Lamtumirë

0
150

Virion Graçi

 

Fitim Allani, një i ri, të cilin mallkimi i litarit e ndjek qysh në fëmijëri, më pas nën diktaturë përjashtohet për shkaqe politike nga universiteti, papritur në demokraci merr dënim të përjetshëm, po nga politika. Romani i ri i Virion Graçit, “Litari dhe lamtumira”, përtypet më vështirësi, sepse fatet e individit dhe fataliteti i shkrimtarit nuk arrijnë të shpëtojnë jetën e një personazhi nga duart e politikës, dhunës shtetërore… historia që rrëfen në retro dhe sot makthet dhe shqetësimet të vështruar nga provincat, si mentaliteti dhe mendësia vazhdon të na mbajë të izoluar si shoqëri. Ironia goditëse dhe surealizmi zbulojnë dhe dëshmojnë deformimin e qenies pas rënies së diktaturës. Më poshtë botojmë një fragment nga romani, fundi fatal i Adelës dhe Fitimit në burg

 

lamtumirePas vdekjes së nënës së Fitimit, me gjithë largimin e rrufeshëm të atyre pak njerëzve që patën ardhur, Adela nuk e ka ndjesinë e vetmisë. Shtëpia e boshatisur ngjan e madhe, e ngrohtë, pëshpëritëse. Ditën mendon me frikë se nata që po vjen do të jetë e tmerrshme, me hije, me zëra të ngjirur dhe zhurma të dyshimta. Në fakt, jo. Që në muzg e vë kokën në nënkresë si e vdekur dhe ashtu e gjen mëngjesi. Në gjumë i duket se qesh dhe loz. I duket se është e vogël, i ngjan se është pranë motrës së saj më të madhe, Viosës. I ngjan se motra nuk ka përfunduar poshtë digës së rezervuarit vaditës… gjasme e rrëzuar aksidentalisht.

Ia dëgjon Viosës zërin te dera e dhomës së gjumit, e dëgjon kur i avitet te koka e shtratit. E dëgjon motrën kur ajo e prek lehtë te maja e hundës. Shkarkohet përnjëherë nga hijet dhe ndrydhjet, rritet përnjëherësh dhe barazohet në moshë me motrën e madhe, barazohet me Viosën: në shtat, në vite, në pamje. Duke ecur qetë-qetë në majë të gishtave, e shoqëron deri në oborr, i shkon pas rrugëve të shkreta të fshatit. Nën dritën e hënës bëjnë bashkë dhjetëra kilometra rrugë në këmbë për t’u kthyer andej nga kanë ardhur dikur: larg nga ky fshat i panjohur, larg nga ky fshat i mallkuar. Lamtumirë.

“Mos i zgjo”, – thotë Viosa, – janë pleq, janë të lodhur, të trembur”. “Jo, nuk i zgjoj”, -thotë Adela, – veçse dua t’i them babait tonë se s’ka qenë e nevojshme mbajtja e mërisë tërë jetën. Dua t’i them se nuk ka rëndësi të jem e penduar që qëndrova e mbyllur në guaskën time, izoluar hermetikisht prej jush”.

“Fjalë pa kuptim, Adela”, e qorton motra e madhe, Viosa. “Fjalë pa kuptim, lëri në paqe, janë pleq”. Lamtumirë baba, lamtumirë, nënë!

Adela afrohet te diga e rezervuarit. Atje poshtë, në ujin e ftohte ngjyrë hiri notonte dikur trupi pa jetë i Viosës. Pranë pluskonin qilimi dhe tapeti hedhur nga rrahësit e saj për të keqorientuar policinë dhe çoroditur opinionin.

“Një herë në vit kam ardhur këtu, ti nuk më ke pare”, i thotë motra e vogël, Adela, motrës së madhe, Viosës, “mendoja se ishte shpirti yt diku këndej”.

“Shpirti im je ti, – i thotë Viosa, – ti je kaq e mirë, e vogla motra ime. Të paska munduar kujtimi im. Ke sakrifikuar duke ardhur vetëm deri këtu. Ke rrezikuar në një fare mënyre”. “Jo, fare”, betohet Adela, “madje këtu, pranë kësaj dige është vendosur edhe fati im i mëtejshëm”. “Si vallë?” pyet Viosa. “Kisha dalë për ty, këtej më gjeti e më pushtoi ai që u bë im shoq. Më kapi duke u treguar pak i dhunshëm, i rrëmbyer”. “Fitimi?!” “Ai”. “Të është skalitur në tru ajo ditë? Kanë kaluar shumë më tepër se dhjetë vite”. “Po, por është ngjarje e freskët, aktuale, ndodhi e orës së fundit”, thotë Adela. Dhe shton: “S’ka tre-katër sekonda që ka ndodhur, apo jo, Viosa?!” “Po”, – pranon Viosa, “tre-katër sekonda kohë janë një hapësirë e pamasë, e pafundme”.

Pas vdekjes së vjehrrës shkon herët në shtrat dhe zgjohet vonë në mëngjes Adela. Shtriq krahët dhe pulit qepallat kur dielli ngjitet me mundim përgjysmë në horizont. Ne gjumë porsa është njohur me Fitimin, është puthur me të vetëm tre-katër sekonda më parë para tre-katër sekondash i ngjan se ka lindur Mira; mungesa gati pesëvjeçare e Fitimit ka veç 3-4 sekonda që ka ndodhur dhe po kaq ka zgjatur, shpërngulja nga shtëpia në burg nuk ka veçse 3-4 sekonda që ka ndodhur. Natën, në gjumë nuk guxon t’i avitet njeri Adelës. Demka nuk ia përmend borxhet dhe listën e ushqimeve të papaguara; nuk i kërkon afat përshit-blerjen e shtëpisë; nuk i vendos vlerë qesharake shtëpisë së Fitimit dhe kontratë parablerjeje tokës qark saj. Natën Demka nuk i kërkon pacipërisht të dalë mbasdite vonë vetëm nga korijet rrëzë kodrave të fshatit. Në gjumë zyra e avokatisë dhe avokati për birësimet nga Tirana nuk ekzistojnë, nuk ekzistojnë as prindërit e rinj të Mirës, Ligoraqi dhe Nikoleta, nuk ekziston as Mira vetë si bijë e saj nga shpirti e gjaku. Në gjumë gjërat thjeshtëzohen. Tomi dhe turli rrugaçësh kokëpalarë dhe pisanjozë, nuk i hedhin mahi dhe shprehje të ndy ta kur iu kalon afër. Në gjumë nuk guxon ta marrë dikush në telefon me numër të fshehur; nuk i shkruajnë mesazhe me përmbajtje të flliqur; s’ka brenga e keqardhje, s’ka pendime dhe dilema; s’ka makthe, mistere. Pas vdekjes së vjehrrës dhe dorëzimit të Mirës te prindërit e rinj, s’ka sfinksa a monstra në gjumin e saj. E rritur, afër 40 vjeçe afërsisht: – e porsa transformuar në fëmijë në të njëjtën kohë. E bukur, e freskët, joshëse, e pambrojtur: – sfiduese, e paprekshme në të njëjtën kohë. Gruaja besnike e një të burgosuri të përjetshëm: – gruaja e lirë, e pavarur nga gjithkush, njëkohësisht. E varfër, pa krip dhe bukë në shtëpi, pa profesion përveç shatës dhe lopatës: – e pastër, e hijshme, e lakmuar, njëkohësisht. E kjo mrekulli ekzotike, kjo botë përrallore e ndrequr vetiu në mënyrë të mrekullueshme kur koka e Adelës varet e përgjumur mbi nënkresë, vjen dhe plasaritet dy-tre orë pas mesnate: gjelat ia nisin këngës. Bota e magjishme e Adelës merr goditje më të forta 4-5 orë më vonë, kur fugonat e pasagjerëve që shkojnë në qytet i mëshojnë gazit dhe burive duke tromaksur gurët dhe drurët shekullorë. Bota e pastër e Adelës shembet nga tërmeti akustik, sharrohet përdhe nga curiami 6-7 orë më vonë kur postieri i krahinës ulëret portë më portë:

– Erdhi posta, erdhi gazeta. Blini shtypin e ditës, vipat kanë vendosur t’i japin dorën njëri-tjetrit në praninë e mediave, me garancinë dhe ndërmjetësinë e europarlamentarëve. Blini gazetën me lajme të reja, tronditëse, fantastike. Merrni falas periodikun kulturor me të rejat e fundit nga kirurgjia estetike: tre orë operacion i suksesshëm plastik dhe Big Mama One, ridizenjon vithet dhe sisët për festat e fundvitit; një natë me Big Mama One, vetëm 1 000 euro.

Është zbardhur krejt. Ka nisur ditë tjetër, sipas kalendarit, ka nisur ditë e re. Nata me magjitë e errëta dhe mrekullitë e saj shëruese është nxjerrë me qeska plastike prej secilit dhe është hedhur në koshin e përbashkët të mbeturinave.

Adela përshkon në këmbë rrugën nga shtëpia – te rezervuari, nga rezervuari – te shtëpia e prindërve të saj; nga shtëpia e prindërve të saj – te lisi ku iu dha e tëra si femër Fitimit; nga lisi – në stacionin e autobusëve për në qytet; nga stacioni – në furgon, nga furgoni – në xhaden e gjerë me gjashtë korsi; nga xhadeja e gjerë kombëtare – futet në një rrugë të ngushtë fshati dykalimshe. Rruga e ngushtë e fshatit gjarpëron në gryka dhe hone në këmbët e maleve të lartë. Fugoni futet në një rrugë edhe më të ngushtë njëkalimshe: Rruga që të çon te burgu i sigurisë së lartë 131.

Zbresin nga fugoni tri gra të reja, janë mësuese në fshatin aty pranë. Zbret edhe Adela. I përshkon në këmbë dy kilometrat e fundit që e ndajnë nga oborri i burgut. I shikon malet por nuk dëshiron t’i përshëndesë, megjithëse ka vendosur të mos i shikojë më kurrë. Hyn në zyrën e verifikimit të personave që kanë takime. Dorëzon letërnjoftimin. Hyn te dhoma e kontrollit. I marrin çantën dhe sendet e pakta të higjienës vetjake: letra higjienike të aromatizuara me alkool. E pyesin për kohëqëndrimin, zotërinjtë policë. I bëjnë ofertën e zakonshme: – nëse do të rrijë më tepër në dhomën e takimeve intime, për çdo çerek ore mbi normën e lejuar duhet të paguajë nën dorë nga këstin e ditur të lekëve. Kësaj radhe Adela kundërshton. Nëse nuk do t’ia kishin kujtuar këtë ofertë të zakonshme, të jashtëligjshme, ajo mund të ishte ligështuar dhe mund t’i kishte thënë lamtumirë policit të shërbimit.

“Jo, do rri aq sa është norma, aq sa lejohet zakonisht”.

Adela shkon kryelartë te i shoqi, ecën me hap të vendosur, pa hezitim. Fitimi jo, nuk është kryelartë. Ai ka filluar të çalojë ndjeshëm, po i gangrenizohet kërciri i plagosur me plumb natën e kacafytjes me policët e dehur. Fitimi ka shumë arsye të jetë i kërrusur, i përulur ndaj Adelës; është ai fajtori, ai është personi në kërkim, është ai vrasësi i fatit të saj dhe i asaj vetë, kështu mendon Fitimi.

“A e ke mallkuar ditën kur rastësisht u takuam për herë të pare? A je penduar që u martuam bashkë? A je penduar që lindëm Mirën? A je penduar që ke ardhur këtu sot? A je penduar që më ke qëndruar në krah kur punonim dhe ëndërronim gjëra të bukura, njëkohësisht? A je penduar që je kujdesur dhe ke qarë për nënën time? A ke vendosur me gjakftohtësi të më ndjekësh deri në fund? Seriozisht e ke që do të bëhesh pjesë e arratisë sime nga kjo bina e llahtarshme?!

Adela dhe Fitimi shikojnë vetëm njëri-tjetrin. Polici i shërbimit mori çantën dhe sendet e pakta të higjienës vetjake. Ata të dy nuk i përgjon njeri. Lahen me sapun të zgjedhur. Sapun me aromë trëndafili. Një det i tërë mbushet me lule, kopsht i madh me lule të bukura. E para lahet Adela, Fitimi lahet më me vonesë. Adela është kureshtare për mjetin që ka zgjedhur i shoqi. Adela kish propozuar këtë mënyrë për vazhdimin e bashkëjetesës me të shoqin. Fitimi ka zgjedhur mënyrën e realizimit, zbatimin praktik të planit rregullues: në mur është një prizë e shqepur, dy fije të zhveshur sjellin rrymë elektrike 220 volt-she.

“Mjafton fuqia elektrike për një fund ngushëllues”, mendon Adela. Fitimi i shqit nga muri telat e zhveshur për të shtuar gjatësinë e tyre përdoruese. “Adela, të pyes për herë të fundit! A e ke mallkuar ndonjëherë ditën kur ne të dy rastësisht u takuam?”

“Jo!” Thotë Adela me zë të shuar.

“Bukur shumë”, thotë Fitimi me zë të dridhur, “tani dëgjo”, shton ai.

Adela dëgjon udhëzimet. E mëson si duhet të veprojë. Adela vepron e para… Në rregull… Fitimi e lë pak çaste ashtu të mavijosur, të kruspullosur, të shembur. Mandej e ngre hopa, e vendos në shtrat, ia ndreq fustanin dhe flokët me aq sa di, me aq sa mundet. Pastaj, krejt i lehtësuar dhe i qetë, kap dhe ai telin e zhveshur prej bakri, të njëjtin tel që kapi tre-katër minuta më parë gruaja e tij: – telin përçues, transportuesin e asaj rryme që ndriçon netët dhe banesat tona të begata, brohoritëse.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency