Vizita në QSUT Rama: Jo më pazar në spitale, do krijojmë hapësira publike në të gjithë territorin

0
146

Gëzim Saliu

Kryeministri: Brenda 40-ditëve, QSUT-ja ndryshoi pamjen

 

Kryeministi ne qsutNë të gjithë territorin e vendit do të krijohen hapësira publike spitalore. Kështu deklaroi dje kryeministri Edi Rama pas inspektimit të punimeve në mjediset e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë, ku pas shembjes së objekteve pa leje ka nisur mbjellja e pemëve, ripërtëritja dhe mirëmbajtja e hapësirave publike. “Jeni dëshmitarë që para afro dyzet ditësh, kishim një pazar me rroba dhe me qofte edhe me spital. Tani kemi një spital pa pazar dhe me një hapësirë publike që po ripërtërihet, po mbillet me pemë, po mirëmbahet dhe mbjelljet do të vazhdojnë. Është një angazhim që do të shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Rama.

 

Vizita

Për kreun e qeverisë shqiptare, lirimi i hapësirave spitalore përbën një prioritet në sistemin shëndetësor pasi sipas tij standardet evropiane në këtë fushë duhet të vendosen edhe në Shqipëri. Teksa mbolli një pemë në mënyrë simbolike, Rama tha se puna dhe sfidat për garantimin e një shërbimi spitalor, modern e bashkëkohor, brenda dhe jashtë mjediseve të spitalit, janë të mëdha, por plotësisht të realizueshme. “Këtu, në këtë Qendër Spitalore Universitare, që është edhe spitali më i madh dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë, ku vijnë mijëra vetë në ditë, ne do të kemi një hapësirë publike të standardeve evropiane. Një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush që duhet të kalojë këtu, të ndihet në territorin e një spitali në Evropë dhe jo siç ishte deri përpara rreth 40 ditësh”, u shpreh kryeministri. Duke falënderuar Ministrin e Mjedisit për angazhimin në këtë projekt, si dhe drejtoren e re të QSUT-së për punën, Kryeministri bëri të ditur se ky projekt do të gjejë zbatim, gradualisht, në të gjithë territorin e Shqipërisë. “Sigurisht, puna është e jashtëzakonshme për t’u bërë. Ne nuk na tremb as volumi i saj i madh, as sfidat e panumërta që ka brenda mjediseve të spitalit për të garantuar një shërbim spitalor të standardeve evropiane”, tha Rama. Në fund të muajit shtator në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza” nisi aksioni për prishjen e ndërtimet private që shërbenin si bare dhe restorante brenda oborreve spitalore. Të gjitha kioskat u nxorën jashtë oborrit, lokalet pa leje u mbyllën, ndërsa disa nga lokalet të cilëve nuk u ka përfunduar akoma kontrata u janë hequr çadrat dhe pjesët e shtuara pa leje. Në një takim që ka zhvilluar më parë me mjekët e Qendrës Spitalore Nënë Tereza, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur pikat kryesore të programit që do të aplikohen në sistemin shëndetësor. “Shqipëria nuk mund të vazhdojë me sistemin e sigurime shëndetësore, pasi ka falimentuar pasi në radhë të parë janë arsye kulturore. Kthimi drejt sistemit shëndetësor me mbulim universal është tendencë dhe ne nuk kemi punë tjetër. Do të fillojmë menjëherë që viti i ardhshëm, uljen e çmimit të barnave, do të vendosim tavan për barnat që shiten në Shqipëri..Do ta heqim TVSH-në 10 % e do ta heqim menjëherë. Mungesa e protokolleve është hapi i parë që e pengon ecjen. Spitalit i duhen protokolle që më pas të kërkojë fonde”, tha Rama.

 

 

 

“Crown Agents”

PD: Skandali i qeverisë me kontratën, kompania u përjashtua nga të gjitha taksat

Rrushaj: Crown Agent do të paguhet çdo vit 4.5 milionë euro, 13 milionë euro për 3 vite

 

Partia Demokratike akuzon qeverinë për favore fiskale në kontratën e firmosur me kompaninë “Crown Agents” e cila do të asistoje doganat shqiptare. Ish-zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj deklaroi dje se qeveria e ka përjashtuar kompaninë britanike nga pagesa e te gjitha taksave, duke e favorizuar atë në mënyrë të paprecedent. “Në këtë kontratë qeveria i ka dhënë të drejtën kësaj kompanie që të mos paguajë tatim-fitimin, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë TVSH-në, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë taksat vendore, i ka dhënë të drejtë të mos paguajë tatimin mbi dividendin. Vazhdojmë më tutje. I ka dhënë të drejtën me kontratë që të mos paguajë asnjë taksë përfshirë edhe akcizën, edhe taksat dhe tarifat e tjera që mund të jenë të ngjashme. Por nuk ndalohet këtu. Kompania është treguar e kujdesshme por edhe qeveria ka pranuar që punonjësit e Crown Agent të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, të mos paguajnë asgjë për ato që sjellin në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Deklarata

Për Rrushaj kompania britanike po favorizohet në mënyrë të paprecedentë nga qeveria shqiptare, gjë kjo që  sipas tij e vendos Republikën e Shqipërisë në një pozitë shumë të vështirë përballë kompanive të tjera që kanë investuar dhe investojnë miliarda dollarë në vend. “Crown Agent do të paguhet çdo vit 4.5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve. Do ti paguhet kësaj kompanie më shumë se 13 milionë euro për 3 vite. Po për të bërë çfarë? Për të bërë atë që administrata doganore thotë këto ditë që e bëjnë më së miri. Por kjo nuk mbaron këtu. Do të na duhet që nga paratë që po marrim borxh, jo vetëm që do të paguajmë këtë kompani Crown Agent, por t’i paguajmë atyre shtesë edhe 400 mijë euro për të blerë makina me sirena që do t’i përdorin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai. Më tej, ish-zv ministri i financave kërkoi transparencën nga qeveria lidhur me kontratën e firmosur me kompaninë, pasi sipas tij, mungojnë mjaft detaje të kësaj kontrate.  “Fakti që kjo kontratë është e shtrenjtë nuk e themi ne. Këtë fakt e thotë Bashkimi Europian. Banka Botërore e ka përjashtuar për 6 muaj këtë kompani sepse është vërtetuar nga ana e saj se kjo kompani ka përdorur praktika mashtruese në projekte të Bankës Botërore. Bashkimi Europian gjithmonë u ka komunikuar zyrtarëve të Republikës së Shqipërisë që janë marrë me këtë çështje se konsulenti nuk ka as eksperiencën e duhur në zhvillimet e fundit për sa i përket tatimeve dhe doganave. Ajo çka është e rëndësishme në këtë fazë është transparenca e mëtejshme e këtij procesi. Ne i kërkojmë qeverisë të dorëzojë dokumentet e munguara të këtij dokumenti, të dorëzojnë shtojcat e munguara të këtij dokumenti që nuk i ka dorëzuar në Kuvend. Në ditët në vijim do të vazhdojmë transparencën për këtë çështje”, u shpreh Rrrushaj. Kontrata me “Crown Agent” është shndërruar në një çështje të nxehtë të debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës. Në draftin e kontratës thuhet se shuma e pagesës për këtë kompani do të lëvrohet në dy vjet, nga 4 milionë e 250 mijë euro në vit.Po ashtu është parashikuar që kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. Qeveria ka vendosur gjithashtu që pagesa për “Crown Agents” të jenë neto, duke e përjashtuar kompaninë britanike nga çdo detyrim tatimor, përfshirë tatimin mbi fitimin, atë mbi dividentit, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por edhe sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat për ekspertët e huaj që do vijnë në vend.

 

Punësimi

PD: Nepotizëm në administratë, premtimet për meritokraci dhe konkurse vetëm retorika boshe

Partia Demokratike ka akuzuar dje kryeministrin e vendit Edi Rama se deklaratat e tij për punësim në bazë të meritokracisë dhe përmes konkurseve kanë qenë vetëm retorika boshe. Koordinatorja për mediat e selisë blu, Silvi Bardhi theksoi dje se nepotizmi ka arritur shkallën më të lartë me qeverinë “Rama”.  “Kunatat e doganës së Tiranës kanë nevojë të punojnë të qeta, dhe të jenë të mbrojtura. Për këtë ka menduar qeveria, duke dërguar tezen e deputetes Olta Xhaçka si drejtoreshë të auditit. Spiropali tha dje se kunata e Ilir Beqës dhe e Ilirian Celibashit paskan qenë në sistem. Spiropali, e cila duhet përgëzuar për kurajën, tha dje se, ndryshe nga sa ka akuzuar Partia Socialiste, qeverisja e partisë demokratike nuk i paska larguar kunatat nga puna. Spiropali i ka gjetur në sistem, thjesht i ka sjellë nga rrethet në Tiranë, që të jenë më afër qeverisë. Ndërkohë që nuk mohoi emërimin e kunatës tjetër, pra motrën e zëvendësministrit të mbrojtjes.”- shprehet Bardhi në një deklaratë për shtyp. Sipas saj rrjeti nepotik po kthehet në sytë e publikut si një nga premtimet e rëna të kësaj qeverie, si një nga zhbërjet e saj. “A ju kujtohen thirrjet e Ramës dhe të tijve, për dërgim të CV-ve apo për mundësi për më të zotët? E gjitha, retorikë boshe, këto thirrje paskan qenë për kunatat e qeverisë”. Përfundoi deklaratën e saj Bardhi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency