Rama: Mbledhim vetëm të dhënat, konkursi vendos kush fiton vendin e punës

0
122

Gëzim Saliu

Kreu i PS-së i përgjigjet shqiptares që punon në Itali: Koha do të provojë se sa fjalët do të bashkohen me veprat

 

rama-autobuzi-loderKreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaron se aplikimi online i qytetarëve për t’u bërë pjesë e administratës së ardhshme të qeverisë së majtë ka disa faza, nga ku vendimtar, sipas tij, do të jetë konkursi final, i cili do të përzgjedhë fituesit e vendit të punës. Në përgjigje të letrës së një shqiptareje që studion në Itali lidhur me këtë proces, kryesocialisti bëri të ditur dje se gjatë këtyre muajve do të mblidhen të dhëna për secilin aplikues dhe më pas do të bëhen publike njoftime për çdo konkurs, për një vend të mundshëm pune. “Çdo rrugë sado e gjatë, fillon me një hap. Ky që kemi hedhur është vetëm një hap dhe është në drejtimin e duhur. Gjatë këtyre muajve do të mblidhen të dhëna që do të përpunohen dhe do të vendosen ne “rafte” sipas profesioneve. Kjo bazë të dhënash do të jetë e hapur dhe do të pasurohet vazhdimisht gjatë qeverisjes sonë. Të gjithë të regjistruarit në këtë bazë do të marrin njoftime për çdo konkurs për një vend të mundshëm pune sipas profesionit të tyre, por edhe informacione të herëpashershme nga ana jonë. Se kush do të punojë ose jo në sektorin publik për skuadrën e re për Shqipërinë, këtë do ta vendosin konkurset. Por përmes kësaj baze ne do të mundësojmë qoftë vënien në dijeni të secilit prej jush për çdo vend të lirë pune në sferën tuaj profesionale, qoftë monitorimin e cilësisë së konkurseve”, – shkruante Rama.

Letra

Në një letër drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama, mjekja pneumologe pranë spitalit të qytetit Ferrara në Itali, me origjinë nga Lezha, Brunilda Marku, kërkoi që PS të zbatojë me transparencë procesin e ri të aplikimit online të qytetarëve për t’u bërë pjesë e administratës së ardhshme të vendit. Në këtë kontekst, ajo solli në vëmendje në letrën e saj një eksperiencë të ngjashme në vitin 2008, por që sipas Brunildës nuk ishte serioze. “Në vitin 2008, nisur nga një thirrje e qeverisë së atëhershme për të mbledhur të gjithë studentët që ishin diplomuar jashtë shtetit, provova të kthehesha, por më beso asnjëherë më shumë se atëherë nuk jam zhgënjyer aq shumë: biseda që bëheshin vetëm lokaleve, CV që hidheshin në kosh pa i hedhur asnjë sy e kërkim parash për një vend pune, kur unë nuk kisha nevojë sepse kisha një punë në Itali… Jam e sigurt që je i nisur nga sensi i mirë për të mbledhur dijen e jo për të mbledhur ato që kanë më shumë miq e që paguajnë më shumë te partia!!! Ka ardhur koha t’u themi mjaft këtyre pazareve të shëmtuara dhe uroj të mos zhgënjehemi prapë, se do ishte kulmi mbas gjithë atij besimi që ju dhamë në 23 qershor!”, – shkruante ndër të tjera në letrën e saj mjekja pneumologe. Ndërkohë në përgjigjen e tij, kreu socialist pohoi se përgjigja më e mirë për të gjitha pyetjet janë veprat. “Ajo shprehja nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë, vlen për çdo punë po në këtë punën time të re me siguri vlen ende më shumë se në shumëçka tjetër. Kështu që koha do të provojë se sa fjalët do të bashkohen me veprat duke e kapërcyer detin e vështirësive të cilat, në çështjen e ndërtimit të një shteti që t’u shërbejë normalisht njerëzve përmes rrogëtarëve të vet janë vërtetë të jashtëzakonshme”, – pohoi kreu i PS-së.

Nisma e CV-ve

Kreu i Partisë Socialiste, nën petkun e Kryeministrit të ardhshëm të vendit, Edi Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime partiake, që të bëhen pjesë e skuadrës qeverisëse, duke dërguar të dhënat e tyre në aplikimin e vënë në dispozicion nga vetë kryesocialisti Në një ftesë publike, Rama kërkoi pak ditë më parë përfshirjen e sa më shumë njerëzve në skuadrën e re që do të qeverisë vendin për katër vitesh, ku kriteret kryesore sipas tij në përzgjedhje do të jenë merita dhe konkurrenca. “Sot ju drejtohem të gjithëve juve, çdo shqiptari të zot e të etur për ndryshim, për t’ju pyetur çfarë mendjeje keni për më tutje. Dhe atyre që dëshirojnë, u lutem të mendojnë çfarë roli mund të luajnë për këtë skuadër, si mund t’i përdorin aftësitë e tyre për të ndihmuar në realizimin e ndryshimit që i nevojitet vendit tonë”. Vetëm një ditë pas kësaj ftese, në selinë e Partisë Socialiste janë paraqitur një numër i konsiderueshme qytetarësh, kryesisht të papunë, të cilët kanë kërkuar të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithëse në nismën e bërë publike në rrjetin social, Rama sqaroi se kjo iniciativë nuk do të përkthehet në punësim për të gjithë ata që aplikojnë, shumica e qytetarëve që kanë vizituar selinë e purpurt nuk e kanë konsideruar këtë fakt. Po ashtu ndaj kësaj nisme nuk kanë munguar edhe kritikat si nga kampi kundërshtar ashtu edhe jashtë tij, ku sipas së cilave, me këtë aplikim kreu socialist e ka kthyer selinë e purpurt në një zyrë pune për militantët partiakë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency