Berisha: Rama do të shtrijë 20 % në të gjithë vendin, qeveria e tij do të na zhysë në recension

0
121

Gëzim Saliu

Kryeministri: Kushtetuesja ka përcaktuar qartë se territori është çështje e qeverive vendore

 

August-28-15-29-59A77R1373Kryeministri i vendit Sali Berisha akuzon kreun socialist Edi Rama se synon të zotërojë të gjithë territorin e vendit, i cili sipas ligjit i takon të administrohet nga pushteti vendor. Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, Berisha ka komentuar konferencën dy ditore të PS-së për territorin dhe zhvillimin ekonomik, duke theksuar se kryesocialisti po tenton të  rikthejë përvojën e 20% që sipas kreut aktual të ekzekutivit, Rama e aplikoi gjatë kohës kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës. “Dita e parë e kësaj drame u karakterizua nga fakti se kryeministri i ardhshëm i dëshmoi shqiptarëve si preokupimin e tij më madhor, e para: të shtinte ne dorë gjithë territorin e vendit në një kohë që administrimi i territorit është atribut i qeverive vendore rampa e di që mjalti i mjaltit është 20% dhe ky duhet shtrirë në gjithë vendin. Akti i frymëzuar nga drejtimi i Bashkisë Tiranë që e la në situatën me dramatike. Përpjekja ka marrë përgjigjen më përfundimtarë nga Gjykata Kushtetuese që përcakton se territori është çështje e qeverive vendore”, deklaroi Berisha. Ndërkohë sipas Berishës, akti i dytë  i konferencës dy ditore ishte fakti se ekipi i PS-së paralajmëroi se do zhysë vendin në recension. “Në konferencën  e djeshme, të ftuarit e nderuar, të cilët unë i përgëzoj për dinjitetin e treguar dhe i falënderoj se u thanë shqiptarëve të vërtetat, panë përpara tyre ekipin e ardhshëm më të papërgjegjshëm, më injorant, më të padije, më të paskrupullt që kanë parë ndonjëherë në rruzullin tokësor. Këta që vijnë, këta nuk kanë në mendje gjë tjetër, veçse të zbrazin arkën  e publikut dhe të mbushin arkën e tyre. Pra në fund të fundit të gjithë faturën e paguajnë qytetarët e thjeshtë. Këta ministra do të kenë dy rroga dhe reston që mesa duket janë shumë të përgatitur si specialistë në fushën e korrupsionit. Akti i dytë paralajmëronte se ky ekip do të zhysë vendin me shpejtësi në recension dhe ky është oguri më i zi që sjell kjo qeveri”, pohoi ai.

Ndërtimet

Duke marrë shkas nga nisma e socialistëve, e vendosur edhe si prioritet i qeverisë së re për prishjen e ndërtimeve pa leje, kreu i qeverisë përgëzoi Ramën për këtë aspekt, duke theksuar nga ana tjetër se PD do mbetet në mbështetje të ligjit, ku sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Inspektorati u decentralizua. Revanshi i tij është evident. “Mirëpo piktori nuk ndalet vetëm tek të paligjshmet. Ai thotë se do të prishë edhe ndërtimet me leje, akt i paprecedent. Shtëpitë me leje do të prishen sipas kriterit klasor. Ne mënyrë kategorike, absolute, kundërshtojmë dhe do të kundërshtojmë prekjen e çdo objekti të ndërtuar me leje. Qeveria mund të prishë çdo objekt, por kundrejt rregullave të caktuara të shpronësimit, të shtetëzimit dhe për motive të caktuara. Po çfarë fshihet pas gjithë kësaj përpjekje? Fshihet prishja e planeve të urbanizimit, e planeve të zhvillimit”, nënvizoi Berisha.  Ndërkohë sa i përket financave të vendit, të cilat janë cilësuar si një problematikë serioze nga qeveria e re, Kryeministri bëri të ditur se sistemi doganor dhe tatimor i vendit ka mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë. Berisha theksoi se ishin vetë ekspertët e ekonomisë të ftuar nga PS në konferencë, ata të cilët hodhën poshtë një pjesë të mirë të programit qeverisës.  “Në Forumin Ekonomik, të pranishmit rrëzuan një për një të gjithë programin e PS për ekonominë. Së pari, të gjithë ata që kishin autoritetin zyrtar më të lartë dhe që të gjithë të tjerët në vazhdim, u thanë se detyra juaj numër një është parandalimi i krizës, ndërsa ata thonin se këtu është kriza më e thellë. Një ekspert tjetër, shumë i madh, i cili solli edhe eksperiencën e vendit të tij, Suedisë, një nga eksperiencat më të shkëlqyera sot, ju tha: “rrisni ekonominë, mos rrisni taksat”. Ju duhet të synoni rritjen e ekonomisë, jo të taksave, pasi rritja  e tyre i kundërvihet rritjes ekonomike”, deklaroi kryeministri Berisha.

 

Nisma

Berisha: Akt normativ për të publikuar subjektet që mashtrojnë për karburantin

Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë Florion Mima hartimin e një Akti Normativ për publikimin e emrave të subjekteve që mashtrojnë konsumatorët me cilësinë dhe sasinë e karburantit, si dhe heqjen e të drejtës së licencës deri në mbyllje e aktivitetit. “Kontrolli i cilësisë së karburanti ka nxjerrë në pah faktin se disa nga ato stacionet e karburantit i kanë cilësitë përtokë. Por popullit i thonë se ligji nuk na i lejon që ti bëjmë publike. Do të sjellësh me urgjencë, do ta dekretojmë  një akt normativ, për të hequr këtë pengesë. Çdo qytetar le ta marrë vesh se kush i bën hile dhe kush nuk i bën hile. Kjo qenka shumë interesante. Ai merr dhe përzien naftën me naftë pusi dhe në do ti themi prit se e ruajmë ne sekretin. Jo, nuk do të ketë asnjë sekret. Megjithatë mua mu duk e çuditshme, por në se ekziston ndonjë pengesë ligjore do të bëhet një akt normativ sot për të hequr çdo pengesë ligjore. Le ta rrëzojnë ata po unë do të shfrytëzoj të drejtën kushtetuese për të mbrojtur interesin e qytetarëve. U ngritën me të madhe kundër shënimit të naftës, sigurisht sepse notonin në fuçi nafte vetë. Nuk po kërkojmë asgjë veçse të shesësh naftë të rregullt. Në këtë kontekst duhet transparencë  e plotë dhe të shihet edhe heqja e të drejtës, deri dhe mbyllja e saj”, tha Berisha.

 

 

Vendimi i qeverisë

Selia aktuale e PD-së i kalon Bashkisë së Tiranës

Qeveria vendos kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të godinës aktuale ku është vendosur Partia Demokratike si edhe të parkingut pranë saj.  Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u mor vendimi ku sipas të cilit  pasuria me nr. 1/242 me sipërfaqe 801.4 m2 dhe atë me nr. 1/66, truall me sipërfaqe 1266.6 m2 dhe ndërtesa 183 m2 të kalojnë në pronësi të bashkisë së kryeqytetit. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3/k, 5, e 17, të   ligjit nr.8744,  ini 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli I Ministrave vendosi: 1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë nr.1/242,  ndërtesë, me sipërfaqe 801.4m2, pasurisë nr.1/66, truall, me sipërfaqe 1266.6m2, dhe ndërtesë me sipërfaqe 183 m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8150, Tiranë, sipas  planimetrisë që I bashkëlidhet këtij vendimi, për t’u përdorur për interesa vendore. 2.   Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.834,  datë 13.12.2003, të Këshillit të Ministrave.”, thuhej në vendimin e qeverisë, i cili ngarkonte ministrin e Brendshëm, Bashkinë Tiranë dhe kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency