Policia arreston katër shqiptarë dhe sekuestron sasinë e drogën mbi 1 ton
Mbi një tonelatë marijuanë e sekuestruar, katër shqiptarë të arrestuar dhe të paktën dy shqiptarë të tjerë në kërkim pas një operacioni mbrëmë natën në ujërat e Otrantos të policisë italiane. Pikërisht pak pas mesnatës u pikas duke iu afruar bregut një motoskaf i dyshimtë. Po i drejtohej bregut me shpejtësi të madhe. Motoskafi u pikas rreth orës 23:00 nga një avion islandez gjatë operacionit ndërkombëtar “Aeneas 2013”, promovuar nga agjencia evropiane, Frontex, në lokalitetin e Frassanitos, në veri të Otrantos. I vërejtur nga sipër, me gjithë errësirën, u dyshua se ishte ngarkesë lëndësh narkotike. Motoskafi u mbajt nën kontroll deri në breg, aty ku gjithçka u bë më e qartë, teksa skafistët afër zonës Conca Specchiulla nisën të shkarkonin sasi të ndryshme nëpër çanta, njëra pas tjetrës, ndërsa policia ishte fshehur në shkurre. Pasi menduan se puna mbaroi, skafistët rimorën gjirin. Ndërkohë, aeroplani dhe një roje bregdetare kishin dërguar në zonë një anije shumë të shpejtë të seksionit operativ detar të Otrantos.
Braktisja e skafit
Ushtarakët e shquan motoskafin, kur ai po i largohej policisë financiare. Të kapur në befasi, skafistët kanë ndryshuar shpejt drejtim, duke u larguar me shpejtësi të madhe drejt bregut salentin për ta braktisur më pas motoskafin dhe për të ikur në këmbë. Ndërkohë, në tokë patrullat e seksionit detar bashkë me ushtarakë të tjerë të policisë financiare të Otrantos gjetën drogën e fshehur në 37 çanta.
8 milionë euro
Dhe brenda 1104 kg marijuanë me vlerë 8 milionë euro. Një nga shqiptarët ishte lënë të ruante çantat, por ai ra në pranga i pari. Kërkimet për dy të arratisurit vijuan deri afër mëngjesit. Ndërsa tre shqiptarë të tjerë u arrestuan gjatë rrugës. Të gjithë nga mosha 25-40 vjeç, të cilët kanë deklaruar se janë nga Vlora. Por në apel mungonin dy prej tyre. Asnjë prej trafikantëve nuk kishte dokumente. Të gjithë kanë lëshuar të dhëna vetjake, të cilat po verifikohen nga autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare. Dyshohet se mund të mos jenë reale. Hetimet vijojnë për të zbuluar edhe se kush ishte destinacioni i marijuanës. Trafiku nga të dy anët e kanalit të Otrantos vijon. Mjafton të mendosh që në mbi 6 muaj e gjysmë janë ndaluar drejt brigjeve puljeze 5 ngarkesa, janë arrestuar 13 skafistë dhe janë sekuestruar afërisht 5 ton lëndë e ndaluar.
Vincenzo Magno, 18 vite burg për vrasje
Ishte dënuar në Itali, kapet nga policia e Durrësit, inxhinieri
Një shtetas italian i kërkuar për vrasje është arrestuar dje në qytetin e Durrës. 45-vjeçari Vincenzo Magno ishte dënuar nga drejtësia italiane me 18 vjet e 8 muaj heqje lirie për kryerjen e veprës penale të vrasjes. Vincenzo punonte inxhinier në një mobilieri në Durrës. Arrestimi i tij u bë i mundur falë një operacioni të mirorganizuar të koduar “Mango” të strukturave të Policisë së Shtetit rreth orës 13.30 të ditës së djeshme. 45-vjeçari italian u arrestua pas kërkesës së autoriteteve italiane, pasi ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti i datës 15.03.2013 nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme në Napoli, Itali për krimin, të cilin e ka kryer në shtator të vitit 2000 në Capodrise Itali. “Arrestimi i tij është kryer me qëllim ekstradimi drejt shtetit Italian, për të vuajtur dënimin për krimin për të cilin është deklaruar fajtor nga organet italiane të drejtësisë. Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit me Misionin INTERFORZE të Policisë Italiane në Shqipëri, autoritetet ligjzbatuese Italiane dhe Interpol”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Artur Gjiza vdiq pas disa goditjeve me thikë
Paskuqan, sherri për një borxh të pashlyer, vret me thikë komshiun
Kur ende nuk është shuar jehona e vrasjeve të një pas njëshme në vend, një tjetër ngjarje është regjistruar në zonën e Paskuqanit. Ngjarja ka ndodhur orët e vona pas një grindjeje mes autorit dhe viktimës, të cilit ishin fqinj. Nga burimet policore të pranishme në vendngjarje viktima është Artur Gjiza, 47 vjeç, ndërsa autori është Besim Ndreu. Viktima i qëlluar tri herë me thikë ka humbur jetën në spital nga hemorragjia, ndërsa autori është arrestuar nga policia. Ky i fundit ka reaguar në polici duke pohuar “nuk doja ta vrisja, jemi konfliktuar disa herë dhe sot më lëndoi dhe provokoi”. Banorët kanë parë skenën, e kanë çuar në spital të plagosurin dhe kanë lajmëruar policinë. Në dukje ngjarja është paraqitur si grindje e çastit, por policia dyshon se bëhet fjalë për një konflikt të mëparshëm me grindje të përsëritura, si pasojë e një borxhi financiar. Prokuroria dhe policia e Tiranës kanë nisur hetimet që prej ditës së djeshme dhe se ndaj autorit të krimit është ngritur akuza e vrasjes me dashje.