Berisha: Gazifikim për të gjitha familjet shqiptare në katërvjeçarin e ardhshëm

0
139

Ina Jano

berishaKKTRSH, Vendimi: Miratohet leja për kaskadën e Devollit, TAP çështje e rëndësisë kombëtare

 

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKTRSH) vendosi dje që kaskada e Devollit të fillojë punimet në vitin 2013. Një tjetër vendim i rëndësishëm që mori ky këshill është edhe përcaktimi i projektit Trans Adriatic Pipeline (TAP) si një çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit. Kryeministri Berisha, në nisje të mbledhjes së Këshillit, i quajti këto vendime historike për nga rëndësia e këtyre dy projekteve për Shqipërinë, rajonin e Evropën dhe tha se shifra që këto projekte kapin është 2.7 miliardë euro. Zoti Berisha tha se impakti që këto dy projekte sjellin është jo vetëm në aspektin e fuqizimit të sistemit energjetik dhe të ekonomisë shqiptare, por edhe social, pasi së bashku projektojnë 42 mijë vende të reja pune, ndërsa nënvizoi edhe faktin se në 4-vjeçarin e ardhshëm familjet shqiptare nuk do tu mungojë gazifikimi.

Kaskada e Devollit

Ky projekt shtrihet në qarkun e Korçës dhe të Elbasanit dhe është investim i Devoll Hydropower sh.a., me vlere mbi 800 milionë euro, me investitorë kompaninë austriake AVN AG dhe atë norvegjeze Statkraft AS. Në këtë projekt përfshihen dhjetëra kilometra tunele, dhe, HEC-et mbi lumin Devoll do të kenë fuqi të instaluar prej 319 MW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike 985 GWh/vit. Projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punonjës. Duke kaluar ndër zonat më të izoluara të vendit, ky projekt konsiderohet të sjellë një transformim të thellë urban të këtyre zonave. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë, tha se një rëndësi e veçantë do ti kushtohet trajtimit të mjedisit dhe bashkëpunimit me komunitetin. “Janë bërë me qindra takime me banorët e zonave në terrenin më të vështirë, që fillon në Banjë dhe përfundon në Maliq, një aks shumë i vështirë për t’u kaluar, por që do të jetë një nga rrugët më të bukura të vendit, me një peizazh mahnitës. Me banorët janë diskutuar të gjitha problematikat, duke i garantuar ata se ky ndërtim do të jetë një perspektivë e re shumë pozitive për të ardhmen e tyre”, -nënvizoi Kryeministri.

TAP

Në gjykimin e kreut të qeverisë TAP është projekti më fizibël dhe me më shumë mundësi fitimi në garën që do të përfundojë pranverën e ardhshme. Pozita gjeografike ë bën të tillë, por edhe kushtet dhe gatishmëria e qeverisë ka bërë ky projekt të jetë pozitiv dhe i gatshëm për tu miratuar në muajt në vijim. Kryeministri tha se TAP-i nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë për shkak edhe të diversifikimit që i bën fushës së gazit. “Shqipëria nis e sigurt, në katërvjeçarin që vjen, gazifikimin e familjeve shqiptare në të gjithë territorin e saj, duke ju garantuar atyre energji për ngrohje e gatim, me koston më të ulët se të gjitha format e energjisë që përdoren sot”, – tha Berisha. Në mbledhjen e Këshillit u morën edhe disa vendime të tjera për ndërtimin e hidrocentraleve “Lenie”, “Shalës”, “Strelcë”, në rrethin e Korçës, për hidrocentralin “Zall-Tore” në Librazhd, për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “Ura e Fanit” dhe “Fangu”, rrethi Pukë dhe rrethi Mat si dhe u miratua Plani i Përgjithshëm Vendor për Bashkinë e Kamzës dhe Beratit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency