Administrata e re, Berisha: Më parë duhet të presë biletën në selinë e PS-së

0
187

Ina Jano

Mëhilli: Rama hapi tender për fshesën ndaj administratës

 

berisha-firmosPraktikës së Ramës për të punësuar të gjithë njerëzit nëpërmjet dorëzimit të një CV-je në selinë e Partisë Socialiste, i ka ardhur dje edhe një përgjigje nga Kryeministri në detyrë, zoti Berisha. Nën titullin “Oreksi vjen duke ngrenë”, Berisha ka shkruar në Facebook se kjo është një praktikë e gabuar dhe se me këtë nismë të Ramës është e legalizuar se që të jesh pjesë e administratës duhet që më parë të kalosh nga zyrat e selisë mavi. “Të dashur miq, në selinë mavi, revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z. Rama njofton se konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t’i hapur ato ai ka vendosur që çdo njeri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS-së”, – thotë shefi i ekzekutivit. Por duket se puna nuk mbaron këtu, pasi Rama kërkon që punësime në këtë mënyrë të bëhen jo vetëm në administratë, por edhe në sektorin privat. Berisha vijon më tej: “Por siç thotë fjala e urtë, oreksi vjen duke ngrenë, z. Rama njoftoi se fshesa e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili së shpejti do të “ndihmohet” me aplikantët “e virtytshëm” online të selisë së PS-së. Kjo është lule. Prisni, prisni tenderin e miellit. Aty deti bëhet jo kos, por flori. Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve! Ndryshim!! Me vrap drejt të shkuarës!”

Mëhilli

Kryeministri Berisha gjithashtu edhe nëpërmjet zëdhënëses së tij Erla Mëhilli ka reaguar përsëri ditën e djeshme në lidhje me deklaratat, por edhe nismat e fundit të marra nga Edi Rama, sa i përket punësimit në administratë. Mëhilli nga selia e Këshillit të Ministrave tha se kryesocialisti Rama ka hapur një tender për të realizuar atë që ajo e quajti fshesa e administratës. Për qeverinë kjo është e papranueshme, madje tregon se e vetmja gjë që do të bëjë Rama është të vendosë partinë e tij në administratë, duke i hedhur poshtë të gjitha praktikat e deritanishme. “Kryetari i mazhorancës së re, z. Edi Rama, ka hapur prej ditësh në një akt flagrant antishtetëror tenderin për fshesën ndaj administratës. Madje, ai pretendon se data base i PS-së që do të përdoret për këtë qëllim, do t’i ofrohet edhe sektorit privat. Pra fshesa e partisë, tenderi i saj për punësim, do të përfshijë edhe punonjësit e sipërmarrjeve private. Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, z. Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do t’u ofrohen konkurseve të hapura që organizon administrata për vende pune, sepse, sipas tij, më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do t’i bëjë më të hapura, duke rekomanduar nga selia e PS-së pjesëmarrësit e këtyre konkurseve”, – tha Mëhilli. Kjo e fundit, duke e hedhur poshtë të gjithë praktikën që kryesocialisti propozon, sqaroi edhe procedurën që është ndjekur deri më tani për punësimet në administratë. “Plotësimi i vendeve të administratës është bërë gjithnjë vetëm pas publikimit të vendit të lirë në mediat shqiptare, përfshirë në të gjitha rastet edhe në mediat e kontrolluara nga z. Rama. Në plotësimin e vendeve në administratë pa dyshim ka pasur dobësi dhe bërryla, por nuk ka pasur kurrë listë partie të dërguar në konkurset e organizuara. Me këtë rast, informoj shqiptarët se administrata shqiptare në vitin 2005 kishte vetëm 1% të punonjësve të saj të diplomuar në vendet perëndimore, ndërsa sot ka mbi 21% të tyre të shkolluar në universitetet më të mira të këtyre vendeve. Të gjithë këta nuk kanë ardhur në administratë nga listat e partisë, por kanë ardhur nga konkurset e hapura nga departamenti i Administratës Publike për plotësimin e vendeve të lira të punës. Informojmë shqiptarët se pak muaj më parë, me fonde dhe ndihmë teknike të qeverisë suedeze, është ngritur dhe funksionon pranë Ministrisë së Punës dhe në të gjitha qarqet e vendit portali i e-punësimit, në të cilin çdo i papunë, kudo që banon, aplikon online me CV-në e tij dhe pretendimin për vendin e pritshëm të punës. Po ashtu, çdo punëdhënës shpall online në këtë portal vendet vakante në sipërmarrjen e tij, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë punëkërkuesi për t’u punësuar në atë sipërmarrje”, – përfundoi Mëhilli.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency