Partitë “injorojnë” procesin, KQZ: Të paraqesin urgjentisht propozimet për anëtarë pranë KZAZ-së

0
128

Florenc Drizari

Zgjedhjet e pjesshme, KQZ: Nuk ka pasur interes për vëzhgues, afatet kanë skaduar

 

kqz rezultatiKomisioni Qendror i Zgjedhjeve “përplaset” sërish me partitë politike për çështjen e propozimit të anëtarëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më datë 1 shtator në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, duket se nuk i është kushtuar një vëmendje e madhe nga partitë politike që kanë të drejtën për të propozuar anëtarë pranë komisioneve të niveleve të dyta, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje të plotësojnë vendet. KQZ thotë se mosdorëzimi i emrave pranë KZAZ-së përkatëset bën që ata të mos trajnohen dhe për pasojë, të rrezikohet procesi elektoral.

Një ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, i rikujtoi subjekteve zgjedhore të përmbushin detyrat e tyre ligjore në bazë të kodit elektoral, të miratuar me konsensus nga vetë ata.

“Duke ndjekur në dinamikë  ecurinë e procesit para zgjedhor që do të zhvillohet më datë 1 Shtator, për kryetar në komunën Rrethinat, qarku Shkodër dhe kryetar në Komunën Dardhas të qarkut Korçë, shpreh shqetësimin më në lidhje me mosrespektimin e kuadrit ligjor dhe shkeljen e afateve ligjore të propozimeve për anëtarëve të KQV-ve pranë KZAZ-ve nr 2, qarku Shkodër dhe KZAZ nr. 73, qarku Korçë, nga të gjitha subjektet politike që gëzojnë  të drejtën dhe kanë detyrimin ndaj këtij procesi”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së. Ajo vijoi më tej duke thënë se për realizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të këtyre procedurave,  KQZ i bën apel të gjitha subjekteve politike të paraqesin  urgjentisht propozimet e tyre për anëtarë të KQV pranë KZAZ-së nr. 2 dhe 73, që këto komisione të vazhdojnë punën për emërimet e tyre,  dhe KQZ  të kryejë trajnimet e planifikuara për ta.

Kjo sjellje sipas zëdhënëses Hoxhaj, është krejtësisht në kundërshtim me afatet ligjore të përcaktuara, përbën shkak për cenimin e  standardeve të këtij procesi, pasi vonesa e paraqitjes së propozimeve nga subjektet politike për anëtarësinë e 30 KQV që do të funksionojnë për këto zgjedhje, vështirëson punën e KQZ-së për trajnimin e tyre, si një moment shumë i rëndësishëm i procesit zgjedhor.

“Janë këta komisionerë, të cilët do të menaxhojnë realisht procesin në ditën e votimit, dhe ngushtimi i hapësirave kohore për trajnimin e tyre, për njohjen e tyre me kërkesat e kuadrit ligjor zgjedhor, për demonstrimin praktik të zbatimit të procedurave ligjore, potencialisht do të cenojë  zbatimin nga ana e tyre të kritereve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje korrekte të detyrave të tij funksionale, ka përmbyllur prej kohësh të gjithë kuadrin e nevojshëm nënligjor që do të shërbejë për këto zgjedhje. Gjithashtu, është përgatitur dhe përpunuar e gjithë baza materiale e nevojshme, dhe më mbërritjen dje, të fletëve të votimit të prodhuar nga kompania sllovene Cetis DD., është përmbyllur plotësisht përgatitja e gjithë materialit të nevojshëm zgjedhor”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së.

KQZ

Lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, KQZ sqaron se pas mbërritjes në Doganën e Tiranës së fletëve të votimit prodhuar nga kompania sllovene sipas të gjitha kërkesave specifike ligjore, dhe në afatin kohor të parashikuar, është vijuar me intensitet puna për përpunimin dhe ndarjen e tyre në kutitë e çdo Qendre Votimi.

Procesi i përpunimit të materialit zgjedhor është pothuaj në përfundim, dhe më pas do të vijohet me dërgimin e tij pranë KZAZ nr. 2 dhe KZAZ nr. 73, të cilat do të vijojnë më tej më shpërndarjen e tij KQV, që kanë nën juridiksion.

Gjithashtu zëdhënësja e KQZ-së, shpjegoi se për këto zgjedhje nuk kanë paraqitur interes për akreditim brenda afateve kohore të parashikuar në vendimin e KQZ-së, vëzhgues shqiptarë, ndërsa afatet kohore të akreditimit të vëzhguesve të huaj përfundojnë jo më vonë se 72 orë nga dita e zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton të gjithë votuesit e komunës Dardhas dhe Rrethina, se në ndjekjen në dinamikë të procesit, do të zbatojë më korrektësi të gjithë kërkesat ligjore, duke marrë në rast nevoje masat e nevojshme, për të mos lejuar askënd të cenojë mbarëvajtjen e tij, për ti garantuar kështu çdo votuesi ushtrimin e qetë dhe të lirë të së drejtës së votës!”, – përfundon deklarata e KQZ-së.

 

 

Pse zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore në Dardhas të Korçës

Gjykata Kushtetuese rreth një muaj më parë rrëzoi kërkesën e Kryetarit të komunës Dardhas, Pogradec, Aleksandër Çela, i cili kundërshtonte vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra. Objekti i shqyrtimit në gjykatë ishte: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.159, datë 27.02.2013, të Këshillit të Ministrave, i cili ka vendosur shkarkimin e kryetarit të komunës Dardhas, Pogradec, me motivacionin “për shkak të kryerjes së veprës penale”.

Më herët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin nr.43-2012-420, datë 19.03.2012, ka vendosur deklarimin fajtor të Aleksandër Çelës, kryetar i komunës Dardhas, Pogradec, për kryerjen e veprës penale: “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257, shkronja “a”, pika 1, i Kodit Penal dhe dënimin me gjobë në shumën 100 000 lekë. Në këtë proces penal është proceduar me gjykim të shkurtuar.

Në vlerësimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ky pretendim i kërkuesit është i pabazuar. Shkelja që i atribuohet kërkuesit, mbi të cilën është mbështetur vendimi objekt shqyrtimi për shkarkimin nga detyra, lidhet me një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili e ka deklaruar fajtor kërkuesin për veprën penale të refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal.

 

 

Bashkia e Tiranës: “Romët” u keqpërdorën politikisht nga ata që shpërdoruan 3 milion euro fonde

Bashkia e Tiranës me anë të një deklarate shpreh keqardhjen, për përdorimin politik që po i bëhet prej disa ditësh problemit të komunitetit rom nga ndonjë parti politike dhe qarqe të lidhura me të. “Pasi kanë përfituar qindra, mijëra euro në emër të këtij komuniteti, këta persona prej ditësh po i keqpërdorin politikisht disa anëtarë të komunitetit rom, për të fshehur abuzimet e tyre dhe për t’i ikur përgjegjësive ligjore dhe morale.

Shpërdorimi që i është bërë shumës prej 3 milionë euro të akorduar nga Bashkimi Europian, për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve rome dhe egjiptiane është një këmbanë alarmi për shoqërinë. Të paktën 60 apartamente mund të ishin ndërtuar, nëse këto para do të ishin përdorur për të ndihmuar drejtpërdrejt komunitetin rom dhe jo për të mbushur kontot bankare të disa prej personave të implikuar në këtë aferë të dhimbshme.

Bashkia e Tiranës e ka trajtuar me prioritet problematikën e komunitetit rom. Prej dy vitesh, në Bashkinë e Tiranës është ngritur zyra anti-diskriminim, e cila nuk ka ekzistuar më parë. Në tre programet e strehimit që aplikohen në Bashkinë e Tiranës, me prioritet është trajtuar komuniteti rom dhe  egjiptian.

Me propozim të kryebashkiakut Basha, Këshilli Bashkiak më  datë 28.12.2012, vendosi që në përbërje të  Komisionit të Strehimit, të ketë një përfaqësues nga Shoqata e Romëve për Integrim dhe Kundër Trafikimit të Fëmijëve.

Pas eliminimit të problematikës së trashëguar nga administrata e mëparshme, si ligjore dhe teknike ne ndërtimin e banesave sociale, Këshilli Bashkiak ka miratuar një sistem pikëzimi për përfitimin nga këto banesa. Në këtë sistem pikëzimi, komuniteti rom dhe egjiptian janë përcaktuar si kategori prioritare me 5 pikë.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian ka gati projektin për rehabilitimin dhe rikualifikimin urban të dy blloqeve në njësinë bashkiake  nr.4 dhe 8. Në këtë zonë të populluar më së shumti nga banorë të komunitetit rom dhe egjiptian, krahas ndërhyrjes tërësore në përmirësimin e  infrastrukturës, do të ndërtohet një shkollë dhe banesa sociale. Kjo është një nismë e qëndrueshme, me anë të së cilës Bashkia do të ofrojë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet”, – thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency