Pritja e Presidentit amerikan / Rama takon Obamën: Shqipëria në krah të SHBA-së

0
234

Gëzim Saliu

KryeminiRAMA-MBULIM-25_3stri, Obamës: Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së SHBA-ve

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në pritjen e organizuar nga Presidenti Obama dhe zonja e tij për krerët e delegacioneve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. I shoqëruar nga zonja e tij Linda Rama gjatë takimit me kryetarin e shtetit amerikan, kreu i ekzekutivit i shprehu atij falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë dhënë ndaj Shqipërisë. Po ashtu Rama e siguroi Presidentin Obama se vendi ynë do të vazhdojë të qëndrojë në krah të SHBA-së edhe në të ardhmen.

Vizita

Prej 5 ditësh, Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku deri më tani ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale më përfaqësues të shteteve të ndryshme. Kreu i ekzekutivit ka marrë pjesë në aktivitetin “Nisma Globale Clinton” me ftesë të Presidentit Bill Clinton, si edhe ka zhvilluar një takim me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Në dy ditët në vazhdim, deri para kthimit në Shqipëri, Rama do të zhvillojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera, ku më kulmori lidhet me pjesëmarrjen në sesionin e 68- të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë Asamble, kreu i mazhorancës qeverisëse do të mbajë edhe një fjalim. Pjesë e vizitës së Ramës në SHBA do të jenë edhe një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme si edhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Po ashtu Kryeministri i vendit do të zhvillojë një takim me komunitetin shqiptar në SHBA si edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Dhomën Shqiptaro Amerikane të Tregtisë. Ndërkohë më parë, kreu i qeverisë ka zhvilluar një vizitë në Bruksel, ku ka pasur takime me personalitete të shquar të Bashkimit Evropian. Kështu Rama ka zhvilluar një takim me Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili deklaroi se vendi ynë ka shanse reale për të marrë statusin e kandidatit për në BE brenda këtij viti, duke theksuar njëkohësisht domosdoshmërinë e përmbushjes së reformave. Po ashtu Kryeministri zhvilloi takime me Presidentin e BE-së Van Rompuy, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, ku ky i fundit e porositi Ramën të shikojë drejt së ardhmes dhe jo të shkuarës. Ndërkohë në fjalimin e parë përpara Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Evropian si Kryeministër i Shqipërisë, Rama shtroi domosdoshmërinë e rifitimit të kohës së humbur për realizimin e ëndrrës evropiane. “Është një moment i ri dhe ne besojmë se me ndihmën tuaj dhe të Parlamentit Evropian, partnerë të Shqipërisë dhe rajonit në Evropë ne mund të përfitojmë shumë nga koha e humbur. Nuk ka dyshim se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka pasur sukses, por dhe ambicia ka qenë më e madhe se progresi i arritur deri tani dhe kjo ambicie do të na çojë drejt së ardhmes duke mësuar nga leksionet e kaluara”, – ka theksuar ai. Po ashtu në këto takime, kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur se bashkëpunimi dhe përfshirja e opozitës në procesin e integrimit evropian e më gjerë do të jetë një ndër objektivat e qeverisë së majtë. “Prova e parë e programit tonë qeverisës, nuk do jetë thjesht një fillim euforik, por një instrument për të vijuar në Parlament për t’i dhënë opozitës çdo gjë që ne nuk e morëm si opozitë. Duke mos i dhënë shansin opozitës për të marrë pjesë, do të dëmtonte përpjekjet tona për integrim”, – ka deklaruar Kryeministri.

 

Fidel Ylli: S’kam pasur ofertë për ministër. Kodi Etik? Jo ushtarë të qeverisë

Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, ka mohuar se ka pasur ofertë nga Kryeministri Rama për postin e ministrit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në TV “News 24”, deputeti socialist theksoi se edhe në rast se do të kishte një ofertë të tillë, ai nuk do të hiqte dorë nga mandati. “Nuk kam pasur asnjë ofertë për të qenë ministër. Unë jam pjesë aktive e PS, isha i pari i qarkut të Beratit dhe jam munduar bashkë me aleatët tanë për të fituar bashkë me ta. Unë kam thënë se në rast se do më bëhej një ofertë e tillë, unë do lija ministrin dhe do zgjidhja deputetin pasi elektorati im ka nevojë për mua. Të jesh ministër dhe deputet është përgjegjësi e madhe. Në një darkë me miq u diskutua kjo temë dhe unë thashë se nëse me ofrohej unë do zgjidhja të isha deputet. Por, kjo nuk varet nga deputeti. Unë nuk dua ta paragjykoj as Kryeministrin Rama dhe as ministrat që sa kanë vajtur në zyrë. Vetëm në këtë periudhë 1 mujore kam pasur 4-5 takime me ministren e Arsimit dhe stafin e saj dhe grupin e punës së programit të sportit, dhe na kërkoi ndihmën tonë për ta implementuar”, – theksoi deputeti Ylli. Ndërkohë duke komentuar kodin etik, ligjvënësi socialist tha se PS nuk duhet të hermetizohet siç bën PD, teksa shtoi se asnjë nuk është ushtar i Ramës. “Ne duhet të flasim brenda strukturave tona për sa u përket gjërave që nuk na ka çuar kush me zor. Ka një rregullore grupi, kur thotë do hyj ne Parlament do hyj dhe jo të them nuk do hyj. Ne nuk jemi ushtar të qeverisë, ne jemi bashkëpunëtorë të Ramës. Ca do thotë erdha unë dhe unë jam komandanti. Asnjëherë nuk do ndodhë. Ne duhet të flasim dhe jo ta hermetiziojmë, ça do thotë kjo të bëhemi si PD, çohet Berisha dhe largohet dhe të gjithë e ndjekin”, – theksoi Ylli.

 

Zv.ministrat zgjidhen javën e ardhshme

Zv.ministrat e qeverisë do të zgjidhen dhe njëkohësisht do të marrin detyrën javën e ardhshme, pas kthimit të Kryeministrit Rama nga Shtete e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani është bërë e ditur se numri i zv.ministrave do të jetë më i vogël se sa ai i qeverisë paraardhëse. Kështu nga rreth 37 zv.ministra që kishte qeveria “Berisha”, ekzekutivit i ri pritet të ketë 32 të tillë. Edhe pse negociatat mes PS-së dhe partive aleate nuk janë mbyllur përfundimisht, pavarësisht se kërkesat e këtyre të fundit janë dërguar në selinë e purpurt prej më shumë se një muaji, emrat e parë të zv.ministrave janë zbardhur. Ashtu si në përbërjen e kabinetit qeveritar, edhe në këtë nivel pushteti, është aleati kryesor i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ka arritur të sigurojë 6 poste zv.ministrash, ku flitet edhe për një të shtatë. Emrat që kanë marrë konsensusin deri më tani janë ato të Nora Malaj, e cila do të mbajë sërish postin e zv.ministres së Arsimit dhe të Sokol Dervishajt, i cili nga Ministria e Ekonomisë do të kalojë në Ministrinë e Jashtme. Po ashtu edhe në ministrinë e Integrimit, e cila nga dy zv.ministra që ka pasur pritet të ketë vetëm një, do të jetë një tjetër emër nga LSI-ja, Majlind Zaimi. Ndërkohë nga radhët e PS-së, Elisa Spiropali pritet të emërohet numri 2 i Ministrisë së Jashtme e ndërsa Arbër Mazniku në postin e zv.ministrit të Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë nga 35 partitë e tjera të koalicionit qeverisës, vetëm 7 prej tyre do të marrin poste zv.ministri. Kështu Gjergji Koja, kreu i Partisë Socialiste të Moderuar pritet të zërë postin e zv.ministrit të Shëndetësisë e ndërsa Petro Koci pritet të marrë postin e zv.ministrit të Mbrojtjes. PSD-ja e Skënder Gjinushit dhe PDS-ja e Paskal Milos pritet gjithashtu të përfaqësohen në qeverinë “Rama” me poste zv.ministri/e. Po ashtu edhe Partia Kristian Demokrate e Mark Frrokut, PBDNJ-ja e Vangjle Dules dhe Aleanca Popullore e Artur Dojakës do të përfaqësohen me një post zv.ministri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency