Ulen kreditë me probleme, 23.8 për qind në korrik

0
146

Më herët gjatë këtij viti, pas këmbënguljes së Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave, ministri i Financave nxori një udhëzim të ri për fshirjen nga bilanci të kredive të humbura

 

Kredi_depozitaShkalla e kredive me probleme pësoi një rënie mujore në Korrik, për herë të parë që nga fundi i vitit 2012. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme zbritën në 23.8%, nga 24.4% që kishte qenë në fund të Qershorit. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i kredive me probleme që nga muaji Mars. Ulja e përqindjes është një “ngushëllim” pikërisht në kohën kur kreditimi i ekonomisë ra në vlera negative me bazë vjetore. Hera e fundit kur kreditë me probleme ishin ulur kishte qenë muaji dhjetor i vitit të kaluar.

Rritja

Por, ulja e dhjetorit rezultoi e përkohshme dhe kreditë me probleme rifilluan rritjen gjatë vitit 2013. Ndaj edhe ulja e Korrikut do të kërkojë vijimësi gjatë muajve në vazhdim për të mund të rikthyer optimizmin se ky problem mund të jetë në rrugën e zbutjes. Kjo do të jetë gjithsesi e vështirë nëse kreditimi i ekonomisë nuk i rikthehet rritjes në pjesën e mbetur të këtij viti. Ulja gjatë Korrikut duket të jetë më shumë rezultat i fshirjes së një sasie të kredive të humbura, sesa një përmirësim organik i cilësisë së portofolit të sistemit bankar.

Udhëzimi

Më herët gjatë këtij viti, pas këmbënguljes së Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave, ministri i Financave nxori një udhëzim të ri për fshirjen nga bilanci të kredive të humbura.

Kjo mund të ketë ndihmuar në fshirjen një pjese të kredive që bankat i konsiderojnë të humbura, por që më parë i mbanin në bilanc vetëm për shkak të mosnjohjes nga ana e organeve tatimore si shpenzime të zbritshme. Sidoqoftë, ngadalësimi i huadhënies dhe kreditë me probleme ngelen një problem serioz për sistemin bankar, çka dëshmohet edhe nga rezultati financiar progresiv i 7-mujorit. Për herë të parë gjatë këtij viti, rezultati agregat i 16 bankave të sistemit ishte me humbje, në vlerën e 1.3 miliardë lekëve. Shpenzimet për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë me probleme ngelen barra kryesore në rezultatin e bankave dhe pengesa më serioze për të ruajtur përfitueshmërinë.

 

 

 

Rritet kostoja për sektorin e ndërtimit

Krahas rënies së kërkesës, frenimit të kredive nga bankat, kufizimit të lejeve të ndërtimit, bizneset e ndërtimit po përballen dhe me një rritje të kostove. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë 2013, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 101.8 për qind (tremujori i parë 2011=100), duke shënuar një rritje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje me 1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0.9 për qind.

Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi indekset e çmimeve të nëngrupeve “Materialeve elektrike dhe komunikimi” dhe “Materiale hidro-sanitare” kanë shënuar ulje respektivisht me 0.9 për qind dhe 3 për qind. Ndërsa indeksi i çmimeve të nëngrupit “Materiale ndërtimi” ka pësuar një rritje prej 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Indekset e grupeve “Shpenzime për pagat” dhe “Shpenzime makinerie” u rritën respektivisht me 1.9 dhe 2.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa, indeksi i grupit “Kosto të tjera” pati një ulje prej 0.5 për qind.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm një rritje me 1.3 për qind ka pasur grupi “Shpenzime transporti”.

 

 

 

5 shtator, hidhet shorti për 200 zyrtarë lidhur me deklarimin e pasurisë

Të paktën 4 për qind e zyrtarëve që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë, do të përzgjidhen me datën 5 shtator për një kontroll më të imtësishëm të të ardhurave dhe shpenzimeve që kanë kryer. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka përcaktuar ditën e enjte të kësaj jave si ditë për hedhjen e shortit nga i cili do të përzgjidhen zyrtarët që do t’u kontrollohet përputhshmëria mes pasurisë reale dhe asaj të deklaruar. Për kontrollin e imtësishëm do të përzgjidhen minimalisht 200 funksionarë publikë. Në listën e zyrtarëve që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë përfshihen Presidenti i Republikës, kryeministri, ministrat, deputetët e deri edhe drejtorët rajonalë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kontrolli i pasurisë do të jetë edhe më i imtësishëm për faktin se ligji i ri i miratuar një vit më parë ul ndjeshëm bazën e të ardhurave të verifikueshme, duke sjellë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve mbi 500 mijë lekë.

Po ashtu, ndryshimet e fundit ligjore pritet t’i japin zgjidhje edhe problematikës së vërejtur me donacionet, që shpeshherë, sipas ILDKP-së, kanë shërbyer si metodë e fshehjes së pasurisë. Tashmë zyrtarët janë të detyruar që të deklarojnë dhuratat e përfituara me vlerën e 10 mijë lekëve, së bashku me identitetin e dhuruesit. Procesi i vetëdeklarimit të pasurive është një proces i përvitshëm në të cilin përfshihen pothuajse 5 mijë funksionarë publikë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency