Zgjedhja e Bashës në krye të PD-së, nga dorëheqja e Berishës tek premtimet e opozitës së re

0
165

Qëndrimet brenda selisë blu për garën e PD-së, reagimet ndaj Patozit

 

Kryetari-i-ri-i-PD-Lulzim-Basha-duke-folur-gjate-nje-konference-shtypi-300x232“Duke marrë përgjegjësitë, që vërtet më takojnë, me një vendim të prerë kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e PD-së, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj”. Kjo ishte deklarata surprizuese e kryeministrit të vendit dhe njëkohësisht liderit historik të së djathtës Sali Berisha në 26 qershor, deklaratë e cila la shenja të forta hidhërimi tek kampi blu dhe u shoqërua me jo pak habi në fushën e kundërshtarit politik. Në te njëjtën kohë, ky gjest demokratik, shënoi edhe nisjen e garës brenda radhëve të selisë blu për pasardhësin e Berishës. Figura me poste të lartë në Partinë Demokratike  si Jozefina Topalli apo edhe sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode bënë të ditur se nuk do të ishin pjesë e garës. Ndërkohë në ambientin e selisë blu dhe në atë mediatik u përfolën edhe emrat më të mundshëm për të kandiduar në këtë garë, midis tyre edhe dy kandidatët zyrtarë Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Ishte ky i fundit që theu akullin i pari dhe bëri të ditur kandidimin e tij më 2 korrik në një konferencë nga selia e PD-së, ku vuri theksin në platformën e tij tek fillimi i ri dhe rikthimi i sa më parë i së djathtës në pushtet. Një ditë më vonë do të ishte kryebashkiaku i Tiranës ai që do të bënte të ditur kandidimin e tij. Basha e vlerësoi si të pamundur zëvendësimin e liderit të PD-së, Sali Berisha, por nga ana tjetër ai bëri të ditur se PD është një trashëgimi e vyer dhe sipas tij nevojitej një ringritje me qëllim arritjen e fitores që në zgjedhjet vendore.

Gara

Krejt ndryshe nga sa ishte pretenduar, që në nisje të takimeve elektorale të kandidatëve me bazën në të gjitha qarqet e rrethet e vendit, u duk qartë se gara ishte me rivalitet të fortë. Parimi “një anëtar-një votë” i dha më shumë realitet garës mes Bashës dhe Olldashit. Anëtarësia e PD-së ishte ajo që kishte në dorë fatin e dy kandidatëve. Në platformën e tij për drejtimin e forcës më të madhe politike në vend, Lulzim Basha u përqendrua tek opozita e fortë dhe ballore ndaj mazhorancës së re, dhënia e më shumë përgjegjësive anëtarëve dhe militantëve të thjeshtë si edhe mbrojtja e administratës nga pushimet nga puna në mënyrë të jashtëligjshme. Po ashtu Basha bëri të ditur se pjesë e platformës së tij ishte edhe analiza e thellë e situatës ku ndodhej partia dhe si edhe analizimi i të gjithë faktorëve që çuan PD-në në humbjen e 23 qershorit. Nga ana tjetër, kandidati Olldashi e përqendroi platformën e tij tek sulmi frontal ndaj mazhorancë së re PS-LSI. Po ashtu si Basha, edhe ai premtoi ringritjen e partisë duke rritur vëmendjen ndaj militantit dhe anëtarësisë. Pas thuajse tre javësh fushatë, në 22 korrik u ftuan më shumë se 100 mijë anëtarë të PD-së për të votuar për kreun e ri të kësaj force. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit, rezultoi se Basha kishte fituar 80.38 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 19.61 % të votave kishin shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi. Në këto zgjedhje votuan më shumë se 41 mijë anëtarë. Në fjalën e tij pas fitores, Basha krahas falënderimit për të gjithë mbështetësi, nuk nguroi të falënderonte  edhe rivalin e tij në garë Sokol Olldashi. “Në këtë garë të parën të vërtetë, ne demokratet ju dëshmuam qytetarëve se jemi përfaqësuesit më të denjë të lirisë, demokracisë e dinjitetit. Falënderoj Sokol Olldashin, në këtë garë, gjë që tregoi vlerat e patjetërsueshme dhe unike të PD. Ishin dy kandidatë që shpalosëm vizionet para gjithë demokratëve. Ne nuk harrojmë, që jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familjeje, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë” , përcolli mesazhin e tij të parë si kryetar i PD-së Lulzim Basha. Po ashtu ai bëri të ditur edhe themelet mbi të cilat do të mbështetet në ringritjen e PD-së dhe rikthimin e saj në pushtet.  “Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri do të jap gjithçka me vendosmëri absolute dhe përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve dhe militantëve të PD. Do mbështetem te vizioni i themeluesve, Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, te energjia e pamatë e militantëve dhe anëtarëve, te përvoja e drejtuesve sot e ndër vite, te pasuria e vlerave të lidershipit historik, Sali Berishës”.

Qëndrimet

Jo vetëm gara ishte e nxehtë dhe me rivalitet. Fill pas përfundimit të saj dhe zgjedhjes së kreut të ri, erdhën reagimet e para brenda PD-së. Ishte kandidati rival Sokol Olldashi ai që e cilësoi garën si të deformuar, duke shprehur shqetësimin për anëtarët që sipas tij nuk kishin mundur të votonin në 22 korrik. Nga ana tjetër, ai nuk nguroi të bënte të ditur se,: “Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi”. Ndërkohë që një pjesë e madhe e deputetëve aktuale të PD-së mbështetën zgjedhjen e Bashës në krye të selisë blu, duke shprehur urimet e tyre. “Kjo ishte një garë ku partia demokratike shpalos vlerat e saj më të mira. Uroj Zotin Basha për detyrën e re dhe shpreh bindjen që do ta udhëheqë Partinë demokratike në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme”, do të shprehej ish-kreu i PD-së, deputeti i zgjedhur i kësaj force në qarkun e Elbasanit Eduard Selami. Në të njejtën linjë, edhe një tjetër figurë e rëndësishme brena së djathtës, Kryeparlamentarja aktuale Jozefina Topalli shprehu vlerësimet për garën mes kandidatëve, duke bërë të ditur dëshirën që kreu i ri të rikthejë PD-në sa më parë në pushtet. “Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proces emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores!”. Por në mes këtyre qëndrimeve, deklarata që do të sillte më shumë reagime do të ishte ajo e ish-kryetarit të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi. Ky i fundit e cilësoi garën mes Bashës dhe Olldashit si jo korrekte, pasi sipas tij fituesi ishte i përcaktuar. Ndërkohë sipas tij, zgjesdhja e Bashës në krye të PD-së ishte legjitime. “Por ai është legjitim për një arsye sepse duke qenë i paracaktuar, duke qenë i përzgjedhur, ai do të fitonte ndaj cdo rivali sepse ishte parapëlqim i Sali Berishës dhe Berisha është një figurë shumë e vlerësuar dhe shumë e respektuar pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen nga PD. Është legjitim sepse Lulzim Basha vetë është një rival i denjë për atë garë. Kush ishte elementi i garës në PD? Që rivalët ishin të denjë për të rivalizuar njëri-tjetrin, për të shpallur platformën dhe për t’i dhënë mundësinë lirisht demokratëve që të zgjidhnin njërin”. Vetëm një ditë pas qëndrimit të Patozit, kreu i ri i PD-së reagoi duke theksuar se në forcën politike që ai drejton çdo anëtar dhe drejtues i saj mund të thotë atë që mendon. Nga ana tjetër, ai pohoi se në zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kishin marrë pjesë 41 mijë anëtarë, të cilët sipas tij ishin shprehur qartë. “Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime, por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe nëpërmjet PD, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi maxhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit”. Por ky nuk ishte i vetmi reagim ndaj deklaratave të Astrit Patozit. Një pjesë e mirë e deputetëve aktualë të PD-së si edhe atyre që nuk do të jenë më në Kuvendin e Shqipërisë shprehën hapur kundërshtinë e tyre ndaj qëndrimeve të ish-kreut të grupit parlamentar demokrat. “Sado mall e pare të kesh vënë, nuk ka mjerim më të madh se të bëhesh ekzaktësisht si ata që ke sharë…Marr shkas nga statuset, komentet, shpërthimet në FB për t’Ju thënë të gjithëve që duhet të jemi krenarë për garën e vërtetë që u zhvillua për herë të parë në një parti politike në Shqipëri! E vërtetë, me të gjitha elementet që përkufizojnë garën: emocionin, tensionin, lodhjen, debatin, kënaqësinë për fitoren, apo hidhëtinë e humbjes…. Kjo është gara, këta jemi ne, demokratët! Njerëz të vërtetë e të lirë, e për këtë duhet të jemi veç krenarë!”- ka theksuar dy ditë më parë deputeti demokrat i qarkut të Durrësit Gent Strazimiri. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-deputetja Arenca Trashani, e cila akuzoi Astrit Patozin se ki marrë shumë nga PD-ja “Nuk u habita as edhe një fije… Ka njerëz të cilët, pasi kanë marrë shumë nga PD-ja, tamam si ndonjë paraardhës i tyre, mirënjohja i kthehet në urrejtje për PD-në. E kështu, gjëja e parë që dinë të bëjnë në opozitë është të sulmojnë PD-në, pa nxjerrë hala as edhe një fjalë për kundërshtarin”. Në këtë vorbull reagimesh nuk munguan edhe ato që kërkonin më shumë angazhim brenda së djathtës për evidentimin e anëtarëve. Procesi i sotëm nuk është fundi por fillimi i një procesi te gjatë e serioz, ku së pari duhet të evidentohen të gjithë anëtaret e vërtetë të PD e të mblidhen copat e shpërndara të gjithë shtresave vitale te PD. Ne kemi nevojë për anëtarësi reale, jo thjesht emra që nuk kanë asnjë lidhje reale me anëtarësinë, sepse do jenë ato që do përkthejnë aksionin tonë opozitar në çdo cep të Shqipërisë”. Gjitrhashtu për garën në PD janë shprehur edhe aleatët e kësaj force, pjesë e grupit parlamentar të selisë blu. Në një intervistë për standard, kreu i LZHK-së Dashamir Shehu pohoi dy ditë më parë se diferenca e thellë në rezultat mes kandidatëve nuk lë vend për dyshime. “Do të thosha që procesi pati diçka pozitive dhe që të paktën për herë të parë u bë garë. Ajo mund të mos ketë qenë gara më e mirë e botës, por si gara e parë që është bërë në PD, gjykoj që pati elemente pozitive dhe krijoi në parti një ndjesi që ka munguar prej kohësh. Nga kjo pikëpamje do ta konsideroja pozitive. E dyta pastaj rezultati që doli sigurisht që edhe përtej kontestimeve që mund të ketë e legjitimojnë në mënyrë të padiskutuar dhe sjelljen, sepse po të ishin aty-aty, do të kishte dhe kontestime dhe pakënaqësi, do të kishte dhe hapësirën e vet për t’u diskutuar. Në fakt diferenca ka qenë shumë e madhe dhe kjo bën që t’i japësh Bashës të gjithë meritat dhe xhaketa e kryetarit i ri tamam”. Ndërkohë i pyetur dje nga gazeta, deputeti i qarkut të Tiranës, Kastriot Islami tha se brenda PD-së është i domosdoshëm solidarizimi. Sipas tij në mbledhjen e parë të grupit parlamentar do të përcaktohen edhe objektivat e opozitës së re në jetën parlamentare që pritet të nisë në fillim të shtatorit. “Presim të mblidhet grupi për të vendosur objektivat e opozitarizmit në parlament, duhet një solidarizim i brendshëm në PD”.

 

Premtimet e Bashës

Anëtarësia

“Zëri i anëtarit, do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj, duke e bërë selinë blu forcën më demokratike në vend dhe ku çdo anëtari të thjeshtë do t’i dëgjohet zëri dhe opinioni i tij. Çdo anëtar i Partisë Demokratike që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do t’i rikthejmë pushtetin PD-së”

Administrata

“Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast t’u ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për t’i rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri”

Analiza e Zgjedhjeve

“Në vullnetin tim personal sot dhe në besimin tuaj në vullnetin tim si kryetar i ri i Partisë Demokratike, që gjëja më e rëndësishme që duhet bërë dhe do të bëhet është analiza e plotë me përfshirjen e çdo anëtari të PD-së, e zgjedhjeve jo për të bërë koka turku, as për gjueti shtrigash, dhe as për të larë duart nga përgjegjësitë, por për të parë sy me sy njëri-tjetrin, çfarë gabimesh bëmë në mënyrë që në bazë të këtyre gabimeve të sigurojmë anëtarësinë e plotë të PD-së dhe mbështetësit tanë se do të mësojmë prej tyre”

Opozitarizmi

“Krahas ngritjes së zërit dhe qëndrimit të fortë për çdo çështje ne na lind sot detyra para kësaj mazhorance të zhbërë nga pesha e mashtrimit, e vjedhjes së votave në Lezhë e kudo tjetër, e shitblerjes së votave e kudo tjetër, që të përballemi me ta jo vetëm nëpërmjet instrumenteve normale të çdo opozite por t’i ofrojmë sot gatishmërinë tonë dhe platformën tonë për t’u kthyer një orë e më parë si forcë qeverisëse e gjithë Shqipërisë”

 

Reagimet për Patozin

Lulzim Basha

“Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime, por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe nëpërmjet PD, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi maxhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit”

Gent Strazmiri

“Sado mall e pare të kesh vënë, nuk ka mjerim më të madh se të bëhesh ekzaktësisht si ata që ke sharë…Marr shkas nga statuset, komentet, shpërthimet në FB për t’Ju thënë të gjithëve që duhet të jemi krenarë për garën e vërtetë që u zhvillua për herë të parë në një parti politike në Shqipëri! E vërtetë, me të gjitha elementet që përkufizojnë garën: emocionin, tensionin, lodhjen, debatin, kënaqësinë për fitoren, apo hidhëtinë e humbjes…. Kjo është gara, këta jemi ne, demokratët! Njerëz të vërtetë e të lirë, e për këtë duhet të jemi veç krenarë!”

Arenca Trashani

“Nuk u habita as edhe një fije… Ka njerëz të cilët, pasi kanë marrë shumë nga PD-ja, tamam si ndonjë paraardhës i tyre, mirënjohja i kthehet në urrejtje për PD-në. E kështu, gjëja e parë që dinë të bëjnë në opozitë është të sulmojnë PD-në, pa nxjerrë hala as edhe një fjalë për kundërshtarin”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency