Kosovë-Shqipëri, shumë “show” për pak gjë…..

0
176

Ervin Kaduku

Përtej takimeve të qeverive, të destinuara për të bërë efekt mediatik, shkëmbimet ekonomike midis dy tregjeve më të mëdha shqipfolëse në Ballkan rezulton të kenë pësuar një stepje në fund të vitit të kaluar

 

leshPërtej “show”-t me takime qeveritare në Prizren, në fakt raportet ekonomike Shqipëri-Kosovë mbeten në vendnumëro. Jo vetëm kaq; eksportet tona drejt Kosovës rezulton të kenë shënuar për herë të parë ulje që nga viti 2009.

Në fakt, marrëdhëniet ekonomike mes dy tregjeve më të mëdha shqipfolëse në Ballkan kanë ardhur në rritje në afatgjatë. Shifrat zyrtare të tregtisë flasin për shtim të volumeve tregtare, të paktën deri në fund të vitit 2012. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, volumi tregtar me Kosovën u rrit 3% gjatë vitit 2012, duke arritur në 17.4 miliardë lekë. Ritme rritje shënojnë si importet edhe eksportet drejt këtij tregu. Deri në këtë periudhë, ecuria është e mirë. Por, pesha e kësaj tregtie, nuk i justifikon marrëdhëniet vëllazërore që pretendojnë qeveritë e dy vendeve.

 

Pesha e tregtisë

Sipas INSTAT-it, në eksportet tona jashtë, Kosova zë vetëm 8% të tyre. Një peshë e përkeqësuar më tej gjatë vitit që sapo mbyllëm, ku pesha e tyre zbriti në gati 7%. Të dhënat paraprake të 2013-s flasin për një stepje të tregtisë me Kosovën, pasi vëllimi tregtar (të dhënat zyrtare për 11 muaj) ishte njësoj sa një vit më parë, 21 miliardë lekë. Shifrat tregojnë faktin e pakundërshtueshëm që pengesat e qeverive japin efektin e tyre. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria kosovare zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë. Kostot e rritura bënë që eksporti i materialeve të ndërtimit (kryesisht tulla e tjegulla) të bllokohet pothuajse tërësisht. Asllan Bare, administratori i një prej kompanive më të madhe prodhuese të tullave, tregon për revistën “Monitor” se dërgesat nga fabrika e tij në Kosovë zbritën nga 20 në 1 kamion në ditë, për një periudhë prej më shumë se një muaj.

Vlerësohet të jetë pikërisht periudha e gushtit, e cila bëri që eksportet tona drejt Kosovës të zbresin për herë të parë që nga viti 2009. Sipas INSTAT, vlera e këtyre eksporteve ra 7%, ndërkohë që eksportet tona në total u rritën gati 16%.

Në të njëjtën periudhë, importet nga Kosova shënuan rritje me 17%.

Në total, tregtia jonë me Kosovën është sa vetëm 3.5 e totalit të shkëmbimeve tona tregtare me jashtë.

 

 

 Investimet shqiptare në Kosovë, ndër të fundit

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, tregu kosovar u pa me interes nga sipërmarrësit shqiptarë. Bizneset e para që mbërritën ishin ato të shërbimeve: banka e kompani sigurimesh, të ndjekura nga kompanitë e tregtimit të karburanteve. Një vend në zhvillim si Kosova do të ishte e “i etur” për ndërtime, e kjo nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e ndërtuesve shqiptarë. Por, sot, kur po bëhen pesë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duket se sipërmarrës të vende të tjera kanë ecur më shpejt për të “mbërritur” në tregun kosovar. Bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), investimet e huaja në Kosovë arrijnë në total në gati 1.4 miliardë euro. Në shpërndarjen e kësaj vlere mes vendeve investitore, Shqipëria renditet ndër të fundit. Siç vërehet edhe nga grafiku, investimet shqiptare të bëra në mënyrë private, janë rreth 100 milionë euro, pak më shumë se investimet holandeze. Sipas bankës, investitorët kryesorë në Kosovë janë gjermanët e sllovenët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency