite më parë, i kërkon kreut të qeverisë që të gjejë forcën dhe të lërë mënjanë interesin ekonomik e politik dhe të dëgjojë zërin e shqiptarëve

 

 

 

Vizita në Mal të Zi

Rama dhe Gjukanoviç: Partneritet për integrimin. E rëndësishme rruga Adriatik – Jon

Kryeministri Edi Rama u prit dje nga homologu i tij malazez, Millo Gjukanoviç, ku sipas njoftimit të qeverisë së Malit të Zi, takimi mes tyre ka qenë mjaft i frytshëm. “Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende mike të cilët munden të ndihmojnë njëra tjetrën në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. E kemi ndarë mendimin që në atë lami mund të bashkëpunojmë shumë mirë, në dobi të dyanshme, në mënyrë që ti kapërcejmë më lehtë sfidat në këtë fazë të integrimit të shteteve ton”, – tha Gjukanovic. Po ashtu, Kryeministri Gjukanoviç dhe Rama veçanërisht kanë theksuar rëndësinë e rrugës Adriatik – Jon, me bindje që do të gjejnë parat për ndërtimin e saj. “Rruga Adriatik – Jon do të jetë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës turistike të dy vendeve tona, por edhe si mundësi për të gjitha vendet që të ndërlidhën në të dhe, me këtë gjë, të marrin pjesë në zhvillimin turistik”, – ka pohuar Gjukanoviç. Dy kryeministrat pajtohen që në të ardhmen investitorëve mund t’i dërgojnë oferta të përbashkëta, kur bëhet fjalë për turizëm, infrastrukturë dhe energjetikë.

 

Debati me protestuesit

Braçe: Sarina s’ka rrezik, ikën me sapun. Studenti: Po vendet e tjera, pse nuk e duan?

Deputeti socialist, Erion Braçe, debatoi me studentët që kishin dalë në protestë kundër armëve kimike, duke pohuar se ata po mashtrohen për këtë çështje. Në debatin e bërë publik nga “News 24” mes deputetit socialist dhe protestuesve, këta të fundit shprehën shqetësimin e tyre lidhur me mundësinë e demontimit të armëve kimike siriane në vend.

Debati

Braçe: Kush të ka thënë që është armë?

Studenti: Media.

Braçe: E para të ka gënjyer, çfarë është arma? Shpërthen apo nuk shpërthen?

Studenti: Shpërthen.

Braçe: Atëherë kush do ta shpërthejë, unë dhe ti…

Studenti: Po vendet e tjera, pse nuk duan këtë armë?

Braçe: Ku e di ti?

Studenti: Kemi parë të gjitha hartat, studimet, nuk i lënë të kalojnë as në ujërat territoriale.

Braçe: Kë studim mor, kë studim?

Studenti: Unë s’po flas kot, kemi parë gjithë ato lajme.

Braçe: Kë studim, më thuaj kë studim?

Studenti: Po nuk ka rëndësi.

Braçe: A e kuptoni që po ju gënjejnë mor, po ju gënjejnë… A e di çfarë është Sarina?

Studenti: Po, e di, gaz është…

Braçe: Po nuk është gaz mo, është lëng, e di si të vret? Vetëm me shpërthim. Mund ta marrësh, ta prekësh në dorë dhe s’të bën asgjë. T’i lash duart me sapun dhe s’të bën asgjë. Çfarë dëgjoni mo?

Studenti: Pse nuk e duan vendet e tjera, vetëm një gjë më thuaj, pse nuk e duan?

Braçe: Cilat vende mo, cilat vende?

Studenti: Finlanda.

Braçe: E di ti ku bie Finlanda mo? Nga do t’i bjerë mo për të shkuar në Finlandë? E di ti ku është Siria?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency