Vjen për pushime në Shqipëri, hidhet në erë emigranti

0
189

Sonja Caka

Policia: Dyshohet eksploziv me telekomandë, Petrit Marku në makinë me familjen

Atentati i dyshuar për hakmarrje, Marku vrau Manil Likën në vitin 1999 në Tiranë. U dënua 25 vjet burg

 

foto nga shpethimiNjë shpërthim i fuqishëm ka tronditur Laprakën në orët e pasdites së djeshme, pasi një makinë mori flakë duke rrezikuar seriozisht jetën e katër personave që ndodheshin brenda saj. Nga shpërthimi me eksploziv i automjetit me targa AA 787 DK, ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i saj, emigrant në Belgjikë, Petrit Marku, 43 vjeç, me origjinë nga Mirdita dhe banues në Tiranë. Ndërkohë që, sipas burimeve policore, e dëmtuar lehtë ka mbetur e dashura e emigrantit Marku, ndërsa motra dhe i biri i mitur për fat të mirë nuk janë prekur nga shpërthimi. Menjëherë i plagosuri është transportuar për në Spital Ushtarak ku vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet paraprakisht se një nga gjymtyrët e ka humbur nga shpërthimi, ndërsa ka edhe probleme të tjera. Mjekët po bëjnë të pamundurën për ta mbajtur në jetë. Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur me telekomandë, dhe autorët kanë studiuar lëvizjet e emigrantit 43-vjeçar. Dyshimet e para flasin për një tentativë vrasje për hakmarrje, pasi Marku ka qenë dënuar nga Gjykata e Tiranës me 25 vite burg për vrasjen e Manil Likës, ndërsa ishte ekstraduar 8 vite më parë nga Belgjika drejt Tiranës. Nga të dhënat e para mësohet se Petrit Marku ka vuajtur dënimin në burgun e Shën Kollit në Lezhë ku dhe është liruar para një viti.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në dalje të Laprakës rreth orës 18:15 minuta. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se një automjet tip ‘Benz’ me targa AA787DK, në pronësi të shtetasit Petrit Marku, 43 vjeç me origjinë nga Mirdita është hedhur në erë me eksploziv, i cili dyshohet se është vendosur në pjesën e përparme të automjetit. Në momentin e shpërthimit të automjetit në të udhëtonin 4 persona, Marku, e dashura e tij, motra dhe fëmija i mitur i kësja të fundit, djali 2 vjeç. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes konstatohet se në momentin e shpërthimit, është ushtruar aq shumë forcë, saqë automjeti është spostuar rreth 300 metra nga vendi ku ishte parkuar. Lëvizjet e pakontrolluara të mjetit pas shpërthimit për pak kanë shkaktuar një tragjedi në rrugën kryesore ku udhëtonin edhe shumë automjete të tjera. Sipas të dhënave nga vendngjarja, shpërthimi i parë nisi në rrethrrotullimin e doganës dhe ka përfunduar gjatë shpërthimeve të radhës në dalje të rrugës së Laprakës. Mësohet se Petrit Marku 40 vjeç, emigrant prej vitesh në Belgjikë është nxjerrë i plagosur rëndë nga automjeti. Mësohet se e dashura e huaj e emigrantit ka pësuar dëmtime të lehta në fytyrë, ndërsa nipi 2 vjeç nuk ka pasur asnjë dëmtim.

Hetimi

Policia e kryeqytetit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të zbardhur shpërthimin, ndërsa nga hetimet paraprake janë hedhur edhe dyshimet e para, flitet për një atentat me eksploziv të telekomanduar në distancë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe të zjarrfikëses. Ndërkaq, policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa njësia antieksploziv pritet të hetojë më tej ngjarjen dhe llojin e eksplozivit të vendosur. Nisur nga natyra e shpërthimit, policia e Tiranës ka nisur hetimet mbi të kaluarën e emigrantit Marku, i cili prej pak ditësh ishte kthyer në atdhe për pushime me familjen. Nga hetimet e para rezulton se Petrit Marku rezulton të jetë dënuar nga gjykata me 25 vjet burg, si i akuzuar për vrasjen e Likës, vrasje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë dhe në atë kohë mbante pseudonimin Haki Mulaj. Petrit Marku, 43 vjeç rezulton se ka kryer një vrasje në vitin 2002 dhe për këtë ka marrë dënimin me 25 vite burg nga Gjykata e Tiranës. Marku u dënua për vrasjen e Manil Likës. Për krimin, ndaj 43-vjeçarit është kryer dhe një ekstradim nga Belgjika, ndërsa mbeten për t’u zbardhur vitet e fundit se kur ka përfunduar nga dënimin dhe është rikthyer në Belgjikë.

Ngjarja për të cilën u dënua Marku

Në vitin 2005 u ekstradua nga Genti i Belgjikës, Petrit Marku, 35 vjeç nga Mirdita, i cili për vite të tëra mbajti pseudonimin Haki Mulaj. Ai është dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes” dhe të “armëmbajtjes pa leje”. Krimin ai e ka kryer në 16 shkurt të vitit 1999, në rrugën “Mine Peza”, pranë bar “Florial”, kur i dënuari ka ekzekutuar Manil Likën. Burimet policore të Interpol Tiranës, struktura që e ekstradoi, thanë se konflikti mes tyre ka filluar kur Manil Lika ka pasur një përplasje me vëllezërit Franc e Gjin Doda nga Mirdita. Edhe pse ky konflikt ishte mbyllur, pasi palët ishin pajtuar, Marku ka insistuar që Manili të vriste vëllezërit Doda. Mëngjesin e 16 shkurtit të 14 viteve me parë, viktima, pasi ka çuar fëmijët në shkollë, shkoi te lokali ku ndodhi krimi. Sipas burimeve policore, mësohet se aty u krijua një gjendje e vështirë dhe e gjitha ndodhi për një pyetje të vetme “Pse më shikon me inat”. Fillimisht të dy protagonistët janë ndarë qetësisht, pasi viktima u largua për në shtëpi. Nuk vonoi tepër dhe mbërriti sërish te lokali. Marku e pa teksa doli nga lokali dhe la dhe pijen përgjysmë, ndërsa kundërshtari i tij po vazhdonte i qetë kafen. Por teksa ai po kapërcente pragun e lokalit, është tërhequr nga Petrit Marku, i cili e ka qëlluar pesë herë në kokë dhe trup, duke e lënë të vdekur në vend. Autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar prangave të policisë, por jo përgjithmonë. Ai është arrestuar në nëntor të vitit 2003 në Gent të Belgjikës, edhe pse përdorte pseudonimin Haki Mulaj nga Kosova. Fillimisht, ai është arrestuar si shtetas kosovar. Marku ishte banor i rrugës “Don Bosko” në Tiranë dhe u shpall në kërkim nga Komisariati numër 3, i cili dërgoi dosjen tek Interpol Tirana në atë kohë.

 

 

Tiranë

Dy të plagosur me armë zjarri në Lundër, në kërkim autorët

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Lundrës ku mësohet se kanë mbetur të plagosur shtetasit Erjon Prengaj, 24 vjeç dhe Klevis Bushati, 24 vjeç, të dy banorë nga Laçi. Burime nga policia bënë të ditur se Prengaj ka marrë një plagë në krahun e majtë, kurse Bushati një plumb në supin e djathtë. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në një lokal në orët e para të mëngjesit për motive të dobëta. Policia vijon punën për kapjen e autorëve, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur. Mbi ta rëndon vepra penale e “vrasjes së mbetur në tentativë”, ndërsa materialet hetimore pritet t’i kalojnë organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

 

Kavajë

Përplaset për vdekje këmbësori, prangoset drejtuesi

Një këmbësor ka gjetur vdekjen mëngjesin e djeshëm në Kavajë pasi u përplas nga një makinë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Krye Luz të qytetit të Kavajës, ndërsa viktima, 45-vjeçari M.Lushaj ka qenë duke kaluar rrugën në momentin që u përplas. Sipas burimeve të policisë, drejtuesi i mjetit i ka dhënë këtij të fundit ndihmën e parë, duke e transportuar në spital, por 45-vjecari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë. Policia e Kavajës, ndërkaq ka nisur hetimet për të zbardhur më shumë detaje mbi aksidentin.

Shkodër

Tenton të rregullojë dritat, humb jetën i riu

Një 27 vjeçar, banues në fshatin Grudë e Re, komuna Rrethina Shkodër, gjeti vdekjen mesditën e djeshme gjatë një kontakti me energjinë elektrike. Burime zyrtare nga policia e Shkodrës, bëjnë me dije se ngjarja në ndodhi në fshatin Grudë e Re, në një aks rrugor pranë ish Vinotekes, ku 27-vjeçari, Pjetër Mulliri 27 veç, kishte hipur në një shtyllë të tensionit të ulët për të rregulluar dritat e shtëpisë së tij. Nga pakujdesia ai ka pasur kontakt me linjën e energjisë elektrike, dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. “Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po kryen veprimet, në përfundim do të jepet dhe informacioni përfundimtar”, citojnë burimet nga policia.

 

Fier

Aksidenti tragjik në Levan-Tepelenë, pranga dy drejtuesve të automjeteve

Një ditë pas aksidentit tragjik në aksin Levan-Tepelenë, ku humbën jetën dy persona dhe 6 të tjerë u plagosën rëndë, policia e Fierit ka arrestuar autorët përgjegjës të kësaj ngjarjeje. Por, pavarësisht faktit se në aksident ka humbur bashkëshorten dhe djalin 2 vjeç, i arrestuar ka përfunduar edhe Jetnor Muçaj, pasi si drejtues i automjetit fuoristradë, ku po udhëtonte ai bashkë me familjen e tij, akuzohet përgjegjës për aksidentin dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në një konferencë për shtyp, policia tha se janë arrestuar në flagrancë, Jetnor Muçaj dhe po ashtu në pranga ka përfunduar edhe drejtuesi i zetorit, Qazim Banaj, pasi ka qenë duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin bujqësor. Policia tha se paraprakisht mendohet se ka qenë automjeti ai i cili ka goditur fillimisht zetorin, duke shkaktuar kështu ngjarjen tragjike. Policia vijon hetimet për zbardhjen e aksidentit. Ngjarja e rëndë u shënua dy netë më parë, ku një automjet, në të cilin udhëtonte një familje e përbërë me 4 pjesëtarë u përplas me një zetor, në të cilin udhëtonin po 4 vetë. Aktualisht të arrestuarit ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Nga ky aksident humbën jetën gruaja e Jetnor Muçaj, Adelina dhe djali i tyre, D. Muçaj, 2 vjeç e gjysmë. Ndërsa të plagosur mbetën drejtuesi i mjetit, Jetnor Muçaj, vajza e tij 12 vjeçe, M. Muçaj, si dhe 4 vetë që udhëtonin me zetor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency