Krushqitë në Ballkan Helena Topia, gruaja me dy burra gjallë!

0
353

imagesSpeciale/ Helena Topia martuar me më të fuqishmin përtej Adriatikut si dhe me Konstantin Balshën që kishte në dorëzim Krujën. Historia e rrallë e krushqive mes principatave në Ballkan

 

Ishte një aventurë e bjondes franceze, Helenës, me princin shqiptar, konsideruar një nga tregimet më interesante, e shndërruar tashmë në legjendë.

Kur konti i Durrësit Tanush Topia u dashurua marrëzisht e u lidh me Helenën franceze, bijën e familjes mbretërore anzhuine. Historia vendoset në kështjellën e Durrësit kur ranë në dashuri, pasi Helena vinte me anije për të kaluar një mbrëmje e kthyer pastaj nga brigjet e Greqisë, ku e priste i fejuar i saj francez.

Historianët kanë shkruar dendur mbi këtë histori dashurie, çfarë la gjurmë më pas në trashëgiminë princërore në Shqipërinë e ‘300-ës. Helena e ndërpreu udhëtimin e saj drejt Greqisë sado që vuri në rrezik jetën e saj e të kontit shqiptar. Prej martesës së tyre të shkurtër lindi fëmija i vetëm Karli.

“Sa më shumë rritej princi i vogël, aq më shumë ai krenohej me prejardhjen e tij shqiptare e franceze. Kur u bë zot i Durrësit dhe i krahinës përreth, në stemën e tij ai vazhdoi të mbante zambakët heraldikë duke shtuar dhe luanin e stemës së hershme të anzhuinëve”, shkruhet për këtë gjurmë të historisë duke u përmendur si emër rreth vitit 1350, ku vazhdon historia shqiptare e Helena Topias, bijës së vetme të Karlit me francezin fatkeq, në pak kohë zotronjës së kështjellës së Krujës.

“Helena u martua me një fisnik venedikas të quajtur “ser Mark Barbarigo”. Ai ishte i biri i një farë Marini dhe kishte vite që jetonte në anët e Durrësit dhe Arbërisë. Pas vdekjes së Gjergj Topisë, Helena me të shoqin kishin në zotërim kështjellën e Krujës. Proveditorët Mikel Kontareno dhe Pjetër Kurino, që i nisën për të marrë në zotërim qytetin e Durrësit, u urdhëruan nga Sinjoria e Venedikut, më 14 nëntor 1392, të takonin dhe me Helenën dhe Mark Barbadigon, lidhur me çështjen e zotërimit të kështjellës së Krujës”, shkruan historiani Luan Malltezi. (gusht 2003, Topiajt, shkëlqimi dhe rënia e principatës shqiptare, gazeta shqiptare). Një histori zotërimi që do ta hiqte nga Kruja bashkëshortin e Helenës, duke u larguar për në Francë, dhe vendin e tij si princ e bashkëshort do ta zinte Konstantin Balsha.

Sipas një marrëveshje të arritur më 30 gusht 1393 Helena dhe i shoqi i saj Mark Barbarigo, do të vazhdonin të mbanin kështjellën e Krujës, por tani në emër të Venedikut. Republika e Venediku pranonte t’i jepte Helenës dhe të shoqit të saj 100 dukatë në vit. “Ajo merrte përsipër, gjithashtu, që në marrëdhëniet e saj me turqit osmanë të merrte nën mbrojte Helenën dhe të shoqin e saj, duke i paraqitur ata si si shtetas dhe “qytetarë venedikas”. Po kështu venedikasit merrnin përsipër të mbronin edhe kështjellën e Krujës, duke e paraqitur atë para turqve si “zotërim” venecian. Marrëveshja parashihte penalitete në të holla për palët, sa herë që do ta shkelnin atë”, shkruan historiani Luan Malltezi në artikullin “Si arrestuan venedikasit dhëndrin e Karl Topisë”, gusht 2003 (gazeta shqiptare). Por kjo marrëveshje nuk pati jetë.

Bëhej fjalë për të shtënë në dorë kështjellën e Krujës në 1394 kur të “Të urtët e Urdhërave” porosisnin Bajlin e Durrësit për t’ia hequr zotërimin të shoqit të Helenës.

Malltezi shkruan më tej se “në mesjetë shoqëria ka pasur praktikat e veta për t’i bërë të ditur të gjithë shtetasve personat e kërkuar dhe të shpallur nga shteti për delikte kundër tij. Për persona të tillë të akuzuar si fajtorë autoritetet bënin shpallje, të cilat vareshin në vende të caktuara publike”. Kështu Mark Barbarigon u vu përpara përgjegjësisë, ku “sipas shpalljes, ai duhej të paraqitej në Venedik brenda tre muajve për t’u mbrojtur për akuzat që kishte shteti ndaj tij për shkeljen e betimit të besnikërisë dhe veprimet e tij në dëm të interesave të shtetit”. Por Mark Barbarigo nuk shkoi në Venedik, kjo shënon dhe fundit e tij për t’u mirëkuptuar me venedikasit.

Në diskutimet për të gjetur “fajet” kur ishin të bindur për dënimin e Mark Barbarigos, më 15 shtator 1394 një urdhër i ri nga Bajli i Durrësit tregon se “venedikasit kishin marrë informacion se shkaktar i vërtetë i gjitha të këqijave që i kishin ardhur shtetit venedikas lidhur me kështjellën e Krujës nuk ishte Mark Barbarigu por e shoqja e tij Helena. Sipas këtij informacioni gjithçka kishte ndodhur nga vullneti dhe qëllimi i keq i zonjës në fjalë. Prandaj Bajli u urdhërua të mos e kursente Helena Topinë, siç kishte pasur urdhër më parë” (referuar të njëjtit artikull të historianit L. Mallezit).

Kështu në shkurt të 1395 njoftohet se kështjella e Krujës nuk ishte më në dorë të Mark Barbarigos, por të Kostandin Balshës. Nga kjo histori Milan Shuflaj në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët”, njofton se “Konstantin Balsha, që u martua me Helena Topinë, kishte në dorëzim Krujën. U bë sundimtar i gjithë krahinës së Skuris afër Durrësit, ndërsa në vitin 1401 u bë qytetar i Venedikut, së bashku me të shoqen e me fëmijë”. Referuar kësaj historie sjellim fragmentin nga libri i Milan Shufaljt “Serbët dhe shqiptarët”, ku jepet kjo lidhje, Helenës me dy burra gjallë, që “luftuan” edhe për zotërimin e Krujës.

Përgatiti: V. M.

 

***

Helena Topia, gruaja me dy burra gjallë

Martesa me burrin më të pushtetshëm të Evropës

 

 

Kur për të tretën herë Italia pas tërheqjes së fundit të napolitanëve dhe pas shuarjes së anzhuinëve hungarezë, kaloi Ballkanin me një fuqi të madhe e me veshje venedikase, këtë gjë e bëri nëpërmjet Zarës, Durrësit e Shkodrës. Ra në luftë me Balshajt, mandej me dhespotët serbë dhe më në fund me turqit. Natyrisht që venedikasit i përkrahën Papët e Romës dhe përbri tyre qëndronte dhe kleri katolik i Adriatikut.

Tashmë shumë kohë më parë, qysh në epokën e Bizantit të fuqishëm (998), ishin vënë themelet për kalimin e venedikasve në qytetet më veriore të Adriatikut lindor.

 

Pas rënies së parë të mbretërisë greke (1204), venedikasit themeluan dukatin durrsak (1205-1213), mbajtën Zarën, u bënë si e vetmja rojë “legjitime” në Adriatik, të cilin e konsideronin si gji të vetin. I tërë bregdeti lindor ishte gërshetuar në rrjetin e tyre tregtar. Në të gjitha qytetet më të mëdha ata kishin kolonitë e tyre. Kudo që ende nuk kishin pushtet të drejtpërdrejtë, kishin konsujt e vet. Në bregdetin shqiptar kishin konsuj në Durrës (1373); në Spinaric (1277) dhe në Vlorë (1358).

Në vitin 1280, Ulqini kishte kryetar bashkie një venedikas (comes Marcus Pollani).

Në vitin 1357, Këshilli i Lartë i Venedikut i lejonte qytetarët e vet të zgjidhnin për kryetar e nëpunës (pro rectoribus et officialibus) në Vlorë e në vende të tjera të despotatit (locus Avalone et alia loca despotatus). Dhe kur pas vdekjes së Dushanit, mbretëria serbe u shndërrua në një varg principatash, nga të cilat lindën dinastitë e vogla nga Shkodra deri në Vlorë, disa venedikas arritën të kishin ndikim të madh.

 

***

Pionieri më i madh i pushtetit të përtej detit ishte Filip Barelli. Ai u paraqit në vitin 1364 në Raguzë.

Përveç kësaj të gjitha tregimet për Balleri-n gjenden në “Acta Albania e ІІ” dhe në Kotorr, pastaj në Ulqin. Merrej me tregti me shumicë. Në Ulqin hyri në kontakt të ngushtë më Balshajt (1375), të cilët gjendeshin përherë në rrethana të papërshtatshme financiare. U bë protvesitar ose ministër i Financave të Durrësit, Balshajt ІІ (1385). Me sa duket, në Durrës, u martua me Helenën, të bijën e Andres ІІІ Muzaka. Mbi këtë gjë, ndoshta me dyshim, njoftohemi nga një fragment i “Historisë së shtëpisë së Muzakajve” (1510), i cili thotë:”La seconda genita signora Helena fu martitata col signor Filippo ch`havea una buona signora in quel de Raguza”. 

Duket se Helena Muzaka ishte gruaja e dytë, sepse kronologjikisht është gjë e pabesueshme që i biri i Barelli-t, Zanino, i cili më 1388 përmendet si delegat i Gjergjit ІІ Balshajt pranë-pranë raguzanëve, të ishe edhe biri i saj.

Pas vdekjes së Balshajt ІІ (1385), Filipi hyri në shërbim të Gjergjit ІІ Balshaj. Këtu gjeti rrënimin e vet. Një ditë të marsit 1390 erdhi te Filipi një njeri, që shitej si person besnik i princit serb, Vuk Brankoviqit, zotit të Prishtinës, të Trepçës (Trepshit) dhe Prizrenit, mandej edhe i Shkupit e Krushevcit në rrjedhën e poshtme të Moravës

Perëndimore. Ky i ofroi Filipit 500 libra argjend, në qoftë se i dorëzonte Brankoviqit Ulqinin. Filipi nuk deshi as të dëgjonte për këtë gjë dhe e nxori atë njeri jashë (Qui Philippus pesaverans in fidelitate et bona dispositione ad honorem et bonum statum magnificentie expulit dictum nuntium cum verbis iniuriosis et reprehensibilibus et nolliuit ullo modo attender ad aliquod quodredungere posset contra honorem magnitudinis sue). Për këtë shkak, Balshajt e futën Filipin në burg dhe ia konfiskuan tërë pasurinë. Këtu ia vlen të thuhet se Gjergji ІІ Balsha ishte kunati i Vuk Brankoviqit. Këta të dy ishin burrat e të dy bijve të princit serb Lazarit, që kishte gjetur vdekjen në Kosovë (1389).

Me ndërmjetësinë e qeverisë së Venedikut, Filipi qe liruar nga burgu në fund të vitit 1391 dhe i qe kthyer pasuria. Menjëherë hyri në shërbim të Gjergj Topisë, i cili kishte për grua të motrën e Vuk Brankoviqit. Si protivesitar (ministër financash) i Gjergjit, ai ishte i pranishëm në dorëzimin e kështjellës së Durrësit Venedikasve (1 prill 1392) dhe dërgoi pastaj traktatin e hartuar për ratifikim në Venedik.

Kur u vra duka i Durrësit, Balsha ІІ, në nëntor 1385 në betejën me turqit, në fushën e Savrës afër Beratit, Karl Topia pushtoi Durrësin. Pas tij, këtë e trashëgoi (1388) i biri i tij, Gjergji.

Menjëherë në fillim të studimit të vet, Gjergji u dorëzoi venedikasve kështjellën e jashtme të Durrësit në port (turris Durachil a Marina, turris Inferior, castrum inferus a portu, turris Veneta). Atë kështjell e pati ndërtuar mbreti i Napolit; Karli І aty nga viti 1280, me qëllim që të siguronte portin e Durrësit kundër sulmeve të flotës detare bizante. Kështjella e vjetër bizantine përmbi qytet quhej kështjella e sipërme (castellum Superrus) dhe sipas kishës që gjendej aty, quhej edhe “Pyrgu i Shën Ilijes”.

Përveç trysnisë së turkut, i cili në atë kohë ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, këtu ndodhën edhe momente të tjera të rëndësishme, të cilat e përshpejtuan dorëzimin e tërë Durrësit venedikasve. Princi i ri Gjergji ishte shumë i sëmurë. Qytetarët nuk i përuleshin (1388 etiam ipse dominus sine dubio erit securior a civibus suis qui haberebt aliam intentionesn contra eum). Në qytet ishte dhe një parti e Balshajve. Më 2 maj 1391, venedikasit e urdhëruan kapitenin e portit Kulf, që të përpiqej me rast vdekjeje të Gjergj Topisë, të merrte menjëherë Durrësin, sepse në këtë qytet rrinte në pritë Konstantin Balsha, në marrëveshje me sulltanin turk, Bajazitin (ille costantinus anelat multum ad instantiam Baysit Bey ad faciendum se dominum Durachii). Në anën e Venedikut qëndronin kryeipeshkvi i Durrësit, Gjoni, ipeshkvi i Krujës, Dhimitri, Tanush Topia, Kapedani i qytetit Progon Skura, Andra ІІІ Muzaka, që kishte pasuri në Durrës, si dhe bujarët e tjerë të Durrësit. Përveç kësaj, Papa Bonifaci ІX mallkoi princin Gjergj (1391), sepse ky si mik i anzhuinëve qëndronte në anën e antipapës, Klementin VIII. Balshajt atëherë, që të shtinin në dorë Durrësin, u mbajtën me Papën Bonifac.

Të gjitha këto bënë që Gjergj Topia t’u dorëzonte venedikasve kështjellën e sipërme të Durrësit. Mbajti sa qe gjallë pushtetin dhe të ardhurat i regjistronte për vete. Në muret e kështjellës rojet venedikase edhe më tej do të jepnin urdhra në emër të tij (clament tutellam nomine domini Georgii). Pas vdekjes së princit kaloi në duar të venedikasve edhe qyteti.

Kjo ngjau në muajin tetor 1392, kur vdiq princi Gjergj Topia. Meqenëse nuk kishte fëmijë, e trashëguan në Krujë motrat e tij, përkatësisht burrat e tyre. Vojsava ishte martuar me Kyr Isakun, Kursaka, siç quhej, me kryetarin e familjeve të patricëve durrsakë, Engjëllin.

 

Burri i Helena Topisë ishte Patrici venedikas, Mark Borbadigo. Çifti i parë jetonin në Durrës; por Vojsava më vonë vdiq (1394). Çifti i dytë mbante Krujën në emër të Venedikut, sepse Republika pretendonte se ai që ishte pronar i Durrësit ishte dhe pronar i Krujës. Por Helena Topia ishte e mendimit të kundërt.

Ajo e nxiti burrin e vet (1394) (dispositio ipsius dominae non est bona quicquid fit pro maiori parte, fit de volutante et beneplacito suo et Fortasse de suo mandato) kundër venedikasve. Me këtë, pa dyshim, edhe djali i motrës së saj, Konstantin Balshaj, i biri i Gjergjit I Balshaj dhe i Theodorës qe Zharko Mërkushiqi; me këtë ajo pati djalin Mërkshan Zharkoviqin, sundimtarin e Vlorës (1391-1412).

Në fund të vitit 1394, Barbadigo u shpall kryengritës i komunës venedikase. Republika u përpoq me të gjitha mjetet për ta shtënë në dorë atë dhe qytetin e lartë, Krujën. Ai plaçkiste nëpër territorin e Durrësit dhe pengonte kalimin e karvanëve tregtare. Po edhe mësyjti oborrin e Fillip Barrelli-t në Kepin e Rodonit, e plaçkiti, kapi rob atje gruan e Filipit, i cili pas mundimeve të mëdha mundi të ikte (fecit incursionem super territorio Darachii in logo qui dicitur Ponta de Rodoni et depredatus fuit domum ser Philipi Bareli civis Veneciarum et cepit uxorem dicti ser Philipo ipso ser Philipo fugiente in nemore in vepres et senies).

Si aleat i Venedikut, princi Niketa Topia e mundi me të vërtetë njëherë Barbadigun në fushë të hapët, por nuk do të ishte thyer po të mos ishte bashkuar kundër tij e shoqja Helena Topia dhe Konstantin Balsha.

Më 14 shkurt 1395, Konstantini kishte në dorëzim Krujën, si vasal turk që ishte.

(Quia pro conversatione nostrorumiurium non est servanda taciturnitas cum isto Costantino qui açepit castrum Kroye de potestate Marci Barbadici).

Venedikasit dërguan tek ai një ambasador, që dinte gjuhën greke (nuntius ad ipsum Constantiunum quisciat linguam graecam).Venedikasit kërkuan nga Gjergji i II Balsha dorëzimin e Barbadingut, që gjendej si rob në duart e tij; ishin të gatshëm të jepnin 1000 dukata për të, vetëm që të mund ta gjykonin për mosbindje. Ai iu paraqit vullnetarisht gjyqit të Venedikut në vitin 1401, i cili e dënoi mjaft butësisht Filip Barelli në vitin 1403 ishte ende gjallë dhe banonte në Raguzë.

Konstantin Balsha, që u martua me Helena Topinë, kishte në dorëzim Krujën. U bë sundimtar i gjithë krahinës së Skuris afër Durrësit, ndërsa në vitin 1401 u bë qytetar i Venedikut, së bashku me të shoqen e me fëmijë. Por planet e tij të vjetra për pushtimin e Durrësit, qoftë edhe me ndihmën e turqve, nuk i kishte lënë në harresë. Pak më vonë përfundoi tragjikisht: para datës 22 tetor 1402 u gjykua në Durrës, kurse nëna e tij Theodora dhe e shoqja Helena, qenë dërguar në Venedik.

Fragment nga libri i Milan Shuflajt “Serbët dhe shqiptarët”

 

 

Akuzat për Helenën dhe burrin e saj të parë

Historianët na njoftojnë se Mark Barbarigo u akuza për shkelje të marrëveshjes që shteti venedikas kishte arritur me të shoqen e tij, Helenën “”vajzën e të madhërishmit zotit Karl Topia ish-zotit të Durrësit”. Më poshtë po japim akuzat me të cilat gjyqi dënoi Mark Barbarigo, duke iu referuar historianit Luan Malltezi.

Janë këto akuza: 1- Në kohën që ai kishte qenë në anët e Krujës, në kundërshtim me betimin e bërë dhe marrëveshjen e arritur, ai kishte kërkuar nga shteti venedikas një provizion tjetër nga ai që parashihej në marrëveshje.

2- Ai, së bashku me të shoqen, kishte plaçkitur natën para portës së qytetit të Durrësit gjashtë kuaj.

3- Duke mos pasur respekt ndaj nderit të zotërimit venedikas, ai kishte mbledhur rreth vetes ushtarë të krahinës së Durrësit për të plaçkitur në territorin e tij. Venedikasit ishin detyruar atëherë të vinin në lëvizje kundër tij feudalin e fuqishëm shqiptar “Kont Niketën”, që ishte në atë kohë në shërbim të Venedikut. Kont Niketa e kishte thyer atë në fushën e betejës.

4- Në kundërshtim me nderin e zotërimit venedikas, Mark Barbarigo kishte bërë një inkursion mbi territorin e Durrësit, në vendin e quajtur Kepi i Rodonit (Ponta Rodoni). Aty ai kishte plaçkitur shtëpinë e qytetarit venedikas Filip Barrelli, dhe i kishte rrëmbyer gruan. Ndërkohë, Filip Barelli ishte detyruar të merrte arratinë, duke ikur rrugë e pa rrugë nëpër pyll. Gruan e tij Mark Barbarigo e kishtë dërguar në kështjellën e Krujës “për turp të madh të zotit Filip dhe gruas së tij”.

5- Në kundërshtim me betimin që kishte bërë dhe marrëveshjen me shtetin venedikas, Mark Barbarigo e quante veten në letrat e tij “zot i Krujës” (dominus croye), ndërsa duhej ta quante veten “vikar” (përfaqësues) i zotërimit venedikas.

6- Në kundërshtim me atë që duhej të bënte, Mark Barbarigo kishte penguar ardhjen e karvaneve me mallra në Durrës. Me këto veprime Mark Barbarigo i kishte sjellë dëm të madh interesave të shtetit venedikas dhe kishte ushtruar terror në popullsinë e qytetit dhe të krahinës së Durrësit.

 

 

 

Karl Topia, princi shqiptaro-francez

 

Historia

Një nga tregimet me interesante, aq sa i përngjan një legjendë dhe që lidh anzhuinët me shqiptaret është dhe ajo e Tanush Topisë, kontit të Durrësit, dhe lidhjes së tij me Helenën franceze, bije e familjes mbretërore anzhuine. Tanushi e kishte parë Helenën për herë të parë në kështjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me një anije vetëm sa për të kaluar një mbrëmje dhe për t’u nisur pastaj brigjeve të Greqisë, ku e priste i fejuari i saj frëng, princ i ishujve të Moresë. Ajo ishte bionde dhe një bukuroshe e ashpër nga krahina e Anzhusë. I ndezur nga dashuria për te, Tanushi që atë mbrëmje e rrëmbeu francezen me pasionin e tij. Ajo e pëlqeu menjëherë princin e pashëm shqiptar dhe nuk pranoi të vazhdonte udhëtimin e nisur drejt Greqisë. I dërguari i mbretit në Durrës, guvernatori francez, me kot e kërcënoi se mbreti do t’i dërgonte ushtrinë dhe do tia digjte të gjitha pronat. Por çifti tashmë jetonte ditët e një lumturie të madhe. Tanush Topia shpalli dasmën dhe thirri gjithë princat shqiptare. Një vit më vonë u lindi një djalë që Helena e quajti Charles (Karl) në kujtim të stërgjyshit të saj. Mbreti që rrinte në Napoli, nuk guxoi të sulmonte Durrësin me flotën e tij. Ai e dinte që princi shqiptar do të gjente mbështetjen e princërve të tjerë dhe betejën do ta humbte, e bashke me te dhe mbretërinë. Shumë vite do të kalonin dhe më se fundi, mbreti anzhuin do t’u çonte mesazhe miqësie dhe i ftoi ata të shkonin ne pallatin e tij në Napoli. Një ditë, Tanush Topia dhe Helena e bukur do ti hipnin anijes dhe do të niseshin neper Adriatik drejt Napolit. Mbreti Robert u kishte çuar fjale se i kishte falur dhe se në Napoli po përgatiteshin festimet e pritjes së princit shqiptar. Helena përpiqej të imagjinonte se si do të ishte ky takim me atin. Ajo e njihte mirë zemëratën e tij dhe shpresonte se pas kaq vitesh, mllefi i tij qe shuar dhe ndoshta tashmë me siguri ai do kishte mall jo vetëm të shihte atë, por dhe Karlin e vogël, që mbante si kujtim emrin e dëgjuar. Por ky pinjoll i lindur nga historia e një rrëmbimi apo i një dashurie të nëmur, me gjak shqiptar e francez, nuk do ti ndiqte prindërit e tij. Ai kishte mbetur në kështjellë. Në Napoli, Topia u prit me nderime të mëdha dhe ceremonia vazhdoi gjer natën vonë. Helena dhe Tanushi nuk e dinin se po kalonin natën e fundit të jetës së tyre. Mbreti urdhëroi ti vrisnin që të dy, dhe në mëngjes kufomat e tyre u zhdukën. Rrëmbimi i Helenës, si në teatrot klasike greke, përfundoi me një tragjedi të tmerrshme. Principata mbajti zi për princin dhe princeshën e vrarë. Një armiqësi u krijua për mbretin e Anzhusë.

Sa më shumë rritej princi i vogël, aq më shumë ai krenohej me prejardhjen e tij shqiptare e franceze. Kur u bë zot i Durrësit dhe i krahinës përreth, në stemën e tij ai vazhdoi të mbante zambakët heraldikë duke shtuar dhe luanin e stemës së hershme të anzhuinëve. Karl Topia përmendet për herë te parë rreth viteve 1350, në një kohë kur anzhuinët e zotëronin ende Durrësin, por jo “de facto”. Shqipëria vazhdonte te quhej “Regnum Albania” me kryeqendër Durrësin. Shume vite me vone, anzhuinet e sulmojnë qytetin dhe e pushtojnë atë më 1368, por ai çlirohet përsëri disa vite me vone. Me 1374, Papa Grigor XI, duke pare forcën e princit Karl Topia, i dha atij titullin “Grande Comte d’Albania” (Kont i madh i Shqipërisë).

Marrë nga Wikipedia

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency