Arrestimi Vodhi nga llogaritë e klientëve 15 mijë euro, pranga administratorit

0
174

Elton Qyno

prangaJuventin Cere ndërhynte tek llogaritë bankare, pasi klientët prisnin në internet bileta udhëtimi

 

Administratori i një kompanie udhëtimi është vënë në prangat e policisë pasi në më shumë se 20 raste ka arritur të vjedhë klientët e kompanisë, që porosisnin biletën e avionit apo të tragetit nëpërmjet internetit. Gjatë këtyre rasteve, shtetasi Juventin Cere ka arritur të vjedhë nga llogaritë bankare një shumë financiare prej 15 mijë eurosh, shumë të cilën e ka harxhuar për qëllime vetjake. Burime nga policia bëjnë me dije se pas zbulimin të këtyre rasteve në pranga është vënë Juventin Cere pasi Gjykata e Tiranës ka lëshuar ndaj tij masën e arrestit me burg, nën akuzën e mashtrimit kompjuterik. Mësohet se administratori i agjencisë private ka klonuar kartat e kredit të personave që prisnin bileta avioni, trageti dhe autobusi, duke përfituar mbi 15 mijë euro.

Denoncimi në polici

Procedimi ndaj Ceres është ndjekur nga seksioni i Krimeve Kompjuterike në Tiranë, të cilët nisën hetimet e menjëhershme, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e një banke amerikane, që operon në Shqipëri. Ata kanë dëshmuar në polici se klientët e bankës kanë pasur shqetësime të vazhdueshme në lidhje me zhdukjen e parave, në rrugë të dyshimta. Në saj të ankesave të përsëritura, drejtuesit e bankës kërkuan zbardhjen e të vërtetës në lidhje me llogaritë bankare të klientëve. Grupi hetimor nisi punë për të zbardhur skemën e vjedhjes së parave, që pretendohej nga banka në fjalë. Operacioni investigative ka zgjatur për disa muaj, pasi nuk ka qenë i lehtë identifikimi i personit që fuste “duart” në llogaritë bankare të qytetarëve. Preja e Ceres ishin klientët e tij, të cilët prisnin bileta avioni, në agjencisë e fluturimit që ai administronte prej kohësh. Ai u merrte kartat e kreditit dhe pa humbur kohë merrte të dhënat e saj, për t’i klonuar.

Prerja e biletave fiktive

Pas këtij procesi, administratori priste bileta fiktive, pranë agjencisë së tij, me kartat e klonuara dhe paratë kalonin në llogarinë e tij bankare. Këtë metode vjedhje e ka kryer në dhjetëra klientë, duke përfituar një shumë prej 15 mijë eurosh. Ai është arrestuar në flagrancë nën akuzën e mashtrimit kompjuterik. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kompjutera, të cilat pritet që të verifikon, nëse Cera ka kryer vepra të tjera penale apo jo. Ndërkaq dyshohet se ai nuk ka vepruar i vetëm në aktivitetin kriminal dhe së shpejti pritet identifikimi dhe arrestimi i personave të tjerë. Arrestimi i Juventin Ceres është bërë në sajë të operacionit të koduar “Pos”, një pajisje që shërben për kalimin e kartave të kredit, për të bërë blerjet në internet.

 

Automjeti del nga rruga

Bie në lumë familja kosovare

fatmirësisht asnjë i lënduar

 

Një aksident automobilistik ka vënë në rrezik jetët e një familjeje kosovare, e cila ka qenë duke udhëtuar në autostradën Kalimash-Kukës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur “Kepi i Tafës”, në segmentin rrugor Ura e Drinit të Zi-Morin. Sipas të dhënave paraprake bëhet e ditur se mjeti me targa kosovare, ku udhëtonin tre persona të një familjeje, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në breg të liqenit. Ekspertët thonë se pjesa e pasme e mjetit është zhytur në ujë. Personat që udhëtonin në mjet kanë pësuar dëmtime, por janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Kukësit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe policia e cila po punon për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar në këtë aksident, megjithatë hetimet paraprake thonë se shkak i ngjarjes është bërë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit.

 

Burim Rraçi u zbulua nga TIMS

Pranga kosovarit në Morinë

kërkohej nga policia Durrës

Policia kufitare e Morinit ka vënë në pranga një shtetas kosovar, i cili ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve paraprake, bëhet e ditur se gjatë kryerjes së procedurave të kontrollit në hyrje për në territorin shqiptar është bërë ndalimi i shtetasit Burim Rraçi, 44 vjeç, lindur e banues në Gjakovë. Ndalimi i tij është bërë sepse sistemi TIMS ka nxjerr në pah faktin se ai ishte person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Durrës e ka dënuar këtë person me burgim. Policia e Kukësit ende nuk ka dhënë detaje të tjera për veprën penale, për të cilën 44-vjeçari është akuzuar dhe dënuar apo vendin ku ai e ka kryer këtë vepër.

 

Ngjarja në zonën e 9-katësheve

Policët e dehur ngacmonin

vajzat, shoqërohen në polici

Dy punonjës policie të dehur janë shoqëruar në një nga komisariatet e Tiranës për gjeste të pahijshme në publik me femrat që kalonin në rrugë. Ata u ndaluan nga forcat e repartit “Shqiponja” dhe madje u konfrontuan me to. Ngjarja ndodhi pranë pallateve 9-katëshe në qendër të kryeqytetit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet ndaj tyre, por pritet që ata që shkarkohen, pasi kanë shkelur Kodin e Etikës dhe pavarësisht se kanë qenë me veshje civile, e kanë pasur me vete armën e shërbimit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency