Gëzim Saliu
Deputeti i LSI-së: Para se të ndahen dikasteret të vihen piketat se ku duhet të shkojë kjo qeverisje
Lëvizja Socialiste për Integrim i qëndron mendimit të saj kundër ndryshimeve kushtetuese të ndodhura me konsensus mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në prill të vitit 2008. Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, deklaroi dje se ndryshimet e ligjit themelor të vendit sollën pasoja negative për forcën e drejtuar nga Ilir Meta. Ai theksoi se rishikimi i këtyre ndryshimeve, sidomos i pjesës që lidhet me Kodin Zgjedhor, përbën një kusht të LSI-së. “Besoj se do të jete një nga çështjet që do diskutohet në këtë mazhorancë e koalicion të forcave të majta. LSI-ja nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2008-ën dhe, normalisht jo vetëm nuk duhet ta harrojë por, në çdo moment do jemi të gatshëm që të rishikohen ato ndryshime që normal janë bërë me qëllim jo të mirë për LSI-në por, energjia e kësaj force ka treguar që jo vetëm nuk u dëmtua por, përkundrazi doli e më e fuqishme. Megjithatë çështje për cilat LSI-ja ka denoncuar e protestuar padyshim do të jenë në qendër të vëmendjes së LSI-së”, – u shpreh Tavo.
Qeveria e re
Për Vangjel Tavon, më e rëndësishme se emrat e rinj të kabinetit qeveritar është vizioni i ekzekutivit të majtë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Duke hedhur poshtë nisjen e negociatave mes PS-së dhe LSI-së për emrat e ministrave, deputeti i qarkut të Gjirokastrës theksoi se në deklaratat e tyre, dy krerët e koalicionit të majtë kanë bërë të ditur rëndësinë e performancës së qeverisjes dhe jo emrave që do ta përbëjnë atë. “Nuk ka lidhje asgjë nga ajo çka thuhet. Sikurse është deklaruar edhe nga zoti Rama me sa e kam ndjekur dhe nga zoti Meta është shpejt për të folur për dikasteret që do të drejtohen nga LSI, PS apo nga forcat e koalicionit. Është shumë e rëndësishëm se para se të ndahen dikasteret të vihen piketat se ku duhet të shkojë kjo qeverisje”, – u shpreh Tavo. Ndërkohë lidhur me rezultatin zgjedhor që LSI mori në këto zgjedhje, Tavo ia dedikoi punës në terren dhe lidershipit të Ilir Metës, i cili sipas tij mban premtimet e dhëna . “Unë mendoj se në arritjen e këtij rezultati ka ndikuar programi që paraqiti LSI-ja tek qytetarët, që padyshim ishte një program i qartë e i hartuar me këmbë në tokë, siç thotë populli, i hartuar me mundësitë reale për ta zbatuar këtë program që të mos jetë thjesht program elektoral por, më shumë qeverisës. Të gjithë çështjet që programi LSI-së prekte ishin dhe janë çështje që prekin problematikat, si integrimi, punësimi, zhvillimi ekonomik i vendit. Ajo që dua të theksoj e që është më e rëndësishme, është se lidershpi i LSI-së, Ilir Meta që shquhet një njeri shumë i vendosur që kur thotë diçka e realizon dhe, fundja fundit këtë duan, një lidership të tillë, kryetar të një partie të forcës së tyre që jo të marrin premtime elektorale sikurse ka ndodhur në këto 22 vite demokraci, ku dhe njerëzit janë lodhur me premtimet”, – tha ai.
Reagimi për Olldashin
Në bashkëbisedimin e tij me mediat, Tavo u pyet edhe lidhur me akuzat kandidatit për postin e kreut të PD-së Sokol Olldashi ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke i cilësuar akuzat e ministrit të Transporteve si të pabazuara, deputeti i LSI-së tha se forca ku ai bën pjesë nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë bande. “As LSI dhe as unë, nuk kemi qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë bande imagjinare që zoti Olldashi pretendon. Përkundrazi pyetjen do ja ktheja zotit Olldashi, vetëm ai e di se çfarë do të thotë bandë. Nuk kam arsye të komentoj fjalët e zotit Olldashi. Ne kemi shumë gjëra të rëndësishme për tu marrë”, – pohoi Vangjel Tavo. Pak ditë më parë në nisjen e fushatës për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, kandidati Sokol Olldashi e cilësoi LSI-në si një çetë parash. “LSI-ja nuk është formacion politik. Është një çetë parash. Ne nuk kemi asnjë peng në grupin parlamentar dhe kemi përballë dy formacione politike, njëri i cili është një formacion destruktiv të paktën dy vitet e fundit është sjellë si i tillë dhe më pas kemi një formacion që nuk ka asnjë lidhje me politikën, është një çetë financiare që nuk ka asnjë lidhje me politikën”, – u shpreh Olldashi.





