Armët kimike siriane Rama: Nuk ka vendim, kur do të duhet ta marrim, do ta ndajmë me publikun dhe Parlamentin

0
125

Gëzim Saliu

Kryeministri: Nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim. Në diskutimin me SHBA-në do të mbroj interesin kombëtar të Shqipërisë

“Askush nuk duhet ta harrojë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, s’ka paralelizma me importin e plehrave”

 

rama per armet kimikePas një jave protestash nga qytetarët dhe shqetësimesh e akuzash për mungesë transparence të ngritura nga opozita, Kryeministri Edi Rama ka folur dje për herë të parë për çështjen e armëve kimike të Sirisë. Duke bërë të ditur se kjo çështje është në diskutim të brendshëm me vendet e tjera anëtare të NATO-s, kreu i qeverisë theksoi se ende nuk ka asnjë vendim dhe se në momentin kur do të duhet të merret vendimi, qeveria do ti drejtohet publikut dhe Parlamentit. “Unë dua ta theksoj shumë qartë, fakti që, nuk ka më shumë informacion sesa informacioni që ka dhënë ministri i Jashtëm përpara Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, ka të bëjë me faktin se nuk ka më shumë informacion. Kemi thënë përmes ministrit të Jashtëm, duke iu përgjigjur interesit të medias gjatë vizitës së tij në Francë, se jemi kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara dhe në këndvështrimin tim, e kundërta do të ishte shqetësuese, që Shqipëria të mos kontaktohej për një çështje për të cilën janë në kontakt të gjitha vendet e NATO-s. Kemi thënë, po ashtu, se në fillin e këtyre kontakteve ka pasur një bisedë mes meje dhe Sekretarit të Shtetit për rreth 30 minuta, ku kemi diskutuar për këtë çështje dhe po ju them që nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë transparencë më shumë se kaq që mund të bëhet, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne jemi bashkë me vendet e tjera, në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim. Në momentin që do të na duhet të marrim një vendim, sigurisht, këtë do ta ndajmë me publikun dhe pa asnjë dyshim me parlamentin”, – iu përgjigj Rama pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me eurokomisionerin Stefan Fyle.

Reagimi

Në reagimin e tij Kryeministri i vendit vlerësoi dhe ndjeshmërinë që ka ngjallur në popull çështja e armëve kimike, ku shtoi se qytetarët nuk duhet të besojnë gjithçka thuhet rreth kësaj çështjeje. Sipas Ramës, askush nuk duhet ta harrojë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe krahasimi i çështjes së demontimit të armëve kimike, theksoi ai, me atë të importimit të plehrave nuk qëndron. “Unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe jam plotësisht në krye të detyrës, për të përfaqësuar me dinjitetin më të plotë në këtë përpjekje dhe në këtë diskutim me SHBA dhe me gjithë të tjerët, interesin kombëtar të Shqipërisë, që është i pandashëm me çështjet e sigurisë nga interesi kombëtar i SHBA, por edhe interesin e çdo familje shqiptare. E në ndërkohë arsyeja pse ende nuk i kam takuar drejtpërdrejt përfaqësuesit e kësaj proteste, me disa nga të cilët kam komunikuar personalisht, është shumë e thjeshtë: nuk është një heshtje që fsheh gjësend, por është sepse nuk jemi ende dhe mund të mos jemi në pikën, që na duhet të marrim një vendim”, – theksoi kreu i qeverisë, duke shtuar se nëse do të duhet të marrë një vendim do ta diskutojë me qytetarët dhe Parlamentin. “Ama duke e mbështetur vendimin në fjalë ose kërkesën për të marrë një vendim mbi tërësinë shteruese të të gjithë argumenteve që i duhen me të drejtë çdo shqiptari, jo vetëm për të mos pasur frikë, as thjesht për të qenë i qetë, por për të qenë krenar për Shqipërinë dhe për të qenë i vetëdijshëm për çdo arsye të drejtësisë të një vendimi të tillë. Kjo është e gjitha dhe nuk kam dashur dhe nuk kemi dashur, të futemi në një debat, pa debat”, – përfundoi Kryeministri Rama.

 

 

Rama: Nëse nuk do të isha në zyrën ku jam, do të merrja pjesë në protestë

“Nuk ka asnjë dyshim se po të mos isha në zyrën ku jam dhe po të “dëgjoja” ekspertët që kanë marrë përsipër t’u tregojnë shqiptarëve një panorame apokaliptike, do të isha në protestë. Por në zyrën ku jam, nuk shoh as panoramën apokaliptike dhe as mundësinë që të jap më shumë të dhëna, për një diskutim të brendshëm, brenda familjes së vendeve anëtare, sepse pavarësisht se këtu nuk po shkojnë avionë, apo tanke, apo ushtarë në terren, po zhvillohet një luftë me një mjet të ri, çarmatosjen pa luftë”.

 

 

Armët kimike

Arvizu: SHBA po diskuton edhe me shtete të tjera, nuk ka vendim. Rauning: Armët nuk janë lodra

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Alexander Arvizu, deklaroi dje se ende nuk ka një vendim konkret lidhur me çështjen e sjelljes dhe shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Pas një vizite në Kukës, Arvizu i pyetur për çështjen e armëve kimike deklaroi se SHBA po diskuton edhe me shtete të tjera dhe se nuk është marrë një vendim konkret se ku do shkojnë të shkatërrohen këto armë. “Sikurse e tha edhe ministri i Jashtëm disa ditë më parë, ka pasur disa diskutime të SHBA-së dhe Shqipërisë. SHBA kanë bërë diskutime edhe me shtete të tjera gjithashtu. Por, ende nuk është marrë një vendim. Gjëja jetike është që SHBA-ja është një mik i Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, – tha Arvizu pas një vizite në Kukës, duke shtuar se mirëqenia e popullit shqiptar është në konsideratë nga SHBA-ja. Ndërkohë, ambasadori i OSBE-së Florian Rauning, ka pohuar: “Armët kimike nuk janë lodra që importohen”. Ambasadori shtoi se javën e shkuar ka përfunduar paketimi i mbi 80 tonë lëndëve kimike të rrezikshme, të fundit të mbetura në mjediset ushtarake, dhe tani OSBE-ja po bën përpjekje për të siguruar fondet për t’i transportuar këto lëndë për shkatërrim jashtë vendit.

 

Kryetari i Kuvendit

Meta: Parlamenti ka detyrimin të shprehet, do të kontribuojmë për paqen me mundësitë që kemi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar dje se i takon qeverisë që të shprehet lidhur me asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se edhe Parlamenti e ka detyrim të shprehet për çështje. Meta pohoi se duke qenë se Shqipëria është anëtare e NATO-s duhet të japë kontributin e vet për paqen me mundësitë që ka. “Kjo është një çështje e cila i takon së pari qeverisë që po shprehet, së dyti padyshim parlamenti në çdo rast ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehet pa asnjë diskutim. Njëkohësisht duhet vlerësuar dhe mirëkuptuar ndjeshmëria atdhetare dhe e grupeve të shoqërisë civile. Unë theksoj bindjen time se në çdo rast, çdo vendim do të merret në mënyrë transparente, që do të thotë gjithmonë Shqipëria ka treguar se është një vend që dëshiron të kontribuoj për paqen dhe sigurinë. Është një vend që ka përfituar jo pak nga paqja dhe siguria, për të cilën kanë kontribuuar dhe aleatët tanë. Por duke u mbështetur gjithmonë në ato mundësi që vendi ynë ka dhe që lejojnë marrjen e përgjegjësive. Pa asnjë diskutim gjithmonë në mënyrën më transparente dhe Kushtetuese”, – tha Meta në konferencën me homologun e tij rumun Valerius Stefan Zgonea, ku kreu i Kuvendit kërkoi që Rumania të njohë shtetin e Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency