Barcelona mbijeton edhe pa Mesin

0
132

Jurges Veizaj

 

Një lëvizje e re te Barcelona duket se ka ndryshuar të gjithë skuadrën. Ekipi katalanas shfaq premisa se mund të japë spektakël edhe kur Mesi nuk luan.

 

 

botaLeo Mesi vazhdon që të jetë lojtari më i mirë në botë. Argjentinasi ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve statusin që ka dhe potencialin që ai shfaq ndaj skuadrave të tjera. Mirëpo kohët e fundit Barcelona ka treguar se mund të jetë në formë të mirë edhe kur ai nuk luan. Ky sezon i ri është edhe treguesi më i mirë i asaj çfarë po ndodh te klubi katalanas, ndryshe nga sezoni i kaluar, ku në kohën kur Mesi nuk luante Barça nuk ishte asnjëherë në formë. Ndërsa ardhja e Tata Martions duket se i ka ndryshuar paksa gjërat dhe duket se jo gjithçka është në dorën e Leos. Ndeshjet e fundit, si ajo ndaj Realit, por edhe apo ndeshjet në Ligën e Kampioneve, kanë treguar se ekipi nuk e ka të vështirë edhe kur “Pleshti” nuk është në formën e tij më të mirë. Këtu duhet të kujtojmë ndeshjet e vjetshme në Ligën e Kampioneve, kur u përballën në fazat eliminatore. Me një Mesi jo në formë, qe shumë e vështirë që të mundeshin parisienët e Ibrahimoviçit. Ndërsa forma e argjentinasit qëndroi në të njëjtin stad edhe në ndeshjet ndaj Bajernit, sfida ta cilat rrëzuan statusin e të pamposhturit për ekipin që drejtohej nga Tito Vilanova. Pra, një Mesi i paralizuar si një ekuacion, sillte gjithmonë një Barcelonë të lodhur. Por çfarë po ndodh këtë sezon? Duket se ky problem u vu re nga ekipi që u hodh në sulm. Në Katalonjë këtë sezon erdhi Nejmari nga skuadra e Santosit. Talenti brazilian bëri një superparaqitje në Kupën e Konfederatave dhe gëzon një superformë edhe tashmë. Nej u pa si një zgjidhje dhe opsioni më i mirë kur Mesi nuk luan. Deri më sot lojtari brazilian ka qenë mjaft produktiv dhe ka arritur që të mbulojë shumë mirë hapësirat. Ndeshja e fundit ndaj Realit të Madridit ishte edhe prova më e mirë e punës që po bën sulmuesi te skuadra e tij e re. Daniel Alvesh, në një deklaratat e tij ka thënë për lojtarin e ri: “Nejmar ka lindur për të fituar këto ndeshje”. Fjalë, të cilat u thanë gjatë golit që braziliani shënoi në Superkupë ndaj Ateltiko Madridit, gol i cili i dha suksesin skuadrës. Tashmë, duket se kemi një tjetër lider në skuadrën blaugranase. Mirëpo duket se sulmuesi brazilian nuk shfaq shumë ekzaltim për këtë fakt, por vazhdon të punojë. Nga ana tjetër, Tata i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe talentit. Tekniku argjentinas është përpjekur që të mos i lërë mbi supe të gjithë përgjegjësinë Leo Mesit, por ta kalojë dhe te Nejmari. Skuadra duket se nuk ka probleme dhe se thjesht ka ndryshuar stili i lojës e nuk ka asnjë defekt. As Martino nuk mendon se ka probleme në ekip, pasi Mesi është mirë. Ai deklaroi: “Nuk më shqetëson nëse Mesi shënon apo jo gola. Rëndësia e tij për skuadrën është shumë e madhe. Kundër Madridit bëri një paraqitje fenomenale. Prania e tij në fushë është tepër e rëndësishme”. Strategji kjo që e bën shumë të vështirë mbrojtjen për ekipet kundërshtare. Kjo, pasi tashmë duhet të referohen mbi dy pika dhe u lënë lojtarëve të tjerë katalanas më shumë hapësira. Duke filluar që nga ndeshja në Superkupë, por edhe në sfidat e tjera, si ato në Glasgou apo edhe në kampionat kundër Valadolidit, ekipi po tregon forcë edhe kur Mesi nuk është. Fakte këto që tregojnë revolucionin që ka ndodhur në ekip. Një lëvizje që tregon qartë se “Camp Nou” mund të gëzojë edhe kur në fushë nuk gjendet katër herë fituesi topit të artë.

 

Tifozët qipriotë: Kosova është Serbi

Duket se problemet politike nuk mund të ndahen edhe nga fusha e futbollit. Tifozët e skuadrës qipriote, Anorthosis Famagusta, i janë kundërpërgjigjur Kryeministrit të Turqisë, Erdogan, i cili javën e kaluar në Prizren tha se Kosova është Turqi. Gjatë ndeshjes së volejbollit ndaj klubit turk Fenerbaçe, tifozët vendas kanë shpalosur flamurin grek dhe një banderolë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Ndeshja ndërmjet Anorthosis Famagustas dhe Fenerbaçes është zhvilluar në kuadër të Ligës së Kampionëve në volejboll dhe u fitua nga ekipi turk me rezultatin 1:3.

 

Maxarri: Roma është “mutacion”

Të gjithë janë të mahnitur nga Roma dhe këtu nuk përjashtohet sa Maxarri. Gjatë konferencës për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Atalantës, trajneri i Interit, Valter Maxarri, ka folur për skuadrën kryesuese të kampionatit, Romën, duke e quajtur si diçka jonormale atë që po bën skuadra e Rudi Garsias pas 9 javëve të para. “Është mjaft e vështirë që një skuadër të arrijë të fitojë nëntë ndeshjet e para të kampionatit. Bëhet fjalë për një anomali, janë duke bërë diçka të vështirë, por edhe skuadrat e tjera janë duke bërë një kampionat të mirë. Në qoftë se nuk do të kishte ndodhur ky shpërthim i skuadrës së Romës, kampionati do të ishte akoma më i ngjeshur në renditje. Skuadrat janë shumë afër me njëra-tjetrën, në krahasim me sezonin e shkuar”, – u shpreh Maxarri.

 

Horner: Vetel mund të thyejë rekordin “Shumaker”

Katër herë kampion bote radhazi, dominim i padiskutueshëm në pistë dhe rekordet që bien një e nga një në çdo dalje të tij në pistë. Sebastian Vetel, jo vetëm që është piloti më i mirë në aktivitet, por ai tashmë mund të synojë edhe fronin e më të madhit të të gjitha kohërave, që mbahet nga një tjetër gjerman, Mikael Shumaker. I këtij mendimi është drejtuesi i skuadrës së Red Bullit, Kristian Horner, i cili thekson se piloti tij i ka të gjitha mundësitë për të thyer rekordin me 7 tituj botërorë të Mikael Shumakerit. “Në këtë sport ka shumë elemente përcaktuese dhe ka shumë gjëra që varen edhe nga makina që ke në dispozicion, por nga pikëpamja e aftësive pilotuese nuk ka asnjë arsye pse të mos mendosh se Sebastian Vetel mund të thyejë rekordin e Mikael Shumakerit me 7 tituj botërorë të fituar. Vetel është ende 26 vjeç dhe deri tani ka fituar plot katër tituj botërorë, për më tepër radhazi. Ndaj, unë besoj se janë të gjitha mundësitë që ai të triumfojë minimalisht edhe tri herë të tjera në karrierën e tij”, – është shprehur drejtuesi i skuderisë austriake.

 

Mario Baloteli, aksident me makinë

Duket se problemet nuk kanë të sosur për “djallin” milanez. Mario Baloteli ka pësuar aksident rrugor në Bresha, teksa po udhëtonte me familjen e tij. Lajmi është bërë i ditur nga “Sportmediaset”. Nuk dihet ende nëse ka pësuar lëndime. Ndërsa policia e Breshas ka bërë me dije se nuk është në dijeni të aksidentit. Duket se Balo është i pandarë nga telashet. Shpresojmë që të mos ketë ndonjë shqetësim serioz, që mund të rëndojë mbi formën e lojtarit.

 

 

Interi dhe Napoli, sytë drejt Vermalenit

 Arsenali këtë vit po shkëlqen, ashtu siç po shkëlqejnë edhe lojtarët, një prej të cilëve është edhe mbrojtësi belg Vermalen. Qendrori po përflitet në media për mundësinë e transferimit në Itali. Interi është duke vazhduar të përcjellë situatën e Tomas Vermalenit te Arsenali. Vermalen ka dështuar të sigurojë vend me ekipin e parë këtë sezon, por mbetet shumë i kërkuar kudo nëpër Evropë. Mediat italiane shkruajnë se drejtuesit e Interit janë duke menduar për një ofertë të janarit për belgun, me pronarin e ri Erik Tohir, që ka premtuar të investojë. Megjithatë, Interi nuk do të jetë i vetëm në garë për lojtarin, me Napolin dhe trajnerin Rafa Benitez që kanë shprehur interes për lojtarin.

 

 

Ibrahimoviç: “Topi i Artë”, thjesht prestigj

Suedezi Zllatan Ibrahimoviç është më shumë i interesuar të fitojë trofe me Paris Sen-Zhërmenin sesa ta fitojë “Topin e Artë”. Të martën pritet të bëhet publike lista prej 23 futbollistësh konkurrentë për çmimin më të madh individual që ndahet në futboll, ndërsa mediat franceze e kanë mbështetur suedezin për ta fituar trofeun e futbollistit më të mirë në botë. “Unë stërvitem shumë çdo ditë, që t’i sjell rezultate pozitive PSG-së. Jam shumë i lumtur që po luaj në Paris, po jap shumë nga vetja për këtë. Fitoret me skuadrën time janë Topi im i Artë. Nuk është ëndrra ime ta fitoj atë trofe. Ëndrra ime është të fitoj trofe me klubin tim. Çmimet individuale janë thjesht bonus”, – ka deklaruar sulmuesi 32-vjeçar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency