LSI, Haxhinasto: Progresiviteti dhe shëndetësia falas nuk bëhen për 300 ditë

0
127

Gëzim Saliu

Nënkryetari i LSI-së: Taksimi progresiv tek biznesi i përket së ardhmes, shëndetësia, me kontribute nga qytetarët

 

Ministri-Edmond-HaxhinastoProgresiviteti tek biznesi dhe shëndetësia falas janë reforma që nuk mund të ndërmerren brenda 300 ditëve të para të qeverisjes së majtë. Nënkryetari i LSI-së, njëkohësisht kryesuesi i grupit të punës së kësaj force në hartimin e programit të përbashkët për 300 ditët e para të qeverisjes me socialistët, Edmond Haxhinasto, bëri të ditur dje pikat se ku ndahen dy aleatët e koalicionit të majtë. Kryesisht qëndrimi i kundërt mes PS-së dhe LSI-së është për sistemin shëndetësor, ku forca e drejtuar nga Meta kërkon ruajtjen e sistemit aktual, ku sipas të cilit kontributi shëndetësor të shkonte në një fond të veçantë për shëndetësinë. Ndërsa forca më e madhe e aleancës së majtë, Partia Socialiste kërkon ndryshimin e sistemit shëndetësor, duke e kthyer atë falas. “Reformat e shërbimit shëndetësor janë reforma të cilat kërkojnë një kohë të konsiderueshme për t’u përgatitur dhe detajet e tyre. edhe në rastin kur flasim për një sistem shëndetësor falas, sigurisht do të ketë kontribute nga qytetarët, sepse nuk mund të ketë buxhet shteti, por nuk pati kontribute nga qytetarët. Kështu që ju e kuptoni që në këtë lloj sistemi janë qytetarët ata që duhet të kontribuojnë me taksën e tyre për sistemin shëndetësor. Ne si LSI kemi propozuar që të ruanim sistemin aktual që kontributi shëndetësor të shkonte në një fond të veçantë për shëndetësinë, ndërsa propozimi i PS-së është që kontributi për shërbimin shëndetësor të jetë pjesë e taksës së përgjithshme që paguan çdo qytetar i Shqipërisë, pra duke mos e quajtur atë taksë për shërbimin shëndetësor”, – tha Haxhinasto, duke shtuar se në negociatat me PS-në, LSI-ja do të përpiqet ti konvergojë propozimet e palëve.

Taksimi progresiv

Sa i përket sistemit të ri të taksimit në vend dhe mundësisë së aplikimit të progresivitetit në 300 ditët e para të qeverisjes së majtë, nënkryetari i LSI-së tha se deri më tani palët janë në fazën e një mirëkuptimi që sistemi fiskal ka nevojë për një konsolidim. “Me qëllim që me këto politika që ne kemi aktualisht, me këtë sistem që ne kemi aktualisht dhe me ndërhyrjet e tjera që ne propozojmë të realizojmë një nxitje më të madhe për të pasur një rritje ekonomike dhe më pas të përpunojmë në detaje të gjithë planin tonë për të vendosur një progresivitet, jo vetëm tek të ardhurat por edhe tek biznesi. Kjo është diçka që i takon së ardhshmes”, – tha deputeti i LSI-së. Më tej ai bëri të ditur se LSI ka pasur progresivitet në programin e saj, veçanërisht për sa i takon tatimit mbi të ardhurat. “Për sa i takon kohës se kur do të realizohet kjo është për tu vendosur dhe do të jetë një nga pikat që do të vendoset me programin e ri. Akoma nuk është vendosur”, – deklaroi Haxhinasto. Taksimi progresiv ishte një ndër pikat kryesore të programit të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa progresiviteti tek të ardhurat personale duket si një ndër hapat e parë që do të ndërmerret nga qeveria e re, mbetet ende e paqartë situata për sipërmarrjet e mëdha. Edhe vetë kreu socialist ka shfaqur jo pak dyzime në këtë aspekt. Në fillim të prezantimit të këtij sistemi të ri, Rama e kishte cilësuar taksimin progresiv për sipërmarrjet e mëdha si një stimul dhe jo kërcënim. Ai kishte shprehur bindjen se kjo formë taksimi do të aplikohet edhe për biznesin e madh. Kundërshtitë e këtij të fundit, detyruan kryesocialistin të modifikojë skemën e tij, ku vetë ai pohoi në mars të këtij viti: “Taksim i ndershëm si taksë progresive e artikuluar në shkallë, bazuar në të ardhurat personale, do të aplikohet vetëm për të ardhurat personale”. Sipas programit të PS-së, në pjesën taksimi i ndershëm, tatim fitimi për biznesin do të jetë i ndarë në dy nivele: një nivel për biznesin e madh dhe një nivel më i ulët se ai ekzistues për biznesin e vogël.

 

 

 

 

Debati

Nikolin Jaka: Qeveria e Ramës të shlyejë detyrimet ndaj biznesit. Braçe: U erdhi goja

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka kërkon nga qeveria e re e majtë të shlyejë të gjitha detyrimet që ekzekutivi i ka biznesit, të cilat, sipas tij, shkojnë në 220-215 milionë euro borxhe për vepra publike. “Qeveria “Rama” të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private. Rritja është thelluar, gjatë dy muajve shkon nga 8 në 10 për qind; mund të shkojë 220-215 milionë euro, një detyrim i cili parashikohet që mund të jetë ndaj sipërmarrjes për vepra publike dhe shërbime, pa futur shifrat e kompensimit tatim-fitim, TVSH-ja apo taksa të tjera, që qeveria është e detyruar të likuidojë ndaj biznesit”, – tha Jaka për “TCH”. Ndaj këtyre akuzave ka reaguar dje deputeti socialist Erion Braçe, i cili shkruante në rrjetin social Facebook: “E mbani mend shefin e Dhomës se Tregtisë së Tiranës? Quhet Nikolin Jaka. E keni dëgjuar ndonjëherë t’i thotë Sali Berishës ndryshe nga kryeministër? Tani i thotë kryeministrit të ri, thjesht Rama. Jo vetëm kaq. Por tani kërkon me tërsëllëmë dhe paratë që Berisha ua mori borxh. E keni dëgjuar ndonjëherë të kërkojë pagimin e parave të papaguara nga qeveria e Sali Berishës? Kurrë! Nuk guxonte as ta mendonte. Kurrë nuk e dëgjova një herë të vetme në takimet e Berishës të kërkonte paratë. Por, tani i ka ardhur goja dhe kërkon edhe afate për kthimin e parave. Dy vite me radhë harxhova për t’ju kërkuar këtyre të dhëna për paratë që qeveria e Sali Berishës ju kishte pa paguar. “Jooooo, s’na ka borxh”, -thoshin. Ndërkohë, me paratë e tyre paguanin punët elektorale të Sali Berishës. Ja këta janë. PS bëri t’u vijë goja”.

 

Takimi

Meta me Cannon: Qeverisja e re me transparencë maksimale

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri Nicholas Cannon, ku siguroi kryediplomatin se qeveria e re do të tregojë transparencë maksimale. Meta theksoi se për LSI është e rëndësishme që të sigurohet suksesi i menjëhershëm i prioriteteve të Qeverisë së re. Nga ana e tij ambasadori Cannon e uroi kreun e LSI-së për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke vënë theksin tek vazhdimësia e punës në çështje prioritare bilaterale si lufta kundër krimit e korrupsionit, drejtësia, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi ekonomik. Meta dhe Ambasadori Cannon ndanë bindjen se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe duhet forcuar në mënyrë konkrete në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë bilateral, dhe veçanërisht në drejtim të procesit të integrimit evropian të vendit, i cili mbetet prioriteti kryesor për të gjithë shqiptarët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency