Taktika e mazhorancës/ Kur do heqin dorë ministrat nga mandatet e deputetit

0
156

Gëzim Saliu

Ligji i Nëpunësit Civil “detyron” mazhorancën të shtyjë nismën për dorëheqjen e ministrave nga mandati i deputetit

 

qeveria...Ministrat e kabinetit qeveritar nuk do të heqin dorë nga mandati i deputetit pa u miratuar më parë në Parlament shtyrja e ligjit të Nëpunësit Civil. Ky është vendimi i marrë më së fundmi nga mazhoranca qeverisëse, ku rëndësia e numrave në kuvend në ditët e javët në vijim është vënë në plan të parë, duke lënë mënjanë premtimin e dhënë para zgjedhjeve për një ndarje të qartë mes deputetit dhe ministrit. Shtyrja e ligjit të Nëpunësit Civil kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash e në këto kushte dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e ministrave të qeverisë do të rrezikonte votimin e këtij ligji, duke marrë parasysh edhe vonesat normale që parashikon procesi, nga KQZ-ja deri tek mandatimi i deputetëve të rinj. Po ashtu rëndësia e numrave është jo vetëm në kuadër të ligjit të Nëpunësit Civil por edhe për një sërë reformash që pritet të ndërmerren së shpejti nga të majtët në fushën ekonomiko-financiare dhe në atë të drejtësisë. Në këtë formë pritet që marrëveshja mes PS-së dhe LSI-së për heqjen dorë nga mandati i deputetëve nga ana e ministrave të nisë zbatimin e saj në fund të muajit tetor ose në fillim të muajit tjetër, kur edhe reformat imediate që pritet të merren nga mazhoranca të jenë votuar në Kuvend.

 

Ndarja ministër-deputet

Në bazë të marrëveshjes paraelektorale të nënshkruar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, një ndër pikat e paktit parimor ishte edhe ai që përcaktonte një ndarja të qartë mes deputetit dhe ministrit. Sipas kësaj marrëveshjeje, ministrat e kabinetit të ri qeveritar do të duhet të heqin dorë nga mandati i tyre i marrë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. “Do të organizojmë një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”, thuhej në marrëveshjen mes PS-së dhe LSI-së. Ndërkohë një debat i hapur në këtë mes ishte edhe ai për kryeministrin e vendit, nës do të duhej që edhe ai të dorëzonte mandatin e deputetit si pjesë e qeverisë. Pas një periudhe dyshimi, si edhe këshillimit të aleatit Meta, kreu i qeverisë Edi Rama vendosi të mos heqë dorë nga mandati i deputetit në qarkun e Vlorës. Ndërkohë që ndarja ministër-deputet kaloi mes debatit dhe kritikave në Partinë Socialiste, ku kryesisht deputetët tradicionalë të kësaj force u shprehën hapur kundër këtij vendimi, duke theksuar se kjo ndarje shkonte në kundërshtim më votën e qytetarëve pasi zhvlerësonte sipas tyre si postin e deputetit ashtu edhe atë të ministrit. Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi e ka cilësuar ndarjen ministër-deputet si të pakonsultuar me strukturat e partisë dhe si e tillë shumë e diskutueshme. Në fjalimin e tij për programin e qeverisë, deputeti socialist theksoi se ndarja e mandateve nuk i bën ministrat më shumë të përkushtuar apo efektiv.

 

 

Marrëveshja e Shkodrës PS-LSI

 Pika e 5-të që bën ndarjen ministër-deputet

“Do të organizojmë një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”

 

Lënia e mandatit nga ministrat, deputetët e rinj të Kuvendit

Zbatimi i marrëveshje për lënien e mandatit të deputetit nga ana e ministrave të kabinetit qeveritar, do të sjellë 16 deputetë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë. Lidhur me zëvendësimet e deputetëve dhe ruajtjen e përfaqësimit të grave, Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 164, pika 2 se,: “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë”.

 

Partia Socialiste

Ikën                                 Vjen

Ilir Beqaj                   Shkëlqim Troplini

Damian Gjiknuri       Arben Kamami

Eglantina Gjermeni    Adelina Rista

Ilirjan Celibashi         Anduel Xhindi

Shkëlqim Cani           Hasan Ceni

Mimi Kodheli            Mejreme Delishi

Arben Ahmetaj          Vladimir Kosta

Erion Veliaj               Dashamir Kamberi

Saimir Tahiri          Enkelejda Shkreli

Ditmir Bushati        Ervin Bushati

Lindita Nikolla       Blerina Gjylameti

Milena Harito         Erjeta Alhysa

 

Lëvizja Socialiste për Integrim

Ikën                              Vjen

Klajda Gjosha            Kejdi Mehmetaj

Nasip Naço                Selfo Kapllani

Lefter Koka                Bujar Derveni

Edmond Haxhinasto   Miranda Rira

 

 

Projekligjet në Komisionet Parlamentare, niset sot me plehrat

Ligji i plehrave do të jetë i pari që do të nisë të diskutohet sot në komisionet e reja parlamentare, të konstituara në bazë të vendimmarrjeve të mazhorancës dhe opozitës. I miratuar që në mbledhjen e parë të qeverisë së re, ligji i cili ndalon importin e çdo lloj mbetjeje në territorin shqiptar, qofshin këto të rrezikshme ose jo, do të kalojë sot në duart e deputeteve.  Komisioni i veprimtarisë prodhuese, i cili në shtator  2011-s u përfshin nga debate të forta, kur maxhoranca e kaluar miratoi e vetme nismën ligjore që i hapte rrugë importit të mbetjeve, do të marrë sërish në duar këtë projektligj. Po ashtu edhe komisioni i integrimit do të përfshihet në diskutim, nisur nga fakti se hartimin e bazës ligjore në fuqi qenë angazhuar shumë struktura europiane. Ligji për importin e plehrave, kundër të cilit u caktua dhe data për mbajtjen e një referendumi, nuk u firmos asokohe nga Presidenti Bamir Topi, por në nëntor 2011 Kuvendi i Shqipërisë hodhi poshtë dekretin e tij dhe la në fuqi pa e ndryshuar ligjin.  Krahas ndalesës kategorike të importimit të plehrave, në ndryshimet e bëra nga qeveria e re, detyrohen të gjithë subjektet e liçensuara për import dhe përpunim mbetjesh, të përfundojnë riciklimin e mallit të që kanë stok jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit të ri. Të tjera nisma ligjore në dispozicion të deputeteve këtë javë do të jene dhe ”masat kundër financimit të terrorizmit”  si dhe një marrëveshje për shkëmbimin e ajror me Kuvajtin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency