Bufon: Kam qenë afër kalimit te Barcelona

0
154

Jurges Veizaj

Kapiteni i Juventusit ka bërë një deklaratë interesante për karrierën e tij. Gardiani italian ka deklaruar se ka qenë afër kalimit te Barcelona

 

 

Juventus RomaLideri i portës juventine dhe i kombëtares italiane ka dhënë një intervistë ekskluzive për “SportMediaset”. Para se të transferohej te bardhezinjtë në vitin 2001, portieri ka pasur mundësinë që të shkonte drejt Barcelonës. “Babai im më sugjeroi Juventusin. E falënderoj akoma për kënaqësinë që më ka dhënë kjo zgjedhje. Barcelona e atëhershme nuk ishte ajo që është tani”, – ka deklaruar italiani për këtë çështje. Gjithashtu, portieri italian foli edhe për rinovimin e tij. “Pata një ofertë të rëndësishme nga Lindja e Evropës. Shpresoj që të qëndroj edhe disa vite akoma këtu”. Lojtari foli edhe për fillimet e karrierës së tij në futbollin profesionist. “Parma më donte, gjithashtu edhe Milani, por jo me të njëjtin interes edhe Bolonja. Të zgjuar ishin prindërit e mi, pasi ata e zgjodhën Parmën, sepse ishte shumë e mirë për një djalë që ishte vetëm 13 vjeç. Ndonjë prind tjetër, ndoshta edhe me të drejtë, do të preferonte, duke parë edhe mundësitë, që djali i tyre të luante me Milanin, ndërsa ata zgjodhën aty ku menduan se mund të rritesha më mirë”. Lojtari gjithashtu foli edhe për udhëtimin e tij në Serinë A me skuadrën e Parmës. “Udhëtimi me Parmën ishte një ëndërr e realizuar, por nga ana tjetër atëherë isha një djalë 17 vjeç dhe isha tepër guximtar. E dija se çfarë doja të isha dhe të shkruaja faqet e rëndësishme të këtij sporti. Me Parmën fitova shumë, por është një keqardhje për Parmën që nuk ka arritur të fitonte atë që donte, titullin kampion. Ndoshta ishim shumë të rinj dhe të papjekur për të pasur vazhdimësinë dhe rendimenti që do të na bënte të fitonim”. Xhixhi Bufon foli gjithashtu edhe për transferimin tij te Juventusi dhe të ardhmen. “Në 2001-shin kisha mundësinë që të shkoja te Barcelona, por edhe kësaj radhe zgjedhja ishte e prindërve të mi. Dhe i rifalënderoj përsëri. Te bardhezinjtë jam ndier mirë dhe kam përjetuar gjëra të bukura dhe të veçanta. Barcelona nuk ishte atëherë ajo që është tani”. Një temë e rëndësishme ishte edhe rinovimi me skuadrën e Kontes që duket se nuk do të ketë probleme. “Kam zgjedhur që të qëndroj te Juventusi, ndërkohë kam pasur një ofertë të rëndësishme nga një ekip në Lindje të Evropës që mund të më bënte punë. Shpresoj që të luaj edhe një disa vite, derisa të jem i aftë të shkëlqej siç kam bërë gjithmonë në karrierë”. Kapiteni i Italisë ka bërë edhe një bilanc të ndeshjeve të para të luajtura në kampionat. “Roma i ka habitur të gjithë dhe për atë çfarë ka bërë, e meriton kreun e tabelës. Napoli është një skuadër për t’u respektuar, sepse tani ka respektin nga të mëdhenjtë. Ndërsa ne, edhe pse nuk kemi dëgjuar komente pozitive, kemi arritur shtatë fitore dhe 3 barazime në dhjetë ndeshje. Numrat flasin qartë”. Ndërsa në fund ka folur edhe për sfidën e Ligës së Kampioneve dhe sfidës më të fortë atë kundër Realit të Madridit. “Thonë që Reali nuk është duke kaluar një moment të mirë, por realiteti është se me lojtarët që ka mjafton pak që të ndryshojnë opinionin. Nuk dua t’u uroj fat të keq, por nuk mund ta mohoj që do të jem i lumtur nëse me ne nuk paraqiten mirë. Një fitore kundër Realit do të ishte një shtysë e madhe dhe ne kemi nevojë që të kemi një rrugë të suksesshme edhe në Evropë”.

 

 

 

Mat Hummles, një hap më afër Barcelonës

Duket se qendrori gjerman Mats Humels është kthyer përsëri nën orbitën e Barcelonës. Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, qendrori gjerman ka marrë leje që të vazhdojë negociatat me Barcelonën. E gjitha kjo duket se do të mund të realizohet në merkaton e verës për sezonin e ardhshëm. Gjermani ishte më i preferuari edhe nga tifozët, por edhe brenda klubit katalanas si zgjedhja për qendrën e klubit. Por ajo që e pengoi ishte refuzimi nga ana e Tito Vilanovës, i cili vendosi që nuk bënte për skuadrën, pasi nuk kishte shpejtësinë e nevojshme. Kjo duke u bazuar te logjika se Pike nuk është i shpejtë, kështu që duhej një lojtar që ta bënte këtë detyrë. Ndërsa tani duket se me ardhjen e Tata Martinos gjithçka ka ndryshuar. Borusia do të mundet që ta lëshojë lojtarin ashtu siç bëri me Gëtzen që e lëshoi për te Bajerni këtë sezon. Humels është zëvendësimi më i mirë që mund t’i bëhet Pyjolit, i cili ka kohë që vuan nga dëmtimet. Nuk përjashtohet edhe mundësia që lojtari të bëhet pjesë e skuadrës në merkaton e dimrit, por duket pak si e vështirë si lëvizje. Duket se Borusia mund ta kryejë transferimin, pasi ka gjetur edhe zëvendësimin e lojtarit. Është Fabian Shar, që aktivizohet me klubin e Bazelit. Duket se Klëpi nuk e sheh më lojtarin në skemat e tij dhe kjo e afron dhe më shumë transferimin e tij.

 

 

 

Tohir kërkon revolucion postesh

Pritet që Interi të pësojë ndryshime, kësaj radhe jo në lojtarë, po në poste. Erik Tohir nuk do ta ndryshojë Interin në janar, por për qershorin pritet një revolucion i vërtetë. Sipas asaj që shkruan italiania “La Repubblica”, manjati indonezian dëshiron një trajner që nuk e ka rrogën shumë të lartë, i cili të bëjë një lojë të bukur dhe të besojë shumë te talentet e reja. Një profil që sheh si favorit teknikun e Fiorentinës, Vinçenco Montela, dhe atë të Ajaksit, Frank de Bor. Por edhe drejtori sportiv Branka nuk e ka pozicionin e sigurt, pasi Tohir kërkon t’i besojë merkaton një drejtuesi, i cili mund të bëjë goditje të mëdha pa qenë nevoja të shpenzojë shuma të mëdha parash. Emrat në axhendën e presidentit të ri të Interit janë ata të Daniele Prades, Xhovani Sartori dhe shqiptarit Igli Tare, aktualisht drejtor sportiv te Lacio, shkruan “Calciomercato”. Maxarrit dhe Brankës i mbeten edhe 6 muaj kohë për t’i ndryshuar mendjen Erik Tohirit me punën që do të bëjnë. Manjati tajlandez do të marrë 70 për qind të aksioneve dhe duket se do të jetë në postin kryesor për të bërë lëvizje.

 

 

Prandeli: Nuk frikësohemi se nuk jemi të parët

Duket se italianin Prandeli nuk e frikëson vendi i dytë. Tekniku ka besim te skuadra e tij dhe në potencialin që ka dhe nuk shfaqet i shqetësuar. Në fund të ndeshjes së barazuar me Armeninë, trajneri i kombëtares italiane e kupton mirë se fakti i të qenit kokë grupi do të jetë shumë i vështirë, ndaj mundohet ta mbrojë skuadrën e tij, edhe pse është realist në analizën e fundndeshjes. “Kundër Armenisë bëmë një nisje të turpshme, ndonëse me kalimin e minutave u përmirësuam dhe mbase mund të kishim fituar në fund. Gjithsesi, në fushë pashë disa lojtarë që nuk luajnë dhe aq shpesh, që nuk hoqën dorë deri në fund për të tentuar fitoren. Ky fakt nuk është i gjithi për t’u hedhur poshtë. Fundja, në Kupën e Botës jemi kualifikuar pa humbur kurrë, diçka që tregon kompaktësinë tonë”, – ka thënë tekniku italian. “Rrezikojmë të mos jemi kokë grupi? Diçka e tillë nuk më tremb, mbase mund të na sjellë edhe fat. Fundja, në Evropianin 2012 nuk ishim kokë grupi dhe shkuam në finale”, – përfundoi Çezare Prandeli. Problemet në stafin e kombëtares italiane nuk kanë munguar këto kohë, duke filluar këtu me problemet e Balotelit që është shfaqur i acaruar. Më pas ishin dhe deklaratat e Kasanos që nuk është i gëzuar, sepse trajneri nuk e ka mbledhur. Edhe në aspektin e lojës italianët e kanë pasur të vështirë të dalin në lojën e tyre, duke mos bërë paraqitje të mira.

 

Rami zhvillon seancën e parë stërvitore

Mbrojtësi francez Adil Rami ka zhvilluar dje stërvitjen e parë në qendrën stërvitore të Milanit, “Milanello”. Kanali televiziv zyrtar i klubit kuqezi, “Milan Channel”, sjell edhe imazhet e para të vizitës së parë të ish-lojtarit të Valencias në ambientet ku stërviten lojtarët nën drejtimin e Masimiliano Alegrit. Adil Rami ka kaluar gjatë këtyre ditëve te Milani, por do të mund të luajë vetëm pas janarit pasi aktualisht merkatoja e futbollistëve është e mbyllur. Gjithsesi, ai do të vazhdojë të stërvitet rregullisht si çdo futbollist tjetër i “djallit”. Një blerje e zgjuar e Milanit për një lojtar i cili ka shumë referenca të mira në lojën që ka bërë te Valencia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency