Berluskoni mban edhe pak Alegrin, Inzagi pret radhën

0
124

Jurges Veizaj

 

E ka dhënë verdiktin e tij edhe bosi i Milanit. Berluskoni deri më tani nuk ka dalë në një verdikt, duke lënë të mendohet se po i jep edhe një shans Alegrit

 

alegriMilani nuk është në ditët më të mira. Madje, duhet thënë se po përjeton ditët më të këqija si skuadër. Si rrallë më parë, po shikojmë që kuqezinjtë nuk po triumfojnë apo nuk po arrijnë sukses në asnjë kompeticion. Humb ndaj Barcelonës në Evropë, në një turne që ka qenë gjithmonë pika e fortë e Milanit. Por, sikur mos të mjaftonte kjo, humb edhe në kampionat, duke treguar edhe një herë se po përjeton një krizë si skuadër. Fajtori më i madh në këtë mes duket se është Masimiliano Alegri. Në fillimin e sezonit u gjet si arsye e formës së dobët që kishte skuadra mungesat e shumta të lojtarëve kyç të skuadrës. Mirëpo që tani janë kthyer të gjithë lojtarët Milani përsëri nuk po arrin që të korrë sukses. Tashmë të gjithë i kanë hedhur sytë nga tekniku italian, që nuk po arrin të ndërtojë një skuadër që do t’i ndihmojë tifozët të rrisin mbështetjen. Një epokë pasigurie te Milani, ku si zgjidhje e vetme shihet largimi i kreut të pankinës. Mirëpo atëherë kur nuk pritej, del në skenë bosi historik i Milanit, Berluskoni. Presidenti i klubit është ai që i vendos pikat mbi “i” mbi të gjitha çështjet që janë kritike te klubi. Edhe për trajnerin ai ka mbajtur qëndrimin e tij. Deri më tani nuk ka dalë akoma një deklaratë e tij, duke lënë të kuptohet që ka akoma kohë për livornezin që të tregojë veten e tij. Duket se bosi ka vendosur që t’i japë edhe një shans të fundit teknikut, i cili duket se ka edhe disa ndeshje që të vërtetojë se ka akoma fuqinë e duhur për t’i rikthyer skuadrës suksesin. Zgjedhja e presidentit duket se nuk është e lehtë, pasi ka një periudhe të gjatë që ka marrëdhënie të mira me teknikun, që duket pak të vështira të prishen. Mirëpo skuadrës i duhet ndihmë, kështu që po shikohen edhe opsionet e reja. Dy emrat që janë më afër stolit dhe që mund të zëvendësojnë Alegrin, janë Inzagi dhe Devis Manxha. Emri i parë është edhe më favoriti, kjo edhe për faktin se trajneri është një lojtar legjendë e skuadrës, por gjithashtu ka treguar që di të bëjë mirë edhe në rolin e trajnerit. Deri më tani italiani ka drejtuar skuadrat e moshave të Milanit dhe tashmë është më të rinjtë. Duket se është edhe alternativa perfekte, kjo edhe për faktin se e njeh mjaft mirë skuadrën dhe mund të bëjë diçka ndryshe, duke parë edhe opsionet që ka në skuadër. Milanistët diskutohet që të bëjnë edhe ndryshime te lojtarët. Baloteli apo dhe lojtarë të tjerë janë vënë në grackat e merkatos dhe mund të largohen që në janar. Kuqezinjtë pritet që të bëjnë revolucion dhe i pari që mund të ndryshojë, është tekniku Alegri, që mund t’i ketë orët e numëruara.

 

Kombëtarja shkon në Antalia e ndarë

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë të premten ndeshjen miqësore me Bjellorusinë. Kuqezinjtë janë nisur drejt Antalias, por skandali në këtë histori është se lojtarët janë grumbulluar dhe nisur menjëherë nga aeroporti “Nënë Tereza”. Vetëm një pjesë e tyre, pasi të tjerët do të mbërrijnë menjëherë nga Turqia nga vendet ku luajnë dhe jetojnë. Situata mund të konsiderohet aspak serioze, për vetë faktin se futbollistët shqiptarë nuk janë grumbulluar të gjithë bashkë, por kanë udhëtuar veç e veç apo të ndarë në grupe. Të martën pritet të plotësohet numri i plotë i lojtarëve që De Biazi ka përzgjedhur e të premten do të luhet miqësorja. Shqipëri-Bjellorusi do të zhvillohet më 15 nëntor, në orën 18:00, në stadiumin “Akdeniz University Stadium” në Antalia.

 

Bekenbauer: Mesi është lojtari më i mirë në botë

Lionel Mesi është lojtari më i mirë në botë. Dhe kur këtë e thotë Franc Bekenbauer duket se të gjitha dyshimet hidhen poshtë. Legjenda gjermane e futbollit po harton 11-shen më të mirë të planetit, “All Star Galaxy 11”, teksa duhet të vendosë për lojtarët më të mirë në çdo rol, por nuk ka dyshim vetëm për pozicionin e njërit prej sulmuesve, që duhet patjetër të jetë katër herë fituesi i “Topit të Artë”. “Për mendimin tim, Mesi është lojtari më i mirë në botë. Talenti, lëvizjet dhe aftësitë e tij janë të jashtëzakonshme. Ai është i aftë të shënojë gola në mënyrë të pabesueshme. Mesi është lider i vërtetë si brenda dhe jashtë fushës së blertë, ai është i sjellshëm dhe ka një karakter perfekt”, – ka thënë legjenda e futbollit gjerman. Ideja e Bekenbauerit për të formuar 11-shen më të mirë të botës ka ndezur debatin në rrjetet sociale për lojtarët që duhet ta përbëjnë këtë formacionin yjesh. Sigurisht që tashmë kanë mbetur për t’u përzgjedhur edhe 10 futbollistë, sepse Mesi e ka fituar një vend me bekimin e Franc Bekenbauerit.

 

Zaneti: Herët për të rinovuar

Duket se për të vendosur për të ardhmen është shumë shpejt për Zanetin. Argjentinasi, pasi u rikthye pas rreth 200 ditësh, përballë Livornos, nuk po mendon aspak rinovimin e kontratës. Në një intervistë për “TyC Sports”, kapiteni zikaltër konfirmoi se nuk ka vendosur asgjë rreth së ardhmes së tij. “Nuk kam vendosur se çfarë do të bëj në fund të sezonit. Për momentin po mendoj vetëm që të mbyll këtë kampionat. Jam i interesuar të rikuperohem plotësisht dhe të jem i dobishëm për skuadrën. Në fund të sezonit do të shoh nëse do të vazhdoj të luaj apo jo: nëse nuk luaj do të doja të kisha një rol drejtuesi. Është viti im i 19 në një klub që më ka dhënë gjithçka dhe dua të jap kontributin tim që të shkojë sa më lart”, – është shprehur Havier Zaneti. Kujtojmë që në 10 minutat që lojtari hyri 10 minutat e fundit ndaj Livornos duke treguar një shpirt të madh konkurrence dhe duke marrë duartrokitje nga tifozët.

 

Kore raciste në Juve-Napoli, bardhezinjtë rrezikojnë dënimin

Ndeshja më e rëndësishme e kampionatit italian që përfundoi në favor të bardhezinjve është ndezur prej koreve raciste nga pjesa jugore e “Juventus Stadium”. “Vezuv laji me zjarr!”, – bërtisnin tifozët përpara se të dyja skuadrat të nisnin nxemjen në fushë. Në të tillë situatë, “Zonja e vjetër” rrezikon që dy ndeshjet e radhës t’i luajë me dyer të mbyllura. Tifozët bardhezinj nxorën në stadium edhe një banderolë në ku ofendonin napolitanët dhe ku kishin pikturuar figurën e Vezuvit. Dhe kur spikeri u kërkoi atyre që të pushonin me koret, ata thirrën: “Ne bëjmë çfarë duam Juve jemi ne”. Ndërkohë, 4 tifozë bardhezinj janë dërguar në spital, pasi u dëmtuan nga objektet e hedhura nga mbështetësit e Napolit. Një problem që ndezjet sa herë që këto dy skuadra përplasen, kjo edhe për shkak të rivalitetit që këto dy skuadra hasin.

 

Ksavi: Nejmar është spektakolar

Komenti i katalanasit për brazilianin Nejmar ka qenë shumë pozitiv pas ndeshjes me Betisin. Ish-ylli i Santosit, i cili i kushtoi 57 milionë euro klubit katalanas, është kthyer në një lojtar të rregullt për planet e Martinos dhe sensacional për tifozerinë katalanase, por të gjitha këto nuk e habisin aspak zëvendëskapitenin e skuadrës. “Nuk është diçka e çuditshme që Nejmar ka impresionuar. Të gjithë e kemi parë sa spektakolar është dhe mund të bëjë diferencën në çdo moment. Është përcaktues për ekipin në shumë raste, falë golave, pasimeve, driblimeve dhe nivelit të lartë të lojës që ka treguar në fushë”, – shprehet mesfushori i Barcelonës. Ksavi rrëfeu gjithashtu se gjatë karrierës së tij ka pasur shumë raste për t’u shkëputur nga blaugranat, por zemra e tij është e lidhur fort me Barçën. “Mundësitë i kam pasur të shumta për t’u larguar, por gjithmonë në fund kam vendosur të qëndroj për arsye personale. Jam i tëri blaugrana dhe vendimin e kam marrë duke u bazuar tek ndjenjat dhe pasioni që kam për këtë klub”, – përfundoi deklaratën e tij Ksavi Hernandez.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency