Kombëtarja e femrave mposht Greqinë

0
140

Jurges Veizaj

 

Në një sfidë emocionuese, futbollistet shqiptare kanë arritur të mundin kombëtaren e femrave greke, duke marrë kështu një fitore shumë të rëndësishme.

 

 

kombetarja-femraGjithmonë sfida me Greqinë ka qenë emocionuese, për shkak edhe të historisë që ruajnë të dy vendet. Një rivalitet jo vetëm historik, por edhe në aspektin sportiv. Një duel që ka vite që rezervon. Edhe pse kanë qenë të pakta sfidat, kuqezinjtë kanë dalë fitimtarë. Shqiponjat edhe kësaj radhe kanë dalë fitimtare ndaj skuadrës helene. Edhe një herë tjetër kemi arritur që të dalim të suksesshëm ndaj vendit fqinje, por në aspektin sportiv. Kësaj radhe kanë qenë femrat ato që na kanë dhënë suksesin. Në kualifikueset për Kupën e Botës ka qenë skuadra jonë ajo që ka arritur të marrë një trepikësh të rëndësishëm. Ndeshja është luajtur në Durrës në stadiumin “Niko Dovana”. Midis shumë emocionesh sfida rezervoi surpriza për të dyja skuadrat. Kombëtarja kuqezi ishte ajo që bëri diferencën. Ekipi që drejtohet nga Altin Rraklli, ishte më i fortë se kundërshtari. Loja ishte në favorin tonë, edhe për shkak të lojës që realizuan femrat e kombëtares. Takimi nisi mirë për kombëtaren tonë që hidhet në sulm, ndërsa greket u dukën të dobëta për të arritur diçka. Duket se trajneri kishte përgatitur një ndeshje të mirë dhe nuk u la shumë hapësira grekeve. Nga ana tjetër, skuadra greke u vendos drejt mbrojtjes me shpresën se do të shënonin me anë të kundërsulmit. E teksa shqiponjat lëvizin mirë në sulm, nuk do të mungonte të vinte edhe goli. Pjesa e parë ishte në favor të skuadrës sonë por, që nuk u arrit që skuadrat të shënonin asnjë gol. Nga ana tjetër, ekipi grek kishte disa shanse, por që nuk arriti t’i shfrytëzonte mirë. Në pjesën e dytë ishte kombëtarja jonë ajo që kërkoi më shumë. Ekipi i Rrakllit shkon drejt sulmit dhe kërkon golin, që i sjell suksesin. Mirëpo duket se planet ecin më së miri dhe Shqipëria arrin që të shënojë. Në minutën e 51-të do të vinte edhe goli që do të emociononte tifozët që ishin në stadium. Autorja e golit do të ishte Velaj. Lojtarja do të futej mirë në zonë, duke dribluar mbrojtjen greke në mënyrë të përkryer. Më pas merr hapësirën e duhur dhe bën një gjuajtje që shkon drejt cepit të portës. Një supergol që tregon nivelin e lojtares. Tifozët në “Niko Dovana” e kanë mbështetur në mënyrë të veçantë kombëtaren, duke parë edhe natyrën e ndeshjes, dhe skuadra e shpërbleu këtë mbështetje. Kështu, goli i Velajt do të ishte edhe i vetmi i sfidës, që i jep suksesin skuadrës sonë. Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria fiton ndaj Greqisë në futboll. Edhe kombëtarja e meshkujve ka fituar më parë ndaj Greqisë në kohën kur mbante fronin e kampiones së Evropës. Në një ndër ndeshjet më magjike të kombëtares që arriti të fitonte me rezultatin 2 me 1, duke arritur një rezultat historik. Kjo, edhe për faktin se mundnim Greqinë, por edhe për faktin se arritëm që të mposhtnim kampionen e Evropës. Suksesi i radhës erdhi dje dhe duket se kjo sjell një ogur të mirë për të ardhmen e kombëtares së femrave. Një kombëtare që edhe pse e re, shfaqet tepër interesante. Skuadra përmban shumë elementë dhe duket se me pak punë mund të arrijë stade të larta. Edhe puna e bërë nga Altin Rraklli është tepër e mirë dhe duket se po jep frytet e saj. Për vajzat shqiptare, ky është suksesi i parë në katër ndeshje, pas humbjeve 2-0 në Belgjikë, 7-0 në Norvegji dhe 0-4 me Holandën në “Qemal Stafa”. Falë kësaj fitoreje, vajzat tona ngjiten në vendin e parafundit, duke lënë pas pikërisht ekipin helen.

 

 

Flamuri i UÇK-së largon tifozët nga stadiumi

Tifozët kuqezi largohen nga stadiumi “Niko Devana” në Durrës, ku u zhvillua ndeshja e futbollit për femra, midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë. Shkak për largimin e tifozëve është bërë shoqërimi në polici i njërit prej tyre, me pretendimin se po mbante në të hapur në stadium flamurin e UÇK-së. Tifozët e cilësuan të padrejtë shoqërimin e njërit prej tyre, duke u larguar nga stadiumi në shenjë proteste. Para pak javësh, futbollisti shqiptar Ergys Kaçe u pezullua nga ekipi i PAOK-ut, pasi kishte publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqej i veshur me një bluzë të UÇK-së.

 

 

Kombëtarja shqiptare, miqësore ndaj Bjellorusisë

Kundërshtari i parë në miqësore për Shqipërinë do të jetë Bjellorusia. Lajmi është konfirmuar fillimisht nga Federata e Kombëtares Bjelloruse. Më 15 nëntor, kundërshtari i Bjellorusisë do të jetë Shqipëria, e drejtuar nga trajneri De Biazi. Miqësorja mes bjellorusëve dhe kuqezinjve tanë do të zhvillohet në Belek, në kompleksin sportiv “Bellis Sport Center” dhe do të fillojë në 19:00, me orën bjelloruse, ose në 17:00, sipas orës sonë lokale. Ndeshja kundër Turqisë, njofton Federata Bjelloruse e Futbollit, do të mbahet në qytetin e Mersinit, në stadiumin “Teflik Sirri Gur” dhe do të fillojë në 21:00, me orën bjelloruse. Kjo do të jetë ndeshja e parë e De Biazit pas rinovimit me kombëtaren shqiptare, ndërsa i mbylli eliminatoret e Botërorit 2014 në vendin e parafundit, me 11 pikë në 10 ndeshje. Në miqësoren me bjellorusët pritet t’u jepet mundësia e aktivizimit disa lojtarëve të rinj, të afruar në kombëtare nga De Biazi, si Loret Sadiku, Lenjani etj. Kontrata e re e italianit është dyvjeçare me të drejtë rinovimi automatikisht edhe për dy vite, në rast të një kualifikimi në Evropianin 2016, pra edhe për Botërorin e 2018-ës.

 

FSHF hedh poshtë pretendimet e Tiranës

Lojtari i Besës, Bajram Jashanica, sipas FSHF-së, është federuar në rregull. Drejtuesit e Tiranës kërkuan që ndeshja e humbur në Kavajë t’u jepej në tavolinë, por FSHF ka reaguar menjëherë, duke u treguar bardhebluve se lojtari është regjistruar brenda të gjitha afateve. Në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, rezulton se Bajram Jashanica është huazuar pikërisht me datë 2 shtator nga Skënderbeu te Besa, pjesë e së cilës është edhe sot. Është pikërisht ky fakt që hedh poshtë pretendimet e bardhebluve për thyerje të rregullave të FSHF-së, pasi ligjërisht, lojtari në fjalë është pjesë e klubit kavajas, edhe pse i huazuar nga Skënderbeu, brenda afateve të përcaktuara nga rregullorja e institucionit të futbollit. Tirana nuk heq dorë nga pretendimi dhe pret që këtë çështje ta marrë në shqyrtim Komisioni i Disiplinës.

 

 

 

PAOK largon Kaçen në janar

PAOK nuk do të mbajë më në skuadër Ergys Kaçen. Grekët i kanë vendosur një ultimatum futbollistit shqiptar që të nxitojë dhe të gjejë një skuadër për në janar. Kaçe nuk është më i preferuar, por grekët e PAOK-ut nuk kanë ndërmend ta largojnë pa përfituar prej tij. Mediat greke kanë publikuar këtë lajm. Kaçe nuk mund të largohet pa derdhur në arkën e klubit 1,5 ose 2 milionë euro. Këtë periudhë futbollisti shqiptar po punon bashkë me menaxherin për të gjetur një skuadër dhe disa ekipe italiane janë vënë në ndjekje të tij.

 

Skënderbeu me uniforma të reja

Presidenca e Skënderbeut ka porositur uniforma të reja për skuadrën. Kampionët e vendit janë një klub modern, më i miri në vend dhe kjo i bën ata të jenë gjithmonë një hap para të tjerëve. Shumë shpejt, brenda pak ditësh, pritet që firma “Legea” të veshë me uniformat e reja lojtarët e Skënderbeut dhe pritet që ato të jenë të ngjashme me uniformat e Arsenalit.

 

Probleme me orarin e Skënderbeu – Partizani

Probleme ndodhin gjithmonë në ndeshjet derbi dhe këtu nuk duket se është përjashtuar edhe sfida e Skënderbeu ndaj Partizanit. Disa herë e kanë ndryshuar dhe disa herë të tjera e kanë anuluar orarin dhe ditën e ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit. Përfundimisht do të luhet të shtunën në orën 17:00. Të premten në Korçë do të zhvillohet një miting elektoral dhe policia është e angazhuar me të. Klubi Skënderbeu ka paraqitur në FSHF këtë kërkese të martën dhe ndeshja me Partizanin është shtyrë të luhet të shtunën.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency