Romario përkrah protestuesit: FIFA është presidentja jonë

0
177

 Përgatiti Altin Vorpsi

 

romario-tetraRomario e cilësoi FIFA-n si presidenten e vërtetë të Brazilit, pasi, sipas tij, në vend që të investohen para për spitale apo shkolla, miliardat hidhen për stadiumet e botërorit

 

 

Protestuesit në Brazil nuk janë vetëm. Përkrah tyre është rreshtuar as më shumë e as më pak një nga legjendat e Brazilit të Zagallos. Flasim për Romarion që e cilësoi FIFA-n si presidenten e vërtetë të Brazilit, pasi, sipas tij, në vend që të investohen para për spitale apo shkolla, miliardat hidhen për stadiumet e botërorit. Romario, i cili është edhe anëtar i Kongresit Brazilian, akuzoi qeverinë për shpenzimet marramendëse, duke theksuar se Brazili ka investuar rreth dy herë më shumë se Gjermania në vitin 2006 apo Afrika e Jugut 4 vite më vonë.

 

Shifrat

“Ata po tallen me ne duke shpenzuar pa kriter paratë tona dhe kjo është një mungesë totale respekti. Ata janë të paskrupullt”. Në vijim të akuzës së tij, Romario theksoi se me paratë e shpenzuara do të ishin ndërtuar 8000 shkolla të reja, do të ishin blerë 39 mijë autobusë si dhe do të ishin ndërtuar rreth 28 mijë komplekse sportive në të gjithë vendin. Kupa e Botës do të zhvillohet në 12 stadiume shumica prej të cilëve janë rikonstruktuar dhe, sipas përllogaritjeve, shuma e shpenzuar shkon deri në 8.1 miliardë dollarë.

 

Shembulli konkret

“Paratë e shpenzuara për stadiumin “Mane Garrincha” në Brazilia mund të ishin përdorur për të ndërtuar 150 mijë shtëpi banimi për familjet e varfra. Pas Kupës së Konfederatave disa gjera do të rindërtohen, sepse nuk funksionojnë më, prandaj unë mendoj se presidenti i vërtetë i këtij vendi është FIFA, që përfiton 4 miliardë reais nga paratë tona dhe nuk paguan asnjë taksë. Ata vijnë këtu me idenë për të marrë gjithçka dhe për të mos paguar asgjë”. Pak kohë më parë, Kongresi Brazilian miratoi një ligj që përjashton FIFA-n nga pagimi i taksave për fitimet që do të ketë nga organizimi i Kupës së Botës dhe, sipas Romarios, që në vitin 2007 kur Brazili fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit, situata ka dalë jashtë binarëve, pasi buxhetet e miratuara për infrastrukturën janë të gjitha të gabuara dhe në këtë rast faturën e paguajnë banorët e vendit.

 

 

 

Luiz Felipe Skolari: Brazilin e vërshëllejnë për faj të FIFA-s

Trajneri i kombëtares së Brazilit, Luiz Felipe Skolari, ka sulmuar ashpër FIFA-n, duke e cilësuar përgjegjëse të situatës së krijuar ku tashmë tifozët brazilianë vërshëllejnë ekipin, pasi nuk lejohen të marrin pjesë në stërvitje, siç ka ndodhur zakonisht. Pas stërvitjes së fundit të përfaqësueses, turma që rrethonte stadiumin, nuk u lejua të hynte në impiant dhe kur skuadra doli me autobus, shumë prej tyre vërshëllyen dhe filluan të lëshonin thirrjet “Italia, Italia”. Kjo situatë bëri që Skolari të shfaqej para mediave dhe të tregonte këndvështrimin e tij rreth çështjes në fjalë. “Dua të sqaroj situatën rreth ekipit kombëtar, në mënyrë që të mos dëmtohemi më nga çështje të tilla. Ne u kritikuam nga FIFA pasi kemi organizuar stërvitje të hapur për të gjithë në Fortaleza. Por tani nuk bëjmë më stërvitje të hapura për publikun pasi nuk na lejohet. Nuk e vendosim ne, as unë. Nuk është mirë që kombëtarja të shoqërohet nga kontestimet siç ndodhi tani. Kur FIFA të na lejojë, ne do të hapim përsëri stërvitjet për publikun”, – deklaroi Skolari. Trajneri i Brazilit edhe më parë kishte kritikuar situatën ku tashmë skuadrat praktikisht ishin të izoluara në hotelet e tyre para ndeshjeve. “Është e tmerrshme që kombëtarja të zhvillojë vetëm stërvitje të mbyllura dhe e tmerrshme që nuk lejohet të dalim jashtë hotelit. Lojtarët janë si të arrestuar, nuk lejohet as të zbresin deri në plazh. Kjo situatë është më e vështirë se zakonisht”, – deklaroi ai.

 

 

 

Sulmuesi i Palermos

Mikoli hedh baltë mbi Falkonen

Kapiteni i Palermos, Fabricio Mikoli bie sërish në rrjetën e hetuesve. Pas skandalit të disa viteve më parë ku ai u fotografua në shoqërinë e djalit të bosit mafioz, Antonio Lauriçella, tashmë duhet të përballet me akuza të reja për zhvatje. Faktet që nxitën hetuesit të nisnin hetimet janë disa biseda telefonike mes Miçolit dhe Lauriçella jr, ku lojtari fyen edhe figurën e ish kryeprokurorit të Palermos, Xhiovani Falkone i vrarë në një atentat të organizuar nga kreu i Koza Nostras, Toto Riina. Në regjistrime dëgjohet qartë që Mikoli e cilëson heroin e drejtësisë italiane si një njeri të baltosur. Por hetimet nuk mbyllen këtu sepse kapiteni i Palermos dyshohet si i ka kërkuar një shitësi 4 karta sim me emra të ndryshëm, njëra prej të cilave përfundoi në duart e djalit të mafiozit Lauriçela. Prokurorët janë gjithashtu në dijeni edhe të bisedave mes Mikolit dhe të dyshuarit tjetër për pjesëmarrje në organizatë mafioze, Françesko Gutadauro. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar menjëherë ministri i shërbimeve publike, Xhanpiero D’Alia, sipas të cilit, Mikoli duhet përjashtuar përjetësisht nga futbolli për fjalët fyese ndaj ish kryeprokurorit të Palermos, Xhovani Falkone. Tashmë fjalën e ka gjykata pasi këtë herë, rrethi ndaj idhullit të tifozerisë siciliane po ngushtohet dhe këtë herë ndoshta nuk mund ta kalojë thjesht me një tërheqje veshi.

 

Merkato

Ançeloti kërkon Runin tek Reali

Nëse Uejn Runi dëshiron të largohet nga Mançester Junajtid, atëherë Karlo Ançeloti do ta presë krahëhapur te Real Madrid. Sipas mediave angleze, ashtu si edhe nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive në këtë vend, Runi është blerja më e mundshme e Realit në repartin e avancuar për sezonin e ardhshëm. Sipas “Daily Mail”, vetë preferenca e Runit është t’i bashkohet Zhoze Murinjos te Çelsi, por Mançester Junajtid as që ka ndër mend të ndihmoj rivalët direkt dhe do ta lejojë atë të largohet vetëm nëse zgjedh një skuadër jashtë Anglisë, me Reali që mban vendin e parë mes preferencave. Kuptohet se Reali ka fuqinë financiare për të përballuar 30 milion paund që mendohet se kushton kartoni i Runit. Ançeloti, sapo të marrë detyrën në stolin e ekipit spanjoll, do të ketë detyrën e vështirë të zgjedhë se cilin do të kthejë në objektiv kryesor të merkatos së klubit, pasi përveç Runit, madrilenët po ndjekin me vëmendje edhe Edinson Kavani, Garet Bejl dhe Serxhio Aguero.

Mendohet se Runi do të takojë fillimisht trajnerin e ri të Mançester Junajtid, Devid Mojes, për të folur për të ardhmen, por ka shumë pak gjasa që ai të ndryshojë mendje dhe të vazhdojë të qëndrojë në radhët e kësaj skuadre.

 

Itali

Fiorentina mendon për Vijën

Fiorentina ka hyrë në garë për të siguruar David Vijën, me shpresën që të bindë nëpërmjet projektit të saj futbollistin e përfaqësues spanjolle, i cili me shumë mundësi do të largohet nga Barcelona. Lajmi është konfirmuar pjesërisht nga menaxheri i lojtarit, Viktor Onate, i cili e ka vlerësuar si një hipotezë të kënaqshme transferimin në një skuadër të tillë.“Mund të cilësohet e tepruar të flasim për një interesim formal nga Fiorentina, por le të themi se njohim projektin që kjo skuadër ka në mendje”, – u shpreh ai për mediat italiane. “Unë kam punuar te Valencia me drejtorin teknik aktual të Fiorentinës, Eduardo Macia. Jemi miq dhe kontaktojmë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Di që Fiorentina ka kaluar një sezon të mirë dhe shpresojnë që të rriten përsëri”, tha ai. Onate ka bërë të qartë gjithashtu se vetë largimi i Vija nga Barcelona nuk do të jetë krejtësisht i lehtë. “Ai është i përqendruar në Kupën e Konfederatave. Të largohesh nga një klub si Barcelona nuk është e lehtë, varet nga shumë faktorë. Një nga këto faktorë është edhe Botërori 2014, ku ai dëshiron të luajë si protagonist. Nëse largohet, jemi në kërkim të një projekti të rëndësishëm”, – deklaroi menaxheri i sulmuesit.

 

Shkëmbimi

Kasano i projektuar drejt Parmës

Xhenoa tërhiqet nga tratativa për Antonio Kasanon. Ka mjaftuar takimi në “Forte dei Marmi” me agjentin e lojtarit, Bepe Boco, për të bindur presidentin kuqeblu, Enriko Preciozi, të heqë dorë.

“Tratativa mes Parmës dhe Interit ka avancuar së tepërmi, ndaj dhe përfshirja në këto bisedime nga ana jonë nuk do të ishte e logjikshme. E them me keqardhje”, ka thënë numri një Xhenoan. Kështu, Kasano do të përfundojë në krahët e Roberto Donadonit. Belfodil do të ndërmarrë hapin e kundërt, pra do të vishet zikaltër. Preciozi shpresonte të rikthente në Xhenova, te “grifonët”, por është detyruar të dorëzohet përpara evidencave: “Nuk më pëlqen të futem mes diskutimeve të të tjerëve”, – shpjegoi Preciozi. “Sigurisht, Kasano më pëlqen, sikurse i pëlqen kujtdo që e adhuron futbollin”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency