PALLATI NË VLORË Avokati Maks Haxhia: Godina me leje, bllokimi anti-ligjor, do mbroj banorët në gjykatë

0
51

Anxhela Tato

 

Ankesa e banorëve, iu mohua informacioni dhe u mbajtën forcërisht për të mos u futur në godinë

Mbrojtësi prezanton dosjen voluminoze të “Kompleksit Jon”, dokumentacioni i rregullt

 

kompleksi jonPas aksionit të INUK-ut në bllokimin e “Kompleksit Jon” ka reaguar ditën e djeshme avokati i banorëve dhe bashkëpronarëve të objektit. Në një deklaratë për media avokati Maks Haxhia ka bërë publike shqetësimin e qytetarëve: Sot në drekë, disa qytetarë të shqetësuar, banorë bashkëpronarë  të objektit Kompleksi Jon në Vlorë, dhe pronarët e truallit, më kontaktuan dhe më kërkuan ndihmë juridike, pasi papritur u gjenden të rrethuar në banesat e tyre nga forca të policisë dhe të INUK. Avokati Haxhia është vënë në dijeni nga banorët se përfaqësues të INUK-ut pas kryerjes së matjeve të objektit, e kanë rrethuar godinën. Ndërsa banorët janë mbajtur forcërisht jashtë shtëpisë së tyre, pa asnjë shpjegim, pa asnjë arsye ligjore, pa asnjë akt. Mbrojtësi Haxhia tregon se banorëve i është mohuar informacioni dhe mbi ta është ushtruar presion. “Banorët kanë kërkuar informacion, kanë kërkuar të dinë se çfarë po ndodh, por forca dhe heshtja kanë qenë e vetmja përgjigje e dhjetëra forcave policore dhe punonjësve të INUK”. Sipas mbrojtësit Haxhia nga ana e INUK-ut është shkelur haptazi ligji dhe Kushtetuta, duke penguar qytetarët që të gëzojnë pronën e tyre. “Pasi shqyrtova dokumentacionin e banorëve dhe pronarit të truallit, rezulton se në mënyrë arbitrare, me metoda anti-ligjore, anti-humane, forcat e policisë dhe INUK po shkelin Kushtetutën, Aktet Ndërkombëtare, Kodin tonë Civil, dhe çdo normë, duke mos lejuar qytetarët e vendit të gëzojnë të drejtën e tyre themelore, të drejtën e gëzimit të pronës”. Në njoftimin për shtyp avokati Haxhia publikon pjesë nga dosja e objektit të ndërtimit, i cili figuron të jete me leje ndërtimi dhe në zbatim të të gjithë procedurave ligjore.“Në cilësinë e avokatit, e ndjej të nevojshme të bëj prezent situatën juridike të objektit dhe qytetarëve që unë përfaqësoj. Në referim të dosjes së plotë që më është vënë në dispozicion rezulton se ndërtimi i objektit është bazuar në të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, duke përfshirë: Vërtetimin e pronësisë së truallit, Lejen e sheshit të ndërtimit nr5/6 datë 17.08.2010, Formulari numër 2, lejen e ndërtimit nr5/7, datë 17.08.2010, Formulari numër 4, planimetria e sheshti të ndërtimit të objektit, procesverbalin e kolaudimit të objektit, planimetria e saktësuar e sheshit të objektit, procesverbalet për aktkontrollet për fazat e zbatimit të punimeve, lejen e shfrytëzimit për objektin godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate plus një kat papafingo, një kat nëntokë dyqane në lagjen Uji i Ftohtë me numër protokolli 3469 të datës 26.12.2012, si dhe vërtetimet hipotekore të secilit blerës”. Mbrojtësi Maks Haxhia e ka cilësuar ngjarjen e djeshme si një lajm të keq për çdo qytetar, të cilit në mënyrë flagrante i shkelen të drejtat minimale të parashikuara nga ligji themelor i shtetit, Kushtetuta. Ndërsa sqaron se kjo çështje nuk do të mbyllet këtu, por do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar vënien e drejtësisë në vend. “Ngjarja e djeshme e Vlorës është një lajm i keq për çdo qytetar të vendit, cënon sigurinë juridike dhe sigurinë e pronës për secilin shqiptar, krijon një precedent të rrezikshëm për shtetin ligjor dhe për të drejtat e njeriut. Për këtë arsye, ky aksion duhet ndalur menjëherë, ndaj kam vendosur të përfaqësoj në gjykatë bashkëpronarët dhe banorët e këtij objekti. Nesër në mëngjes, do t’i drejtohem gjykatës së Vlorës, i sigurt se në këtë vend ka ende garanci që do të pengojnë arbitraritetin dhe anti-ligjin.