Diego Kosta: Faleminderit Brazil, por zgjedh Spanjën

Jurges Veizaj

 

Një ndër sulmuesit më të mirë të momentit ka zgjedhur Spanjën për kombëtaren. Në luftë ishte edhe Brazili që është dhe vendlindja e tij

 

326889_heroa_optProblemet me lojtarët që luajnë për kombëtaret e huaja dhe jo për origjinën ne shqiptarët i kemi më se të përditshme. Por, me sa duket, këto gjëra nuk ndodhin vetëm me shqiptarët. Një luftë midis dy prej kombëtareve më të mëdha botë është zhvilluar për të marrë shërbimet e një lojtari. Bëhet fjalë për Diego Kostën. Lojtari ka lindur në Brazil. Mirëpo ka një kohë të gjatë që aktivizohet në Spanjë. Duke parë edhe formën e mirë në të cilën po kalon te Atletikoja të dyja kombëtaret janë hedhur në sulm. Nga njëra anë qëndronte Skolari dhe nga ana tjetër Del Boske. Për brazilianin dukej një vendim i vështirë. Kjo, pasi nuk është e lehtë të zgjedhësh midis dy kombëtareve të mëdha. Mirëpo duket se Diego Kosta i jep topin Spanjës. Një ditë pas publikimit të lajmit se sulmuesi i Atletiko Madridit shprehu dëshirën për të veshur fanellën e kombëtares “La Roja”, erdhi edhe vetë deklarata e lojtarit me origjinë braziliane që justifikon këtë vendim. Ai deklaroi: “Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, duke parë edhe palët e përfshira në këtë çështje. Nga njëra anë më kërkonte Brazili ku edhe kam lindur, ndërsa nga ana tjetër është Spanja, vendi që më ka dhënë gjithçka. Prandaj, mendoj se është vendimi i duhur që të luaj për kombëtaren iberike. Në Spanjë kam arritur gjithçka kam dhe është një vend me të cilin jam lidhur shumë. Këtu ndihem i vlerësuar sepse njerëzit më duan”, – ka vijuar braziliani. Lojtari 24-vjeçar flet edhe për Brazilin, duke kërkuar që njerëzit në vendin e lindjes ta kuptojnë vendimin e marrë prej tij. “Dua të jem i qartë, unë nuk e kam refuzuar Brazilin, por më pëlqen të luaj për Spanjën sepse thjesht jam më shumë i lidhur me këtë vend. Në Brazil kam familjen time dhe do të jetoj edhe pasi të largohem nga futbolli. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë dhe respektojnë vendimin tim është shprehur Diego Kosta. Gjithashtu ai ka vazhduar të flasë për këtë temë duke thënë se mundësia për të luajtur me Spanjën është një shans i artë. “Të veshësh fanellën e Spanjës nuk është një mundësi që të jepet çdo ditë. Pres vetëm mundësinë që Del Boske të më grumbullojë dhe unë jam i gatshëm të vihem në dispozicion të skuadrës. Te skuadra e Atletikos e pranuan vendimin tim dhe jam shumë i lumtur për këtë sepse më jep më shumë forcë”, – vijoi sulmuesi i Atletiko Madridit. Prej disa javësh, Brazili dhe Spanja luftuan për të bindur lojtarin, i cili po shkëlqen këtë sezon në La Liga. Edhe pse i grumbulluar në dy ndeshje miqësore me kombëtaren “Seleçao”, Federata Spanjolle e Futbollit shprehu dëshirën që Diego Kosta të bashkohej me kombëtaren e Del Boskes, duke shfrytëzuar faktin se ai nuk u aktivizua në ndeshje zyrtare. Dhe nga ana e brazilianëve u bë një lëvizje për të marrë lojtarin. Ishte Felipe Skolari ai që i premtoi lojtarit që do ta ftonte në ndeshjet e radhës për të luajtur me kombëtaren e “Seleçao”. Mirëpo duket se kjo lëvizje do të jetë e pamundur. Duke parë edhe vetë deklaratën e lojtarit që u shpreh pro Spanjës, duket se Brazili humbet një lojtar shumë të fuqishëm për skuadrën që do të luajë në Botërorin e 2014-ës, një botëror që është edhe detyrë e brazilianëve për të dalë fitimtarë, për shkak se luhet në vendin e tyre. Por me një Spanjë apo dhe me një Gjermani të forcuar duket se rruga nuk do të jetë e lehtë për skuadrën e sambës që ta mbajë kupën në vend.

 

Jurgen Klëp rinovon për Borusian

Ka ardhur edhe rinovimi shumëpritur për teknikun e Borusias së Dortmundit. Nëpërmjet faqes së tij në internet, klubi i Borusias së Dortmundit ka njoftuar rinovimin e kontratës me trajnerin karizmatik Jurgen Klëp. Tekniku gjerman ka firmosur kontratën e re duke u lidhur me klubin verdhezi deri në fund të vitit 2018, ndërsa ai aktuali skadonte në vitin 2016. Me pak fjalë, lidhja mes Klëp dhe Borusias do të zgjasë 10 vjet, duke ditur që ai erdhi nga Majnc 05 në “Westfalenstadion” në vitin 2008. Që prej asaj kohe, Borusia e Dortmundit nga vendi i 13 që e mori Klëp vjet luajti finalen e Champions League kundër Bajernit të Mynihut, ka fituar dy tituj kampionë në Bundesligë dhe i ka dhuruar botës së futbollit një futboll të bukur dhe spektakolar. Origjinale edhe iniciativa e Borusias që ka publikuar në faqen e tij në “Facebook” foton e firmës së hedhur ndaj trajnerin për kontratën e re.

 

 

Tohir, drejt rinovimit me Handanoviçin

Erik Tohir do të vijë me një axhendë të ngjeshur në Milano, në mesin e muajit nëntor. Mirëpo hapi i parë i epokës së tij nuk do të jenë blerjet e mëdha, por blindimi i lojtarit më të mirë të këtij Interi. Bëhet fjalë për portierin Samir Handanoviç, mbi të cilin qëndron hija e Barcelonës, që në fund të sezonit do të humbë titullarin e saj Viktor Valdes. Teksa ish-presidenti Masimo Morati i ka rezistuar tundimit të 30 milionë eurove që erdhën në verë nga Katalunja, edhe bosi indonezian pritet të bëjë të njëjtën gjë, sepse slloveni mund të blindohet me një kontratë që do të prekë edhe pagën e tij, e cila do të shkojë nga 1.75 milionë euro në sezon, në 3 milionë neto.

 

 

Fabregas: Nuk tregova mungesë respekti kur festova

Ish-kapiteni i Arsenalit u vu në shënjestër nga tifozët vendas pas festimit të golit të dytë të mbrëmjes që erdhi nga një devijim i portierit kundërshtar. Megjithatë, 26-vjeçari theksoi se ai thjesht festoi për një gol të shënuar dhe se nuk shfaqi aspak mungesë respekti ndaj tifozëve kundërshtarë. “Kërceva dhe festova golin si gjithmonë, pa dashur të shfaq mungesë respekti ndaj tifozëve të Selta Vigos. Më pëlqen më shumë të flas për ndeshjen e zhvilluar, ku u treguam kompakt dhe kërkuam që në fillim fitoren. Dëshirojmë të shpallemi sërish kampionë dhe që t’ia dalim kësaj duhet të fitojmë ndeshjet ashtu siç bëmë ndaj Seltës”, – ka thënë Fabregas. Më pas Fabregas ndalet në analizën e tij, duke evidentuar ndryshimin nga transferta e fundit në kampionat ndaj Osasunës, aty ku dy javë më parë blaugranat nuk morën më shumë se një barazim pa gola. “Ndaj Selta Vigos zhvilluam një lojë më të mirë dhe arritëm të konkretizonim rastet e krijuara, gjë që nuk ndodhi ndaj Osasunës dy javë më parë”, – vijoi mesfushori katalanas.

 

Shakira, “Waka Waka” edhe në Brazil 2014

Shakira shkon drejt rekordit në prezantimet në Botëror. Nëse Pele e ka fituar tre herë, këngëtarja kolumbiane do të këndojë për të tretën herë në ceremoninë e hapjes së evenimentit më të rëndësishëm futbollistik në botë. Sipas asaj që bën të ditur Mohamed Asaf, këngëtari fitues i spekaklit “Arab Idol”, Shakira do të duetojë me të në ceremoninë inauguruese të Brazil 2014. Ideja për t’i ftuar të dy të këndojnë së bashku është e presidentit të FIFA-s, Jozef Blater. Edhe pse mungon akoma konfirmimi zyrtar, pas sukseseve të “Hips don’t lie”, e “Waka Waka”, prezantimi i tretë botëror për Shakirën duket i pashmangshëm. Kolumbiania ka kënduar për herë të parë në ceremoninë e hapjes së një botërori në Gjermani 2006, por suksesin më të madh e pati në Afrikë e Jugut 2010 me “Waka Waka”, që mbeti një hit i preferuar.

 

Ronaldo: FIFA nuk ka respekt për mua

Kristiano Ronaldo i është përgjigjur Zep Blaterit pas komenteve që presidenti i FIFA-s bëri ndaj tij. Ronaldo, i cili ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën e organizimit të “Topit të Artë”, u shpreh se kjo tregon sesa pak respekt kanë për të në FIFA. Blater u shpreh se preferon Mesin para Ronaldos dhe e cilësoi portugezin si një komandant, madje edhe e imitoi në një intervistë dhënë në Universitetin e Oksfordit. Gjithsesi, Blater ka deklaruar se është gati t’i kërkojë falje Ronaldos nëse fjalët e tij e kanë ofenduar. Ndërsa presidenti publikisht i ka kërkuar falje Ronaldos pas deklaratave kundërthënëse që bëri ai për yllin e Real Madridit. Drejtuesi i FIFA-s është detyruar që t`i kërkojë falje publikisht sulmuesit 28-vjeçar. ”Është nder që të kem kontakte të mira me Real Madridin dhe të sqaroj se ne kemi shumë lojtarë të talentuar, përfshirë edhe ty. Gjitha të mirat”, – ka shkruar ai në rrjetin social ”Twitter”. Blater gjithashtu dërgoi një letër të hapur presidentit Florentino Perez për t’i kërkuar falje nëse ka ofenduar dikë në Real Madrid. ”I dashuri President, unë kam pranuar letrën tuaj, përmbajtja e të cilës më befasoi shumë”, ka thënë ai”Dua të qartësoj se Kristiano Ronaldo është në të njëjtin nivel me Mesin dhe të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm’, – ka shtuar Blatter. – ‘Më vjen keq që një situatë e tillë u ka lënduar shumë dhe ju kërkoj falje për këtë”.

 

 

 

Kombëtarja e femrave mposht Greqinë

Kërko