Gëzim Saliu
Më 31 korrik Kolegji Zgjedhor do të marrë në shytim ankimimet e PD-së dhe PS-së për Lezhën
Ankimimi i rrallë i PPKD-së në Kolegj: Pavlefshmëri të zgjedhjeve në të gjithë qarqet
Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, certifikimi i rezultatit përfundimtar dhe rrjedhimisht “ligjërimi” i qeverisë së re duket se do të kërkojë ende kohë. Pas përmbylljes së rinumërimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kutive të Lezhës dhe Shkodrës, si edhe marrjes së vendimeve nga ana e Kolegjit Zgjedhor për qarkun e Kukësit, janë ende dy ankimime të cilat mbajnë “peng” zgjedhjet. Qarku i Lezhës mbetet sërish molla sherrit mes palëve, ku nga njëra anë Partia Socialiste kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e garës për të gjithë qarkun e ndërsa Partia demokratike kërkon rinumërimin e 10 kutive të votimit në Qarkun Lezhë, tabelat e rezultateve të së cilave kanë pasur manipulime si edhe miratimin e tabelave të të gjitha kutive të rinumëruara nga KQZ. Po ashtu pjesë e animimeve, është edhe ai i bërë nga Partia Popullore Kristian Demokrate në Kolegj, e cila kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në të gjitha qarqet.
Ankimimet
Duke marrë si prova parregullsitë në 6 qendra votimi në Mamurras, Partia Socialiste kërkon në Kolegj rivotim në të gjithë qarkun e Lezhës, pasi sipas saj, cenimi i zgjedhjeve në këto QV çon automatikisht në ripërsëritjen e procesit në këtë qark. Numri i zgjedhësve, që kanë votuar në këto 6 qendra votimi është 2385, një numër që tejkalon votat e domosdoshme për një mandat deputeti. Po ashtu në kërkesën e saj dërguar në Kolegj, PS rëndit edhe dy arsye lidhur me manipulimin e rezultatit, vrasja e Laçit, e cila sipas socialistëve intimidoi votuesit, dhe votimi në dy qendra votimi të këtij qarku, në emër të shtetasve të huaj që nuk kanë qenë në territorin e Shqipërisë në 23 qershor. “Theksojmë se numri i zgjedhësve që kanë votuar në këto 6 QV është 2385 zgjedhës, shumë herë më i madh se numri i nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore qarku Lezhë. Kujtojmë që numri i nevojshëm për caktimin e një mandati në këtë zonë zgjedhore është të paktën 20 vota”, thuhej në kërkesën e PS-së. Ndërkohë që në kërkesën ankimore të PD-së nënvizohet fakti i parregullsive që kanë ndodhur në zonat zgjedhore të qarkut Lezhë, manipulime të dala kryesisht nga rinumërimi i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Partia Demokratike kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të të gjitha qendrave të votimit në Lezhë. Praktikisht të njëjtat fletë që u panë në KQZ dhe u rinumëruan e rivlerësuan, t’i rivlerësojë e rinumërojë Kolegji, e t’i fusë në rezultat”, theksohej në kërkesën e PD-së. I mbetet Kolegjit Zgjedhor të vendosë për animimet e palëve, vendim i i cili ndikon drejtpërdrejtë edhe në certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nëse në mbledhjen e ditës së fundit të korrikut në Kolegj, rrëzohet kërkesa e PS për Lezhën, pritet të miratohet ndarje aktuale e mandateve nga ky organ dhe rrjedhimisht brenda ditëve të para të gushtit mund të vendoset edhe për rezultatin final. Ndërkohë nëse kërkesa e socialistëve për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës aprovohet nga Kolegji, rezultati përfundimtar dhe certifikimi i zgjedhjeve pritet të shpallet me shumë mundësi vetëm në fund të muajit gusht. Sipas vendimit të fundit të Kolegjit, i cili hodhi poshtë rinumërimin e KQZ-së për Lezhën, ku sipas të cilit PD rriti diferencën me të majtët nga 39 vota që ishte në 740 vota, ky qark është i ndarë në 4 mandate për koalicionin e djathtë dhe vetëm 3 mandate për koalicionin e majtë.
Ndarja në mandate mes koalicioneve në rang kombëtar
83 mandate ka Aleanca për Shqipërinë Europiane
57 mandate ka Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim
39 vota- ndajnë PD nga PS për mandatin e katërt
41 ankimime- të subjekteve politike që garuan në 23 qershor janë marrë në shqyrtim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Berisha: Mirënjohje për shqiptarin dhe atdhetarin Antony Athanas
Kryeministri Berisha ka lënë dje mënjanë politikën, duke i kushtuar vëmendje shqiptarit me famë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anthony Athanas. Nisur nga fakti se restoranti i drejtuar prej tij do të ulë flamurin këto ditë, siç bën të ditur kryeministri, pas 50 vite aktivitet, Berisha shpreh vlerësimin e tij për këtë figurë përfaqësuese të shqiptarëve. Te dashur miq, admiralja e suksesit te biznesit shqiptaro-amerikan, restoranti legjendar Antony’s Pier 4 ne Boston, njeri prej 3-4 restoranteve me te famshëm ne SHBA, do te ule këto dite pas 50 vite jete flamurin e saj “Pier 4” e Anthony Athanas kanë pritur me bujarinë shqiptare, artin e kuzhinës së tij magjike, njerëzit më të famshëm të kohës: Presidentë të SHBA-së dhe vendeve te tjera JF.Kenedi, R.Nikson etj; udhëheqës fetarë si Papa Pali IV etj; yjet më të famshme të Hollivudit si Liz Taylor Liza Minelli e Anthony Quinn etj gjeni te letrave si Alfred Hitchcock, kampione botërore te boksit, atletikes dhe sporteve te tjera, diva te bukurisë, këngës, showbizit dhe biznesit amerikan dhe botëror. Po ai ka pritur dhe ndihmuar shumë e shumë emigrantë shqiptarë si dhe zyrtarët më të lartë të vendit tonë. Është një moment për të shprehur mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për shqiptarin e madh, atdhetarin e flaktë Anthony Athanas dhe familjen e tij qe ngritën ne zenitin e suksesit dhe lartësuan me dinjitet gjeninë e biznesit shqiptar ne SHBA. Le t’ju urojme djemve te tij qe te tejkalojnë ne sukses atin e tyre legjendar!”, përfundoi komentin e tij në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë Sali Berisha.
Paralajmërimi i KQZ
Komisionerët që manipuluan në Lezhë në ndjekje penale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur dy ditë më parë se do të dërgojë në Prokurori për ndjekje penale komisionerët PD-së, PS-së, LSI-së dhe PR-së të KZAZ-së Nr. 13, në qarkun e Lezhës si edhe anëtarët e 10-të grupeve të numërimit në Lezhë, tabelat e të cilëve rezultuan se ishin të falsifikuara në favor të Partisë Socialiste. Sipas KQZ-së, nga rinumërimi i kutive të qarkut të Lezhës shërbeu jo vetëm për transparencën e nevojshme por edhe për të shprehur sigurinë e institucionit më të lartë zgjedhor për ndëshkimin e kujtdo që manipuloi votat në 23 qershor. “Ndërmarrja e thellimit të hetimit administrativ dha impakt jo vetëm sa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit, çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar. Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZ-së do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për çdo komisioner që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!”, bëri të ditur KQZ-ja. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri deklaroi dje për gazetën se me këtë procedurë po merret administrata e institucionit më të lartë të administrimit zgjedhor.