Mesi shënon, Barcelona mposht përsëri Milanin

0
145

 

Jurges Veizaj

 

 

 

Ishte Barcelona që arriti të triumfonte në “Camp Nou” ndaj Milanit. Dy golat e Mesit, por edhe ai i Busketsit ishin faktorët vendimtarë të triumfit katalanas

 

barca_milanNë një ndeshje me emocione të pakta, por që prodhoi plot katër gola, loja u dominua më së miri nga Barcelona, siç parashikohej, që arrin të marri tri pikë. Iniesta, Nejmar, por dhe Mesi arritën që t’i jepnin skuadrës fitoren ndaj milanistëve që patën pak mundësi për të shënuar. Alegri nuk arrin përsëri që të mundë spanjollët, duke e zhytur veten në një krizë për sa i përket postit të trajnerit.

Pjesa e parë

Pjesa e parë nisi fillimisht me një lojë të qetë. Ishte Barcelona e para që ndërmori hapin për të shkuar drejt gjysmëfushës së Milanit, ndërsa italianët përpiqen që të ruajnë pozicionin. Duket se “Camp Nou” është gjithmonë i frikshëm për skuadrën mike që duhet të durojë presionin e Barcelonës. Gjatë gjithë pjesës ishte një Barcelonë që e gozhdoi në gjysmëfushën e saj. Ksavi me shokë do të mundoheshin që të bllokonin çdo hapësirë, në mënyrë që të luanin lojën e tyre. Sapo arritën që të futeshin në lojë, katalansit ndezën motorët për të luajtur në mënyrën që duan. Është Nejmari në krah të majtë me Iniestën që mundohen që të japin spektakël. Ndërsa nga krahu tjetër Daniel Alvesh furnizon me krosa për t’u futur drejt qendrës. Ndërkaq, nga kampi tjetër, Milani ishte i detyruar që të qëndronte në mbrojtje. Alegri duket se e kishte imagjinuar se si mund të shkonin gjërat, kështu që kishte marrë masat më parë, duke organizuar një lojë të mirë në mbrojtje. Një fazë difensive që duket se përfshin edhe mesfushorët si Montolivo apo dhe Poli që janë mjaft të tërhequr dhe mundohen të mbulojnë hapësirat. Katalanasit duket se janë më të qetë dhe provojnë në të gjitha mënyrat për të shënuar. Duke pasur parasysh se Mesi nuk është në formë të mirë, topat shpërndaheshin më shumë në drejtim të Nejmarit dhe Iniestës për të kërkuar më pas golin. Pati disa kombinime të bukura midis argjentinasit dhe princit të ri, por që nuk patën finalizimin, për shkak të daljeve të mira që bëri Abiati. Nga ana tjetër, është Kaka apo dhe Robinjo që tentojnë të arrijnë diçka, por bllokohen mirë që në gjysmëfushë dhe nuk dalin në lojën që duan. Goli nuk do të vononte për spanjollët, që duket se do të buzëqeshnin pas shumë përpjekjesh. Gjatë një aksioni afër portës së Milanit, është Abate ai që pengon brazilianin Nejmar i cili rrëzohet brenda zone. Arbitri është i vendosur që ndërhyrja është e parregullt, kështu që akordon penallti. Përballë topit është Mesi, që arrin të hedhë në krah të kundërt Abiatin duke arritur të zhbllokohej. Milani mundohet të reagojë, por duket se e ka të pamundur që të bëjë diferencën. Ndërsa Barça e kthen mbrojtjen në fuqi, duke arritur që të sulmojë dhe shënon përsëri, kësaj radhe me Serxhi Busketsin. Katalanasi, pas një krosi nga Ksavi, gjendet mirë në zonë dhe vetëm e shtyn topin me kokë drejt portës së Abiatit që mposhtet për herë të dytë. Por atëherë kur dukej se gjithçka do të mbyllej me këtë rezultat, do të ishte Kaka ai që do të dilte mirë në krah dhe do të futej në zonë, duke gjuajtur topin që devijohet nga Pike dhe futet në portë. Një autogol i panevojshëm, por që i jep më shumë shpresa Milanit për pjesën e dytë.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë do të ishte një histori ndryshe nga ajo e para. Një Milan që ndërron Robinjo me Balotelin. Kështu, Alegri kërkon që të ndryshojë pak letrat, për të shtuar mundësitë për shënim. Futja e sulmuesit duke sikur i jep mushkëri Milanit. Lojtarët arrijnë që të dalin më mirë në sulm. Duket se një skuadër më e qetë e kontrollon më mirë topin. Loja arrin që të ekuilibrohet paksa, pasi Barcelona detyrohet që edhe të mbrohet. Kaka apo edhe Baloteli rrezikojnë disa herë portën e Viktor Valdesit, që tashmë duhet të mbrohet më mirë nga një Milan më i frikshëm. Nga ana tjetër edhe Barcelona do të kryente punën e saj, duke u hedhur në sulm për të shënuar edhe golin që do t’i jepte sigurinë. Do të ishte Nejmar që do të bënte gjithçka mirë, duke dribluar të gjithë lojtarët, por do të gabonte në gjuajtje, duke e nxjerrë topin lart portës. Nga ana tjetër do të ishte edhe Sançez që do të provonte mundësinë e tij, por që do të ndalej nga pritja magjike e Abiatit. Një lojë mjaft e fortë nga të dyja kampet, ku njëra kërkon barazimin, ndërsa tjetra golin e sigurisë. Të dy trajnerët bëjnë zëvendësimet e tyre, teksa për Milanin do të futej Birsa për Polin. Ndërsa nga tjetër Iniesta do të largohej për t’i lënë vendin Fabregasin. Dukej se futja e Çeskut do të ishte më se efektive, pasi do t’i jepte më shumë mundësi skuadrës. Gjithçka do të finalizohej kur në minutën e 83-të do të vinte goli i dytë nga Mesi, që do të ngrinte “Camp Nou”-n në këmbë. Një kombinim i Fabregasit dhe argjentinasit, që tregohet elegant në qendër të zonës dhe gjuan lehtë, duke mposhtur përsëri Abiatin. Pas kësaj do të vinte dhe zëvendësimi i Nejmarit që do të linte fushën për Pedron. Tata do të shfrytëzonte minuat për të bërë edhe zëvendësimin e tretë, duke futur në fushë Aleks Songun në vend të kapitenit Ksavi, që bëri një lojë shumë të mirë. Pjesa e tjetër e lojës do të ishte në këmbët e Barcelonës, që do të menaxhonte topin për të mbaruar minuat që i siguruan fitoren.

 

 

Valdes thyen rekordin e Oliver Kanit

Një rekord interesant duket se ka arritur edhe Viktor Valdes. Portieri katalanas ka kaluar dje në ndeshjen e mbrëmshme edhe numrin e sfidave që ka luajtur Oliver Kan në Champions. Kështu, gardiani katalanas theu rekordin e idhullit të tij, për ndeshje të luajtura në Champions League. “Sot mund të kaloj numrin e ndeshjeve të luajtura në Champions prej idhullit tim, Oliver Kan. Është një nder i veçantë për mua”, – shkroi Valdes në rrjetin social të tij. Por duket se karriera e spanjollit do të jetë e gjatë dhe do të ketë shumë kohë për të thyer edhe rekorde të portierëve të tjerë legjendë.

 

 

 

Nejmari ndërron numrin e telefonit çdo javë

Të ndryshosh numrat e telefonit çdo javë për shkak të ngacmimeve që mund të kesh gjatë natës. Ky është çmimi që paguan një lojtar i madh si Nejmari pas famës që ai mori pas kalimit tek Barcelona.

“E di që tifozët më duan shumë, por do t’u lutesha të respektojnë edhe jetën time private. Disa telefonues më shqetësojnë sistematikisht gjatë ditës, por edhe natës, ndaj më duhet që shpesh të ndryshoj numrat e mi të telefonit”, – shprehet Nejmari.

 

 

Ibrahimoviç: Me Tiago Silvën, të pathyeshëm

Zllatan Ibrahimoviç ndien se rikthimi i Tiago Silvës do të rezultojë një shtysë e madhe për rritjen e shanseve të PSG për të arritur lavdinë evropiane me suksesin në Champions League. Mbrojtësi brazilian u kthye në fushë në barazimin 1-1 me Anderlehtin, pasi kishte qëndruar 6 javë pa u aktivizuar si pasojë e një dëmtimi. Ibra është i kënaqur që tashmë kapiteni është rikthyer të jetë pjesë e grupit. Ai komentoi për shokun e tij e tij të skuadrës duke u shprehur: “Thiago Silva është shumë i rëndësishëm për ne. Kur ai është në fushë, skuadra ka shumë besim dhe i gjithë grupi përmirësohet shumë më tepër”. Kujtojmë që të dy lojtarët kanë raporte të mira pasi kanë luajtur në një skuadër kur të dy aktivizoheshin në radhët e Milanit.

 

 

“Santiago Bernabeu” mund të kthehet në “Microsoft”

 

Duket se një ndër stadiumet mitike të futbollit botëror do të ndryshojë identitetin dhe ndryshimi fillon që nga emri. Reali i Madridit është marka më e njohur e futbollit evropian dhe atij botëror dhe, nisur nga ky fakt, interesimi për të sponsorizuar në kryeqytetin spanjoll nuk mungon. Ideja e fundit vjen nga gjiganti informatikës “Microsoft”, i cili dëshiron të sponsorizojë madrilenët, duke kërkuar që stadiumi “Santiago Bernabeu” të marrë emrin e kompanisë. Lajmi konfirmohet nga presidentja e filialit të “Microsoftit” në Spanjë, Maria Garana, e cila bëri të ditur se për momentin kanë nisur bisedimet për të marrë në zotërim arenën mitike të futbollit spanjoll dhe atij evropian, sigurisht për të financuar edhe në ekip. Muajin e kaluar ishte presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, që deklaroi se “Bernabeu” do të ndryshojë emër, në mënyrë që të afrohen sponsorët

 

 

Bufon lëvdon Kasijasin

I miri lëvdon të mirin. Kjo ndodh kur përballen dy ndër portierët më të mirë në botë. Kapiteni i Juventusit, Xhanluixhii Bufon, ka lëvduar homologun e tij të Realit të Madridit, Iker Kasijas, duke thënë se spanjolli u tregua mjaft vendimtar në lojë. Kasijas bëri një numër të pritjeve fantastike gjatë sfidës, duke mbajtur Realin në lojë. Edhe pse nuk luan në La Liga, Kasijas, sipas Bufonit, është ende vendimtar në ndeshjet e mëdha. Ai u shpreh: “Kasijas ishte vendimtar. Ai ka pasur mbrëmje të mrekullueshme dhe bëri tri ndërhyrje kritike”, – duke shprehur edhe një herë simpatinë që ka për gardianin e portës madrilene.

 

Hënes: Barcelona skuadër me një plan

Sipas Hënesit, Barcelona është skuadër vetëm me një plan. Presidenti i Bajernit Mynihut, Uli Hënes, ka deklaruar se për mendimin e tij, Barcelona nuk ka një plan ndihmës apo plan B.

Kampioni aktual i Evropës u kualifikua në fazën tjetër me një fitore ndaj Plzenit dhe Hënes tashmë ka filluar të mendojë për kundërshtarët potencial, duke i marrë pak kohës vetes duke folur edhe për Barçën. “Mbrëmja e kaluar e ka shfaqur dallimin tonë me lojën e Barcelonës. Ata kanë një plan A, që është i përkryer, por ata s’kanë një plan B dhe kjo u tregua në dy ndeshjet ndaj nesh sezonin e kaluar. Pep e ka adaptuar në lojën e tij edhe Mandzukiçin dhe ai bëri diferencë të madhe. Ai luajti pa sulmues, e ka parë se nuk po funksionon dhe e kuptoi se Mario mund të ndryshojë gjërat”, – ka thënë Hënes për një nga mediat gjermane.

 

Adnan Januzaj shpallet futbollisti i muajit

Duket se sukseset vazhdojnë ta ndjekin nga pas Adnan Januzajn. Lojtari 18-vjeçar arriti që të grumbullonte 42 për qind të votave të tifozëve të Mançester Junajtidit për të mposhtur konkurrencën e Uejn Runit (34%) dhe David de Geas (24%). Çmimi e kompleton muajin fantastik për Adnanin, i cili shënoi dy gola në fitoren ndaj Sanderlendit dhe nënshkroi edhe kontratën e re me kampionin e Anglisë, teksa debutoi edhe në Ligën e Kampionëve ndaj Real Sociedadit. “Unë jam shumë i kënaqur që e fitova këtë çmim, sidomos pasi është votuar nga fansat, të cilët më kanë përkrahur shumë. Është mirë që të shpërblehesh për performancat e tua në fushë dhe të kuptosh se duhet të punosh ende e të përparosh si lojtar. Unë do të tentoj të kontribuoj për ekipin, pa marrë parasysh vendin dhe kohën”, – ka deklaruar Januzaj. Çmimi fitohet nga votat e tifozëve të Mançester Junajtidit në “Twitter” dhe në tri versionet (gjuhët) e ueb-faqes zyrtare, “ManUtd.com”. Klubi nga “Old Trafford” me rastin e fitimit të këtij çmimi do të bëjë një donacion prej 500 funtesh për ndonjë organizatë bamirëse të cilën e zgjedh Adnani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency