Takimi me Ramën Ambasadori i BE-së, Sequi: Shqipëria mund të marrë statusin e kandidatit në dhjetor

0
163

Gëzim Saliu

sequiSequi: Fryma e kompromisit do të bëhet element i ri i politikës shqiptare, tranzicioni të jetë i mirë

 

Pas përmbushjes në masë të konsiderueshme të standardeve evropianë në zgjedhjet e 23 qershorit si edhe konsensusit të klasës politike për votimin e tri ligjeve të Brukselit, duket se shanset që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit në BE brenda këtij viti janë të mëdha. Këtë gjë e konfirmoi dje edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Ettore Sequi, i cili deklaroi se marrja e statusit brenda dhjetorit është diçka që mund të arrihet nga Shqipëria. “Të gjithë shpresojmë që Shqipëria të bëhet këtë vit kandidate për anëtarësim në BE. Marrja e këtij statusi është diçka që mund të arrihet brenda vitit. Axhenda evropiane e Shqipërisë është e qartë, e rëndësishme është si do të zbatohet ajo dhe Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për t’u integruar”, – tha ai pas takimit që zhvilloi në selinë e PS-së me kreun socialist Edi Rama.

Takimi

Në takimin e zhvilluar me kryesocialistin Rama, kryediplomati i BE-së në vend ka nënvizuar domosdoshmërinë që qeveria e re të punojë fort për axhendën evropiane. Duke marrë sigurinë nga lidershipi socialist se procesi i integrimit do të jetë gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues, Sequi tha se ekzekutivi i ri do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të vënë në zbatim axhendën e reformave integruese. “Doja të përgëzoja zotin Rama, por edhe koalicionin e majtë për fitoren. Dëshiroj të marr këtë mundësi të uroj popullin shqiptar. Folëm me zotin Rama të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka Shqipëria përpara. Ne diskutuam faktin se axhenda evropiane është në krye të qeverisë se re. Unë i theksova Ramës mbështetjen e BE-së, në mënyrë që të vihet në zbatim kjo axhendë e re. Diskutuam faktin se qeveria do punoj fort për të vënë në zbatim këtë axhendë dhe nevoja dhe mënyrën si do të ndodhe kjo. Po ashtu iu referova fjalimit elokuent të zotit Rama që tha se do dominojë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi”, – u shpreh Sequi. Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve të 23 qershorit, ambasadori i BE-së tha se ato treguan se fryma e kompromisit po bëhet element i ri i politikës shqiptare. Sipas Sequit, tani është e rëndësishme që procesi zgjedhor të përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. “Po ashtu duket nga këto zgjedhje se fryma e kompromisit do të bëhet element i ri i politikës shqiptare. Ne shpresojmë se procesi zgjedhor do të përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. Dhe që ajo që lipset tani është të ketë tranzicion të mirë drejt pushtetit, i cili do përqendronte përpjekjet ne axhendën e BE-së”, – theksoi Sequi. Zgjedhjet e 23 qershorit janë vlerësuar me nota pozitive nga faktori ndërkombëtar, ku sipas tyre, arritjet kryesore ishin zhvillimi i procesit me standarde evropiane, transparenca e numërimit dhe njohja e rezultatit. Njëkohësisht duke bërë thirrje për një tranzicion të qetë dhe vazhdimin e reformave, kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, KE, OSBE dhe SHBA kanë pohuar nëpërmjet përfaqësuesve të lartë se Shqipëria është në rrugë të mbarë në kuadër të përmbushjes së aspiratës së saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Dy ditë më parë, zv.ndihmёssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i vlerësoi zgjedhjet e 23 qershorit si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë nga Shqipëria. Më parë edhe komisioneri për Zgjerimin Stan Fule ka shprehur vlerësimet e tij për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke theksuar rëndësinë e mbylljes së këtij procesi me standarde, deri në certifikimin e plotë të rezultatit.

 

Ambasadorja e Gjermanisë

Holtkemper: Zgjedhjet e 23 qershorit, një test i kaluar për Shqipërinë

Ambasadorja e Gjermanisë në vend Carola Müller-Holtkemper vlerëson se zgjedhjet e 23 qershorit përbëjnë një test të kaluar për klasën politike shqiptare. Në një intervistë për “Deutsche Welle” kryediplomatja gjermane në Shqipëri thekson se tashmë detyrë kryesore e qeverisë aktuale dhe asaj që merr detyrën në shtator mbetet përmbushja e reformave për të bërë të mundur integrimin e vendit në BE. “Por le të themi se një test është kaluar. Zgjedhjet janë një arritje e madhe. Do të shikohet edhe mënyra e procedimit dhe aktivitetit në jetën parlamentare, ndërkohë që janë edhe dy çështje varur për të cilat ka pasur dakordësi në mbledhjen e Këshillit dhjetorin e vitit të kaluar. Këto dy çështje janë lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Dua të them se në këto dy aspekte ka ende shumë për të bërë”, – tha Holtkemper. Në këtë kontekst, duke nënvizuar se zgjedhjet e 23 qershorit ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në vend, ambasadorja theksoi se ka ende hapësira për përmirësime. “Ja p.sh., deri më sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i pakompletuar dhe punon vetëm me anëtarët e mazhorancës. Ky është një nga kufizimet e procesit zgjedhor. Mendoj se në të ardhmen një institucion i qëndrueshëm, jo politik, tërësisht profesional është i nevojshëm. Procesi i numërimit të fletëve të votimit dukshëm është më i shkurtër në kohë se herët e mëparshme. Por në disa qendra të numërimit ka pasur vonesa dhe zvarritje dhe këtu mendoj se ka shume vend për përmirësime të performancës në të ardhmen. Që procesi të jetë edhe më i shpejtë, që të angazhohen dhe përcaktohen njerëz brenda afateve ligjore nga ana e partive dhe jo të ketë emërime dhe ndryshime të anëtarëve të komisioneve të numërimit në fazën kur puna është në vijim. Kjo i jep mundësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta artikulojë më herët rezultatin final të zgjedhjeve dhe do të shmangë mundësitë për rritjen e tensioneve”, – pohoi ajo. Megjithëse ende nuk ka një rezultat zyrtar, sipas Holtkemper, vendet në Kuvendin e ri thuajse janë përcaktuar në pjesën më të madhe. “Unë uroj që procesi i finalizimit të numërimit dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të jetë sa më i shpejtë. E rëndësishme është që deri më tani një hap i madh është bërë përpara. kryeministri Sali Berisha e ka njohur humbjen dhe tani me shprese do vijohet me kalimin e butë të pushtetit për tek ish opozita që vjen në qeverisje”, – deklaroi ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper.

 

 

Zv.kryeministri i Kosovës

Behgjet Pacolli uron Metën: Zgjedhjet njohën standarde të larta

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka uruar dje kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për suksesin në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në një letër urimi dërguar liderit të LSI-së pak ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri, Pacolli, njëkohësisht edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, deklaroi se zgjedhjet njohën standarde të reja më të larta të zhvillimit të tyre. “Me shumë kënaqësi mësova për suksesin tuaj dhe të partisë suaj në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në Shqipëri, duke njohur standarde të reja më të larta të zhvillimit të tyre. Ishte një sukses që do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga ju”, – shkruhej në letrën e zv.kryeministrit të parë të Kosovës. Më tej në mesazhin e tij, Pacolli theksoi se rezultati i LSI-së ishte mjaft inkurajues për çdo parti të re, teksa veçoi nga fushata përdorimin me sukses të gjuhës ekonomike, të mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të biznesit. “Me siguri do të ketë shumë analiza rreth suksesit tuaj dhe komente rreth tyre, diçka normale për një sukses të këtyre përmasave. Rezultati juaj është mjaft inkurajues për çdo parti të re apo që nuk është pjesë e të ashtuquajturve parti të mëdha një realitet që nuk i është dhënë njëherë e përgjithmonë. Por ajo që unë dua të veçoj nga fushata juaj ishte përdorimi me sukses i gjuhës ekonomike, i mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të biznesit, i ideve për nxitjen e punësimit për rininë”, – pohoi kreu i Aleancës Kosova e Re. Në fund të letrës së urimit, Pacolli theksoi: “Ka shumë punë dhe projekte që na presin, për jetësimin e njëlloj unioni ekonomik midis vendeve tona nëpërmjet një strategjie të përbashkët kombëtare. Këto zhvillime janë shërbim të qytetarëve tanë, të mirëqenies së bashkëkombësve tanë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency