Gjykata, shtohen kërkesat për birësime nga familjet shqiptare

0
283

Sonja Caka

Histori njerëzore nga gjyqësori, çifte të huaj i drejtohen gjykatës dhe Komitetit të Birësimeve për të adoptuar një fëmijë edhe për herë të dytë, pasi kanë adoptuar një më parë

a71Birësimet po njohin një trend të ri në Gjykatën e Tiranës. Janë shtuar kërkesat e çifteve shqiptare për birësim të fëmijëve, ndërsa më parë, kanë qenë të huajt ata që kryesonin listat e gjykatave me kërkesa për të birësuar një fëmijë. Gjithashtu, po shtohen rastet e çifteve të huaja që i drejtohen për të dytën herë Gjykatës së Tiranës dhe Komitetit Shqiptar të Birësimeve për të birësuar një fëmijë të dytë, pasi më herët kanë adoptuar një fëmijë shqiptar. Nga 19 vendime që ka dhënë gjykata e Tiranës në 9-mujorin e parë, rezulton se janë pranuar kërkesat e gjashtë shtetasve të huaj, ndërsa nëntë janë kërkesa të paraqitura nga shtetas shqiptarë dhe që gjykata i ka pranuar, ndërsa në 4 kërkesa për birësime, palët janë tërhequr. Gjyqtarët e seksionit civil që trajtojnë çështjet delikate të birësimeve shprehen se “deri 2 apo 3 vjet më parë, në kërkesat e birësimeve mbizotëronin të huajt, ndërsa tashmë shihet një interes i çiftëve shqiptare që nuk kanë fëmijë të birësojnë një”. Por, sipas tyre, vihet re një interes i lartë edhe i femrave shqiptare që janë të martuara me të huaj, të cilat në pamundësi për të pasur një fëmijë, u kërkojnë bashkëshortëve të huaj që fëmijën ta birësojnë në vendin e tyre të origjinës, në Shqipëri.

Histori

Një çift të huajsh nga Kanadaja i janë drejtuar për herë të dytë Gjykatës së Tiranës dhe Komitetit Shqiptar të Birësimeve, duke kërkuar të adoptojnë një tjetër fëmijë shqiptar. Më herët, në vitin 2006, ata kishin shprehur interes për të adoptuar një fëmijë shqiptar të seksit mashkull, ndërsa tashmë gjashtë vjet më vonë, ata kanë kërkuar të adoptojnë një fëmijë të dytë, po shqiptar, kësaj radhe të seksit femër. Sipas deklaratës së Gjendjes Familjare lëshuar në qytetin e Richmond Hill, Ontario me dt.02.11.2011, rezulton se kërkuesat nuk kanë lindur fëmijë dhe as nga martesa e tyre. Ata janë prindër të një fëmije të adoptuar në Shqipëri në vitin 2006, i seksit mashkull, i quajtur R M P, i datëlindjes 15.02.2005, vendlindja Tiranë. Sipas raportit mjekësor, të administruar në dosjen gjyqësore dhe nga ekzaminimet dhe diagnostikimet është arritur në përfundimin që nuk mund të kenë një fëmijë biologjik të lindur ndërmjet tyre, për arësye steriliteti. Gjithashtu, sipas dy raporteve mjekësore të lëshuara për secilin nga kërkuesit, rezulton se ata gëzojnë shëndet të mirë, nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje e transmetueshme, infektive dhe e pashërueshme dhe nuk ekzistojnë faktorë mendorë ose fizikë që do të pengonin në ndonjë mënyrë aftësitë e tyre për t’u kujdesur si prindër. Në komentet e mjekut në lidhje me aftësinë e kërkuesit F P për të vepruar si prind birësues konkludohet se: “Ky aplikant është shumë i përshtatshëm për një birësim. Ai tashmë e ka birësuar një fëmijë me sukses. Unë do ta rekomandoja me forcë atë si prind.” Ndërsa në komentet e mjekut në lidhje me aftësinë e kërkueses F P për të vepruar si prind birësues konkludohet se: “Kjo paciente e ka birësuar një fëmijë, ajo është një nënë shumë e kujdesshme dhe e dashur.” Në kushtet e pamundësisë për të patur një fëmijë në rrugë natyrore bilogjike (për shkak se të dy kërkuesit vuajnë nga steriliteti), e me dëshirën e madhe për të patur fëmijë e familje të madhe, kërkuesat kanë aplikuar për të birësuar një fëmijë të dytë tashmë. Kërkuesit janë shtetas të huaj kanadezë, me prejardhje italiane, me banim në adresën: R H, T,  dhe në respektim të ligjit, i janë drejtuar Agjencisë “Adoptionëorx”, e cila është agjensi e licensuar nga Ministria e Shërbimeve për Fëmijët dhe Rininë, për lehtësimin e birësimeve ndërshtetërore. Bazuar në Raport Studimi Familjar për birësim, të pregatitur nga specialistja e miratuar nga MSHFR dhe Letër Miratimi dt.15.09.2011 e Ministrisë së Shërbimeve për Fëmijët dhe Rininë, Ontario, drejtuar autoriteteve shqiptare, është dhënë miratimi për birësim nga Shqipëria prej kërkuesave Flora dhe Fiorino Paoluçi.

Kërkesa

Komiteti Shqiptar i Birësimit është gjithmonë palë e interesuar në këto procese gjyqësore, duke u përfaqësuar nga një avokat dhe një psikologe. Pasi shqyrtojnë dokumentacionin përkatës, shohin se çifiti birësues plotëson kriteret dhe periudha e provës mes fëmijës dhe tyre është në nivel të kënaqshëm. Gjatë periudhës që trajtohet kërkesa për birësim, Komiteti Shqiptar i Birësimit shprehet para gjykatës mi kërkesën e bërë nga çifti adoptues, shqiptar apo i huaj qoftë; mbi plotësimin e gjithë procedurave administrative që zhvillohen për këtë qëllim, me paraqitjen e dokumentave të kërkuara; me pjesëmarrjen në seancat këshilluese dhe trajnuese të çiftit, deri në dhënien  e përshtatshmërisë së këtij çifti për birësimin e fëmijes së mitur. Gjatë kësaj periudhe, Komiteti Shqiptar i Birësimit ndjek përshtatjen e çiftit birësues me femijën dhe jep vlerësimin para gjykatës, duke kërkuar të pranohet ose jo si kërkesë. Më tej, gjykata jep vendimin.

Dyndje kërkesash për birësim nga të huaj dhe shqiptarë

Të huaj dhe shqiptarë i janë drejtuar Komitetit Shqiptar të Birësimeve për një fëmijë. Fillimisht, kanë qenë të huajt me numrin më të madh të kërkesave për të birësuar fëmijë shqiptarë, por këto 2 vitet e fundit është rritur numri i shqiptarëve që në pamundësi për të pasur një fëmijë, i drejtohen këtij Komiteti për t’u bërë prindër. Të huajt që kërkojnë t’u bërë prindër me një fëmijë shqiptar janë më së shumti nga SHBA dhe Kanadaja, por ka pasur edhe nga vende të Europës.

Somario

Sipas gjyqtarëve, vihet re një interes i lartë edhe i femrave shqiptare që janë të martuara me të huaj, të cilat në pamundësi për të pasur një fëmijë, u kërkojnë bashkëshortëve të huaj që fëmijën ta birësojnë në vendin e tyre të origjinës, në Shqipëri.

Detaje

22 kërkesa të ardhura të reja në Gjykatën e Tiranës, ku kërkohet birësimi i një fëmijë, 5 të mbartura nga viti 2012

15 kërkesa për të birësuar fëmijë janë pranuar nga gjykata, ndërsa 4 janë pushuar në këto 9 muaj

8 është numri i kërkesave për birësim që janë duke u shqyrtuar ende nga gjykata e Tiranës

Procedurat që duhen ndjekur për të birësuar një fëmijë

Kushtet që duhet të plotësojë një familje aplikuese për të birësuar fëmijën. Mosha e fëmijëve për birësim 0-18 vjeç

Komiteti Shqiptar i Birësimit ka të përcaktuara procedurat për birësimin e një fëmije si nga shtetas shqiptarë, ashtu dhe nga ata të huaj. Çifti i interesuar i drejtohet fillimisht këtij komiteti dhe më pas i drejtohet gjykatës. Së pari duhet bërë regjistrimi në listën e këshillimit, i cili realizohet në tri seanca. Në seancën e fundit aplikanti tërheq formularin, plotëson dosjen me dokumentet e duhura dhe më pas i dërgon pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit. Studimi i aplikimit përfundon brenda 45 ditëve dhe pas kësaj aplikantit i kthehet një përgjigje. Për aplikantët jashtë vendit, plotësimi i dosjes me dokumentet e duhura si dhe studimi i familjes bëhet nga agjencia përkatëse. Dosja që duhet të dorëzojë një aplikant për birësim përmban 11 dokumente: kërkesën me motivimin e birësimit, të dhënat personale, të dhënat për gjendjen civile, vërtetimin e gjendjes gjyqësore, të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes, raportin mjekësor, vërtetimin e pronësisë, vërtetimin për gjendjen ekonomike, vërtetim nga organet e njësisë ku banon dhe deklaratën ku familja tregon se është e gatshme të ndërmarrë këtë hap. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse, në bazë të nenit 253, Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës studimin për personin që kërkon të birësojë dhe atë të të miturit që mund të birësohet. Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës edhe pëlqimin me shkrim për këtë birësim dhe për birësimet ndërvendase, si dhe konfirmimin se i mituri nuk ka pasur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh nga data e regjistrimit në listat e këtij Komiteti.

Procedurat e birësimit jashtë vendit

Në bazë të Kodit të Familjes dhe të Ligjit Nr. 9695, datë 19.03.2007, shtetasit e huaj i drejtojnë kërkesat e tyre për birësim të fëmijëve shqiptarë tek agjencitë e autorizuara të shteteve të tyre që bashkëpunojnë me KSHB në fushën e birësimit ndërvendas. Plotësimi i dosjes me dokumentet e duhura si dhe studimi i familjes bëhet nga agjencia përkatëse. Nëpërmjet kësaj agjencie KSHB merr dosjen e plotë të çiftit së bashku me relacionin përkatës, albumin fotografik të familjes birësuese si dhe kërkesën e çiftit drejtuar KSHB. Po ashtu, nëpërmjet kësaj agjencie, çifti njihet me dosjen e propozuar nga KSHB dhe me pas, po nëpërmjet saj, dërgon në Komitet miratimin për këtë birësim. Miratimi i birësimit nga ana e KSHB-së bëhet në mbledhjen e tij të radhës, ku në ndryshim nga procedura për birësim vendas, në këtë rast merret një vendim për daljen për birësim ndërvendas të këtij fëmije e më pas vendimi i birësimit nga çifti përkatës.

 

Periudha pasbirësuese

Pas finalizimit të birësimit është detyrë e Komitetit Shqiptar të Birësimit të ndjekë përshtatshmërinë e fëmijës në familjen birësuese, e cila shoqërohet me plotësim formularësh të shoqëruar me fotografi nga punonjësit e institucionit apo edhe me vizita të specialistëve të KSHB-së në shtëpitë e tyre. Kjo është përsa i takon birësimit vendas. Për birësimin ndërvendas raporti pasbirësues vjen nga agjencia e huaj me të cilën bashkëpunon KSHB në afate të përcaktuara në marrëveshjen dypalëshe.

Dokumentacioni që duhet të plotësojë aplikanti birësues

Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:

Kerkese me motivimin e biresimit,

– Të dhënat personale për marrëdheniet nderpersonale te anetareve te familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit,

– Të dhënat për gjendjen civile, çertifikatë lindje, martese, e zgjidhjes së martesës ose e vdekjes së bashkëshortit,

– Vërtetimet e gjendjes gjyqësore,

– Të dhëna për fëmijerinë dhe mënyren e rritjes,

– Raporti mjekësor dhe historine mjeksore te famijes,

– Vertetime te punesimit, te te ardhurave dhe te pasurise se paluajtshme,

– Vertetimin e pronesise se banesesdhe te dhena per kushtet e banimit,

– Vertetim per gjendjen ekonomike dhe sociale,

– Vertetimin nga organet e njesise se qeverisjes vendore te vendbanimit, per sjelljen dhe figuren morale,

– Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.

 

Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet

1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni shërben për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.

2. Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet përmban:

a) çertifikatën e lindjes;

b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij;

c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;

ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi i vet;

d) çertifikatat e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;

dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzëninë dhe lindjen;

e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin ose vendimin gjyqësor që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;

ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka dhe të dhëna për kushtet në të cilat ka jetuar;

f) hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.

3. Data e lëshimit të raportit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, duhet të jetë jo më parë se dy javë nga data e dorëzimit në Komitet e dokumentacionit për birësim.

Procedurat e aplikimit:

1. Realizimi i tre seancave këshillimore

2. Realizimi i intervistes se ciftit me punonjesin social

3. Realizimi i intervistes me psikologun

4. Verifikimi i kushteve te banimit

5. Vendimi i pershtatshmerise

6. Vendimi per dhenien e pelqimit per biresim

7. Periudha e proves

8. Finalizimi i biresimit prane gjykates perkatese

Baza Ligjore 

Nenet 240 e vijues Kodi i Familjes, si dhe  ligji nr.9695 dt.19.03.2007                                        “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”

Neni 254 i Kodit të Familjes parashikon: “Kërkesa për birësim, e bërë nga një shtetas i huaj ose shqiptar që banon jashtë shtetit, paraqitet në gjykatën nën juridiksionin e së cilës ndodhet vendbanimi i të miturit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency