Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve / Mazhoranca: KQZ do t’i nënshtrohet riformatimit

0
118

Florenc Drizari

Genc Gjonçaj: Afatet kohore janë çështje që i përkasin Kuvendit dhe nuk ka më lidhje me KQZ-në

 

Dje-gjatë-mbledhjes-së-KQZKomisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i nënshtrohet riformatimit. Ndryshe nga sa pretendojnë përfaqësuesit e opozitës dhe të KQZ-së, për mazhorancën e majtë qëllimi është i qartë: KQZ-ja duhet të riformatohet. Të kontaktuar nga gazeta “Standard”, përfaqësues të së majtës konfirmojnë vendosmërinë për të ndryshuar trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por nuk dhanë detaje për kohën se kur do të mundësohet ky proces. Në një prononcim për gazetën, përfaqësuesi ligjor në KQZ, Genc Gjonçaj, thotë se riformatimi i komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor në vend nuk ka lidhje me zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në fillim të muajit nëntor në Qarkun e Korçës, por që procesi për rikompozimin e administratës zgjedhore është i domosdoshëm. Sipas tij, kjo trupë zgjedhore është e aftë t’i përballojë edhe këto zgjedhje me anëtarët që ka dhe për këtë, ai i referohet zhvillimit të proceseve zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe zgjedhjet e pjesshme në Komunën Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës.

GENC GJONÇAJ

“Zhvillimi i zgjedhjeve në Korçë nuk ka lidhje me riformatimin. Kjo është një trupë zgjedhore e cila përballoi procese zgjedhore dhe besoj se mund ta përballojë edhe këtë.

Patjetër që kjo KQZ duhet riformatuar, por çështja e riformatimit nuk i takon mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet janë një proces ku në bazë të Kodit Zgjedhor do të duhet të zhvillohen. Janë zgjedhje pjesore dhe eksperienca tregoi që në Dardhas të Korçës dhe në një Komunë të Shkodrës, u zhvilluan me këtë trupë zgjedhore.

Padyshim që KQZ do t’i nënshtrohet riformatimit”, – u shpreh përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj.

I pyetur për afatet kohore se kur mund të mundësohet fillimi i këtij procesi, Gjonçaj tha se kjo i përket Kuvendit të Shqipërisë. “Afatet kohore janë çështje që i përkasin Kuvendit dhe nuk ka më lidhje me KQZ”, – tha ai.

ANËTARËT E KQZ-SË

Qëndrimet e mazhorancës së re qeverisëse për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë sjellë edhe reagimin e anëtarëve të KQZ-së. Aktualisht KQZ funksionon me katër anëtarët e propozuar nga ish-mazhoranca e djathtë, ndërkohë që tre përfaqësuesit e së majtës në komision kanë dhënë dorëheqjen në muajin prill të këtij viti. Sipas anëtarëve aktual të KQZ-së, riformatimi është i panevojshëm dhe zhvillimi i zgjedhjeve të 23 qershorit tregoi se kjo trupë zgjedhore administroi një nga proceset më të suksesshme zgjedhore në Shqipëri. Më herët ata kanë deklaruar se Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë, duhet të sjellin emrat për të plotësuar pjesën e mbetur bosh në komision. Sipas tyre, anëtarët e KQZ shkarkohen kur kanë kryer shkelje apo kanë nuk kanë zbatuar Kodin Zgjedhor. Për këta ata i referohen disa neneve që përcaktojnë se kur mund të shkarkohet një anëtar i KQZ-së në bazë të kodit elektoral. Një qëndrim të ngjashëm me këtë kanë mbajtur edhe disa përfaqësues të së djathtës shqiptare, ku fokusi i tyre është vënë mbi plotësimin e anëtarëve të mbetur vakant në komision, në bazë të ligjit zgjedhor.

 

 

Zgjedhjet e pjesshme të 1 shtatorit, në Dardhas fitoi kandidati i LSI-së dhe në Rrethina ai i PS-së

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme të datës 1 shtator 2013, Luan Harusha është kryetari i ri i komunës Rrethina në Qarkun e Shkodrës. I mori 4411 vota, duke fituar ndjeshëm ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Ridvan Guri, i cili ka marrë 1402 vota.

Ndërkohë edhe në Qarkun e Korçës zgjedhjet u fituan nga kandidati i koalicionit të majtë.

Zgjedhjet e pjesshme, në Dardhas i fito i kandidati i LSI-së.

Geni Hamollari, kandidati i LSI-së, është kreu i ri i Komunës Dardhas në Korçë, i cili rezultoi fitues përballë kandidati të PD-së, Genti Pere.

Zgjedhjet në Komunën Dardhas u shoqëruan nga një klimë e qetë, përveç disa incidenteve të vogla gjatë ditës apo edhe deklaratat e kandidatit të PD-së për presion dhe dhunë ndaj vëzhguesve të PD-së, gjë e cila u hodh poshtë nga kandidati tjetër, i cili në atë kohë tha se deklaratat e tij janë thjeshtë justifikime për humbjen e thellë që do të pësonte. Edhe procesi i numërimit është shoqëruar nga një klimë e qetë mes numëruesve. Në fund të numërimit të dy kandidatët kanë uruar njëri-tjetrin dhe janë ndarë miqësisht. E veçanta e këtyre zgjedhjeve ka qenë fakti se të dy kandidatët kanë votuar për njëri-tjetrin, për të bërë edhe një garë “fair play”, pra të fitojë më i miri, ky fakt është pohuar edhe nga vetë kandidatët pas përfundimit të numërimit të votave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency