Rama: Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë me një intensitet të panjohur më parë

0
209

Florenc Drizari

Rama shoqërohej në Turqi nga anëtarët e kabinetit të tij, Bushati, Beqaj, Tahiri dhe Haxhinasto

 

files

Një ditë pas takimit të Edi Ramës me Kryeministrin Turk, Erdogan, zyra e shtypit pranë PS-së informoi se tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi reciprok mes dy vendeve, sidomos në fushën e shëndetësisë, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.

Bashkëpunimi në NATO ishte një tjetër temë e rëndësishme e bisedës mes dy Kryeministrave që marrëdhënien mes dy vendeve e konsideruan strategjike, sipas selisë rozë, ndërkohë që në këtë vizitë, kreu i PS-së, Edi Rama (Kryeministri i pritshëm i Shqipërisë në muajin shtator)shoqërohej nga anëtarët e kabinetit të tij të ardhshëm Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Saimir Tahiri dhe Edmond Haxhinasto.

Pas takimit me Erdogan, Rama dha këtë prononcim:

“Takimi me kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë. E për këtë arsye ne ngritëm paraprakisht një grup pune, ndërsa sot erdhëm me disa nga ministrat që ishin dhe pjesëtarë të grupit të punës për të çuar përpara idetë dhe për të hedhur draftin më elementar të një projekti të përbashkët bashkëpunimi dhe zhvillimi. Ne e konsiderojmë Turqinë një partner strategjik dhe ne kemi vlerësuar se ky partneritet ka një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar dhe jemi të bindur se në katër vitet e ardhshme do bëjmë të mundura gjëra të cilat fatkeqësisht në të shkuarën nuk janë bërë dot të mundura.”

Intervista për CNN turk

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi të premten një vizitë dy ditore në Turqi, gjaët së cilës dha edhe një intervistë për CNN turk para takimit me Kryeministrin Erdogan.

Gjatë një interviste, për kanalin CNN në Turqi, pas asaj të dhënë në “Hard Talk” në BBC, Londër, Edi Rama bëri dje një prezantim të pikave të forta të qeverisë që do të drejtojë pas shtatorit. Kryeministri i zgjedhur Rama deklaroi se lufta ndaj korrupsionit do të jetë një nga pikat nga ku do të nisë edhe ndryshimi i Shqipërisë. “Shpresoj që ju të mos mendoni se korrupsioni është një virus që i përket Shqipërisë. Por ju e dini që kudo që shkon dhe këdo që prek, korrupsioni përhapet në mënyrë shumë të shpejtë si sëmundje ngjitëse. Dhe situata në Shqipëri kështu është. Ajo që duhet të bëjmë ne është të marrim përsipër të bëjmë një luftë të madhe kundër këtij fenomeni”, deklaroi dje Rama në intervistën dhënë Hande Asik, drejtore e lajmeve të jashtme në CNN, Turqi. “Ne kemi në plan të ngremë disa sisteme dhe të realizojmë disa reforma në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të shpëtojmë popullin tonë, të mbrojmë dhe të shpëtojmë vendin nga korrupsioni. Ky fenomen është futur aq thellë saqë e ka lënë vendin në një pozitë shumë të vështirë”, deklaroi Rama. Kryeministri i ri, Rama deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij dhe i qeverisë së tij është të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. “Sigurisht që me aq sa kemi mundësi do të bëjmë ç’është e mundur në një kohë shumë të shkurtër që të marrim statusin për vendin kandidat. Më kujtohet që një nga sloganet që përdorën studentët gjatë rrëzimit të sistemit ishte ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Qëllimi ynë kryesor është që Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe të integrohet në të”, theksoi Rama, sipas përkthimit të medias shqiptare. I pyetur për marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri i zgjedhur deklaroi në CNN-in Turk se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe gjithashtu, një shembull i mirë për t’u ndjekur i transformimit pozitiv të vendit viteve të fundit”, – mësohet të ketë thënë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 

Rama urim për ditëlindje presidentit të SHBA-ve, Obama

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, përmes rrjetit social Twitter i ka uruar ditëlindjen Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama.

“Gëzuar ditëlindjen zoti President”, është urimi në gjuhën angleze, që Rama ka përzgjedhur për t`i uruar përvjetorin e 52-të Presidentit Obama.

Më herët Rama ka zhvilluar dhe një takim me Presidentin Obama, takim i cili u shoqërua me shumë komente në media pas publikimit të fotos me kreun e shtëpisë së bardhë.

 

Shehu për vizitën e Ramës në Turqi: Amatorizëm për politikën e jashtme, deklarata kontradiktore

Ish ministri i Jashtëm Tritan Shehu: Partneri ynë madhor janë ShBA, fat që Italia e Greqia janë në NATO, Turqia mike.

Ish ministri i Jashtëm në kohën e qeverisë Meksi, Tritan Shehu, i quan deklarata jo serioze komentet e bëra nga përfaqësues të PS-së, por edhe nga vetë kryesocialisti Edi Rama, lidhur me takimin që ai dhe katër anëtar të kabinetit të tij të ardhshëm qeverisës bënë për vizitën me kryeministrin turk Erdogan.

Vizita  në Turqi e Z. Rama po pasohet nga deklarata kontradiktore, njoftime qe dalin e zhduken në Facebook-et e tyre thotë Shehu. “Se pari unë dëshiroj ta përshëndes atë vizitë, në një vend mik e shumë të rëndësishëm për në e për rajonin në tërësi. Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të shkëlqyera prej shumë vitesh e do të ngelin të tilla dhe në të ardhmen. Kjo është tashme një traditë e konsoliduar. Por nuk ka pse të spekulohet me këtë fakt e as pse të bëhen lajka të pështirosura. Sot në mëngjes është shkruar në zëdhënësen e Z. Rama, gazetën Shekulli qartësisht: “Qeveria e re vendos që partneri ynë kryesor do jetë Turqia”, shkrim që me tej u zhduk. Në Facebook u shkrua se “Turqia është partneri strategjik i ynë”, dhe me vone u transformua në formulën e përgjithshme: “Turqia partner strategjik”. Duhet të jemi serioze e të mos konfondojmë terminologji shumë të rëndësishme diplomatike!”,- shkruan Shehu në profilin e tij në Facebook.

Të tilla veprime thotë ai janë amatoreske, fëmijërore, dhe nuk i kanë hije politikes së jashtme të një shteti serioz. “Këto janë elemente të mirë përcaktuar prej vitesh, te palëkundshme. Në nivelin e përgjithshëm të politikave globale, për rajonin e shumë më tej partneri ynë madhor janë ShBA. Nga ana tjetër partneri ynë strategjik kryesor, porta jonë e integrimit evropian, aleati ynë i madh historik, donatori kryesor publik për në, është Italia. Askush nuk mund ta zëvendësojë rolin e saj në zhvillimin tonë ekonomik, social, politik, në ecurinë tonë drejt perëndimit. Këtë duhet ta themi me zë të lartë, hapur e qartë, pa tentuar të bëjmë servilizma infantile ndaj të tjerëve, qofshin këta dhe miq të rëndësishëm për ne.

Po kështu Greqia përbën një partner tjetër shumë të rëndësishëm strategjik, që ka sot peshën kryesore në investimet private në Shqipëri. Për ne është një avantazh i madh, që dy nga fqinjët tanë, Italia e Greqia, janë anëtarë të BE e NATO-s.

Miqësitë apo rëndësia e këtyre vendeve për në, nuk i bëjnë hije aspak marrëdhënieve tona shumë të rëndësishme me Turqinë mike. Gjithsecili ka vendin e tij. Lodrat e lajkat fëminore të bëjnë veçse të  pabesueshëm tek të gjithë”, – shkruan Tritan Shehu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency