Nishani: Qeveria e re të punojë natë e ditë për të çuar vendin përpara

0
163

Florenc Drizari

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mesazh për qeverinë e re nga SHBA-ja

“Vatra” e shqiptarëve në SHBA priti kreun e shtetit. Nishani: “Vatra” farkëtoi aleancën me SHBA dhe ruajti atdhedashurinë

 

nishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij zyrtare disaditore në SHBA, nxiti qeverinë e re të plotësojë reformat e premtuara në interes të zhvillimit të vendit. Kreu i shtetit, duke folur me shqiptarët e “Vatrës” në SHBA, tha se Shqipëria realizoi zgjedhje me standardet më të mira në këto dy dekada. Kreu i shtetit u takua me shqiptarët e “Vatrës” në SHBA, duke vlerësuar se ky vit që nga takimi i mëparshëm, ka shënuar ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Festuam Ditën e Flamurit më të lirë, më të begatë, më të gëzuar e më të bashkuar se çdo vit tjetër. Më 23 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më të mira të historisë së saj pluraliste, të lira e të ndershme dhe sipas standardeve perëndimore. Këto vlerësime nuk i japim ne, por kështu i vlerësuan vëzhguesit dhe organizatat e specializuara ndërkombëtare. Në Shqipëri sapo ka filluar punën një qeveri e re, së cilës i duhet të punojë natë e ditë për ta çuar vendin tonë gjithnjë e më përpara duke vazhduar reformat e nevojshme për zhvillimin dhe begatinë e çdo qytetari shqiptar. Ne presim besimplotë të marrim statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë, falë përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Evropian”, – u shpreh Presidenti Nishani.

Duke folur për rajonin, kreu i shtetit evidentoi gjithashtu faktin se gjatë këtij viti Kosova dhe Serbia zhvilluan bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe arritën një marrëveshje historike, ndërkohë udhëheqësit e të dy vendeve janë takuar e kanë biseduar duke dëshmuar se rajoni ynë i ka lënë prapa njëherë e përgjithmonë mendësitë e së kaluarës së hidhur duke e hedhur vështrimin tërësisht drejt integrimit të merituar në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Në këtë kuadër, Presidenti Nishani nënvizoi se Kosova, e cila ka kaluar numrin 100 të njohjeve, është bërë pjesë e nismave të rëndësishme rajonale dhe më gjerë dhe po konsolidon bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, nëpërmjet përgatitjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe zbatimit të kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.

Pak përpara këtij takimi, Presidenti Nishani bëri një vizitë në selinë e Federatës Mbarëshqiptare “Vatra” në Nju Jork, ku u takua dhe bisedoi me presidentin Gjon Buçaj dhe një grup të vogël drejtuesish të kësaj organizate.

QEVERIA E RE

Rreth 10 ditë më parë, kreu i shtetit, Bujar Nishani, dekretoi edhe emrat e rinj të kabinetit qeveritar të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Pas fillimit të punës nga Këshillimi i Ministrave, marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe qeverisë së re duket se “çaluan” disi për sa i përket vendimit të parë të qeverisë. Heqja e fotos zyrtare të Presidentit në institucione nga ana e qeverisë dhe zëvendësimi me portretin e Ismail Qemalit, bëri që Bujar Nishani të reagonte duke e quajtur një nismë joserioze.

 

 

Nishani: Shqiptarët ushqejnë ndjenja respekti dhe miqësie për çdo hebre

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pati një bashkëbisedim me përfaqësues të Komitetit Amerikano-Hebre, të ardhur enkas nga shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në mesazhin përshëndetës, pasi falënderoi mikpritësit për pritjen e ngrohtë, Presidenti Nishani përgëzoi Komitetin Amerikano-Hebre për misionin dhe veprimtarinë shumë efikase dhe shtoi se ndihet tejet i inkurajuar nga vullneti i shprehur për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe popullit izraelit.

“Tashmë, është i njohur fakti se shqiptarët ushqejnë ndjenja respekti dhe miqësie për çdo hebre, kudo ndodhet në Izrael, Amerikë apo ndonjë vend tjetër të botës. Mbi këtë bazë ne kemi bërë gjëra shumë të mira, por do të bëjmë gjëra edhe më të mira në interes të popujve dhe vendeve tona”.

Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të zhvillimeve demokratike, të arritjeve në integrimin euroatlantik, politikës rajonale të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë dhe aspiratave të Republikës së Shqipërisë, Presidenti u shpreh se marrëdhëniet me Izraelin janë shumë të rëndësishme.

 

 

Kuvendi voton sot për emrat e komisioneve parlamentare dhe nënkryetarin Dule

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet paraditen e së enjtes në orën 10:00 në seancë plenare. Në axhendën e Kuvendit do të jenë një sërë vendimesh, si: miratimi i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të Këshillit për Legjislacionin, përbërja e sekretariateve dhe delegacioneve parlamentare pranë organizmave ndërkombëtare, si dhe përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Pas mbylljes së punimeve nga Konferenca e Kryetarëve dy ditë më parë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se u ra dakord për ruajtjen e raportit mazhorancë-opozitë dhe garantimin e efiçencës së punës së organeve të Kuvendit, veçanërisht në komisionet e përhershme.

“Në takimin që kemi zhvilluar sot (dje) paradite me kryetarët grupeve parlamentare kemi rënë dakord që, seanca plenare të zhvillohet të enjten paradite. Natyrisht që me konsensus kemi rënë dakord edhe për rendin e ditës, i cili në thelb ka të bëjë me konstituimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit, me drejtimin e tyre, me përbërjen e tyre, në përputhje me Rregulloren dhe njëkohësisht dhe me përbërjen e Sekretariateve dhe të delegacioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë dhe natyrisht dhe me miratimin e Zëvendëskryetarit të ri Kuvendit, propozuar nga ana e mazhorancës, zoti Dule. Ka qenë një takim i cili është bazuar në vullnetin e krijimit të hapësirave maksimale për të gjitha këto dhe, në veçanti për opozitën gjë që reflektohet në konsensusin që është dhënë nga ana e mazhorancës me kohë, që pavarësisht raporteve elektorale të shprehura edhe në Parlament, ku mazhoranca aktuale është ndjeshëm më e madhe se mazhorance e mëparshme; lidhur me drejtimin e komisioneve të përhershme, do të ruhet raporti i mëparshëm pasi Partia Demokratike ka bërë tri propozimet e saj për kryetarët e komisioneve”, – ka thënë Meta.

 

Komisioni për Politikën e Jashtme

Arta Dade Kryetare PS
Aldo Bumçi Nënkryetar PD
Namik Dokle Sekretar PS

Komisioni për Çështjet Ligjore

Fatmir Xhafaj Kryetar PS
Oerd Bylykbashi Nënkryetar PD
Armando Subashi Sekretar PS

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Erjon Braçe Kryetar PS
Ridvan Bode Nënkryetar PD
Anastas Angjeli Sekretar PS

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese

Eduard Shalsi Kryetar PS
Genc Ruli Nënkryetar PD
Robert Bitri Sekretar LSI

Komisioni për Sigurinë Kombëtare

Spartak Braho Kryetar LSI
Flamur Noka Nënkryetar PD
Piro Lutaj Sekretar PS

Komisioni për Integrimin Evropian

Majlinda Bregu Kryetare PD
Taulant Balla Nënkryetar PS
Monika Kryemadhi Sekretare LSI

Komisioni për Edukimin dhe Median

Genc Pollo Kryetar PD
Alfred Peza Nënkryetar PS
Mimoza Hafizi Sekretare PS

Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë

Albana Vokshi Kryetare PD
Klodiana Spahiu Nënkryetare PS
Vangjel Tavo Sekretar LSI

 

Zgjedhjet në Korçë, KQZ, thirrje partitive: Plotësoni vendet në KZAZ

Pas dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë e Korçës më datën 3 nëntor, KQZ vihet në lëvizje duke u bërë thirrje partive politike të plotësojnë vendet në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor, ka filluar nga puna për marrjen e masave për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore dhe sigurimin e bazës logjistike, për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që një pjesë e bazës materiale që të përdoret nga zgjedhjet e mëparshme.

Një ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, deklaroi se kryesisht si bazë logjistike zgjedhore për këto zgjedhje do të përdoret, për aq sa është e mundur, baza logjistike e disponueshme nga zgjedhjet e datës 23 qershor 2013 dhe datës 1 shtator 2013.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe në përmbushje korrekte të detyrave të tij funksionale, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka nxjerrë aktet e duhura nënligjore të domosdoshme për ecurinë e tij dhe gjatë ditëve në vijim do të kalojnë në seancë për miratim edhe akte të tjera nënligjore që do t’i shërbejnë zhvillimit korrekt dhe me sukses të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë së Korçës.

KQZ, pas përcaktimit të disa afateve procedurale që lidhen me zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, u bën thirrje partive politike që u lind e drejta për të pasur anëtarë në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 71, si dhe në respektim të afateve kohore të parashikuara në vendimin e KQZ-së, të dërgojnë menjëherë propozimet e tyre për anëtarë të këtij niveli komisionerësh, në mënyrë që KQZ të kryejë procedurën e emërimit të tyre, për të vazhduar më tej konstituimin dhe funksionimin e vetë KZAZ-së nr. 71, Bashkia Korçë”, – deklaroi zëdhënësja Hoxhaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency