Dashuri… mos më lër në vendin ku ti mungon …pata dhënë dashuri të pakthyeshme

0
185

Ndoc Gjetja

 

Poet që vuajti rebelizmin në kushte absurdi, duke kundruar vetveten në poezi e dashuri njerëzore. Njëkohësisht një pamje dëshpëruese e njeriut përballë njeriut në pamundësi për të mbijetuar bashkë. Këto poezi na i ka vënë në dispozicion studiuesi dhe njeriu më afër poetit, Kujtim Dashi

 

 

long-live-love-1923LUTJE

 

O Zot, që fatet tona në dorë i mbanë

Na ruaj nga shëndeti trashaman

na ruaj nga orekset e Sanço Pançes

na ruaj nga hija e rëndë e famës

na ruaj nga faqeputhjet helmuese të Judës.

na ruaj nga orteku rrënimtar i turmës

na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë

na ruaj nga thyerja e timonit të kresë.

na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit

na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit.

na ruaj përditë nga ftohja e miqësive

na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve

unë ruhem vetë, o Zot, nga i ligu,

por ti me ruaj nga shoku dhe miku

 

 

DASHURISË

 

O perëndeshë e gjithëpushtetshme

e universit mashkull-femër!

Bëj ç’të duash me veten time

jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhembje

dhe shqetësime pa mbarim

po s’jam ankuar kundër teje

as me gojë e as me shkrim.

 

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem

gjersa në botë të jem i gjallë

ndën pushtetin tënd të përbotshëm

më pëlqen të jem skllav

 

Ma ktheve gjuhën në përçartje

më bëre plak me shpirt fëmijë

herë më hodhe qefinin krahëve

herë më ngrite gjer në yje.

 

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!

Më hidh në baltë, më hidh në hon!

Veç të lutem mos më lër…

në atë vend ku ti mungon.

 

Curriculum vitae

 

Është qytetar i Republikës së Dreqistanit

I cili pati arritur t’i mundë me radhë

Të gjitha ngasjet që i vijnë në jetë njeriut

Nga tulet e grave dhe paratë e pista.

 

Ai qysh në rininë e hershme

Pati ëndërruar të bëhet një ditë apostull

Por mbeti një prift i thjeshtë province

Se ferra ia mori një ditë uratën.

 

Sot i mbështjellur me muzgun e pleqërisë

Mban në dorë penën që puth si kryqin

Sa herë çon meshë për ju dhe veten

Në Kishën Apostolike të Poezisë.

 

Sikur

Ç’mrekulli do të kishte qenë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdo lloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.

Gjergj Fishtës

 

Fort po shndrit e pak po nxeh

kjo e vërteta përmbi dhé!

 

Në politikën e gjithë krajlive

filli i lëmshit është lidhë nyje,

janë bërë një rrahja e puthja,

janë bërë një paqja e lufta,

janë bërë një tregu e miqësia,

janë bërë një burgu e liria,

janë bërë një gjoksi e shpina,

janë bërë një stomaku e zemra

në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra

që e lot bishtin te buzëqeshja…

 

Shqipnia u kthye në Dreqistan

me plehra, smog e duf partish

në sofër të Atmes janë shtruar rrafshit

Palokë Cucat me tërë keqanat

që hanë e pinë me pare të pista

e Dedë Gjon Lulat lëpijnë pjatat…

 

Për ta gjetur të vërtetën

duhet sot t’i kthesh përmbys

disa mijë vargmale letrash

e çdo fjalë ta thyesh si arren

mos ka brenda varrin tonë.

Por ballë për ballë me dhelpërinë

na mos vdekshim me gungë në shpinë!

Ani se, ani se.

 
Njëshit

Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht, ti je më i vogli
por, ti papritur u bëre i madh
në sajë të zerove që të shkojnë pas.

 

Ah!

 

Ah, të kisha gëzime sa ç’kemi partira

Të kisha dhoma sa ç’kemi ministrira

Të kisha shokë sa ç’kemi shefa

Të kisha miq sa ç’kemi gazeta

Të kisha mikesha sa ç’kemi vetura

Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra

Të kishim njerëz sa ç’kemi banorë

Veç diellin lart të kishim epror.

 

 

Governatorit Ponc Pilati

 

Zoti Ponc Pilati unë kam përshtypjen

Se vitet e fundit në governën tonë të varfër

Është shtuar përqindja e të sëmurëve psiqikë

Dhe parashikoj një kataklizëm kombëtar

Prandaj me të ardhurat që vilen nga taksat

Shpenzoni pakëz për qetësimin e turmës.

Meqenëse Krishti nuk dihet kur kthehet

Hapni të paktën shtëpira publike.

 

Epitaf për veten

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
…Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

Buburreca e fatit

 

Në çastin kur unë linda

Buburreca e fatit

Është nisur nga Himalaja

Që të arrijë një ditë

Tek shtëpia ime.

 

Është nisur, e di

Dhe po ecën, e di

E di, gjithashtu e di

Pas 7000 vitesh.

 

 

Enciklikë

 

Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh

dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:

një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish

të rroposura nga kataklizma e ndarjes.

 

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës

tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,

që më patën pritur në oborr të Pilatit

në natën e gozhdimit tim në kryq.

 

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!

Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.

A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës

kur këndoi për të tretën herë?

 

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,

ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.

Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit

kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?

 

Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër

të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,

por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain

që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency