Hysen Osmanaj: Kolegji Zgjedhor u nxitua për mandatet, të zgjidhjet në Kod bojkoti i anëtarëve të KQZ-së

0
120

Florenc Drizari

 “Parlamenti i ri duhet të plotësoje vendet e mbetura bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”

 

hysen-osmanajAnëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, e quan të nxituar vendimin e marrë nga Kolegji Zgjedhor për shpërndarjen e mandateve për Kuvendin e ri. Tre ditë më parë Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, shqyrtoi ankimimin e Partisë Socialiste për ndarjen e mandateve, ndërkohë që po në të njëjtën ditë, KQZ-ja shpalli pamundësinë e marrjes së një vendimi të tillë për shkak të mungesës së kuorumit në komision.

Në një intervistë për gazetën Standard, anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, thotë se u shkelën afatet tre ditore që parashikon Kodi Zgjedhor për animimet në KQZ, ndërkohë që kritikon subjektet politike për presione në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Lidhur me garancitë që jep kodi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, z. Osmanaj argumenton se ligji zgjedhor është në lartësinë e duhur, por sipas tij, janë subjektet zgjedhore që cilat e shkelin atë. Sipas anëtarit të KQZ-së, përfaqësuesit e partive politike me ndryshimet e mundshme që mund të bëjnë në Kodin Zgjedhor, “duhet të zgjidhë një e herë e përgjithmonë problemin e shëmtuar të bojkotit të anëtarëve të KQZ-së”. Duke iu përgjigjur pyetjes për akuzat e PS-së drejtuar anëtarëve të KQZ-së  për vendimmarrje të njëanshme politike, Hysen Osmanaj i quan ato akuza të pabaza dhe shpesh herë amatoreske.

 

1. Z. Osmanaj, pamundësia e KQZ-së për të bërë shpërndarjen e mandateve dhe kalimi i kësaj çështjeje në Kolegjin Zgjedhor, përmbylli procesin elektoral të 23 qershorit në Shqipëri. Si e vlerësoni procesin krahasuar edhe me zgjedhjet e kaluara?

Më duhet të saktësoj se përmbyllja e procesit zgjedhor bëhet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Bazuar në Nenin 167 të Kodit Zgjedhor, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja, jo më vonë se 5 ditë nga data e shpërndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore, me këtë vendim mund të themi se është përmbyllur procesi elektoral i 23 Qeshorit në Shqipëri.

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, procesi ka qenë shumë më i vështirë, përsa i përket ngarkesës së KQZ-së, pasi siç e dini dy forca politike nuk zbatuan detyrimet e Kodit Zgjedhor për të plotësuar vendet bosh në KQZ, gjë që tregon se edhe tre anetarët e dorëhequr janë detyruar po nga politika të tërhiqen. Si rrjedhoje, u rrit shume ngarkesa në punë por edhe përgjegjësia për të organizuar dhe menaxhuar zgjedhjet, shumë  vendime kane qenë të sforcuara dhe ekstra ligjore. Megjithatë, duhet të përgëzohet administrata zgjedhore në të gjitha nivelet, administrata e KQZ-së si dhe katër anëtarët e KQZ-zë për administrimin me sukses të këtij procesi.

2. Dy ditë më parë Kolegji Zgjedhor bëri ndarjen e mandateve me kërkesë të Partisë Socialiste. Vendimi i Kolegjit u mor pak orë pasi KQZ ezauroi një mbledhje pikërisht për ndarjen e mandateve. A mendoni se vendimi ishte në kohën e duhur dhe a u anashkalua institucioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë rast?

Pa dyshim që Kolegji Zgjedhor pati një nxitim,  pa shkak, në këtë vendimmarrje, pasi është KQZ-ja organi më i lartë shtetëror për administrimin e zgjedhjeve dhe duhej të shprehej ai fillimisht dhe më pas kolegji. Në këtë rast u shkel afati kohor 3-ditor, që përcakton kodi për tu shprehur KQZ-ja, pasi jemi vetëm ne që mund të konstatojmë mungesën e kuorumit. Gjithashtu, anëtarve të dorëhequr nuk ju është miratuar dorëheqja në parlament e për rrjedhojë mund të marrin pjesë në seancat e mbledhjeve kur të duan dhe fakti më absurd është që vendimi u mor mbi draftin e përgaditur nga subjekti ankimues, PS-ja. Në lidhje me vendimet e kolegjit, mund të them shumë gjëra, por vendimmarrja është në të drejtën e tyre dhe nuk më takon mua të vlerësoj zbatimin e ligjit nga kolegji.

3. Me kërkesa të partive politike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpesh herë u vu në lëvizje për ankimime të ndryshme, lidhur me parregullsitë e konstatuara gjatë zgjedhjeve parlamentare. Si e gjykoni procesin e zhvilluar për hapjen e kutive në ambientet e KQZ për Qarqet Lezhë dhe Shkodër dhe vendimin e Kolegjit më pas?

Pa diskutim që çdo veprim për zgjidhjen e ankimimeve ka qenë në zbatim dhe në përputhje të plotë me ligjin. KQZ-ja ka mbajtur të njëjtin standard për të gjitha ankesat e shqyrtuara, duke hetuar çdo aspekt që është brenda kompetencave ligjore. Ju jeni dëshmitarë të faktit se ne me katër vota, morëm vendimin për të hapur kutitë e Bashkisë Tiranë, në zgjedhjet e kaluara vendore. Gjithashtu, me kërkesë të dy  anëtarëve për vota të caktuara, mund të hapen kutitë, pa u hedhur në votim në KQZ, për të siguruar prova, siç ishte rasti me 10 kutitë në zonën e Lezhës.

Ne nuk kemi marrë vendim për të hapur kuti votimi, duke marrë si provë parësore regjistrimet filmike. Unë jam shprehur publikisht, në seancë, që do kisha shumë dëshirë që të hapen kutitë që kërkoi LSI-ja në Zonën Zgjedhore Tropojë apo në Zonën Zgjedhore Fier, ku kandidati i pavarur Z Prifti kishte marrë më shumë vota se 40 parti sëbashku, por ligji nuk e parashikon që të hapen kutitë e votimit pa pasur fakte dhe prova. Duhet theksuar fakti se në rastin e dytë, Z Prifti nuk kishte anëtar në KZAZ, nuk kishte anëtar në grupet e numërimit, madje edhe vëzhguesit e tij ishin penguar për të vëzhguar numërimin, kurse LSI-ja i kishte përfaqësuesit e vet në këto struktura dhe nuk kishin lënë asnjë shënim opo vërejtje në dokumentet zgjedhore

4. Përfaqësues të Partisë Socialiste në KQZ, por edhe jashtë saj, ju kanë akuzuar ju dhe pjesës tjetër të anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për qëndrime të njëanshme në vendimmarrje. Sa qëndrojnë këto akuza dhe cili është mendimi juaj për rolin e subjekteve politike në procesin elektoral të 23 qershorit?

Unë gjykoj se këto akuza janë të pa baza dhe tërësisht politike dhe madje shpeshherë amatoreske. Tanimë, është i njohur fakti dhe i pranuar nga të gjithë që PS-ja tërhoqi anëtarët e KQZ-së, të propozuar prej saj si dhe shkeli ligjin zgjedhor duke mos i zëvendësuar ata, nëse tërheqja e anëtarëve nuk do të kishte notacion politik PS-ja do ti kishte kryer këto zëvendësime.

Përsa i përket rolit të partive politike në proces, mendoj se në përgjithësi ka qenë konstruktiv, por ka pasur raste kur janë përpjekur të ushtrojnë presion politik mbi strukturat e KQZ-së, nuk kanë zbatuar detyrimet e tyre ligjore për trainimin e komisionerëve, sidomos të anëtarëve të grupeve të numërimit të cilët i kanë ndërruar shpesh dhe pa shkak, kanë paragjykuar vendimmarrjen tonë, para se të marrim vendimin, etj.

5. Sa ndikoi mungesa e tri anëtarëve të opozitës në KQZ në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe a ka ndryshuar qëndrimi juaj në raport me vendimin që morën ata dy muaj para zgjedhjeve? Kjo për faktin se ju keni përmendur në komision që ata mund të kthehen dhe të bëjnë detyrat e tyre si ua përcakton ligji.

Nuk kam asnjë dyshim që mungesa e tyre ka ndikuar shumë, në radhë të parë, na është vështirësuar shumë puna, është rritur shumë përgjegjësia për administrimin e procesit, shpeshherë jemi detyruar të marrim vendime të sforcuara dhe siç jeni në dijeni edhe ju, disa vendime, për të cilat kodi zgjedhor përcakton në mënyrë taksative vendimmarrje me votë të cilsuar, janë marrë nga kolegji.

Përsa i përket qëndrimit tim për vendimin e marrë nga tre anëtarët e KQZ-së nuk ka ndryshuar, ata u përdorën politikisht, Kuvendi nuk ja u ka miratuar dorëheqjen dhe ata mund të ishin rikthyer në detyrë. Ju besoj se e keni vënë re që ata vazhdojnë ti kenë emrat në tavolinën tonë të punës, edhe pse gjykoj se e kanë shumë të vështirë të rikthehen, pasi integriteti i tyre personal nuk ja u lejon të shfrytëzohen deri në këtë nivel.

6. Pas pak ditësh pritet të dalë edhe raporti përfundimtar për zgjedhjet e 23 qershorit nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it. Çfarë qëndrimi prisni duke qenë se ishit pjesë e vendimmarrjeve që KQZ-ja bëri para dhe pas zgjedhjeve?

Une mendoj se procesi do të vlerësohet me nota pozitive dhe si një nga proceset më të mira zgjedhore. Përsa i përket punës së KQZ-së, gjithashtu, mendoj se qëndrimi do të jetë pozitiv, me gjithë situatat e vështira që u krijuan nga forcat politike. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it kanë qenë dëshmitarë të administrimit të të gjithë procesit zgjedhor, na kanë mbështetur shumë si dhe ne jemi konsultuar me ta vazhdimisht, prandaj gjej rastin ti falenderoj publikisht për ndihmën që na kanë dhënë.

7. A mendoni se ky kod ekzistues jep garanci për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në Shqipëri , apo ai duhet të ndryshojë ashtu siç ndodh shpesh pas çdo periudhe zgjedhore në vendin tonë?

Për mendimin tim, nuk ka patur asnjë kod zgjedhor që nuk jep garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike, në Shqipëri. Janë subjektet politike që, duke mos iu realizuar qëllimet e tyre, kanë gjetur justifikime për të shigjetuar KQZ-në dhe Kodin Zgjedhor, por duhet ta dini se kanë qenë këto forca politike që nuk i kanë zbatuar detyrimet e kodit dhe për rrjedhojë nuk janë arritur standardet e kërkuara.

Ju mund të thoni që administrata zgjedhore duhet të zbatojë kodin dhe të mos merret me forcat politike, por ju e dini shumë mirë që ky kod zgjedhor iu jep atyre shumë të drejta dhe detyrime, ku të drejtat i kërkojnë sa herë që iu lypset, ndërsa detyrimet nuk i zbatojnë, pra nëse do politika mund ta sabotojë procesin zgjedhor sa herë që të dojë.

Ky kod zgjedhor është i mirë, por ka nevojë per disa plotësime apo saktësime, që u vërejten gjatë këtij procesi si dhe me kryesorja, duhet të zgjidhë një e herë e përgjithmonë problemin e shëmtuar të bojkotit të anëtarëve të KQZ-së, siç e ka zgjidhur për anëtarët e KQV-ve dhe KZAZ-ve.

8. Me ndryshimin e raporteve qeverisëse në vend, në bazë të rezultateve të dala më 23 qershor, prisni një rikompozim të KQZ-së apo një plotësim të vendeve të mbetura bosh?

Unë mendoj se duhet të zbatohet kodi zgjedhor, pasi KQZ-ja është ngritur në zbatim të tij dhe është detyrim ligjor që partitë politike, të cilave u takon të kenë anëtarë në KQZ, ti propozojnë, menjëherë sapo të konstituohet parlamenti i ri dhe ti miratojë ata konform ligjit, për të plotësuar vendet bosh në këtë institucion. Qeveria e re ka detyrimet e saj, përsa i përket marrëdhënieve me KQZ-në dhe detyrimet e saj për proceset zgjedhore, nuk kam të drejtë të paragjykoj punën e saj në raport me KQZ-në.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency