Trafikonin femra për prostitucion/ nxiti të dashurën të abortonte duke i premtuar punë si kamariere në lokalin e tij në Gjermani

0
185

Anxhela Tato

para prostitucion Trafikonin femra shqiptare për prostitucion në Zvicër, në Gjykatë dosja

 Hetimet, Shyqyr Stafuka nxiti të dashurën të abortonte duke i premtuar punë si kameriere në lokalin tij në Gjermani

 Padia e të dëmtuarës zbuloi edhe rastin e një të miture që ishte rrëmbyer dhe skllavëruar në Zvicër nga 3 të pandehurit

 Ra pre e mashtrimeve të të dashurit, i cili e nxiti të abortonte dhe të udhëtonte për në Gjermani, ku do të punonte si kameriere në lokalin e tij. Por fasada e bukur u shkatërruar para këmbëve të së resë, e cila me të mbërritur në destinacion kuptoi se do shfrytëzohej për prostitucion. Pavarësisht tentativave për të kundërshtuar, vajza është dhunuar dhe abuzuar, duke u mbajtur gjithë kohës nën vëzhgimin e “të dashurit” apo vëllait të tij, i cili i kërkonte si ndër që të punonte si prostitutë, pasi ai vetë kishte mbetur pa lekë. E reja është transportuar në Zvicër, ku ka njohur edhe dy shtetase të tjera që përdoreshin si punëtore seksi nga i “dashuri” i saj, duke u skllavëruar nën dhunë dhe përdhunim. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur çdo detaj të kësaj dosje, duke pasur gati kërkesën për gjykim. Ndërsa ka dërguar të pandehur në gjykatë shtetasit Shyqyri Stafuka, Bledar Stafuka dhe Emiljano Tarja, në ngarkim të të cilëve rëndon akuza e trafikut të personave të rritur dhe të mitur. Nga shqyrtimi i të dhënave krahas rastit të D. B., u zbulua edhe historia e një vajzë 16-vjeçare, që ishte rrëmbyer nga të pandehurit dhe përdorur për prostitucion në Zvicër.

 

Historia

Shtetasja D. B. është me origjinë nga Skrapari dhe në nëntor të vitit 2012 për arsye shëndetësore, ka qenë e detyruar që së bashku me familjen të vinin dhe të banonin në qytetin e Tiranës. Në momentin kur kanë ardhur në Tiranë, motra e të dëmtuarës është punësuar si kameriere tek lokal “D…..”, i cili ndodhet në krahun e djathtë të mbikalimit Kamzës, pronarë të të cilit rezulton të jenë shtetasit H. Stafuka dhe N. Stafuka, me origjinë nga Fushë-Kruja. Gjatë kësaj periudhe që motra e të dëmtuarës ka qenë e punësuar në këtë lokal, ka vajtur vazhdimisht për të pirë kafe dhe D. B. Pikërisht dy javë pas këtij momenti, po në muajin nëntor 2012, në ambientet e këtij lokali është njohur me djalin e pronarit të quajtur Shyqyri Stafuka, i moshës rreth 23 vjeç, i cili ka mësuar dhe faktin se e dëmtuara ishte motra e kamerieres. Në ditët në vazhdim, D. B. dhe Shyqyriu, pasi këmbejnë numrat e celularëve dhe adresat në rrjetet sociale respektive, kanë komunikuar mes tyre si dhe i kanë dërguar edhe mesazhe në rrjetin social “Facebook”. Një javë nga ky moment, Shyqyriu i ka kërkuar të dëmtuarës që të dilte më të për kafe, moment në të cilin janë ulur në një lokal pranë Unazës së Re. Gjatë këtij takimi, Shyqyriu i ka shprehur të dëmtuarës dëshirën për lidhje intime. E dëmtuara, fillimisht nuk ka pranuar që të krijonte lidhje me Shyqyriun për shkak se kishte qenë më parë e fejuar me një person tjetër, me të cilin nuk kishte bërë celebrim, si dhe për faktin tjetër se ishte në muajin e 2-të, të shtatzënisë, por Shyqi i thotë se nuk e kishte problem një gjë të tillë, ndaj dhe i ka sugjeruar që ta abortonte fëmijën dhe për këtë do ta ndihmonte, duke gjetur dhe një klinikë ku do të kryente abortin, si dhe do kryente pagesën përkatëse. Pikërisht pas momentit që do kryhej aborti, do të niseshin për në Gjermani, vend në të cilin i kishte pohuar faktin se dispononte një lokal të vetin dhe meqë ishte lidhur me të dëmtuarën, do ishte mirë që të punonte ajo sesa të mbante një punëtore tjetër. Gjithashtu, Shyqi i thotë të dëmtuarës se familjarët e tij nuk kishin qejf që t`i shihnin së bashku, për shkakun se kishte qenë e fejuar më parë, ndaj dhe sipas të dëmtuarës ky ka qenë dhe “shkaku” që sipas tij duhet të iknin në Gjermani.

 

Largimi në Gjermani

E ndodhur në të tilla rrethana, ku sapo kishte ardhur në kryeqytet, e papunë, shtatzënë dhe e divorcuar, e dëmtuara ka rënë dakord që të vente në Gjermani, me qëllim për të krijuar një jetë më të mirë. Ndaj dhe fillimisht ka pranuar që të kryejë abortin, ku për të gjitha shpenzimet informohet nga Shyqi se do kujdesej shoku i tij. Pas këtij momenti Shyqi është larguar për në Gjermani, kurse e dëmtuara së bashku me E.L kanë vajtur për të abortuar fëmijën tek një klinikë private në Laprakë. Në darkën e asaj date, në banesën e të dëmtuarës ka vajtur E. L., i cili i ka dërguar biletën e autobusit si dhe një sasi eurosh me të cilat të nesërmen do largohej për në Gjermani. Të nesërmen në mëngjes më datë 22.12.2013, ka vajtur tek banesa e saj E. L. së bashku me një shoqen e tij me emrin P., të cilën e ka prezantuar si të fejuarën e tij, persona që e kanë dërguar të dëmtuarën me mjetin e tyre deri tek stacioni i autobusëve. Në Gjermani, është takuar dhe me vëllanë e Shyqyriut me emrin Bledi dhe janë ulur për të pirë kafe, moment në të cilin Shyqi i ka kërkuar sasinë e eurove që kishte me vete, dhe i thotë se duhet të largohej pasi do kryente një vjedhje banese dhe nëse nuk do vinte deri në mëngjes, do të thoshte se e kishte kapur policia, kurse e dëmtuara gjatë kësaj periudhe do të qëndronte tek banesa e vëllait të tij me emrin Bledi, e cila ndodhej në Gjermani. Por, të nesërmen Bledi i thotë të dëmtuarës që Shyqin e ka kapur policia dhe duhej që të interesohej me qëllim për të gjetur avokat. Në fillim të muajit janar 2013, në shtëpinë e Bledarit, vend në të cilën ka qëndruar e dëmtuara kanë vajtur dhe 2 vajza shqiptare me emrat G. nga Gjirokastra e moshës 20 vjeçe, si dhe P. nga Vlora e moshës 20 vjeçe. Nga bisedat që e dëmtuara ka zhvilluar me to, ka mësuar se punonin si prostituta në një vend të quajtur “PUF”, ku sipas tyre punonin vetëm femrat te cilat ishin të pajisura me letra greke ose italiane. Po atë natë, Bledi e ka dërguar të dëmtuarën në një Hotel pranë një klubi shqiptar dhe ju thotë vajzave të mësipërme se ishte e dashura e Shyqit. Të nesërmen, e ka dërguar tek një shtëpi tjetër, në të cilën ka qëndruar dhe një person me origjinë nga Tropoja. Nga bisedat mes personit nga Tropoja dhe Bledarit, e dëmtuara ka mësuar se ishte pikërisht vajza e cila duhej që të punonte si prostitutë për ta.

 

Zvicër

Nga Gjermania për në Zvicër janë nisur me makinën e Bledit (e cila figuronte e regjistruar në emrin e një shtetasi kosovar) dhe gjatë rrugës, Shyqi i ka thënë të dëmtuarës se jam shumë keq për para, ndaj dhe duhej që të punonte si prostitutë në një lokal Shqiptar, i cili ndodhej në Baden Golvan të Zvicrës. Në këtë moment e dëmtuara i ka kërkuar që ta kthente për në Shqipëri, por Shyqi ka vijuar rrugën dhe kanë vajtur në Baden, Zvicër, ku e ka dërguar pikërisht në një lokal shqiptarësh, vend në të cilin ka lënë makinën dhe do të vente një person tjetër që ta merrte, për shkak se ishte e mbushur më lëndë narkotike. Më pas kanë vajtur në banesën e një shtetasi Kosovar. Të nesërmen, në këtë banesë ka vajtur një vajzë shqiptare me emrin Xh. M., e cila i ka thënë të dëmtuarës që punonte si prostitute për të bërë lekë, pasi dhe kjo vajzë punonte si prostitutë për llogari të Shyqit, e cila kishte rreth 1 (një) vit që e bënte këtë punë. Në lidhje me klientët, Xh. i tregon të dëmtuarës se i gjente vetë tek një lokal në Shisnebat. E dëmtuara i thotë kësaj shtetaseje se nuk kishte shkuar në Zvicër që të punonte si prostitutë, por pikërisht pas këtij momenti ka vajtur Shyqi, i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës. Më pas kanë vajtur për të darkuar në një lokal që i kishte treguar më parë Xh. M. Në këtë lokal ka qenë dhe një vajzë tjetër shqiptare me emrin Xh. K. Nga bisedat e bëra në tavolinë, e dëmtuara ka mësuar se Xh. M. dhe Xh. K. punonin si prostituta për llogari të Shyqyriut. Pikërisht në ditët në vazhdim, Shyqyriu e ka nxjerrë vazhdimisht të dëmtuarën tek lokali i mësipërm, ku si rregull paguante dhomën e hotelit që ndodhej në katin e tretë. E dëmtuara fillimisht nuk ka pranuar që të ushtrojë prostitucion, por si rezultat i dhunës fizike dhe psikike të vazhdueshme që ka ushtruar Shyqyriu ndaj të dëmtuarës, është detyruar që të punojë si prostitutë për llogari të tij.

 

E dëmtuara

Sa i përket mënyrës së gjetjes së klientëve, e dëmtuara ka pohuar se të gjitha vajzat uleshin tek bari i lokalit të mësipërm, ku merrnin ndonjë pije dhe në momentin kur futeshin klientët në lokal, vajzat u afroheshin dhe në rast se u ofrohej ndonjë pije, bënin edhe “pazarin” ku për 20 minuta seks paguanin 100 franga zvicerane, akt i cili kryhej në dhomën e hotelit, të cilën e kishte paguar Shyqyriu që më parë. Orari i punës si rregull ka qenë nga ora 14:00, deri në orën 02:00, ambient në të cilin i dërgonte dhe i merrte Shyqi me makinë. Për llogari të Shyqyriut, e dëmtuara D. B. ka punuar fillimisht 1 (një) muaj dhe më pas e ka dërguar në një lokal shqiptarësh në Baden. Aty e reja ka gjetur një mënyrë për t’u arratisur në Shqipëri, është zbuluar nga Shyqi në Kosovë dhe është dërguar në Shqipëri, ku është detyruar nën dhunë të rikthehej sërish në Zvicër. Vajza ka qëndruar 10 ditë dhe ka arritur të vijë në Shqipëri. Pavarësisht përndjekjes nga Shyqi, ajo e ka kallëzuar në polici.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency