TRISTANI

0
134

Thomas Mann Nobel Prize writerJemi në Einfrid, në sanatorium. Një godinë e gjatë, e bardhë dhe e drejtë, me dy ndërtesa të vogla anash, ngrihet në mes të një kopshti të madh e të këndshëm, të zbukuruar me ca guva, tenda e shatorre të vogla fshatarake, kurse prapa çatisë së saj të pjerrët ngrihen male të mëdhenj të blertë që gërryhen tek-tuk nga ca përroska të veshura me drurë.

Si edhe më parë, institucionin vazhdon ta drejtojë doktor Leandri. Ky është një burrë me një mjekër të zezë me dy maja, qimedredhur e të ashpër si qime kali, ka pastaj një palë syze me xhama të trashë e vezullues, dhe, kur e sheh, duket si një njeri të cilit shkenca ia ka ftohur gjakun dhe e ka mbushur me një pesimizëm të qetë, të duruar. Dhe me këtë mjekër, me këto syze, këtë pamje, atë mënyrën e tij të të sjellurit, të prerë, të përmbajtur e përherë të shqetësuar, ai i ka pacientët gjithnjë nën pushtetin e vet: i mban nën kontroll këta të sëmurë, që, tepër të dobët për të vendosur vetë, e pranojnë me gjithë qejf sjelljen e tij të rreptë, si një mburojë për veten e tyre.

Sa për zonjushën fon Osterloh, ajo është e palodhur, kur është puna për mirëmbajtjen e institucionit. Oh, zot, ta shohësh si punon. Tani e sheh këtu, një çast më vonë e ke në cepin tjetër të godinës, s’lë qoshe pa vajtur vetë. Ajo është mbretëreshë e kuzhinës, kujdesohet vetë për rezervat me ushqime, ngjitet vetë të kontrollojë raftet e çarçafëve e vetë drejton gjithë personelin shërbyes: vetë e ka në merak edhe gatimin, me qëllim që të bëhet me kursim, të jetë sa më higjenik, tërheqës e oreksndjellës nga paraqitja. E drejton gjithçka me kujdesin e zellin më të madh dhe gjithë kjo përkujdesje e saj e tepruar fsheh në vetvete një qortim të vazhdueshëm për burrat, nga të cilët ende askush s’i ka kërkuar dorën për ta çuar tek altari. Por, ama, përherë në faqe i digjet, me dy vurrata të kuqe, shpresa e saj e pashuar për t’u bërë një ditë prej ditësh zonja Leandër.

Ozon dhe një ajër i qetë, i qetë… le të thonë ç’të duan rivalët apo keqdashësit e doktor Leandrit. Einfridi prapëseprapë mbetet një vend i shkëlqyer, i rekomanduar për gjithë ata që vuajnë nga mushkëritë. Dhe aty s’vijnë vetëm tuberkulozët, por pacientë të të gjitha llojeve, zotërinj, zonja dhe bile dhe fëmijë vijnë aty për t’u shëruar. Sepse doktor Leandri ka arritur rezultate të mira në shumë lloje të tjera sëmundjesh. Vijnë këtu njerëz që vuajnë nga çrregullime gastrike, si zonja e gjyqtar Shpatcit, që ka edhe një infeksion në vesh, njerëz me probleme në zemër, paralitikë, të sëmurë me reumatizëm, me sëmundje nervore të të gjitha llojeve dhe shkallëve. Një gjeneral që vuan nga diabeti harxhon aty pensionin, duke u grindur tërë kohën e kohës me veten. Janë pastaj ca zotërinj me ca fytyra të tretura, kockë e lëkurë, që i hedhin këmbët kuturu, në një mënyrë që s’paralajmëron asgjë të mirë. Është edhe një zonjë e moshuar, gruaja e njëfarë prifti Hëlenrauh, e cila ka sjellë në këtë botë katërmbëdhjetë fëmijë dhe që tani s’është më në gjendje të mendojë as edhe gjënë më të vogël, e megjithatë ende s’ka gjetur paqe, por ka një vit të tërë që vazhdon të endet si ndonjë hije nëpër godinë, e ndjekur pas nga infermierja e saj personale.

Nganjëherë, në “rastet e rënda”, te të sëmurët që dergjen të shtrirë në dhomat e tyre dhe që s’t’i sheh syri kurrë as në sallën e ngrënies, e as në atë të pritjes, ndodh ndonjë vdekje. Por kur kjo ndodh, këtë s’e merr vesh askush, bile as edhe komshiu i atij që ka vdekur. Në heshtjen e natës këtë mysafir të bërë dyllë e largojnë, dhe jeta në Einfrid vazhdon të rrjedhë e qetë, me masazhe, trajtime elektrike, dushe e banja, djersitje me avull në ca dhoma të pajisura me të gjitha sukseset e terapisë moderne.

Ashtu vërtet, shumë gjëra ndodhin këtu, institucioni është në lulëzim. Vetë doktor Leandri bashkë me zonjushën Osterloh i përcjellin njerëzisht ata që largohen gjer te karroca, kurse portieri i njërit nga krahët anësorë i bie kambanës për të lajmëruar kur vjen ndonjë mysafir i ri. Janë të shumntë ata që kanë gjetur strehë këtu, në Einfrid! Bile edhe një shkrimtar që shkon aty më kot ditët që i ka dhënë i madhi zot – një njeri i çuditshëm, me një emër të ngjashëm me emrin e njëfarë minerali apo guri të çmuar.

S’ka shumë kohë që doktor Leandrit i është shtuar edhe një doktor tjetër, që merret me rastet e lehta dhe me ato të pashërueshmet. Quhet Myler, por as që ia vlen të flasim për të.

Përktheu: Piro Misha

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency