Ervin Kaduku
– Qeveria i fsheh publikut të gjerë faktin se si e ka joshur firmën kineze që të marrë përsipër punimet e arteries verilindore
Qeveria shqiptare ka njoftuar se së shpejti do të nënshkruajë me një kontraktor të huaj koncesionin për të përfunduar punimet madhore, të mbetura pezull, për të përfunduar Rrugën e Arbrit. Ajo “i ka rënë nga Kina” për të gjetur një koncesionar, ndërkohë që asnjë kompani e madhe serioze nga Evropa apo Amerika, madje edhe ato që janë gati të hidhen në çdolloj aventure financiare, për shkak të krizës, nuk ka pranuar as t’i afrohet joshjes së një projekti jo të vogël infrastrukturor në Shqipëri.
Pra, rezulton se qeveria shqiptare e ka zgjidhur teorikisht përfundimin e kësaj vepre. Por si e ka zgjidhur, kjo deri më sot ka mbetur e fshehur për publikun e gjerë.
Burime qeveritare, gjithsesi, bëjnë me dije se zgjidhja që është dhënë dhe që është pranuar vetëm nga një kompani shtetërore kineze, është e çuditshme dhe po aq e paleverdishme për ekonominë e vendit.
Sipas këtyre burimeve, zgjidhja që është ofruar këtë herë duhet të jetë një vjedhje e maskuar, nën një formulë të re.
Projekti
Projekti i Rrugës së Arbrit është realizuar nga një studio shqiptare mbi 10 vite më parë. Ajo ka një gjatësi 64 km dhe është shumë e rëndësishme për zonat e harruara të Matit e Dibrës dhe lidhjen me Maqedoninë. Deri më tani, janë ndërtuar dhe po vazhdojnë punimet me financim nga buxheti i shtetit për 3 nga 5 segmentet e saj ose në një distancë 37 km. Segmentet më të vështira të saj janë ai i 2të dhe i 3të që, sipas projektit, parashikohen të jenë rrugë malore në lartësinë mbi 900 m. Këto dy segmente kanë një gjatësi 26.8 km, gjerësi rruge 7.5 m, një tunel mbi 2.6 km të gjatë në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Kërrabës), një tunel 560 m në Gurin e Bardhë dhe disa ura.
Manovrat
Qeveria “Rama” ka zgjedhur një rrugë financiare të dyshimtë, që përbën skandalin e radhës, për të dhënë këtë koncesion. Deri tani, kjo ka mbetur e fshehtë, por do të mësohet qartazi, në momentin që koncesioni do të paraqitet për miratim nga Kuvendi.
Problemi serioz qëndron tek një formulë e re financimi që quhet “koncesion me garanci trafiku”.
Për ata, që nuk janë specialist të fushës, kjo do të thotë që, në rast se në Rrugën e Arbrit nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar. Sipas standardeve evropiane, në një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7.000 makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Por sa makina mendohet të kalojnë në Rrugën e Arbrit? Aktualisht, në ditë të zakonshme, në Rrugën e Kombit kalojnë rreth 4.000 makina! Nuk do shumë përllogaritje të kuptohet që “garancia e trafikut”, që do duhet të paguajë qeveria shqiptare është thjesht një këst kredie i fshehtë.
Por a nuk do të ishte më e ndershme që të ndiqej një procedurë tenderimi për ndërtimin e dy segmenteve të Rrugës së Arbrit, derisa më sipër është një formulë reale për të kryer investim nga buxheti, krahas koncesionimit? Që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?
Nëse dikush thotë që ky është një propozim kinez i pakërkuar, ai gënjen. Ky është projekt i qeverisë shqiptare. Nëse dikush gjithashtu thotë se firma kineze do ta financojë vetë rrugën, ai prapë gënjen. Investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Evropës Qendrore e Lindore i financon China Exim Bank, që ua jep qeverive, me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë përkatëse. Evitimi nga qeveria shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës që, sipas thashethemeve të besueshme, varion nga 260 milionë euro, deri më… 500 milionë euro, për një distancë rruge 26 km, aq sat ë shkosh nga Tirana në Dajt!
Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi edhe ryshfetet e mundshme!).
Projektligji
Të gjitha veprimet e deritanishme të qeverisë shqiptare kanë kulmuar me projektligjin, që ajo ka përgatitur javën e shkuar dhe dërguar në Kuvend, nëpërmjet të cilit kërkon një procedurë të veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.
Me këtë projektligj, qeveria do të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank e Kinës e që, sipas gjithë gjasave, do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e pushtetarëve dhe në dëmin e shqiptarëve taksapagues.
Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë.
Investimet
Nga veprimtaria e deritanishme e kësaj qeverie, ku nuk ka asnjë investim serioz në ekonomi, bile nuk ka asnjë projekt serioz ose vizion ekonomik, tej një grumbulli palmash 6.000-euroshe, po shihen vetëm skema vjedhje të llojeve të ndryshme, me ekzekutorë të ndryshëm, të tillë si në sektorët e naftës dhe rentave minerare, në “check up”-in e Shëndetësisë, etj.
Gazsjellësi TAP regjistron kompanitë e interesuara për punime inxhinierike
TAP-i ka nisur një proces regjistrimi për kompanitë që janë të interesuara të marrin pjesë në zinxhirin e furnizimit të TAP-it duke ofruar shërbime/furnizime/punë si nënkontraktorë të kontraktorëve kryesorë të TAP-it. Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, TAP sqaron se, synimi i këtij procesi është të përmirësojë dukshmërinë e kompanive të interesuara për të qenë nënkontraktorë duke krijuar një bazë të dhënash me detajet e tyre dhe duke e ndarë atë me ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it.
Shembulli në vijim ilustron mënyrën se si do të funksiononte ky proces: Një restorant përgjatë gjurmës së TAP-it në afërsi të Fierit është i interesuar t’u ofrojë shërbime kateringu kompanive që punësojnë punonjës ndërtimi dhe që punojnë për Gazsjellësin Trans Adriatik. Pronarët apo menaxherët e restorantit mund të regjistrojnë interesin e tyre si dhe detajet përkatëse të kontaktit me TAP-in përmes instrumentit të regjistrimit. Pasi TAP-i të ketë identifikuar ofertuesit e parakualifikuar që do të tenderojnë për kontratat për ndërtimin e gazsjellësit në këtë zonë në vitin 2016, TAP-i do të ndajë me ofertuesit bazën e të dhënave në të cilën janë renditur detajet e kontaktit të pronarëve/menaxherëve të restorantit. Tashmë ofertuesit e parakualifikuar janë në dijeni të restorantit dhe secili prej tyre mund të vendosë nëse duan ta punësojnë/kontraktojnë restorantin si nënkontraktor për të ofruar shërbimin e kateringut për punonjësit e tij.
Pas fazës së parakualifikimit për kompanitë që ofrohen, të dhënat e mbledhura do të ndahen me ofertuesit e parakualifikuar. Që nga ai moment ofertuesit e para-kualifikuar mund të kontaktojnë kompanitë e regjistruara drejtpërsëdrejti nëse kanë dëshirë të konsiderojnë mundësitë e përfshirjes së këtyre kompanive në zinxhirin e tyre të propozuar të furnizimit.
Në mënyrë që të regjistrohen në bazën e të dhënave, kompanitë duhet të plotësojnë një formular i cili gjendet në internet dhe duhet të pranojnë termat dhe kushtet përkatëse.
TAP-i njofton se, nuk po organizon një proces përzgjedhjeje për nënkontraktorë. Asnjë kontratë nuk do t’i jepet në mënyrë të drejtpërdrejtë një nënkontraktori përmes këtij procesi regjistrimi. Procesi i regjistrimit për kompanitë e interesuara për t’u bërë nënkontraktorë është mbi baza vullnetare.
Përdorimi i bazës së të dhënave apo hyrja në një kontratë është fakultative për ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it, po ashtu edhe për kompanitë e interesuara për të qenë nënkontraktorë.
TAP-i nuk do të promovojë apo të garantojë cilësinë dhe performancën e kompanive të regjistruara në bazën e të dhënave tek ofertuesit e tij të parakualifikuar. Ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it do ta kryejnë vetë procesin e tyre të përzgjedhjes dhe do të tregojnë vetë kujdes përsa i përket marrëdhënieve me nënkontraktorët e tyre.
Me kërkesën e tyre, TAP-i do të heqë nga baza e të dhënave kompaninë e regjistruar dhe informacionin e tyre.
Dollari vijon të kuotohet në vlera rekord
Valuta e gjelbër e ka nisur dje javën me rritje në tregun vendas, duke shënuar një tjetër rekord të 13 viteve të fundit, për të arritur në nivelin më të lartë që nga dhjetori 2002. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye dje me 133.35 lekë, 0.73 lekë më shumë se të premten e javës së kaluar. Euro në tregun vendas ka ruajtur të njëjtat vlera si në fundin e javës së kaluar, duke qëndruar në 140.43 lekë.
Në bursat ndërkombëtare, euro arriti në një nivel të ri të ulët të 12 viteve të fundit, ndërsa aksionet evropiane u rritën, si rrjedhojë e pritshmërive se euro e dobët do të nxisë fitimet e kompanive, ashtu si dollari i fortë po dobëson fitimet e kompanive evropiane. Euro arriti deri në 1.0457 USD në këmbimet më të hershme të ditës, niveli më i ulët që nga janari 2003, por sërish arriti të kalojë nivelin e 1.05 USD.
Në tregun vendas, leku po sillet si në një regjim të varur të kursit të këmbimit ndaj euros, ndonëse që pas viteve ’90 ne kemi një kurs të lirë këmbimi. Kjo po sjell rritjen e fortë të dollarit, që duhet se do të shkojë në 140 lekë, nëse ai do të barazohet me euron në tregjet ndërkombëtare.
Sipas aktorëve të tregut, euro po qëndron e fortë në Shqipëri për shkak të kërkesës së fortë për të dhe ofertës së dobët.
Shqipëria, e katërta në Evropë për kreditë e këqija
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria, e cila në portofolin e vet bankar ka 25.3% të kredive të klasifikuara si me probleme apo, siç i njohim ne, “kreditë e këqija”, qëndron e katërta në listën e vendeve të Evropës, në të cilën kryeson Qipro me 40.2%, e ndjekur nga Greqia me 39.9% dhe në vend të tretë qëndron Irlanda me 30.3%.
Vendet ku bankat kanë të paktën 20% të bilanceve të tyre të kredive të klasifikuara si me probleme përfshijnë gjithashtu dhe vendet e tjera të rajonit tonë si Rumania (25.3%), Sllovenia (21.2%) dhe Serbia (20.3%).
Lista gjithashtu përfshin edhe disa nga ekonomitë globalisht më të mëdha, pjesa më e madhe e të cilave janë evropiane. Disa nga këto vende përfshijnë Italinë (16.9%), Portugalinë (12.9%), Ukrainën (12.9%) dhe Spanjën (9.4%).
Më e mirë na këtë listë është Estonia me 0.2%.
Ministria e Financave: Sa janë paguar në vite për “Strasburgun”
Çështjet që trajtohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) janë çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, por nga historiku i çështjeve dhe vendimeve që i përkasin shtetasve shqiptarë, ato janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave.
Sipas ministrisë së Financave, përsa i përket procesit të ekzekutimit të vendimeve që kanë të bëjnë me vendimet e GJEDNJ-së, deri sot, është ekzekutuar detyrimi financiar, tërësisht, për 38 prej këtyre vendimeve, ndërsa dy vendime janë në proces miratimi dhe ekzekutimi.
Në lidhje me detyrimet e shtetit shqiptar, të paguara ndër vite, rezulton si më poshtë:
- Në vitin 2005 janë shlyer rreth 16.080.000 lekë;
- Në vitin 2007 janë shlyer rreth 3.500.000 lekë;
- Në vitin 2008 janë shlyer rreth 131.558.000 lekë;
- Në vitin 2009 janë shlyer rreth 77.280.000 lekë;
- Në vitin 2010 janë shlyer rreth 21.336.000 lekë;
- Në vitin 2011 janë shlyer rreth 277.368.000 lekë;
- Në vitin 2012 janë shlyer rreth 8.428.000 lekë + kompensim fizik për sipërfaqe 360 m²;
- Në vitin 2013 janë shlyer rreth 112.051.000 lekë;
- Në vitin 2014 janë shlyer rreth 543.954.000 lekë;
- Në vitin 2015, deri ditën e sotme, janë shlyer rreth 6.902.000 lekë dhe mbeten për t’u shlyer: një vendim në shumën 8.1 milionë euro ose 1.143.470.000 lekë, i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Financave për vitin 2015 dhe një vendim tjetër në shumën 650 mijë lekë, i cili është në proces.
- Për të gjitha rastet e tjera, që mund të miratohen nga kjo gjykatë, në buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar 2.000.000.000 lekë.
Për të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rast se pagesat e detyrimeve nuk kryhen brenda afatit 3-mujor nga data kur vendimet bëhen përfundimtare, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e kamatëvonesës, për çdo ditë vonesë.
Deri në fund të vitit 2014, efektet e këtyre detyrimeve janë përballuar nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Në mbështetje të nenit 13 të ligjit nr. 160/2014 “Për buxhetin e vitit 2015”, për ekzekutimin e pagesave për detyrimet ndërkombëtare për vitin 2015, burimi i financimit do të jetë Fondi i Kontigjencës.