Në ankand dokumentet e zëvendësit të Hitlerit

0
132

Gjatë luftës, zëvendësi i Hitlerit, Rufolf Heß, shkoi në Britaninë e Madhe me një ofertë paqeje për britanikët me vete. Dosja, që del në një ankand amerikan, mund të japë informacion tani se çfarë donte vërtet Rudolf Heß.

 

Bild 183-1987-0313-507Ngjarja mund të jetë motiv për një film me James Bond: Një personi i telefonojnë për t’i ofruar një dosje, e cila mund t’i bëhet e vlefshme për disa “projekte”. Ai mjafton të dalë diku një ditë më pas, aty do të gjejë dosjen. Dhe vërtet: Ky person gjen dosjen e një eksponenti nazist. Ngjarja ka ndodhur 20 vjet më parë. Brenda dosjes: protokolle, duplikata, letra të zëvendësit të Hitlerit, Rudolf Heß. Të gjitha dokumentet lidhen me kohën e burgut në Britaninë e Madhe. Ndër to, edhe një projektmarrëveshje e paqes, të cilën Heß donte t’ua dorëzonte britanikëve në vitin 1941, pak para se Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik.

Kjo ngjarje si romanet e spiunazhit është e shkruar në faqen e “Alexander Historical Auctions” – Ankandi Historik Alexander. Synimi: rritja e interesit të blerësve, sepse ai person, i cili kuptohet, vazhdon të mbetet anonim, ia ka ofruar të martën ( 10.09) për shitje atë qendrës amerikane të ankandit. Çmimi: nga 500.000 deri 700.000 dollarë.

 

Jo një nazist i parëndësishëm

Kaq shumë para për një stivë me letra? Kur përmendet Rudolf Heß, nuk përmendet një nazist çfarëdo, bëhet fjalë për njërin nga më të besuarit e Hitlerit, zyrtarisht zëvendësi i tij për një kohë të gjatë. Në mesin e luftës, në vitin 1941, Heß fluturon për në Skoci, me qëllim që pak para sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik të negociojë një paqe bilaterale me Britaninë e Madhe. Plani: Nazistët vinin Evropën nën thundrën e tyre, britanikët mund të ruanin superfuqinë e tyre në pjesë të tjera të botës, nazistëve duhej t’u ktheheshin vetëm ish-kolonitë gjermane.

Britanikët nuk e pranuan këtë ofertë, një fakt që nuk të habit. Heß u arrestua, ai qëndroi në burgun britanik deri sa në vitin 1946 u dënua në procesin e Nurembergut me burgim të përjetshëm. Në vitin 1987 në moshën 93 vjeçare Heß vrau veten në burgun e kriminelëve të luftës, në Berlin-Spandau. Këto fakte dihen, por ende nuk është zbardhur mirë serioziteti i planit të paqes së Rudolf Heß, roli i tij si eksponent i regjimit të Hitlerit, nëse vetë Hitleri e njihte këtë plan paqeje. Gjatë luftës ai u konsiderua si i sëmurë psikik. Mbi këtë diagnozë, Rudolf Heß ndërtoi edhe strategjinë e mbrojtjes në procesin e Nurembergut. Neonazistët e ngrenë atë lart si një hero të burgosur në Britaninë e Madhe.

Achim Baumgarten drejton në Arkivin Federal në Koblenc referatin për koleksionet private dhe historike. “Historia nuk do të rishkruhet nga e para, por ndoshta ne njihemi me fakte të reja që na ndihmojnë të kuptojmë figurën e Rudolf Heß”. Autoritetet gjermane kanë siguruar ndërkohë kopje të një pjese të dosjes.

 

Me sa duket, nuk ka qenë vjedhje

“Tepër e ekzagjeruar” – kështu e cilëson Baumgarten shumën që ofrohet në ankand për dosjen e Heß. Ai e sheh të mundshme që dokumentet mbajnë mbishkrimin e Rufolf Heß. “Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se dosja është e falsifikuar”.

Para një viti qendra e ankandit, Beck Militaria kishte kërkuar nga eksperti Baumgarten që të provonte vërtetësinë e origjinalit. Në Arkivin Federal ka një sërë dokumentesh të Rudolf Heß. “Ajo që më ra në sy menjëherë ishte vula britanike ‘most sekret’ – tepër sekret”, – tregon Achim Baumgarten, duke supozuar se ka gjasa që dokumentet të jenë vjedhur nga Arkivi Nacional Britanik. Por Qendra e ankandit e mohoi një gjë të tillë.

Sipas Baumgarten, Heß ka përpiluar duplikate në burgun britanik, letra drejtuar mbretit britanik, planin e paqes – dokumentet të cilat tani dalin në ankand. Me gjasë të nxjerra jashtë ilegalisht nga personeli i burgut. Por të gjitha janë supozime. Dokumentet origjinale, të cilat Heß ia ka dorëzuar autoriteteve britanike, ndodhen të kyçura në Britaninë e Madhe. Deri së paku në vitin 2018 ato nuk do të bëhen publike.

 

Falsifikime apo origjinale?

Baumgarten ka krahasuar shkrimin e dokumenteve që i janë dhënë si kopje me letra të Heß-it që ndodhen në Arkivin Federal. Shkrimi ishte shumë i drejtë, pikërisht si ai i zëvendësit të Hitlerit. “Gërma të caktuara, pjesa e poshtme e shkrimit, çdo gjë në tipometri ishte e njëjtë”. Vula me të cilën ishin mbyllur dokumentet përmbante një monogram me inicialet RH. Por kjo nuk e provon përfundimisht se dokumentet janë origjinale. “Për këtë Zyra e Kriminalistëts mori prova të letrës dhe bojës. Por origjinalët nuk i kam parë asnjëherë”, – thotë Baumgarten.

Në Gjermani ka pasur njëherë një skandal të madh me falsifikimet. “Memuaret” që bleu revista e njohur “Stern” në vitin 1983, që fillimisht konsideroheshin si ditarët e Hitlerit, dolën si falsifikim, duke shkaktuar kështu edhe një nga skandalet më të mëdha në Republikën Federale Gjermane. E megjithatë Arkivi Federal do t’i kishte blerë dokumentat, “por jo për këtë çmim”, – thotë Baumgarten.

Arkivi nuk i fiton dot ankandet. Baumgarten thotë: “Dalim duarbosh nga ankandet, sidomos kur bëhet fjalë për eksponentë nazistë”. Në Amerikë, thotë ai, dokumente të caktuara kapin çmime që janë gati të pamundura për Arkivin Federal.

 

 

 

speciale

 

“Rebelja e bukur” – Marseja

 

 

Lindita Arapi

Brilantet e kryeqytetit kulturor 2013 – Një udhëtim nëpër Marsejë-Provansë

 

Franca nuk ka nevojë për ndonjë publicitet të veçantë për të prezantuar pasurinë e saj kulturore. La France! Vend i kulturës e i historisë! Këtë bindje nuk e kanë vetëm francezët për vendin e tyre. Por, me sa duket, edhe Franca mesdhetare ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes për 365 ditë. Një skenë të tillë e ofron përzgjedhja si kryeqytet i kulturës në Evropë – një projekt i BE-së, i iniciuar nga viti 1985. Për 2013-ën kryeqytetet evropiane janë Marsejë-Provansë dhe qyteti sllovak Kosiçe.

Marsejë-Provansa ka më shumë për të ofruar se fushat e famshme me lavandë, dritën tipike të jugut francez që frymëzoi shumë piktorë të njohur. Kush e ka vizituar rajonin, e kupton prezantimin që i bën Jacques Pfister, presidenti i bordit administrativ të Marsejë-Provansës 2013 në faqen zyrtare online të kryeqytetit kulturor. “Nuk ishte e lehtë bashkoje në një “Marsejë-Provansë 2013 – një udhëtim unik në historinë tonë, realitetin, dëshirat dhe projektet”.

Por për një vit rajonet e “Marseille, Aix-en-Provence, Arles, Aubagne, Gardanne, Istres, La Ciotat, Martigues, Salon-de-Provence” u bashkuan me 400 aktivitete dhe projekte të pazakonta në kryeqytetin kulturor evropian 2013, 800 milionë euro kushtuan të gjitha parapërgatitjet. Motoja që i bashkoi të gjithë: Mesdheu – një det i përbashkët” – qëllimi: Lidhja e të dyja anëve të Mesdheut. Nga kërcimi artistik, muzika, letërsia, e teatri, deri tek ekspozitat e artit, gastronomia dhe kinemaja.

Marsejë-Provansë është konceptuar si një projekt gjigand ndëraktiv, ku jo vetëm artistët, por edhe publiku ftohen të marrin pjesë e të pasurojnë kryeqytetin kulturor 2013. Një histori kulturore me tre kapituj, ku për çdo sezon përgjatë 2013-s ofrohen evenimente kulmuese, si TransHumance – një procesion gjigand artistik me kuaj, parada kryesore e të cilit u mbajt në Marsejë, “Le Grand Atelier du Midi” – një ekspozitë duale arti në Marsejë dhe Ex-an Provansë që përfshin periudhën 1880-1960 e të gjitha rrymat që morën frymë për herë të parë në Francë dhe përcaktuan artin e shekullit XIX e XX – nga impresionizmi deri tek surealizmi, kubizmi e artet abstrakte. Por edhe 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit ekzistencialist Albert Camus festohet përgjatë vitit kulturor. Çdokush e gjen ofertën e përshtatshme në këtë program kulturor.

 

Arli antik takon skulptorin Rodin

Arli është njëri nga qytetet pjesëmarrës të Marsejë-Provansës 2013, e njohur shkurt si MP2013. Një qytet i njohur antik, vendstrehim i përkohshëm i Van Gogut, Arli prej kohësh është një atraksion turistik. Prandaj punonjësja e Qendrës së Informacionit të kryeqytetit kulturor MP2013 në Arl, Magali Polo thekson se ky vit nuk ka sjellë më shumë turistë për ne, sepse gjatë gjithë vitit ata janë pjesë e qytetit, por disa highlights të rinj. “Kemi tri ekspozita të rëndësishme, për shembull ekspozita e Auguste Rodin (1817-1917), e cila ndryshon nga muzeu në Paris. Këtu kemi një qytet antik, kështu krijohet marrëdhënia me periudhën romake, punët e Rodin u frymëzuan nga kjo periudhë. Por kemi edhe skulpturën e famshme të Venusit të zbuluar në Arl, e të përqendruar në Paris, për herë të parë ajo është zhvendosur nga Parisi që prej 300 vjetësh”.

Por vëmendjen e arlinezëve e tërhoqi në gusht një festë gastronomie me një meny perfekte nga kuzhinierë klasi të rajonit provensal vetëm për 15 euro, e arlinezët e dinin, se kjo u bë për shkak të kryeqytetit kulturor, thotë Magali Polo. Një dhuratë për rajonet francezojugore, të njohura për çmimet e larta.

Van Gog duhet të presë

Simbolet e kryeqytetit të kulturës i sheh kudo në Arl, por ku është në program Van Gogu, me të cilin shumë vetë lidhin emrin e qytetit Arl? “Po ju kuptoj”, – thotë Magali Polo, “ne nuk kemi pasur kurrë muze të Van Gogut, megjithëse të gjithë turistët pyesin përditë ku është muzeu… Por tani falë kryeqytetit kulturor, fondacioni i Van Gogut do të rikonceptohet në një godinë të re me vepra të Van Gogut që për herë të parë do të vijnë në Arl, janë vepra të cilat Van Gog i pikturoi këtu, rreth 10 piktura”.

Pa dyshim, arlinezët i gëzon fakti që qyteti i tyre është pjesë e kryeqytetit kulturor evropian, thotë Magali Polo, por Arl si qytetet e tjera të rajonit vuan për shkak të Marsejës. Impulset e kryeqytetit kulturor ndjehen më shumë në Marsejë, madje shumë vetë njohin Marsejën si kryeqytet kulturor, duke harruar rajonet e tjera të Provansës. Magali nuk e fsheh as ajo. “Të gjithë televizionet flasin vetëm për Marsejë, Marsejë e prapë Marsejë”.

Po të shikosh prezantimin mediatik në Gjermani për prezantimin e kryeqytetit kulturor Marsejë-Provansë 2013, Magali Polo ka të drejtë. Shumë media janë përqendruar tek ajo që njihet si “rebelja e bukur”, “Porta e Orientit”, Marseja, lokomotiva e kryeqytetit kulturor 2013. Para tre vitesh, Jean-Pierre Gaudin, kryebashkiaku i qytetit të dytë më të madh francez, pas Parisit premtoi se “Marseja do të shkëlqejë si një diamant” përgjatë vitit kulturor 2013.

Synimi: Një ndryshim i plotë i imazhit të një qyteti që vitet e fundit zinte shpesh kryeartikujt francezë, për shkak të lagjeve veriore të tij, ku sundon kriminaliteti dhe varfëria. Një premtim i mbajtur pas vitesh riparimesh e bllokimesh trafiku me qëllimin e vetëm -ripërtëritjen e plotë të Marsejës. Në një përzgjedhje të “New York Times” për “Places to be” – vendet që duhen vizituar në 2013-ën, Marseja renditet e treta.

Por në këtë qytet historikisht shumëkulturor nuk janë rindrequr vetëm monumentet e muzeumet ekzistues. Marseja merr si dhuratë në këtë vit të kryeqytetit kulturor, MuCEM – muzeun e qytetërimeve të Evropës dhe Mesdheut – emblema e re e Marsejës. MuCEM nuk është një muze dosido, por një mrekulli arkitektonike, i cilësuar si një muze spektakolar. I inauguruar nga presidenti francez Francois Hollande më 7 qershor, MuCEM është muzeu i parë kombëtar francez jashtë Parisit, me peshë 200 milionë euro – një arsye më shumë për të shtuar krenarinë e Marsejës, qytetit gjithmonë oponent ndaj superfuqisë së përhershme të Parisit.

MuCEM – një kub qelqi me një mbulojë të plasaritur betoni në formë ornamentesh që të kujtojnë Orientin, i rrahur nga valët e Mesdheut lidhet me një urë të lartë me historinë, fortesën, Saint Jean. Një urë kjo që e lejon vizitorin të reflektojë për historinë e të dyja anëve të Mesdheut, Oksidentin e Orientin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency