Basha: Përballje me opozitën për çdo premtim të dhënë

Ina Jano

“Çdo anëtari dhe militanti të PD-së do t’i jepet mundësia për të ecur përpara”

             

12065_576016979116154_3901824_nBerati ishte qyteti i radhës, ku kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal për të bashkëbiseduar dhe prezantuar përpara demokratëve të këtij qyteti platformën e tij për drejtimin e partisë. Ashtu siç e ka theksuar edhe në takimet e mëparshme, kreu i Bashkisë së Tiranës është shprehur se opozita e realizuar nga Partia Demokratike do të jetë e një niveli të lartë dhe do të jetë opozitë e fortë. Në këtë drejtim ditën e djeshme ai pohoi se demokratët do të jenë në Parlament për të bërë detyrën e tyre, atë të kontrollit të qeverisë dhe të kontrollimit të të gjitha premtimeve që socialistët bënë gjatë fushatës elektorale, ndërsa i cilësoi këto të fundit si piramidale. Zoti Basha e ka konsideruar justifikim qëndrimin e djeshëm të kryesocialistit Rama për konkursin e punësimit të militantëve. “Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë, për 300 mijë vende pune që ke premtuar për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjithë premtimet e tua piramidale që e dinë që sot se s’ke ndërmend t’i mbash dhe ky do të jetë momenti, vëllezër e motra kur ne nuk do të jemi vetëm Partia Demokratike në opozitë por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të mazhorancës morale të shqiptarëve”, – theksoi Basha.

Duke u ndalur tek anëtarësia dhe tek demokratët e thjeshtë, kryebashkiaku pohoi se ata do të marrin më shumë përgjegjësi së ç’kanë pasur ndërsa po ashtu do të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Në platformën e tij të drejtimit, Basha parashikon vlerësimin e kontributit dhe dhënies së shanseve për të ecur përpara, për çdo anëtar dhe militant të Partisë Demokratike. “Kryeministri Berisha më ngarkoi misionin e veçantë të rrugës së Kombit dhe përkundër luftës së jashtëzakonshme për ta penguar, damkosur dhe jo vetëm nga brenda këtë projekt madhështor, ia dolëm me sukses të përmbushim misionin. Më ngarkuat në një moment të veçantë për historinë e Shqipërisë, detyrën e kryediplomatit, në momentin e përpjekjes sonë për integrim euroatlantik, dhashë kontributin tim, përmbusha me nder misionin që më ngarkuat, më çuat në Ministrinë e Brendshme, ku duhej të plotësonim 120 kritere për premtimin tonë madhor të fushatës së 2009-ës, heqjes së vizave për shqiptarët dhe shumë kush thoshte se nuk ia dilni dot, iu përvesha punës dhe bëmë realitet premtimin tonë, hoqëm vizat dhe u dhamë dinjitetin shqiptarëve. Është pra lidhja më e fortë që mund të ekzistojë, sepse është një lidhje e vërtetë e bazuar tek ajo që unë dua për çdo anëtar, lidhja mbi mundësinë për të kontribuar, vlerësimi i kontributit dhe dhënies së shanseve për të ecur përpara, për çdo anëtar dhe militant të PD-së”, – deklaroi Bashanga jugu i Shqipërisë.

 

Olldashi: Mbrojtje për administratën nga agresioni i Ramës

Në vijim të fushatës për kryetar i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi i përqendroi takimet në qarkun e Gjirokastrës. Nga ky qytet Olldashi paralajmëroi se PD-ja do të hapë zyra për mbrojtjen e administratës nga agresioni politik i Edi Ramës, ndërsa nga Tepelena, ai reagoi ashpër ndaj kërcënimeve që iu bënë me sms, Niazi Kosovrastit. “Edi Rama është i njëjti prototip politik që ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Niazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedent të fortë kriminalë. Pra ka një fenomen të kriminalizimit të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar”, – tha Olldashi. Në Përmet, Sokol Olldashi tha se biznesi në Shqipëri kërcënohet nga dy agresorë, taksa progresive e Edi Ramës dhe blloku i Ilir Metës. “Ne duhet të marrim në mbrojtje biznesin, i cili shumë shpejt do të gjendet në mes dy agresioneve: nën agresion e taksës progresive të Edi Ramës dhe nën agresionin e bllokut të Ilir Metës, sepse pasi shpenzoi në fushatë, ai do t’i nxjerrë prapë ato para. Ne duhet të bëhemi përfaqësues të të gjithë korpusit opozitar, i cili do të gjejë tek ne mbrojtjen, shpresën dhe aleatin e vet natyral”, – tha Olldashi. Gjatë takimit me strukturat në Memaliaj, Olldashi e vlerësoi procesin zgjedhor ‘një anëtar, një votë’ si një standard të vendosur nga lideri historik i demokratëve, Sali Berisha. Sokol Olldashi u ndal edhe në paketën për ristrukturimin e partisë, një format organizimi që do të rivitalizojë jetën politike brenda forcës më të madhe të së djathtës në vend.

 

Reagimi

Topalli: Nuk mbështes asnjë kandidat, demokratët të zgjedhin më të mirin

Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, ka reaguar dje në lidhje me lajmet e bëra publike në disa media për përfshirjen e saj në fushatën dhe mbështetjen për njërin prej kandidatëve që garojnë për kryetarin e ri të selisë blu. Në faqen e saj zyrtare në Facebook, zonja Topalli nënvizon se ajo nuk ka bërë asnjëherë një veprim të tillë duke mbështetur një kandidat dhe fton që të gjithë demokratët të votojnë për atë që besojnë se do t’i çojë në fitore. Kryeparlamentarja nënvizon gjatë postimit të saj se fajtorët për lajmet që qarkullojnë janë të përhapura nga mediat që përfaqësojnë zotin Rama. “Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në disa media të shkruara, të dirigjuara kryekëput nga Edi Rama, për përfshirjen time në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, dua të sqaroj opinionin publik, dhe veçanërisht demokratët, se ky është një mashtrim dhe trillim. E konsideroj të padenjë, të papranueshme dhe të ulët përdorimin nga kushdo të emrit tim. Ftoj demokratët të hedhin poshtë më përçmim insinuatat e stisura nga Edi Rama me mediat e tij. Ftoj demokratët të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për atë që besojnë se do t’i çojë në fitore!”, – përfundon zonja Topalli në reagimin e saj.

 

Deklarata

Ndoka e Shehi: Bashkim të partive të djathta për një opozitë të fortë

Shtatori do të jetë përcaktues për mënyrën se si e djathta do të organizohet në opozitë dhe me udhëheqjen e lidershipit të ri demokrat. Për kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, duhet të krijohet një kohezion i qartë i së djathtës, ndoshta që partitë historike që ekzistojnë të shkrihen dhe të bëhen pjesë e PD-së. Ndërsa kreu demokristian, Nard Ndoka, mbështet një ide të tillë, por thotë se demokristianët e të gjitha forcave politike po negociojnë grupimin e tyre në një formacion të vetëm politik. Kreu i LZHK dhe ai i PDK thanë se nëse Partia Demokratike i humbi këto zgjedhje për shumë arsye që lidhen me lodhjen e qytetarëve në 8 vjet pushtet, kriza ekonomike, koalicioni qeverisës me një parti të majtë etj. Në këtë proces zgjedhor fituan parti të tjera të vogla që u mbajtën nga pushteti gjatë qeverisjes së PD. Përfaqësuesit e së djathtës paralajmërojnë një opozitë të fortë e të moralshme përballë qeverisjes së majtë, e cila sipas tyre vjen në pushtet me vota të tregtuara. Megjithatë, Ndoka thotë se nëse Partia Socialiste do të ketë në kabinetin qeveritar përfaqësuesin e Partisë Kristian-Demokrate, atëherë vota e tij do të jetë në mbështetje të këtij ministri, por jo të kabinetit “Rama”. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar mori rreth 19 mijë vota, ndërsa PDK rreth 15 mijë vota. Krerët e këtyre forcave politike ishin në listat e kandidatëve të Partisë Demokratike në këto zgjedhje e do të jenë deputetë në Parlamentin e katër viteve të ardhshme.

 

 

Share it :