Vendimi / Tentoi të vrasë dhëndërrin se i ndau vajzën, dënohet 16 vjet burg

0
150

Sonja Caka

I pandehuri Bajram Çejku akuzohet për krim për hakmarrje, tentoi të vrasë Bajraktarin se i la vajzën për të marrë grua të dytë

 

76204Tentativa për të vrarë ish-dhëndërrin në shenjë hakmarrje se i la vajzën do t’i kushtojë rreth 11 vite burg Bajram Çejkut. I pandehuri u dënua me 16 vite burg nga Gjykata e Tiranës, por që do t’i duhet të vuajë përfundimisht vetëm 10 vite e 9 muaj burg, pasi ka kërkuar që në fillim të procesit të aplikohet gjykimi i shkurtuar ndaj tij, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e një të tretës së dënimit. Ndërkohë që, pas tërheqjes së të dëmtuarit tjetër, Edmir Velaj, gjykata pushoi akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”, ndaj këtij personi, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në lavazhin ku ishte edhe Xhevair Bajraktari.

Akuza

“Më datën 27 prill 2013 rreth orës 08:00 në vendin e quajtur rruga dytësore në krah të autostradës Tiranë – Durrës, Bajram Çejku ka tentuar të vrasë me armë zjarri Xhevair Bajraktarin. Nga pyetja e deklaruesve rezulton se i dëmtuari Bajraktari ka qenë i martuar me shtetasen Th. Bajraktari, e bija e të pandehurit Bajram Çejku, prej 17 vjetësh dhe nga martesa kishin 3 fëmijë. Para disa vjetësh bashkëshortja ka vuajtur nga një sëmundje, konkretisht nga migrena, dhe marrëdhëniet në familje me bashkëshortin ishin vështirësuar. Ky i fundit i kishte thënë se meqenëse kjo nuk ishte më në gjendje të kujdesej për fëmijët edhe për shtëpinë, do të merrte një grua të dytë. Këtë bisedë, Bajraktari e bëri fakt të kryer dhe nusen e dytë e sjell në banesë para pesë vitesh. Në këto kushte, bashkëshortja Th.Bajraktari nuk ka folur më me bashkëshortin e saj dhe de fakto ajo bashkë me fëmijët jetonte në kat të parë kurse bashkëshorti Xhevir me bashkëjetuesen N.D jetonin në katin e dytë. Me kalimin e kohës marrëdhëniet në familje u acaruan dhe familja e Bajramit po njihte për grua bashkëjetuesen e tij N.D., këto marrëdhënie erdhën duke u acaruar edhe më shumë tri javë para ngjarjes, ku vjehrra dhe vetë Bajraktari nuk e lejonin atë të qëndronte në shtëpi dhe nuk e lejonin më të jetonte me fëmijët e saj. Në këto kushte Th. Bajraktari, është larguar nga shtëpia e bashkëshortit dhe ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj ku të gjithë së bashkë kanë vendosur se do ta vënë në vend këtë padrejtësi dhe do të marrin hak”, thuhet në dosjen e të pandehurit.

Ngjarja

Pas situatës së krijuar dhe kthimit të vajzës me tri fëmijët në shtëpi, Bajram Çejku vendos të hakmerret ndaj dhëndërrit të tij. Ngjarja për të cilën u dënua ka ndodhur në Tiranë në prill të vitit të kaluar, në orët e mëngjesit. Sipas akuzës, vjehrri ka qëlluar me pushkë në drejtim të ish-dhëndrit të tij, duke dashur ta vrasë atë. Plumbat kanë përshkuar trupin e 50-vjeçarit Xhevahir Bajraktari, i cili ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa në këtë ngjarje është plagosur lehtë në dorë edhe një 35-vjeçar, punonjës i lavazhit. Shkak i kësaj ngjarjeje brenda rrethit familjar ka qenë ndarja e të plagosurit Xhevahir Bajraktari me vajzën e autorit të krimit, të pandehurit Bajram Çejku. Kthimi i vazjës në shtëpi dhe zëvendësimi i saj me një grua tjetër nga dhëndërri kanë bërë që Bajram Çejku, gjatë paradites së ditës së ngjarjes të shkojë me furgonin e tij në ambientet e një karburanti dhe lavazhi, ku është i punësuar ish-dhëndri Xhevahir Bajraktari. Pasi ka qëndruar disa minuta brenda furgonit, Çejku ka parë Bajraktarin dhe menjëherë ka marrë armën dhe ka dalë jashtë furgonit. Është afruar disa metra dhe ka qëlluar me kallashnikov disa herë, ku si rezultat i plumbave ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Xhevahir Bajraktari dhe shoku i tij i punës, shtetasi 35-vjeçar Edmir Velaj.

Vendimi

I pandehuri Bajram Çejku akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë ndaj të dëmtuarit Xhevahir Bajraktari. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 20 vite burg për këtë akuzë, si dhe për atë të “armëmbajtjes për leje”. Avokati i të pandehurit kërkoi nga gjykata një dënim më të butë për klientin e tij. Pasi dëgjoi palët dhe vetë të pandehurin, gjykata vendosi ta dënojë me 16 vite burg dhe pas aplikimit të shkurtuar, përfundimisht me 10 vjet e 8 muaj burg.

 

Korçë

Digjet me benzinë makina e kreut të Drejtorisë Arsimore

Makina e kreut të Drejtorisë Arsimore të Korçës është djegur gjattë orëve të vona të natës në këtë qytet. Sipas burimeve policore, makina e djegur me benzinë i përket shtetasit Kristaq Grabocka. Ngjarja është regjistruar pas mesnate duke u gdhirë dita e djeshme, në lagjen nr.3 të qytetit të qytetit të Korçës. Automjeti tip ‘Nissan Almera’ me targë AA 050 CS në momentin e ngjarjes ka qenë i parkuar jashtë një lokali, ndërsa persona të paidentifikuar për policinë kanë thyer xhamin e pasëm të automjetit dhe më pas kanë hedhur në sediljen e pasme një shishe me benzinë duke i vënë flakën dhe duke e djegur atë pjesërisht. Nga hetimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimtë. Mësohet se ngjarja ka qenë e paralajmëruar pasi një javë më parë automjeti i kreut të Drejtorisë Arsimore në Korçë është sulmuar sërish nga persona të paidentifikuar duke i çarë gomat, rast ky i denoncuar në polici. Aktualisht policia bën me dije se ka shoqëruar pesë persona por ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen, ndërsa pista kryesore mbetet ajo “për shkak të detyrës”. Pas ngjarjes ka reaguar edhe vetë kreu i Drejtorisë Arsimore, i cili është shprehur se nuk ka konflikte dhe dyshon se ngjarja ka lidhje me detyrën. Ai konfirmoi gjithashtu se automjeti i tij brenda dhjetë ditësh është sulmuar dy herë nga persona të paidentifikuar ndërsa në të dyja rastet ka denoncuar në polici. Për Grabockën ngjarja e dytë është serioze dhe ka apeluar policinë për zbardhjen e ngjarjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency