Vendimi i kreut të shtetit / Presidenti Nishani dekreton zgjedhjet e pjesshme, më 3 nëntor votohet në Korçë

0
102

Florenc Drizari

Dekreti: “Caktimin e datës 3 nëntor 2013, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Korçë, qarku Korçë”.

 

Nishani-dekreton-640x340Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në qytetin e Korçës. Sipas dekretit të kreut të shtetit, zgjedhjet e pjesshme vendore do të zhvillohen në datë 3 nëntor. Dekreti i Presidentit u publikua një ditë më parë në faqen zyrtare të Presidencës, ndërkohë që vendimi ishte marrë që ditën e shtunë, ditë në të cilën z. Nishani u nisë edhe për një vizitë zyrtare në SHBA. Brenda një harku kohore prej disa javësh, kreu i shtetit ka dekretuar dy datat për zgjedhje të pjesshme vendore. Më datë 1 shtator u mbajtën zgjedhje të pjesshme në dy komunat, Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, ndërkohë që të dielën e parë të nëntorit, do të mbahen zgjedhje edhe në Bashkinë e Korçës.

Pas dorëheqjes që ish-kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, dha para disa javës për t’u emëruar zëvendës Kryeministër pranë kabinetit “Rama”, bashkia e këtij qyteti u drejtuan nga nënkryetari Sotiraq Filo. Sipas qëndrimeve zyrtare që kanë mbajtur më parë dy forcat kryesore të koalicionit të majtë, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Filo do të jetë edhe kandidati zyrtar për këto zgjedhje në datën 3 nëntor.

DEKRETI I NISHANIT

Kreu i shtetit ka dekretuar të dielën e parë të nëntorit si datën kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Korçës. Dekreti i Presidentit është marrë pak kohë pasi ai të nisej për një vizitë zyrtare në SHBA, ndërkohë që publikimi i vendimit u bë një ditë më parë.

“Presidenti Nishani dekreton caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar Bashkie, Bashkia Korçë, Qarku Korçë

D E K R E T

PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR BASHKIE, BASHKIA KORÇË, QARKU KORÇË
Në mbështetje të nenit 92 germa “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 10, paragrafi 3 të ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar),
D e k r e t o j
Neni 1
Caktimin e datës 3 nëntor 2013, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Korçë, qarku Korçë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”,- thuhet në dekretin e Presidentit. Vendimi i Presidentit Nishani pritet të vëj në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e procedurave që do të administrojnë këtë proces. Më herët KQZ gjatë një periudhe prej katër muajsh, ka administruar dy procese zgjedhore, atë të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit dhe zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën më 1 shtator, në dy komunat, Rrethina të Shkodrës dhe Dardhas të Korçës.

 

SOMARIO

Kreu i shtetit ka dekretuar të dielën e parë të nëntorit si datën kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Korçës. Dekreti i Presidentit është marrë pak kohë pasi ai të nisej për një vizitë zyrtare në SHBA, ndërkohë që publikimi i vendimit u bë një ditë më parë

 

Zgjedhjet në Korçë, PS-LSI zyrtarizojnë kandidatin e përbashkët

Pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, dy partitë kryesore të së majtës, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të vijojnë bashkëpunimin edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në Bashkinë e Korçës.

Pak ditë më parë dy partitë e majta PS dhe LSI, kanë zyrtarizuar si kandidat të përbashkët për postin e kreut të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filon, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit në këtë bashki.

Ndërkohë, PD-ja ka vendosur të kandidojë në qytetin Korçës, rektorin e Universitetit të Korçës, Gjergji Mero, ndërsa FRD-ja do të garojë me Brikena Zenelin, e cila vjen nga radhët e sipërmarrjes.

Zgjedhjet e parakohshme zgjedhore për kreun e Bashkisë së Korçës pritet të zhvillohen në nëntor pas dorëheqjes së Niko Peleshit, i cili është zgjedhur si zv.kryeministër në qeverinë “Rama”.

 

Nishani në SHBA, jepet “Nderi i Kombit” për institucionet fetare shqiptare në Michigan

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, u prit nga bashkëatdhetarë në Detroit, Michigan, SHBA.

Në fjalën e rastit, në prani edhe të senatorit Levin dhe kongresmenit Peters, Kreu i Shtetit u ndal në rolin e shqiptarëve të SHBA në të gjitha ngjarjet me përmasa historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“Shqiptarët, të bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shqiptarët në Detroit si pjesë e saj, kanë shfrytëzuar maksimalisht hapësirat e lirisë së pafund dhe shpirtin Uillsionian të kombit të madh amerikan, për të mbështetur aspiratat liridashëse të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje. Dora e fortë e diasporës dinamike shqiptare të Amerikës është ndjerë në të gjitha ngjarjet me përmasa historike, si: mëvetësimi i Republikës së Shqipërisë, pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe çdo përpjekje e shqiptarëve për avancimin e të drejtave të tyre dhe zgjerimin e hapësirës demokratike, kudo ku ata jetojnë”.

Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij, Presidenti Nishani i kushtoi bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, duke e cilësuar si një nga vlerat më të çmuara të kombit shqiptar që është trashëguar dhe forcuar edhe më shumë në vendin e madh të lirisë, në SHBA.

“Institucionet fetare në Detroit janë, gjithashtu, kolona institucionale të shqiptarizmit, vatra të ruajtjes dhe trashëgimisë së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare te shqiptarët, në Detroit. Shqiptarët gjejnë në këto vatra edhe aromë e shpirt shqiptarie, mikpritje dhe bujari. Ne nuk duhet vetëm të konstatojmë, por edhe të përulemi me respekt, të shprehim mirënjohje”.

Në kuadër të angazhimit institucional për vlerësimin e rolit të këtyre institucioneve fetare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dhe i dorëzoi dekoratën “Nderi i Kombit” Kishës Katolike të Shën Palit, Kishës Katolike “Zoja pajtore e shqiptarëve”, Teqesë Bektashiane Shqiptare dhe Qendrës Myslimane Shqiptare në Michigan.

 

Lulzim Basha uron Kancelaren Angela Merkel për fitoren e zgjedhjeve: Rezultat spektakolar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila në zgjedhjet e përgjithshme arriti një fitore një tjetër fitore.

Rezultati i arritur në këto zgjedhje – thekson zoti Basha – tregon konfirmimin më të fortë që populli gjerman i jep lidershipit vizionar dhe reformator të Kancelares Merkel që e ka fuqizuar më tej ekonominë gjermane dhe ka përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj. Zoti Basha në mesazhin e tij e konsideron fitoren e zonjës Merkel një mesazh domethënës dhe nxitës, se platforma politike e qendrës së djathtë mbetet oferta më e besueshme për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien në Europë.

Në mesazhin e tij kryetari i PD-së shpreh mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe qeveria gjermane i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Zoti Basha vlerëson ndihmën e Kancelares Merkel dhe atë të CDU-së ndaj Partisë Demokratike, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy partive. Kryetari i PD shpreh angazhimin për ta zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimin si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në kuadrin e Partisë Popullore Europiane.

gjithashtu Basha ka shprehur dëshirën e tij dhe të çdo qytetari shqiptar për ta mikpritur Kancelaren Merkel në Tiranë si një mike të madhe të vendit dhe kombit tonë dhe mbështetëse të procesit të integrimit Europian.

“Në këtë ditë të madhe të fitores spektakolare të CDU në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, kam nderin e madh dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell urimet më të sinqerta dhe përshëndetjet më të ngrohta për vazhdimin e udhëtimit tuaj jashtëzakonisht të suksesshëm dhe me shumë arritje në vitet e ardhshme”, thuhet në mesazhin e urimit që kreu i PD-së, Lulzim Basha i dërgoi kancelares gjermane Angela Merkel.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency