Pas 1 janarit / Rritet mosha e pensionit për gratë dhe burrat, ja çfarë pritet të ndodhë

0
153

Nga viti i ardhshëm gratë do të dalin në pension në moshën 63 vjeç dhe burrat në 67 vjeç

Raporti kontribuues-përfitues synohet të jetë 3 me 1

 

pensionistatMinistria e Financave dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar duken të vendosur për të rritur moshën e pensionit. Dy vite për burrat dhe tri vite për gratë, ky është niveli i ri që pritet të miratojë qeveria për të moshuarit. Kjo rritje do të bëjë që shumë të moshuar në fshat dhe në qytet, të cilët nuk janë në kushte pune, duhet të presin 2-3 vite të tjera për të marrë pension, pavarësisht se kanë plotësuar vitet e kontributeve. Po cila është arsyeja sipas qeverisë për rritjen e pensioneve? Arsyeja e parë që kanë dhënë deri tani ekspertët e FMN-së dhe Ministrisë së Financave është dështimi i skemës aktuale të pensioneve. Problemi i vetëm në këtë fakt është se nuk po jepen argumente se përse ka dështuar skema e pensioneve! Arsyeja e dytë, sipas FMN-së, është se duhet një ristrukturim i skemës së pensioneve, në një kohë që ndryshimet në skemë s’kanë shumë kohë që janë bërë dhe që kanë rezultuar të suksesshme, pasi kanë rritur pensionin minimal dhe maksimal në qytet dhe fshat, pra rritje e të ardhurave për të moshuarit.

Ndryshimet

Qeveria pritet që diskutimet për rritjen e moshës së daljes në pension t’i diskutojë pas 1 janarit. Fillimisht do të kërkohet ndryshimi total i skemës, duke u bazuar në një model të ri. Propozimi i parë ka qenë rritja e moshës vetëm për gratë, më pas ka qenë FMN, e cila ka këshilluar rritjen edhe për burrat. Kjo do të thotë që nga viti i ardhshëm gratë do të dalin në pension në moshën 63 vjeç dhe burrat në 67 vjeç. Një nga faktorët ku mbështet propozimi i FMN-së është dhe plakja e popullsisë në Evropë, por në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta se sa është plakur popullsia. Synimi tjetër do të jetë që të rritet niveli i kontributeve. Problem në vendin tonë mbeten të rinjtë të cilët kanë nivelin më të ulët të kontributeve. Edhe pse mund të jenë në punë një pjesë e vogël prej tyre, derdhin kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore. Aktualisht raporti kontribuues-përfitues në vendin tonë është 2 me 1 dhe FMN, sugjeron që të jetë minimumi 3 me 1.

Tri kolonat

Ndryshimet rrënjësore të skemës së pensioneve do të mbështet në tri kolona. Kolona e parë do të ketë për synim mbrojtjen e të moshuarve. Pra çdo i moshuar do të ketë një pension bazë dhe kjo do të sigurohet falë kontributeve që derdhin të rinjtë. Kolona e dytë i jep mundësi kontribuuesve të zgjedhin vet se si do t’i shpërndajnë paratë e tyre, pra secili do të bëjë zgjedhje individual. Kjo kolonë është një gërshetim mes skemës publike dhe private. Garantohet një pension bazë por dhe të ardhura shtesë që do të vijnë nga kompani private. Kolona e tretë do të bazohet te privati. Çdokush që nuk është dakord me pensionin që jepet nga shteti mund të aplikojë në skemat private, të cilat garantojnë më shumë përfitime. Kolona e parë dhe e tretë funsjonojnë edhe sot në vendin tonë, për sipas zyrtarëve do të ketë ndryshime të vogla.

Qytetarët kundër

Çdo ndryshim që pritet të bëjë qeveria në skemën e pensioneve nuk pritet të haset me ndonjë kundërshtim nga opozita apo nga qytetarët. Por pika ku rritet mosha e pensionit do të jetë debati më i ashpër. Menjëherë sapo FMN, propozoi rritjen e moshës së pensioneve, kanë qenë të shumta reagimet në rrjetet online, të cilat e quajnë këtë ndryshim si të gabuar. “Mosha 65 vjeç është e lartë dhe normale po të krahasohet me gjithë shtetet e tjera. Ne asnjë shtet nuk diskutohet ngritja mbi 65 vjeç, madje kemi shembullin e Francës ku presidenti aktual në fushat tha që do e ul moshën nga 65 ne 62 dhe ashtu beri. Sepse është në falimentim sistemi i pensioneve në Shqipëri kjo nuk është “faj” i kontribuove, por i atyre që mbikëqyrin atë. Le “ta paguajnë” ata qe rrinë indiferent gjatë gjithë jetës e kur vjen mosha për pension “hapin” gojën të hanë djersën e të tjerëve”, – shprehet një komentues në rrjetet sociale. Rritja e moshës së pensioneve pritet të kundërshtohet dhe nga opozita.

 

 

Kreu i njësisë bashkiake 11: Qeveria po neglizhon jetën e banorëve të përmbytur

Bashkia e Tiranës ka vazhduar edhe dje t’u vijë në ndihmë banorëve të përmbytur në Tiranë. Ndonëse situata vazhdon të jetë emergjente, thirrjet e Bashkisë, por edhe të banorëve të përmbytur kanë rënë në vesh të shurdhër të qeverisë. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, Haki Mustafa, i ka kërkuar sërish ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit t’u ofrojnë ndihma në ushqime, veshmbathje, ndihmë mjekësore banorëve dhe t’u bashkohen strukturave të Bashkisë së Tiranës, për të bërë pastrimin e zonës së përmbytur. “Është dita e katërt që janë përmbytur këta banorë. Siç e shikoni, janë në hall të jashtëzakonshëm, nuk kanë vend për të fjetur, nuk bëhet fjalë për pajisje, orendi që kanë shkuar të gjitha dëm. Është pasuri e një jete dhe shoh që deri më sot, përveç Bashkisë që sot ka 400 forca në të gjithë territorin dhe rreth 95 mjete, këtu nuk është dukur dora e asnjë institucioni shtetëror. Unë i bëj thirrje ministrit të Brendshëm, i bëj thirrje kryeministrit i cili ka qenë edhe kryetar bashkie, të marrin masa sa më të shpejta, sa më urgjente, që këtyre njerëzve t’u vijë në ndihmë. Sot, ata gjenden në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe nëse nuk do të kishte vepruar Bashkia, aq sa ka pasur mundësitë, sot këtu mund të kishte ndonjë epidemi. Ka dhe një shqetësim mbarë qytetar i cili konsiston në faktin se kur të vijnë për t’i vlerësuar këto dëme, janë të detyruar t’i heqin, pasi mund të përhapen sëmundje, nëse nuk hiqen rrobat, nëse nuk hiqen të gjithë ato materiale që këta banorë kanë pasur një jetë të tërë”, – u shpreh Mustafa. Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11 i ka bërë thirrje qeverisë që të drejtojë sytë ndaj këtyre banorëve të përmbytur dhe të mos bëjë “një sy qorr dhe një vesh shurdh”. Në lidhje me ngritjen e grupeve të vlerësimit të ngritura nga bashkia, Mustafa është shprehur: “Ne i kemi çuar listat, qoftë me numrin e banorëve, pasi me ndihmësadministratorët e mi kam bërë regjistrimin e familjeve, kam nxjerrë numrin e personave, të familjarëve që janë në gjendjen civile, kam dërguar se sa krevate, sa dyshekë, sa çarçafë nevojiten, të paktën për sa i përket hapit të parë. Më pas, komisioni ngrihet nëse shpallet emergjenca”, – ka përfunduar Mustafa.

 

Nivel i ulët i infermierëve, shkelje edhe gjatë orarit të punës

Urdhri i Infermierit ka konstatuar shkelje të shumta nga infermierët në vendin e punës. Krahas nivelit të tyre të dobët që kanë paraqitur gjatë shërbimit ndaj pacientëve ku edhe këta të fundit kanë paraqitur ankesat e tyre, Urdhri i Infermierit ka gjetur edhe shkelje edhe në orarin e punës, në mos përdorimin e uniformës apo dhe në komunikimin me pacientët. “Kemi gjetur shkelje në moszbatim të detyrave të veta, duke mos qëndruar 24 orë në 24 orë tek koka e pacientit nëpër institucionet me shtretër. Ka pasur raste që kemi gjetur serumin të vendosur dhe më pas infermierja është larguar dhe serumin e kanë hequr familjarët ose vet pacienti. i kemi gjetur serumet e varura që mund të japi infeksion në ambientin ku qëndrojnë të sëmurët e tjerë. Gjatë viti të kaluar duke llogaritur të gjitha qoftë ato për uniformën qoftë ato për komunikimin sa në shkelje të ligjit duke mos regjistruar dhe licencuar në kohë te Urdhri i Infermierit. Disa për braktisje pune, disa të tjerë për marrje ryshfeti, disa për shërbim të pa kujdesshëm ndaj pacientit të gjitha ishin rreth 170”, – shprehet Sabri Skënderi, pjesë e Urdhrit të Infermierit. Skënderi thotë se është e rëndësishme të shtohen kontrollet për respektimin e kodit të etikës, në të gjitha rrethet e vendit. Një shqetësim i madh sipas tij janë infermierët e fshatrave, të cilët në pjesën më të madhe të kohës nuk paraqiten në punë, duke munguar gjatë gjithë javës duke mos ofruar shërbim ndaj popullatës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency