Vendimet Qeveria ndryshon Kodin Penal, arrest për deputetë e gjyqtarë që hetohen për korrupsion

0
245

Gëzim Saliu

Ndryshimet në Kod: Korrupsioni kalon tek Krimet e Rënda

 

mbledhja e qeveriseQeveria miraton projektligjin për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale si edhe planin e veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos ndryshimi i propozuar nga Ministria e Drejtësisë i Kodit të Procedurës Penale, ku korrupsioni ka kaluar si vepër penale që do të jetë kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Duke filluar nga java që vjen, Krimet e Rënda kanë autorizim për të marrë masa arresti dhe ushtrim të kontrollit personal ose të banesës për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. “Projektligji që do t’i propozohet Kuvendit për miratim synon zbatimin e masave parandaluese, me karakter pasuror, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarisë ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe nëpërmjet konfiskimit të pasurisë ndaj personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e korrupsionit”, – thuhet në vendimin e qeverisë që lidhet me ndryshimet në projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Ndryshimet

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë përfshirjen në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda të veprave penale në fushën e korrupsionit, si dhe përcaktimin e dhënies së autorizimit për të proceduar në rastet e: arrestit, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Sipas projektligjit, kalimi i kompetencës për gjykimin e veprave penale Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk cenon funksionimin e njësive të përbashkëta hetimore për ndjekjen penale të rasteve të krimit ekonomik dhe korrupsionit, të cilat janë krijuar me memorandumin e bashkëpunimit të prokurorit të Përgjithshëm, ministrit të Brendshëm, ministrit të Financave, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, datë 22 maj 2007 dhe 6 maj 2009. Ndryshimet e miratuar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave prekin dy nene të Kodit të Procedurës Penale, konkretisht nenin 288 dhe nenin 289 të këtij Kodi. Neni 288, në paragrafin e parë, përcakton në mënyrë shteruese subjektet për ndjekje penale të të cilëve duhet të kërkohet autorizim në organet përkatëse. Ndërkohë në paragrafin e dytë të nenit 288 të riformuluar paraqiten në mënyrë të detajuar, kushtet që duhet të përmbushen në mënyrë që prokurori të bëjë kërkesën për autorizim. Në këtë mënyrë, ky parashikim shërben si një garanci më shumë për subjektet që gëzojnë imunitet, në mënyrë që ndaj tyre mos ndërmerren veprime abuzive të pabazuara, ku duhet që dyshimi që ekziston të jetë i arsyeshëm, mbështetur në prova, si dhe të plotësohen të gjitha kushtet ligjore të parashikuara nga vetë Kodi i Procedurës Penale për heqjen e lirisë, në secilën prej formave. Po ashtu ndryshime ka pësuar edhe neni 289 i Kodit të Procedurës Penale, i cili i shtrin garancitë e paprekshmërisë personale jo vetëm tek arrestimet, ndalimet dhe masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes, por dhe në masat e tjera të hetimit siç janë identifikimi apo përgjimi i komunikimeve. Në praktikë, kjo ka çuar në moskryerjen e hetimeve nga policia dhe prokuroria për personat e privilegjuar, në rast se arrestimi i tyre është i ndaluar. Në këto kushte projektligji propozon që paragrafi i parë i nenit 289 të këtij Kodi të riformulohet si vijon: “Deri në dhënien e autorizimit, për personat e parashikuar në nenin 288 nuk lejohet arrestimi ose heqja lirisë në çfarëdo lloj forme apo të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e organit përkatës të parashikuar me ligj”.

 

Qeveria emëron Blloshmin e FRD-së në krye të Institutit të të Përndjekurve

Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj për lirimin nga detyra të Simon Mirakës dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve të Bedri Blloshmit. Ky i fundit më parë ka mbajtur postin e drejtuesit të departamentit të të Përndjekurve në Partinë Fryma e re Demokratike, e kryesuar nga Bamir Topi. Po ashtu, qeveria vendosi një fond në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për dhënie ndihme financiare familjes të të ndjerit Lirak Bejko. Me këtë vendim i jepet një ndihmë financiare në masën 500.000 lekë familjes së të ndjerit Lirak Bejko, ish-i dënuar politik, pjesëmarrës në grevën e urisë të nëntorit 2012.

 

Krijohet hapësira për ndërtimin e landfillit të mbetjeve urbane në Elbasan

Qeveria vendosi dje transferimin e objektit me emërtimin “Dampa e hirave – TEC”, pjesë përbërëse e pronës “Kombinati Energjetik, sh.a., Elbasan”, në pronësi të bashkisë Elbasan, të qarkut të Elbasanit. Ky vendimin ka si synim përcaktimin e hapësirës për ndërtimin e landfillit rajonal të përpunimit të mbetjeve urbane, për bashkinë Elbasan.

 

Miratohen marrëveshjet me Komisionin Evropian për programin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë

Qeveria vendosi dje për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, nën Instrumentin e Asistencës së Paraaderimit (IPA), komponenti II – bashkëpunimi ndërkufitar, për vitin 2012 dhe për vitin 2013. “Objektivi i përgjithshëm i këtij programi bashkëpunimi, që do të mbështetet nga fondet financiare të IPA-s për vitin 2013, është promovimi i veprimeve të përbashkëta ndërmjet njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve të zonave kufitare, me synim arritjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë, zhvillimit të qëndrueshëm, stabilitetit dhe prosperitetit në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë”, – thuhej në vendimin e qeverisë.

 

Ndërtesa e PSD-së

Policia mbron selinë e Gjinushit, 2 orët e përplasjes me privatin

Përmbarimi privat nisi dje lirimin e ndërtesës ku është vendosur Partia Social-Demokrate, por policia e mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ka sjellë ndërprerjen e aksionit duke lënë situatën pezull. Policia ka nxjerrë jashtë të gjithë përmbaruesit, duke thënë se territori do të boshatiset dhe do t’i kthehet pronarit të ligjshëm dhe i ka vënë sërish çelësin portës kryesore dhe lejuar policinë private të marrë sërish në ruajtje selinë e PSD-së. Policia e Shtetit ishte thirrur më parë nga përmbaruesit për të mbështetur operacionin e tyre, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare prej tyre. Rreth një orë pasi përmbaruesit u futën në ndërtesë, forca të shumta të ndërhyrjes së shpejtë kanë boshatisur ndërtesën, duke nxjerrë jashtë përmbaruesit. Përmbaruesi privat, Baftjar Nela, u shpreh se tashmë ish-pronarët kanë marrë ndërtesën sipas edhe vendimit të gjykatës. “Kjo është gjysma e marrjes së kreditorit. Pronarë të kësaj prone janë Astrit Manopulli dhe të tjerët. Ne e kemi marrë katin e parë të godinës së selisë së PSD-së. Kemi bërë kallëzim penal ndaj policisë për mosmbështetje. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Policinë e Shtetit që të na mbështesë kur ne e kërkojmë. Por dokumentet këtë radhë nuk janë përcjellë nga zëvendësdrejtori”, – tha Nela. Ndërkohë, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, akuzoi qeverinë e kaluar se po keqpërdor pronarin që, sipas tij, disponon vetëm 1/3 e pronës dhe oborrin ku është ngritur selia e PSD-së. “Ka qenë gjithë ish-struktura e shtetit që ra që ka qenë e interesuar. Ky ish-pronar është i keqpërdorur. Ai ka 1/3 e pronës dhe oborrin, por ata i vënë kusht që po s’largove PSD nuk të lëmë të ndërtosh. Përmbaruesi është pa licencë, është i dënuar penalisht dhe e ka licencën të paligjshme”, – u shpreh Gjinushi. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë urdhëroi dje procedim disiplinor për përmbaruesin privat, Baftjar Nela, ku theksohej se ky procedim bëhej për shkak të shkeljes së ligjit dhe Kodit të Etikës gjatë ushtrimit të detyrës. Më herët, përmbaruesi privat Baftjar Nela është dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” dhe dënimi me burg i është pezulluar duke u dënuar me kusht.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency