Emërimet e reja/ PD, Bylykbashi: Rama shpërbleu militantët e PS-së në KQZ

0
329

 

BylykbashiPartia Demokratike ka akuzuar dje kryeministrin Rama se ka shpërblyer militantët e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një deklaratë publike theksoi dje se Muho, Biba dhe Shtylla u shpërblyen me poste të larta nga ana e mazhorancës qeverisëse për bllokimin që i bën institucionit më të lartë zgjedhor në vend. “Ditët e fundit doli sheshit farsa e Partisë Socialiste për gjoja paanshmërinë dhe apolitizmin e anëtarëve të saj në KQZ. Këto ditë Edi Rama shpërbleu me poste të larta në administratë ish-anëtarët e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bllokimin që ata i bënë Komisionit. Denar Biba dhe Albana Shtylla, me urdhër të Edi Ramës, bllokuan vendimmarrjen e KQZ-së, dhe me urdhër të tij braktisën detyrën në KQZ duke u dorëhequr në të njëjtën kohë. Këtë e bënë me pretendimin se ishin apolitikë. Me këtë veprim militant të dënueshëm ligjërisht, ata shkatërruan për llogari të Partisë Socialiste shkallën e parë ankimore, KQZ-në, me qëllim e vetëm që të varrosnin provat e vjedhjes prej Partisë Socialiste të mijëra votave dhe të një mandati në Lezhë, si dhe shumë shkelje në zonat e tjera. Për këtë sjellje, këta anëtarë të KQZ-së meritonin ndëshkim sipas Kodit Zgjedhor.  Por Edi Rama po i shpërblen për punën prej militanti të zellshëm politik”, u shpreh Bylykbashi. Sipas deputeti të PD-së, nuk ka më shqiptar që ta besojë farsën komiko-tragjike të pavarësisë dhe depolitizimit te KQZ-së, që luajtën në Prill 2013 anëtarët e porpouar nga e majta.  “Shpërblimi i tyre me poste kyçe tregon haptazi se gjithçka bënë këta individë, e bënë si marioneta politike të mazhorancës së sotme.  Edi Rama po shpërblen kësisoj guerrilasit militantë që i shërbyen atij për të minuar parimet e zgjedhjeve demokratike, konsensusit dhe të shtetit të së drejtës. Me të tilla marioneta dhe mbi të tilla parime është bazuar rilindja e administratës së tij politike” përfundoi deklaratën deputeti demokrat:, pohoi Bylykbashi. Me vendim të qeverisë, ish-nënkryetari i KQZ-së Denar Biba u emërua dy ditë më parë si Kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, ndërsa ish-anëtarja Albana Shtylla u emërua Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit. Po kështu, edhe ish-anëtari i KQZ-së i propozuar nga LSI, Ilirjan Muho u emërua nga Këshilli i Ministrave si Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency