Zbardhet takimi treorësh Eurokomisioneri: Tryeza e dialogut të nivelit të lartë ishte një fillim i shkëlqyer. 5 përfundimet

0
150

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Luftë kundër korrupsionit dhe krimit. Falënderoj në mënyrë të posaçme kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu

 

rama dhe fyle konferencePër thuajse tri orë, komisioneri për Zgjerimin, Fyle, dhe delegacioni i KE-së, Kryeministri Rama dhe ministra të qeverisë si edhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Bregu, diskutuan dje në një tryezë të përbashkët çështjet prioritare të integrimit. Pas përfundimit të takimit, eurokomisioneri u shpreh optimist se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së në dhjetor, duke theksuar njëkohësisht domosdoshmërinë e ecurisë në prioritetet e vendosura. Sipas komisionerit, takimi i djeshëm ishte një fillim i shkëlqyer në përpjekjen e klasës politike në kuadër të përmbushjes së aspiratës evropiane, ku në të u arritën 5 përfundime të rëndësishme. “Në fakt, më duhet të them që unë prisja të kishim diskutime të mira, një fillim të mirë apo të mbarë, por ajo që pashë është se kemi pasur një fillim të shkëlqyer, kemi pasur diskutime të shkëlqyera me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që ishin të pranishëm”, – tha Fyle. Nga ana e tij, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e tryezës, ku theksoi se takimi shërbeu për të kaluar përpjekjet e qeverisë në drejtim të reformave, siç janë ato për forcimin e reformave të forcimit të rendit ligjor dhe gjithashtu në luftën kundër korrupsionit.

Përfundimet

Duke e cilësuar si një vit të mbarë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, komisioneri Fyle tha se në tryezën e djeshme u morën informacione shtesë që do të merren në konsideratë nga KE dhe do të paraqiten tek shtetet anëtare. Në këtë kontekst, eurokomisioneri bëri të ditur 5 përfundimet e tryezës së djeshme duke nënvizuar rëndësinë e dialogut, gjithëpërfshirjes dhe ecurisë në reforma. Së pari, ne kemi patur mundësinë që të përkufizojmë objektivin kryesor të këtyre bisedimeve që është mbështetja për procesin e integrimit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Synimi është që të strukturohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të mbajë në fokus dhe konsensusin tek integrimi në Bashkimin Evropian. Së dyti, më duhet të them që ne kemi rikonfirmuar sërish që gjithëpërfshirja dhe transparenca do të jenë elementët kyçë. Në fakt ishte dhe një gjë, së cilës iu referua edhe Kryeministri i vendit, që kishte të bënte me praninë aktive dhe pjesëmarrjen konstruktive të kryetares së Komisionit Parlamentar për Çështjet e Integrimit, zonjës Majlinda Bregu”, – tha Fyle, duke shtuar se një tjetër përfundim ishte ai që lidhej me udhërrëfyesin konkret apo një plani veprimi, i cili do të japë rezultate për këto 5 prioritete kyçe. “Së katërti, ne vlerësojmë shumë qëllimin e qeverisë për të krijuar një platformë të një dialogu kombëtar për integrimin evropian, në të cilën do të përfshihen, jo vetëm qeveria dhe opozita, por edhe shoqëria civile. Së pesti, ne kemi rënë dakord që në fund të dimrit, pra vitin që vjen, do të kemi edhe takimin tjetër të radhës. Por, kemi rëndë dakord dhe kemi arritur në përfundimin që nga dita e sotme deri në momentin kur do të publikohet progres-raporti i ardhshëm, të kemi edhe 4 takime të tilla, të dialogut të nivelit të lartë”, – theksoi komisioneri. Ndërkohë, Kryeministri Rama e ka nisur fjalën e tij me falënderimin e posaçëm për kryetaren e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu, duke theksuar se ky takim shërbeu për të adresuar çështjet e rëndësisë së veçantë në kuadër të integrimit. Sipas kreut të qeverisë, Komisioni Evropian ka bërë një propozim të pastër për vendet anëtare, që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit në dhjetor, duke nënvizuar se merr të mirëqenë që Shqipëria do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Çka do të thotë se deri sekondën e fundit Shqipëria duhet të provojë se po lëviz në drejtimin e duhur dhe se rëndesa e gjithë atij imazhi negativ të krijuar në raport me këto dy çështje themelore, krimin e organizuar dhe korrupsionin, në sytë e vendeve anëtare do të jetë diçka që do t’i takojë të shkuarës. Ja pse është me fort rëndësi që të theksohet se çka ne sot i prezantuam në detaje komisionerit dhe çka ne diskutuam në detaje edhe me kryetaren e Komisionit të Integrimit, lidhet vetëm me fillimin e një pune që do të shkojë duke u intensifikuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa e marrë të mirëqenë”, – deklaroi Kryeministri Edi Rama.

 

 

 5 përfundimet e tryezës

Mbështetja për procesin e integrimit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë

Gjithëpërfshirja dhe transparenca do të jenë elementët kyçë

Udhërrëfyesi apo plani i veprimit për të vëzhguar se si Shqipëria do të japë rezultate për këto 5 prioritete kyçe

Vlerësim për platformën e një dialogu kombëtar për integrimin evropian, në të cilën do të përfshihen, jo vetëm qeveria dhe opozita, por edhe shoqëria civile

Në fund të dimrit, pra vitin që vjen, do të zhvillohet takimi tjetër i radhës. Ndërkohë, nga dita e djeshme deri në momentin kur do të publikohet progres-raporti i ardhshëm, do të zhvillohen edhe 4 takime të tjera

 

5 prioritetet e vendosura nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

1- Vazhdimi për zbatimin e reformës në administratën publike.

2- Veprime për pavarësinë, efikasitetin e gjyqësorit.

3- Vendosmëri në luftën kundër korrupsionit.

4- Të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar.

5- Masa për të forcuar të drejtat e njeriut, të komunitetit rom dhe pronave

 

Qëndrimi i KE-së

Fyle: Opozita, çdo të drejtë proteste, faktor ky për integrimin

Në përfundim të tryezës së dialogut të nivelit të lartë mes KE-së dhe Shqipërisë, eurokomisioneri Stefan Fyle deklaroi se ky takim ishte një nisje e shkëlqyer në kuadër të aspiratës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Duke vlerësuar rolin e opozitës, i pyetur nga gazetarët lidhur me protestën e zhvilluar përpara Kryeministri lidhur me zgjedhjet e Korçës, eurokomisioneri pohoi se opozita është tërësisht në të drejtën e saj dhe se çështja duhet të hetohet. “Së pari, dëshiroj të them që opozita është një aktore shumë e rëndësishme në këtë proces. Unë, si dje ashtu edhe sot, jam siguruar për mbështetjen e opozitës për aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar në Bashkimin Evropian. Jam shumë i sigurt që kjo do të merret parasysh nga shtetet anëtare në takimin e tyre të dhjetorit, për vendimin. Në të njëjtën kohë, në rast se mund t’i referohem demonstratës së djeshme, dëshiroj të them 2-3 gjëra të shkurtra. Së pari, besoj vërtetë që ato gjëra që nuk duheshin bërë, në rast se janë bërë, do të hetohen në mënyrë të plotë. Së dyti, respektoj plotësisht të drejtën e opozitës për të shprehur mendimet e veta dhe të drejtën e opozitës për të demonstruar. Së treti, shpresoj, gjithsesi, që do të gjenden mënyra të tjera për të komunikuar mes opozitës dhe qeverisë, për të trajtuar çështje të rëndësishme. Takimi i sotëm, mund të them që ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur”, – tha komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle.

 

Bregu: Media nuk duhej të përjashtohej nga tryeza

Ndërsa tryeza e dialogut të nivelit të lartë, e organizuar nga Ministria e Integrimit, nisi me dyer të mbyllura pa praninë e medias, opozita u përfaqësua vetëm nga deputetja Majlinda Bregu. Para nisjes së takimit ish-ministrja tha: “Jam e vetmja përfaqësuese e opozitës dhe më vjen keq që takimi zhvillohet pa praninë e medias, pasi do të diskutohen çështje të rëndësishme”.

 

Axhenda e djeshme e eurokomisionerit

Eurokomisioneri Stefan Fyle e ka nisur ditën e djeshme me një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë dhe më pas është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile. Më tej, ai ka marrë pjesë në tryezën e dialogut të nivelit të lartë, ku u diskutuan çështjet kryesore të integrimit. Pas thuajse tre orësh diskutimit, eurokomisioneri dhe Kryeministri Rama dhanë një konferencë për shtyp ku bënë të ditura detaje nga takimi si edhe nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të reformave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency